F A Q E T

Dienstag, 2. Juli 2013

Fatime Kulli

Fatime Kulli është lindur me 23 korrik 1957 ne Durrës. Pas shkollës fillore dhe 8 vjeçare, ka mbaruar Shkollën e Mjeshtërisë sportive në Durrës. Shkollën e Mesme të Përgjithshme dhe të Mesmen Teknologjike në qytetin e Shkodrës. Për arsye politike të familjes se saj, ka vuajtur dëbim-interrnim për shume vjet dhe pas vitit 1990, ka mbaruar studimet e larta në fakultetin filologjik, shkencat sociale.... Pas vitit ‘’ 91 punon si gazetare në shtypin e qytetit të Veriut, Radio – Shkodra, gazeta “Shqipëria Etnike”, Drejtore në televizionin 2ATV, në Radio-Tirana, si dhe në disa gazeta periodike dhe kulturore. Ishte Kryeredaktore në Gazetën “Ndryshe” dhe Drejtore në revistën “Obelisk”, aktualisht redaktore e librit. Banon në Tiranë.

Botime:
- “Ma lini portën çel” (poezi)
- “Lakuriq mbi tastierë” (poezi)
- “Masturboj me diellin” (poezi)
- “Parlament në pyll” (fabula) –
- “Zemrën e dua pasqyrë” (poezi)
- “Tensione emocionesh” (tregime)
- “Ethet e zhveshura” (poezi italisht-shqip)
- “Shkëndija e eshkës” (poezi- botuar në Shkup)
-  “Deti mbytet në guaskë” (poezi- botuar në Kumanovë)
- “Trëndafil i djersitur” (poezi-botuar në Tetovë)
- “Në gojë të diellit” (poezi për fëmijë)
- “Drithërimat e frikës” (roman)
- “Cila është më bukur” (poemë për fëmijë)
- “Uragani i meteorëve” (monografi-studim-publicistikë) – “111 fjalë të ndyra dashurie” (poezi & tregime) – “Mitra e zjarrit” (poezi) – “Njëzet e dy” (roman) -Këpucët e Mjegullës (poezi)

Ka marrë këto vlerësime në aktivitete letrare:
- Në vitin 2001 ka marrë Çmimin “Radio Ulqini” në Mal të Zi (me poezinë “Kam frikë”, të librit “Ethet e zhveshura”
- Në vitin 2002 është vlerësuar me vendin e dytë në takimin poetik të Salernos në – — Napolit, midis 100 poetëve nga Evropa.
- Është vlerësuar si poetja më e mirë e poezisë lirike erotike në takimin Ballkanik që është zhvilluar në Korc? në vitin 2002.
- Ka marrë Penën e Artë në Kumanovë me librin “Deti mbytet në guaskë” në vitin 2003.
- Pjesëmarrëse në Institutin e Shkencave të Letërsisë në Kembrixh, me librin poetik “Trëndafil i djersitur” në vitin 2004.
- Ka marrë Penën e Artë në Athinë (në klubin e shkrimtarëve “Kodmus”) me ese të përzgjedhur nga libri studimor “Retinë” në vitin 5005.
- Pjesëmarrëse në takimin e kritikëve Evropianë në Gjenova, ku është vlerësuar si një intelektual “Ndryshe” në fushën e kritikës letrare, në vitin 2006.
- Fituese e çmimit të Parë në takimin e Poeteshave Shqiptare në Vushtri, maj 2008.
- Fituese e çmimit “Skampini” ne takimin Ballkanik ne Elbasan 2009.
- Pjesëmarrëse në festivalin e poezinë botërore në Strugë, gusht 2009.



Cikël poetik nga Fatime Kulli

Ti je asgjëja dhe gjithësia

Ti je fërshëllima e erës
Ti je vala e shpërthimeve…
Në udhëkryq kalimesh me ëndrra
Ti je fjala që kurrë s’ta kam thënë
Ndërthurje aromënxehtë e magjepsjes
Ti je aroma e bjeshkëve
Ti je vala dalldisëse e detit të paanë…
Kohë që s’mbart druajtje
Në fluturimin tim nxitimthi…
Ti je bukuria e njeriut me virtyte
Ti je kënga më e bukur
Që unë ende s’ia kam gjetur tekstin
Ti je buka e shpirtit tim
Ti je ajri, uji, drita,
Ti je fryma, dhimbja,
Pikëllimi, gëzimi im,
Ti je asgjëja dhe gjithësia
Ndaj të dua dhe s’di pse të dua…!
 
Si qiriri
Më mungon zëri
I muzës virgjëreshë
Që shkrihet nëpër ëndërr
Si qiriri.

Dashuruar me varfërinë

Jetoj në ishull gjigant
Poezia varet pasarelave të parasë!
Ndjej vajin dhe gazin,
Nën obrellë prej letre,
Të diellit shoshëshpuar…

Vargjet më lypin bukë,
Nga kafshata ime!
Pena lufton me muzën,
Pikturon portretin e dritës,
Dashuruar marrëzisht me varfërinë!
Poezia parakalon, si ushtar fitimtar.

...Flasin!

Flasin pa mbarim,
Zgjaten monopateve,
Thonjtë e gaforres…!
… flasin,
Plasariten gjijtë e tokës…
Njollat i varin tek zanoret…
Shpikin germa të reja,
Fjalët i ngjeshin n’autostradë…
Lidhur me flamur,
Në qyrkun e lirisë!


Dhomë zërash

Dëgjoj
Dhomën e zërave,
Drita dridhet…
Dallkaukë t’babëzitur,
Dalldisen dëshirave…!
Dolli për yje-vrarët…
Dallojë kufomat…!
Davariten vendimet,
Derivatet, n’krye fron!

Dëgjoj
Dhomën e zërave…
Ditën nënshkruajnë…
Duan t’i shenjtërojnë,
Diellit shterpë!

Ditë-Nata
Dëgjon,
Dhomë zërash,
Ditar i hirtë…
Dheu rrënohet,
Duarve të pista!


Kërkon shpirt gruaje

Tejpërtej murit të dhimbjes,
Nuk shoh dritë, dëgjoj veç zëra
Të kryqëzuar nga ligësia,
Presin lotët e një gruaje…

Tejpërtej ngrehinës së mërisë,
Përpëlitet një dritë e vobektë,
Mbledhur si lëmsh,
Kërkon duart e një gruaje…

Tejpërtej humnerës së urrejtjes,
Pipëtin një dritë hijezhveshur,
Ligështuar deri në amshim,
Kërkon një shpirt gruaje…


Në pus të ëndrrës…

Ëndrrat që përkunda
Në djep të kohës,
Janë varur si smerald
Në pus të dhimbjes…

Duart e ëndrrës,
Përpëliten nëpër zgjime…


Baladë, kushtuar nënës sime

Era e tërbuar e shekujve
U përplas ndër gjokse të engjëjve të pafaj
Koha u trullos dhe u bë qameti
Nëna ime ballërrudhur e shpirtplasur,
Këndon:
“Janinës ç’i panë sitëeee, Jaaaninoooo

Ish e prëmte ajo ditëeee, Jaaaaajaninooo”


Oh, nënë, ç’është ky zë që gjëmon si në legjendë
Që drithëron dhe eshtrat e të parëve në çdo qelizë

Ah moj bije e nënës, e njoh mirë këtë gjëmë
Ish shtrëngatë e stuhi, në atë kohë,
Yjet ranë nga qielli të përgjakur, një e nga një
Kafka e hënës ra në prehrin e tokës amë
Barërat u helmuan, livadhet u gjakosën anë e kënd…
Mos nënë, mos më thuaj gjak, gjak…
ohhhhhhhh, joooooooooooo, gjak

Po bijë, sa gjak është derdhur në tokën Arbënore!
Toka e përgjakur nga kufomat më rrinë ende në sy…
Shkëmbinjtë shekullore u copëtuan nga dhimbja
Ia ndërruan format, ngjyrat, emërtimet…
Eh, s’munda të ngjyej as hijen e gishtit,
Të shkruaj emrin tim mbi një varr,
Në oxhakun ku kam qarë e qeshur për herë të parë…

O Zot, sa shumë dhimbje e lot ka pirë kjo tokë
Dielli po më rrëzohet para këmbëve të mia…
Në qerpikë më ka ngrirë kripa e lotit…
Ku rënkon e thinjur në vetull, Çamëria…
Janinës ç’i panë sitëeeee, Jaaaa janinoooooooo…

Të lutem nënë, mos këndo më, se më lëndon
Këtu në Ballkan kanë rënë shumë bijë e bija…

Ah moj bijë, do këndoj se kështu është historia,
Lotët e nënave të mira, u murosën,
U bënë margaritar, të ndriçojnë shpirtrat e qiejve,
Për të ndritur sytë e diejve, që popujt të ndjejnë, PAQE …|
 
________________

Burimi:PRISHTINAORESS.INFO

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen