F A Q E T

Sonntag, 14. Juli 2013

Kalosh Çeliku

Kalosh Çeliku

Kalosh Çeliku lindi më 13 shkurt l951 në fshatin Cërvicë të Kërçovës (IRJ e Maqedonisë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme normale në Shkup, ndërsa studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës (Kosovë). Çeliku shkruan poezi e prozë për fëmijë e të rritur dhe gjer më sot ka botuar rreth dyzetë libra: Zogu erdhi me një këngë - vjersha (l982), Lepuri me pushkë - tregime (l983), Shtëpiza e xixëllonjave - tregime (1984), Ferexhja e zezë - dramë (1985), Arusha pa bisht - tregime (l986), Dielli zbret malevе - novelë (l986), Varrimi i sorrave - roman (1988), Vite me borë - roman (l990), Trumbetat e Tellallit - satira (l992), Imzot, lehin qentë - drama (1993), Trimi shihet në vepër - poemë (l994), Çohuni trima shaloni lapsin – rrëfenja (1994), Sorraku i Qytetit - pjesë teatrore (1994), Kali i Trojës nëpër Bit - Pazar - satira (1994), Loja e syve - poezi (1995), Babi ka dy nuse - roman, (1995), Vjellja e zorrëve - poezi (1996), Qyteti i qyqeve - roman (1997), E përcolla Natën - poezi (1998), Mbrëmë fjeta me Vjeshtën - poezi (1999), Kopeja me zgjebe ndjek Autorin - drama (2000), Shtëpia publike – roman (2000), Si u ndava me Gruan time“ – satira (2001), Gratë e mia besnike – roman (2001), Lamtumirë bërllok - nëntë drama (2002, 2007), Me tre varre - roman (2002), Vdekja më deshi më pak se Ti - poezi (2003), Edhe Ajo nuk ishte xheloze - poezi (2004), Repriza e vëllazërim - bashkimit - dramë (2005), Atdheu ky burrë pa Grua - poezi (2006), Kulturofagu - antiroman (2006), Burrat i përzë me burra e Mua me gra - poezi (2007), Engjëlli im është Grua - poezi (2007), Dimri, s’vjen me lule - 5 poema (2007), Ujku e di një lojë - poezi (2007), Kur bërtet “vojvoda“ e pjell Kurvë Partia - satira (2008), Dac Poeti i shkruan poezi Mamit - poemë humoristike (2008), Ehu - poezi (2008), Gruaja besnike – roman (2009), Djemnusha – roman (2010), Atdheu burrё pa Grua - poezi (pёrzgjedhje, 2010) etj.
Që nga viti 1992 ai drejton Shtëpinë Gazetare - Botuese ASDRENI, në Shkup dhe është kryeredaktor i të vetmes revistë për humor dhe satirë ZEKTHI, që del kur t’i teket në IRJ të Maqedonisë. Dhe, që nga ky vit (2009) mbarëkombëtarë, është fitues i disa çmimeve të konkurseve letrare në poezi, tregime dhe pjesë teatrore. Njëherit, edhe i çmimeve letrare: PERENDESHË E BUKURISË, në Netët e Poezisë Korçare (2003), në Korçë, Çmimin AS për letërsi (2007), në Kërçovë, “SYRI I KALTËR“ (2007), në Sarandë, “SEREMBE“ (2008), në Laç, “FLAKADANI I KARADAKUT“ (2009), në Viti, Çmim special për vëllimin poetik: EHU nga Simpoziumi Ndërkombtar “MUZA POETIKE”, “PEGASI” (2009), në Gjirokastër, “JEHONA E KARADAKUT” (2010), nё Kumanovё, “SKAMPINI” nё Festivalin Ballkanik tё pozisё (2010), nё Elabasan etj.
Krijimtaria e tij letrare është përkthyer në disa gjuhë: maqedone, gjermane, turke, bullgare, rumune, greke etj. Që nga viti 1992 – 1997, ishte nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar dhe kryetar 1997 – 2001. Momentalisht është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në IRJ të Maqedonisë. Dhe, themelues i disa manifestimeve kulturore tradicionale ndërkombëtarë: Ditët e Naimit, në Tetovë, Takime nën Rrap, në Shkup (poezi erotike) dhe i Ditëve të humorit dhe satirës: XHA DERALLA, në Kërçovë. Poashtu është edhe themelues dhe kryeredaktor i revistës letrare STILI 97, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar në IRJ të Maqedonisë.
Çeliku gjer më vitin 1995 punoi si mësues i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Drenicë të Kosovës dhe Malësinë e Shkupit. Vitet e fundit punon dhe jeton në Shkup, tashmë në profesionin e lirë të shkrimtarit. /Wikipedia/


Poezi nga Kalosh Çeliku


Jam pasardhës i Emin Çelikut

Trusakatë, jam pasardhës i Emin Çelikut
Dhe, i dal zot popullit tim. E bëj namin.
Mbylleni gojën! Vatanin nuk e jap. Poezinë
Nateditë jam i ngjeshur me kollanë fishekësh.
Vargje. Lapsin e kam të vetmen armë.

Trusakatë, jam pasardhës i Emin Çelikut
I veshur me vargje. Lapsin e kam armë...

Dhe, Verë e shkretë

Dhe, verë e shkretë. Vapë e madhe
Temperatura 45 oC, në Shkup.
Malet në flakë… E gjithë Natyra
Ikin zogjtë. Kafshët. Gjarpërinjtë
IRJ e Maqedonisë ndizet flakë.

"Armiqtë” i vijnë në ndihmë ta shuajnë
Nga toka e qielli me helikopterë. Tymeflakë
Digjet IRJ e Maqedonisë. “Oaza e paqes”…

25 korrik 2007


Zonja Vdekje do të më ringjallë

Unë shkoj matanë kur të dua vetë
Vdes. Dhe, ringjallem si Feniksi.
O burra, vij nga mesi i të vdekurve
E pash Zonjën Vdekje. E bukur Nuse.
Edhe njëherë më ringjalli në Qafë Thanë.

Unë shkoj matanë kur të dua vetë
Vdes. Dhe, ringjallem si Feniksi.
Zonjën Vdekje e kam Nuse pa kurorë…


Ëndërronte Vdekjen. Verën dhe gratë

O Imzot! Ëndërronte Vdekjen. Verën dhe gratë
Dhe, të gjitha ia jepte Zoti. Hyu.
Vdiq në Voskopojë. U ringjall në Korçë
Edhe njëherë e preku Vdekja n’ Qafë Thanë
Engjëlli Grua e mori në mbrojtje. Gji.

Netët i kalon mes poezive. Grave
E shalon Gjokun mes arave. Maleve…


Unë erdha para agimit

Natën e kalova në një Përrua
Mes maleve. Dhe, mushkonjave.
Hënë nuk kishte. Dielli bënte gjumë
Zonja Vdekje më mbante në prehër
Ballin ma lëmonte me dorë. Flokët.

Të nesërmen, Engjëlli im Grua
Më dha gji. Fuqi për luftë.
Dhe, Unë erdha para agimit…


U zgjua vera

Lulet flenë kokë më kokë. Bari
Shelgu e përkund një zog në degë.
Lejleku, ama ia ka thënë mbi çati
Dhe, ma kujtoi tim Atë me kosë në Livadh.

Vapë. Edhe gjinkalla këndon këngë.
Flutura ime me pika mbi një lule
Krushqit vijnë pa nuse. U zgjua Vera…


Flakë e re del nga oxhaku

Dimër. Acari e ngroh Shtëpinë
Bora i bëhet çati. Terri sy.
Hajdutët pas porte. Ujqërit në lëmë
Delet po na i presin në qafë. Qentë.
Zjarrin e mori gjumi në oxhak
Nëna më nuk është që t’i hedhë dru.

Babën nuk ka kush ta zgjojë nga gjumi
Armën ta shkrepi. Ndezi zjarrin.
Flakë e re mbi çati. Tym del nga oxhaku…


Vardar ti ke bërë ndarje natyrore

Vardar, ti ke parë. Dëgjuar me veshë
Ushtri romake. Turke. Gjermane. Sllave.
Çizme, që e shkelnin nëpër shekuj këtë Qytet
Megjithatë, ti mbete Vardar. Lumë.
Që, nëpër shekuj e ndan Shkupin.

Vardar, këtë Qytet u përpoqën me shekuj
Ta bashkojnë: Turqit. Gjermanët. Sllavët.
Vetëm ti ia arrite qëllimit me ndarje natyrore…


Banor i shtratit të grave

Fëmijërinë time e kalova në Katund
Livadhit. Pas Çuke me llastik në dorë.
Edhe një pipizane shelgu në brez
Hëna ecte pas meje deri në mëngjes.

Dhiareve këmbadoras u ngjita në majë.
Nata më bënte dritë. Udhë qiellore
Mua Poetit. Banor i shtratit të grave…


Gratë e mia vyshken në heshtje

Vjeshtë. Bryma ka rënë në Kopsht
Gjethet i ka djegur. Lulet.
Ftoit ia ka shkundur degët
Kumbullës. Edhe mollën verore.
Verdhë. Verdhë. Dhe, verdhë.

Këmbëkryq jam ulur në Kopsht
Dhe, u lutem si Zotit grave të mia!
Që, vyshken në heshtje. Shtrat
E mi bëjnë poezitë të çelin në Vjeshtë…


Unë nuk mbeta gojëlidhur

Rrufeja shtiu në Lisin midis Livadhit
Dhe, e goditi mu në majë. Kokë.
Gjarpër i ra përmes. U fut në tokë
Matanë Çukës e shkrepi edhe një flakë.

E goditi edhe një herë me zjarr
Frikën e zgjoi. Ditën në Katund.
Punemadhe. Unë nuk mbeta gojëlidhur…


Dhe, i përgjigjem: rroj ashtu si dua Unë Poeti

Zëra pas shpine. Thashetheme
Verë pi me shtamba. Gra besnike.
Natën e kam bërë ditë. E ditën natë
Poezinë moti e kam marrë për grua.
Edhe Hënën kulaçe majë një ftoi.

Shtriga, që kurrë s’m’u bë grua besnike
Shtratin ma shtron natën në Qafë Thanë.
Dhe, i përgjigjem: rroj ashtu si di Unë Poeti…


Dielli më rroku për qafe

Rrugë e gjatë mes maleve. Hëna e plotë
Dhiare kërkoj përmes Liqenit. Dallgëve.
Qiriri i ndezur në breg. Shtrati nën qiell
Yjet kush mi shkund natën mbi kokë?!

Mëngjes. Vesa mi lau sytë. Ballin
Dielli te Burimi më rroku për qafe…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen