F A Q E T

Mittwoch, 17. Juli 2013

Rifat Kukaj

Rifat Kukaj

Rifat Kukaj (25 tetor 1939 - 11 shtator 2005) lindi në Tërstenik të Drenicës, studioi në Normalen e Prishtinës. Është prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese "Rilindja". Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez por edhe botoi shkrime vetanake në shumë nga këto gjuhë. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama. Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe se ndihmoi autorë të shumtë të rinj.
Vdiq në Ulqin, u varros në vendlindje.

Disa nga titujt e librve:


  • Xhuxhi nga Taxhuxhi - dramë humorisitike
  • Lepuri me pesë këmbë - skenarë filmi artistik
  • Bardhi e Mirushja (1986) - roman
  • Kokërmeli e Pilivesa (1971) - roman
  • Dita e xhufkave (1972) - roman
  • Shkrepi i Diellit (1972) - roman
  • Minaku i përhimtë (1973)- roman
  • Vjollca magjike (1974) - roman
  • Rrasa e Zogut (1975) - roman
  • Droja (1978) - roman
  • Dreri me një bri (1986)- roman
  • Xhuxhi nga Xhuxhishta (1998)- roman
  • Gogozheli i Gogozhinës (1999)- roman
  • Shkurtabiqi më i madh në botë {2000} - roman (botoi: URA)
  • Fshehtësia e breshkës (2002)- roman
  • Majmuni me kurorë mbretërore (2003) - Roman



  • Poezi nga Rifat Kukaj


    1. ZOGU I LASGUSHIT

    Yll i ndritur në natë qershori
    Sikur ra prej gjithësisë,
    Ngazëllyeshëm, sytë m’i mori
    Në degë t’qershisë.

    U purtekëm unë e gjethet
    Qetë e lehtë me petalet,
    Qielli vetë nisi të prehet
    Edhe malet.


    Kënga nga zogu i brishtë
    Lindi krejt ëndërrimtare,
    Dritë feksoi n’flatra e bisht
    Dhe n’për dritare.

    Gëzim, shpresë, në gji më derdhe
    E hare të butë si pushi,
    Zog-magji ti mirë se erdhe
    Nga Lasgushi!

    Ato porosi të larta
    Te dritarja e shtëpisë
    Po m’i thotë me vargje t’arta
    Kalorësi i bukurisë.




    2. NËNË KAM POR JAM JETIM

    (Mikut të sinqertë, shkrimtarit Odhise Grillo,
    që ma frymëzoi këtë vjershë)


    Udhëtova nga anë e anës

    Deri n’sheshin e Tiranës.

    Aty pashë një vogëlush

    Që i kishte sytë si rrush!

    Dhe e putha në dy faqe

    Ç’aromë lulesh-manushaqe!


    E përkëdhela dhe në gushë

    Si rrezja zogun në fushë.

    Ai më pa me habi:

    -Or xhaxha, kush je ti?!

    Jam poet - ca i krisur

    Nga Drenica larg i nisur...

    Erdha të thith nënën në gji

    Bashkë me një vëlla të ri.

    M’i fshij lotët ylli im

    Nënë kam por jam jetim.

    Na ndau skilja Evropë

    Që u ndaftë: copë-copë!




    3. BALADËZ

    Me pushkë në krah
    Një ditë dola për gjah.

    N’shteg qëndroja si guhak
    Zagari lehte n’imshtak.

    U mbështeta për një ah
    Harrova zagar e gjah,
    Mbi dëborën e ndritur
    Pikasa një zog të përhitur,
    Aq i brishtë e krejt i ngrirë
    Në acar ai martir
    Në shpinë i shtrirë!

    Këmbët thik përpjetë
    Ah jetë, sa e shkretë.

    Mbase shpresa i ka thënë:
    “Shtriji e ngrohi në Hënë!”

    Në mua vajtonte dita
    Në dy zyçka ende drita
    Po fiksonte por e mekur
    Porsi Hëna e paprekur
    Nga këmbët e zogut të gjorë
    Orëprerit në dëborë.

    Mbaron rrëfmi për një jetë
    Në vargun e njëzetetretë!




    4. BUKUROSH EDHE LAROSH

    Kryet në det
    Bishtin te retë...

    Në këtë shpat
    Puth shtëpitë,
    Në atë shpat
    Zogjtë e fëmi’ të...
    Degë më degë

    Edhe qershitë...
    Bukurosh edhe larosh
    Ah, ta kisha për krahosh!
    Lart në qiell I larmi hark
    E gudulis Lumi në bark...

    Nuk është urë
    Është pikturë!

    Këndoi trishtili:
    “Ciu, ciu, ciu...

    Se ç’na doli
    Pas shiut?!!!”




    5. NËNA 

    Ti ke pak zjarrmi
    Vogëlushe Leonorë,
    E nënës i digjet
    Zemra në kraharorë.

    N’mëngjes, po e zëmë
    S’të hahet - nuk ha,
    Urinë e tërë botës
    Nëna at’ ditë e ka...

    Oh, pa pandehur gishtin
    E gërvishte pak,
    E di ç’ndodh me nënën?
    Zemra i pikon gjak!

    Mbi shtrojën më t’butë
    Ajo shpesh këlthet:
    -Kam dro’ ndonjë pupël
    Vashëzën mos ma vret.

     



    6. VESHËT E LEPURIT
     

    Në arën me grurë
    Në fshatin Veleshtë
    Lepuri herë i çonte
    Herë i palonte veshët...

    Në fshat po qante një fëmijë
    Këtë lepuri s’desh ta dëgjonte
    Ndaj veshët i palonte...

    Në fshat po qeshte një fëmijë
    Këtë lepuri desh ta dëgjonte
    I lumtur veshët i çonte...




    7. DY MOTRA

    “Dy motra, ven’ e vijnë,
    Njëra tjetrën s’e arrijnë..."

    ”Kujdes, në kthesë
    Mos e ngre kokën lart
    Se më puthesh me asfalt!

    Lëviz me këmbë mbaju me dorë
    Hapi sytë-në semaforë!

    Je i lehtë në Biçikletë, a dëgjon?
    Por s’je vetëm në komunikacion...

    ________
    Biografia e autorit është marrur nga Wikipedia

    Keine Kommentare:

    Kommentar veröffentlichen