F A Q E T

Sonntag, 7. Juli 2013

Gjëma e burrave


Kur qajnë burrat!

Nga Gjon Neçaj


Sipas kronikanëve të kohës, kur vdiq Skënderbeu në vitin 1468, Lekë Dukagjini rrihte gjoksin e shkulte flokët, siç bëri Akili kur u vra Patrokli në luftën e Trojës, tremijë e kusur vjet më parë. Udhëtarë e misionarë të huaj të shekujve XV-XVII, që kanë studiuar dhe vërejtur këtë dukuri të malësorëve të Shqipërisë së veriut, sidomos ritet e vajtimit ndër burra, i vlerësojnë ato si të natyrës pagane e të çuditshme. Etnologu Mark Tirta tregon për “Shekulli”-n se në vitin 1637 misionari Rodini, në kujtimet e tij dëshmon se “burrat shqiptarë qajnë e bërtasin me të madhe më shumë se një gjysmë ore, bërtasin bashkarisht më fort nga ç’kanë bërtitur izraelitët në vendin e Hananit ku kanë varrosur Patriakun Jakov”.


Nisi me Skënderbeun mbaroi me një burrë nga Peraj

 Në Shqipërinë e veriut, kryesisht në regjionet e Nikaj Merturit, Dukagjinit, disa krahinave të Pukës, Malësisë së Mbishkodrës, Kosovës, etj riti i gjëmës së burrave ka filluar pas vdekjes së Skënderbeut, pra rreth vitit 1468 janë kronikat e para që raportojnë këtë zakon. Tradita ka vazhduar deri në vitin 1960. Për herë të fundit në Nikaj Mërtur, gjëma e burrave është bërë në vdekjen e Malush Zeqirit nga fshati Peraj. Thuhet se oshëtima dhe britmat e gjëmatarëve kanë ushtuar deri në qafë të Kolçit. Ishte një ndër ngjarjet që shtyu sistemin komunist ta ndalojë këtë rit të veçantë duke e konsideruar “zakon prapanik”.


Sjellja e çuditshme e Lekës në varrimin e Skënderbeut

 Pjetër Ndue Marticanaj, ish-mësues historie dhe njohës i mirë i traditave të zonës së Nikaj-Merturit konfirmon se zanafilla e këtij riti është pikërisht sjellja e Lekë Dukagjinit në vdekjen e Skënderbeut: “Princi Lekë Dukagjini nga mërzia e thellë për vdekjen e Skënderbeut, vajtoi me zë të lartë, rrahu gjoksin, shkuli flokët dhe filloi të gërvishet me thonj. Duket e habitshme, por e bërë prej Lekës, u kthye në zakon. Që andej e tutje, për çdo burrë të nderuar, duhej të kryhej i njëjti rit”, - thotë ai dhe shton: “Është një rit i organizuar. Prijësi ka detyrën që të merret me çdo detaj dhe përgjegjësinë që çdo gjë të shkojë në mënyrën e duhur”.


Dëshmitari 90-vjeçar: U ndërpre rreth viteve ‘60

 Zef Prend Pepkolaj 90 vjeçar (nga fshati Rajë), ka marrë pjesë shpesh në këtë rit. Ai vetë e ka mësuar nga gjyshi i tij që në moshë të re. “Por nga vitet 50-60 riti u ndërpre nga regjimi komunist si zakon prapanik. “Ka rifilluar pas viteve ’90”, - tregon Zefi.“Mblidheshin burrat e fshatit dhe të fisit dhe nga larg e nisnin gjëmën duke rrahur gjoksin me grushta”,- thotë 90 vjeçari. Prijësi më pas i afron burrat tek personi që i bëhet gjëma dhe u thotë burrave që ta rrethojnë. Nëse gjëmën ia bënin nipit, thuhej :“o i mjeri nipi im”; nëse gjëma i bëhej mikut, thuhej: “o i mjeri mik”, - thotë ai. Teksti i kushtohej të vdekurit, virtyteve dhe cilësive të tij. Pra, një histori e shkurtër e atij burri që ikën.


 Emrat e disa gjëmatarëve të fundit profesionistë

 Në Nikaj Mertur dhe Dukagjin ka patur gjëmatarë të njohur si Ndoc Gjoni, Zeqir Prela, Gjelosh Kola, Kukel Ndoci, Sokol Delia, Nikollë Zefi, Pjetër Ndou (Peraj), Nosh Luci, (Brisë), Qerim Delia, (Salcë), Kukel Ndou, (Curraj i Epërm) etj. Ata e trashëguan prej të parëve këtë rit special të vajtimit. Studiuesi 80-vjecar Ibrahim Kadria, thotë se Nikollë Zefi ishte nga prijësit e fundit të gjëmës së burrave prej 50 vjetësh. Thotë Ibrahimi: “Gjëma vijoi deri vonë si rit në malësinë e Nikaj Merturit, Dukagjinit, Gjakovës dhe në Iballë së Pukës. Vajtimi mund të fillojë vetëm nëse në të marrin pjesë të paktën mbi 10 burra. Sa më shumë meshkuj t’i bashkohen ritit, aq më i respektuar është personi për të cilin bëhet gjëma…”


Përshkrimi i detajeve: Gjëma e burrave organizohet në grup në disa faza



 Në fazën e parë gjëmatarët heqin rrobat e rënda (në kohë dimri e të ftohti ), vendosin duart mbi ijet e bërrylat dhe i mbajnë hapur anash. Prijësi i gjëmës (ai zgjidhet unanimisht nga pjesëmarrësit duke qënë më i vjetri,e më i përgatituri), jep shenjë dhe fillon lëvizja duke u përdredhur i gjithë grupi herë majtas e herë djathtas, duke u përkulur mbi shalë e duke u ngritur, duke rrahur për tokë herë njëren këmbë e herë tjetrën, duke shpërthyer në britma të gjithë përnjëherë. Pastaj të gjithë ngrejnë kokën lart, e një dorë e vënë te goja e tjetrën te veshi duke lëshuar ofshama dhe thërrasin emrin e të vdekurit me fuqi e duke e zgjatur zërin. Pastaj shpërthejnë me thirrje.

Në fazën e dytë ata lëshohen me hap të rëndë dhe epik drejt kufomës (përshkojnë distancë rreth 50-100 m) dhe ndalojnë të gjithë përnjëherësh. Pamja është interesante: kryet lart,kraharorzbuluar, duar në ije, me këmbë gjysmë të hapura. Pastaj gjëmatarët “ngrijnë" dhe presin shenjën e prijësit. Sapo ai bën shenjë ata lëshojnë pasthirrmën “hou! “ ose “ho!”, he-
qin duart nga mesi, i bëjnë grusht dhe me forcë i ngrejnë lart. E kështu i mbajnë derisa përfundojnë thirrjen “i mjeri unë për ty!”. Pastaj menjëherë ulin grushtat dhe i përplasin mbi kraharorin e zbuluar. Kjo zgjat derisa gjëmatarët mbarojnë ofshamën “Ho! Ho! Ho!”.
Në fazën e tretë, nëse mund ta quajmë kështu, me shenjë të prijësit, sulmojnë me vrap edhe 50-100 hapa drejt të vdekurit. Kur lëshojnë thirrjen e përseritur “Ho! Ho! Ho!” heqin duart nga mesi dhe i çojnë anash te fytyra, ngulin thonjtë në tëmtha e në faqe e nisin e gërvishin fytyrën derisa të rrjedhë gjaku.
Së fundi, ulen në gjunjë me radhë duke vazhduar thirrjen e fundit, ulen krejt për tokë, mbështesin ballin përdhe e me duar përkëdhelin dheun. Qëndrojnë kështu deri sa një mashkull i shtëpisë apo vëllaznisë së të vdekurit, i ngarkuar për këtë punë, u shkon afër dhe i ngre, duke u thënë: “boll o burra!” dhe “Ua shpërblefshin në të mira!” ose “Paçi faqen e bardhë!”.


Disa veçori që duhet të ketë “burri gjamatar”

Gjamatarët ose brimtarët burra (sikurse edhe vajtoret femra), janë gjysmëprofesionistë dhe profesionistë. Vajtori bën gjamë për mashkullin e vdekur e jo për gruan. Ai duhet të ketë zë të lartë e të fortë. Në anën tjetër teksti duhet të jetë i atillë që t'ua lehtësojë dhe zvogëlojë dhimbjen dhe pikëllimin familjes dhe farefisit. Gjama e burrave në Malësi nuk ka një formësim të vargut konstant, por i ngjanë një naracioni të lirë. Janë pjesërisht të improvizuara. Veçoritë fonetike dhe shprehjet frazeologjike janë interesante: Thuhet për shembull “Mjer-o sot për ty Pjeter Leka!", por edhe: I mje-e-ri, o Sokol Zefi !", O-ooo, i mjeri Gjelosh Marku", "I mjeee-ri, o Nikë Gjoni! ". Ka edhe gjamë individuale (një burrë i vetëm), por kjo del si fenomen më i vonshëm, krahasim me gjamën kolektive. Gjamatari individual para se të thërras vaj, vë dy duart në brez duke nxjerrë njërën këmbë (në të shumtën e rasteve të majtën) përpara dhe ia fillon gjamës, duke theksuar ato virtyte e tipare që e kanë cilësuar për së gjalli të ndjerin, por edhe familjen e tij apo fisin. Gjamatari mund të thërrasë vajin te shtëpia vetëm në mëngjes. Natën nuk ka vajtore as gjamatarë te shtëpia, që thërrasin vajin.
Disa nga keto rite dhe zakone jane te perbashketa edhe per Malesine e Madhe, Shkrelin, Kelmendin dhe disa regjione ne Kosove ku banojne katolikë.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen