F A Q E T

Samstag, 13. Juli 2013

Cikël poetik nga Rrahim Sadiku


Etje lirie ‘81

Lirinë e përqafova përvëlueshëm
me sy ndiqja rrugicën e gjakut
nga trupi im ai po futej në tokën mëmë
e unë vuaja më i lumtur se kurrë
tërë kohën e botës kisha përpara
derisa hetuesi nuk dinte si të sillej
më donte të vdekur e të gjallë njëkohësisht
po më shumë të vdekur nuk i druhej përgjegjësisë
të lumtur nuk më donte kurrsesi
vuante edhe vetë i gjakosur
nga gjaku im sikur e kishte humbur
gjithë gjakun e tij nuk e kishte më në vete zemrën
andaj isha më i gjallë se kurrë
i nisur për të sjellë Doruntinën po
tash me emrin Liri
gjallë a vdekur për ta mbajtur fjalën e dhënë
gjallë a vdekur gjallë
alivanosur plagosur sakatosur dhembjesh...
i gjallë
do të jetoja e dija derisa ta shihja nusen Liri
nuse nëpër gjithë Atdheun
ndiqja me ngulm rrugën e etjeve të mia
e le të bëhej çka të bëhej
i përkisja jetës jetës e vetëm jetës
le të thyheshin eshtrat
le të qelbej mishi e të shkuleshin flokët
njëmijë e njëqind kataklizma le të lëshoheshin mbi mua
e të bëhej një tokë e qiell e big beng
etje lirie do të mbetem betohesha
o do të mbetem për sot e nesër
e edhe për dasmë të madhe
rrugës së gjakut Liria mbjell lule e shoh
vjen me mijëra krushq me mijëra këngë
ajo vjen e unë Konstatin me kalin tim prej përjetësie
do të ngre gotën e do të pi
e do të uroj fitoren në vendin tim
me tërë dashurinë e mundshme
për Lirinë

 Burgu ‘81

Aty duan të bindesh se je fill i vetëm
fill i vetëm e se më për ty nuk ka shpëtim
me ata përballë të pamëshirshëm
kope ujqish që duan të të shqyejnë
të ta hanë shpirtin trurin zemrën
xhveshjen nga njerëzorja ta ngulisin të ty
të ndjehesh krejt i kotë në jetë
krejt i pavlerë
duan të kërkosh mëshirë të lutesh
të të falin pasi të kanë marrë çdo gjë
edhe jetën
ashtu duan ata
po ti çka do
ti
je më me përkrahje se ata
më i etur se ata sepse do mirësinë
sepse do diturinë dritën jetën e lirë
njerëzoren nuk e heq nga vetja
prandaj je aq i plotë e ke besim
për vlerat që do të nguliten në Atdhe
andaj duron gjakosesh alivanosesh ringjallesh
një oh nuk lëshon një gjëmë
e jetën do edhe më shumë
po asgjë çka duan ata
dhe mbetesh ti
fleta e bardhë gjakosur prej teje
pa asnjë fjalë të thënë nga ti
pa asnjë pranim...
mandej gjithçka nis nga e para
me ditë
me javë
me muaj...
ata duan të bindesh se je fill i vetëm
e ti bindesh e vetbindesh
se e gjithë bota është me ty....


Shëti vrastare në Burgun e Pejës

Atje lart po e shkurtojnë jetë,
klithmat mbulojnë tokën e qiellin!
Pushkët drejt në ne, durojmë!
Si të durohet e gjithë kjo!?
Nela i kënaqur urdhëron ecje ecje,
të gërryen shpirtin, duart prapa qirret…
Atje lart dehen me gjak
s’je durimtar më,
merr vrapin të shpëtosh viktimëm
veten, në rend të parë…
Një goditje në kokë e më nuk ndien gjë
rrokullisesh shkallëve…
Atje larg klithmat nuk ndalen
e çuditshme sa duron njeriu!


Një këngë për trimat e rënë

Dhe duhet një këngë për trimat e rënë, thonë,
pa këngë nuk është e plotë trimëria!
Ne e dimë
ata nuk luftuan për t’i kënduar në këngë!
Ata na treguan si shkruhet me gjak
kënga e kreshnikërisë!
Si këndohet në vendin tonë
me pushkë, minahedhës e topa
kënga e qëndresës titanike,
me bu[imë të atdhedashurisë!


Kthimi ‘99

Jam i gjallë nëno...
po kthehem krenar Atdheut
për të ikur nga netët e gjata nga lotët
në ditët tua po endem me ëndrrat me shpresën
me qëndresën jam nëno me mallin e shekujve
as për shokët e vrarë mos qaj as për gjymtyrët e mbetur maleve
mos prek plagët trishtimin mos ngacmo kujtimet
mos vuaj nëno pse jam kështu i kërrusur
se shpirti drejt po ec kah e madhërishmja Liri
ngulitur në vendlindje si pranvera si lisat
zërin tim dëgjo me krismat e fitores
që këpusin zingjirët e burgjeve anembanë Ballkanit
aty ku lamë gjakun rininë dashurinë ku rritëm
jam i gjallë nëno
e dhembja dhe krenaria le të jenë me ata që s’janë këtu
që janë këtu më të gjallë se të gjallët...
i kam shokë të vuajtjeve i kam shokë medet
sa mashtruese kjo jetë sa i qëndrueshëm Atdheu
mos vajto nëno për lotët e mi kur ndërron koha
në kohë jam nënë edhe kur ec mundimshëm
jam i gjallë e po mbahem kujtimit e fitores
jam i gjallë, nëno....


Bisedë me mikun dëshmor, Zejnullah Zejna

Ku ta gjej shërimin për mallin?
Për dhembjen ngushëllimin ku ta gjej?!
Si të mos përjetësohet e gjitha që ndodhi,
e gjitha si të ruhet kujtesës, O Zot, si?
Kur me dredhi na e kanë përzier shenjtërinë?
Ah, miku im, pse kështu?!
Në mëngjes, në mbrëmje i vetëm,
fill i vetëm mbetem midis zallamahisë.
Midis egërsisë, pakuptimësisë...
Me mijëra e mijëra vetmitarë të tjerë shikojmë lojën...
Asgjë në vendin ku duhet.
Askush në vendin ku kërkohet.
Vetëm përzierje miku im, vetëm përzierje... e trutharë...
Trutharë miku im, trutharë, e shesin mend.
Pa zemër miku im, pa zemër, e flasin për mirësi.
Vrasin, vjedhin rrjepin e flasin për drejtësi?!
Pa atdhe, miku im, pa atdhe, apatridë të pastër ndyrësisë...
E atdheut në qafë i kanë hipur!
Ah miku im, ah...
As botë lotësh nuk ka sa duhet rreth meje, miku im,
se as lotët nuk kanë më kuptim.
Se jetohet sot me nesër, vetëm sot më nesër.
E ardhmja po vritet ende pa ardhur, miku im.
Kundërmim hijenash kudo, qeshje laraskash,
dredhi dhelprash, miku im...
Pse kaq herë më vjen keq që nuk jam atje ku je Ti?!


Dhembje luftëtari

Më mungon dhembshëm,
në tinguj zemre shtrihet gjërë e gjatë mosprania jote,
telat e shpirtit dridh!

Shtri dorën ta kap belin e ëndrrës,
pikëllimin zë menjëherë,
nis e këndoj trishtueshëm.

Liri, dashuri e pafund, përjetësi drite,
ti kërkon krojet e atdhedashurisë
t’i shuash etjet,
pa frikë se vdekjet mund të shtohen
se ato bëhen lindje shoqëruar nga Ti,
pa trembje se helmet mund të shtohen ...
vazhdon udhëtimin.

Ti ke gjithë mbarësinë e botës me vete
andaj fluturon larg e larg e mua...
Mua këtu, në trupin e shpuar nga plumbat
më je më e dashur se secilit...
Mua më mungon dhembshëm!

O thirrje lirie

Jam në rrugë. Rrugës më të gjërë të jetës sime.
Për të mos njohur kurrë nënshtrimin. Po shpejtoj për atje.
Në tokën kurrë të harruar, të quajtur Kosovë.
Të kuptimit Shqipëri, popull shqiptar. Atdhe.
Me barrën e pikëllimit e etjes në zemër bashkohem me luftëtarë.
Barrë pikëllimi e dhembjeje kudo shoh kudo. Edhe krenari.
Po luftohet për Liri.
Për të arritur atë që kemi dashur, gjatë e zhuritshëm, brez pas brezi,
Atë për të cilën jemi djegur e përvëluar, si popull.
Për këto etje e synim jam këtu edhe unë.
Jam Astrit Suli. Njëzet e tre vjeç.
Vij nga Berati të luftojë për Kosovë.
Jungjatejta! A jeni si jeni, burra!
O fjalë nga Atdheu.
O thirrje lirie.
O Liri!
Nga këtu e atje toka ime e ndarë thërret trimërinë.
Zgjohen shekujt e etjeve për bashkim.
Jam Astrit Suli dhe po luftoj për Kosovë.

Në bjeshkët e Sulit
Suli rri atje. Përsëri krenar.
Me të thënat e të pathënat ndryrë në vete.
Në kujtesën kombëtare i tëri i larë me gjak!
Ky jeni o suliotë?!
Heronj të lirisë së Greqisë?!!!
Po liria Juaj... Liria për të cilën luftuat e ratë,
Për të cilën dhatë krejt çka kishit!
Ku mbeti Liria, ej?!
Suli rri atje.
Dhembje e shpirtit shqiptar mbeteni, Sul e suliotë!
Nuk do të harrohet kurrë historia e trimëria suliote,
e pashmebullt, e papërsëritshme.
Ngulitur thellë e thellë në ndërgjegjen kombëtare.
Në vitet e dhembjes pa fund.
Në kujtimet pa mbarim.
Në këto bjeshkë, bjeshkë e bjeshkë... Deri te Deti i Shpresës...
Fshehur aty sakrificat që nuk mund të numërohen.
Gjithnjë me besimin për të qenë të lirë.
Po liria? Liria...
Dhembje e përhershme e shpirtit shqiptar mbeteni Ju, suliotë.
Dhe lotë? O, pse thonë se lotët nuk dalin për trimat?!


Ecje përjetësie

Nuk donim t’ia dinim që asgjë e kësaj bote
nuk ka fund ashtu si nuk ka as fillim

kishim rrugë përpara shumë rrugë deri te ëndrra
shtyheshim me të pandalshmen

e dinim se gjitha ndodh e ndërtohet bukur në botën ndryshe
amshimi tashmë kishte zbritur në mendje e në zemra

njohëm shumë dhembje e gëzime deri te shpresa
e gjitha ndodhi për hapin më tutje

shkonim atje ku imagjinata ndjell të panjohurën
duke mos hapur dot atë kutinë magjike

gjithnjë duke pritur diçka më shumë hyjnoren
ku kemi besuar se kemi arritur të gjithë

ishim atje ku nuk ka arritur askush kujtonim
kishim arritur ku nuk arrijnë dot të gjithë

andej kuptuam se ka shumë rrugë deri te ëndrra
deri te shpresa ka edhe më shumë rrugë

së paku një pjesë kohe e kemi bërë tonën
e kemi ecur tutje

pa na u bërë vonë pse e gjitha në botë
nuk ka fillim ashtu si nuk do të ketë as fund


Gjenerata ime

Ishim të artë në kohë, kishim plot besim,
me vendosmërinë, guximin, shpresën nisëm ëndrrën,
Të krijonim horizontin ku do të lindte diell i lirisë,
Ku do të hynim ndryshe me synimin ndryshe!
Kalonim sfidave, realitetin tejkalonim, shekujt;
prapambeturinë mundnim, varfërinë, paditurinë,
robërisë me libra ia këpusnim rrënjët,
na merrte përpara elan i synimeve,
besonim ta kapnim edhe të pambërritshmen!
Hapnim trasen e ecjeve të shpejta
të niseshim lidhjeve me botën,
këpusnim vargonjtë e ngujimit të gjatë.
Dilnim nga balta e mjerimit, dhembjeve,
duke ëndërruar për nesër, për pallate të bardha,
qëndronim të paepur në acare, breshër,
stuhitë na sulmonin nga të gjitha anët,
hijenat na shikonin e lëpinim buzët,
nuk ishim më pre që kapej lehtë,
shihnim edhe përtej shtatë malesh,
asnjëherë nuk u shua etja jonë e zjarrtë,
e merituam të ishim kësaj kohe mundimesh e fitoresh
të dhembshme e të artë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen