F A Q E T

Mittwoch, 17. Juli 2013

Grigor Jovani: Poezi të verës

 
Grigor Jovani

SHTEPIA IME

Erërat e malit janë flamujt e mi.
Kam qenë sundimtar dhe vazhdoj të jem
i një Atdheu që kundërmon si trëndafil.
Kam rritur shqiponja në sofitë të shtëpisë,
kam vënë në gjumë mjelmat në krevatin tim,
me xixëllonjat pas mesnate kam idil.
Republika e Shpendëve qytetar nderi më ka,
më njohin të gjitha kafshët që jetojnë në pyll,
zogjtë më ftojnë në koncerte e tyre përnatë,
hëna ul për mua llozhën e saj mbi një yll.

Kthehem në shtëpi, sa nuk ka gdhirë akoma,
tek Fjala e bukur Shqipe, me 36 dhoma.


 
PULLAT POSTARE

Brenda një albumi të burgosura
psherëtijnë të plakura
pullat postare.
Dikur i njomnin me pështymë
gratë me buzët e bukura,
tani
i kanë harruar në sirtare.
Ah, të bëhej t’i lagnin
prapë me pështymë,
buzët e bukura të grave,
që i ngjitnin në zarf
edhe shpresonin...
Pegasët e qiejve
të shalonin prapë,
mbi shpresa kthimesh
të fluturonin.

Gratë,
tani vetëm kujtohen t’i ajrosin,
sjellin diçka nëpër mend,
vënë buzën në gaz
dhe përsëri i burgosin.

 
DASHURI ESHTE...

Dashuri është të ndjesh një mëngjes,
se të mungon nga tërësia e ështrave
një brinjë.
Si Edmond Dantes,
që në vend të shtratit të së dashurës Mercedes,
u gdhi në burgun Sato Dif,
mbi shkëmbinj.
Dhe ta kërkosh. Por të vërtetën mos të ta thotë
askush. Dhe nëse nuk do të mundesh të durosh
njëzet vjet,
si Odiseja,
shumë-shumë të endesh si Vespuçi, të gjesh
një Botë të Re,
t’ia mbushësh mendjen vetvetes, se është
ajo e Vjetra,
e Reja.

Dashuri është ndjesh një ditë një brinjë
më pak
dhe të ngushëllosh vetveten se është
dhimbje e zakonshme për plak.


 
TE RROSH NJE VJERSHE

Nuk mjafton të bësh një vjershë
të bukur,
gjë kaq e vështirë
dhe kaq e madhe,
ndonëse vjershëtorët
s’janë dhe pak...

Më e mrekullueshme është
të rrosh një vjershë,
ashtu thjesht,
siç përjeton një puthje,
që gozhere bletësh
ngre në gjak.

Ai mjalt pastaj... Që rrjedh ndër deje,
për të mbushur zemrën,
pak nga pak.
S’mund të jesh vetëm poet, atëhere,
je paksa si Shenjt,
si Homer plak.


 
ISHA NË NJE DET

Isha në një det dhe kundroja detin,
kaq absolut dhe i madhërishëm,
saqë pushtonte gjithë horizontin
dhe i zinte pamjen qiellit.
Fryu një erë nga thellësia e detit
më bëri shpirtin të përqafojë dallgët,
të ledhatojë brigjet,
të bëhet telaro
për ngjyrat e diellit.

Isha në një det dhe kundroja detin,
aq sa harrova perënditë e qiellit.

 
IKJA E BABAIT

Baxhure dritaresh
puthitur
një herë e mirë,
sytë tij
të mbyllura,
në arkëmortje.

Veç vdekjes
i shpëtoi një hollësi:
kishte harruar
t’i fshinte në buzë,
një buzëgaz
gjithë ndrojtje.

Ma kishte thënë,
im atë,
ca ditë më parë:
do ia hedh vdekjes,
o bir,
ke për të parë!

 
PLAGA E HELMUAR

Duhet të marr një bisturi në duar,
të gërmoj thellë plagën e helmuar,
mbase ia gjej të Keqes rrënjët.
Ta shkul! Ta qep! Të mos i duken penjët!
Duhet ta kisha bërë me kohë. Sa ishte herët,
por rëndësi s’i dhashë. Vetëm të tjerët,
i shqetësonte fakti, që një puçër
rritej në heshtje, qelbej hudhër.
Punonte nën rrogoz. Shtrihej përbrenda,
përhapte rrënjët ku ia kishte ënda.
U bë si pyll një ditë. Frymën më zuri...

Tani kërkoj një qendër. Veç një pikë,
Ta shkul një herë e mirë, se kam frikë...

Por me një kusht: të ketë shpëtuar truri!

 
LUGATI I ZI

Gjithnjë e më shumë, tani që po plakem,
më vijnë historitë e hershme nga fshati.
Ishte pas shtëpisë një mulli i braktisur.
Më thoshin për të: - Aty rri Lugati!
Unë u besoja. Me ankth, pas dritares,
ruaja përnatë portën e mullirit.
Isha i sigurtë: një ditë do të shfaqej,
me sytë xixëllonjës, poshtë mantelit të hirit.
Kur mbyllja qepallat, më shfaqej si zhgjendër,
më ndiqte sokakut, gjer poshtë, tek rrëpira.
Më zihej fryma, bërtisja në ëndërr.
Më mblidhte në prehër nëna ime, e mira.

Vite më vonë, vija gjithmonë te mulliri,
doja të bëhesha, një kohë, mullixhi.
Të lija natën jashtë, një thas me miell gruri,
mos shfaqej ta merrte dikur Lugati i Zi.

Vjet, kur time bijë shëtisja nëpër fshat,
i thashë para mullirit: - Këtu rri një Lugat!

 
MENDOJE MIRE

Mendoje mirë, mund t’ia arrish:
digj dy-tre pyje si fillim,
bonifiko një det të tërë,
vë gijotinën në tre male.
Që të jesh pranë meje sa më shpejt,
dhe erën mposht, dhe ditën ndale!

Mendoje mirë, se kam të lehtë,
që të kuptoj durimin tënd,
tek përballoj dënimin tim:
gjithë verën me mungesën tënde!
Janë mbushur plazhet tej e tej,
por ty s’të shoh në ato vende.

Shoh veç ca pelikanë mbi det,
që udhëtojnë pa bagazh,
veshur me një këmishë të bardhë
dhe ngjajnë nga poshtë si aeroplane.
Që t’u ngresh pritë: zë një majëmal,
ndërroju kurs drejt kësaj ane.

Mendoje mirë, kur të jesh mbi re...
Përndryshe s’do ketë verë për ne.

 
PASTHENIE

Vjeshta nënshkroi pasthënien e një libri,
që u shkrua copë-copë,
nëpër plazhet e nxehur,
ku dielli kishte bashkuar bregun dhe detin
dhe i kishte dehur.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen