F A Q E T

Sonntag, 14. Juli 2013

Rizah Sheqiri

Rizah Sheqiri u lind më 12 janar 1961 në Braine, ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme të mjekësis dhe fakultetin Filologjik- Dega Letërsi dhe gjuhë Shqipe e kreu në Prishtinë. Shtatë vite punoi në Radio - Prishtinë, ku realizoi një varg emisionesh kulturore, artistike, arsimore dhe për fëmijë. Me krijimtari ka filluar të merret që nga bankat e shkollës fillore. Shkruan prozë dhe poezi për të rritur dhe fëmijë. Që nga viti 1991 do të emigrojë jashtë atedheut dhe vendoset në Suedi, ku ende jeton dhe krijon. Punon arsimtar i gjuhës shqipe me femijet tanë mërgimtarë. Që nga viti 1994 është antar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë.

Libra të botuara
1998 Flutura në natë (poezi për të rritur)
1998 Kur bishti e harron kokën (vjersha humoristike dhe fabula)
1998 Në shoqëri me të adhuruarit e mi (vjersha për fëmijë)
1999 Pranverë pa pranverë (vjersha)
2000 Pak më ndryshe (tregime dhe përralla)
2000 Shoferi i lojës (tregime për fëmijë)
2000 Nëse patjetër të duhet e vërteta (poezi shqip dhe suedisht)
2000 Nëse patjetër të duhet e vërteta (poezi shqip dhe gjermanisht)
2000 Përqafim në ëndërr (tregime)

Në gjuhën Suedeze
Att ta emot sanningen dikter
Utan hem. Var ska man bo? noveller & dikter
Ett hjärta fullt av kärlek, barn- och ungdomsbok, verser, dikter - tvåspråkig albansk-svensk
Sorgesånger


Poezi nga Rizah Sheqiri

AMANETI

Kahdo që të nisesh
biro
të qoftë udhë e mbarë

po vrapove
kujdes
mund të rrëzohesh
mbahu mirë për toke
edhe nëse fluturon

eh
po i mërguar
në dhé të huaj
si të ta mbaj amanetin
LOKE!


Flutura në erë

Bën ftohtë
fryjnë erëra
ngritet tym e mjegull
e bie shi shi i madh
gjelat paralajmërojnë heshtjen
e bie shi shi i madh
pas shiut
a shfaqet ylberi i buzëqeshjes

kohë e bukur
a bën mbi glob
a çelin lule
a del pranverë
ndonjëherë
për ne - flutura në erë?


Faqe ditari e një mërgimtari

Nënë po e puth diellin në faqe
e ti puthe të puthurën time

nënë sytë i kam të drejtuar kah ti
dhe me një rreze grindem si fëmijë
që nga atdheu s'më solli pak dashuri
e të dehem të dehem ngrohtësi

ju për mua sy e zemër i keni plot mall
e unë bredh botës qyqe - mërgimtar
as gjumin s'e bëj si gjumë
as diellin s'e ndjej si diell
as hëna s'më duket si hënë
gjithmonë me një lot të ngrirë në sy
me dy fjalë të ndrydhura në zemër
me më të ëmblat fjalë ATDHE E NëNë

Nënë puthe diellin në faqe
unë ta puth të puthurën tënde.


Degëz e këputur

Shtërngata një degëz nga trungu e shkuli
era e mori dhe larg larg e shpuri
degëzshkreta pranë një trungu tjetër vend zuri

e trungu edhe pse mbeti në erë
degë e degëza i përtriu përherë

trung i plandosur sërish përparoi
pas shtrëngatës me gjelbërim plagët i mbëltoi
po degëza e këputur kurrë nuk gjethoi.



Degëz e këputur 2

Trungu i paluhatur përballoi erë e shtërngatë
degëzshkreta përgjithmonë hyri në natën e gjatë

Kur në qëndresë thyen qafën shtërngata e era
trungun e bulëzuar me afsh e përqafoi pranvera.

E degëza që u mashtrua pas erës
kurrë më s'iu gëzua pranverës…

Një trungu tjetër në gji iu fut por kot
e tëra u shndërrua në dhembje - në lot.



Këgë Vaji

Mëngjeset janë të zymta
ditët të errëta
e netët e trishtuara
në dhé të huaj
malli përvëlon ēdo refugjat
kokëdhembja është e gjatë

Zemra as ndalet as pëlcet
ballit i shtohen rrudha
poetit në shpirt i qanë muza
dhe
nga këngëvaji i dridhet buza.


Kur merr rrugën e kurbetit

Kur merr rrugën e kurbetit
varrin hapur gjithmonë e ke,

medet për atë njeri
që s'ka vend për varr në atdhe.


Shtegtar

Atje i dhunuar i ndjekur nga shtëpia
këtu i përbuzur i huaj pa shtëpi
armik i rrugëve - rrugët në sy
gjithë bota e vogël për ēerdhen e tij.

Shpirti i shtegtarit det kurrë i qetë
lëngon të prehet s'paku njëherë në jetë.

Patjetër diku në një shtrat
që askush s'e di ku e kur
do të mbulohet me një jorgan dheu
e nën kokë do ta vërë një gur
po s'është i sigurt a do të jetë i tij edhe varri
që s'paku i vdekur të mos shtegtojë shtegtari!

***
Rrugëve
në botë i pa botë

dhembjeve
në jetë i pa jetë

plot dashuri
edhe në varr i pavarr

në këngë
pafundësisht - shtegtar!



Mall për gjyshen

Gjyshemira, flokëthinjura ime e dashur
si patën guxim të më thonë se ke vdekur
më vranë shpresën më hapën plagë në zemër
shpirtin ma thau loti gur i dhembjes
e më vërshoi ai lumë i mallit.

Gjysheurta ime, përralla e kënga
ata më thanë, po ti s'ke vdekur
jo jo në mua e për mua s'ke vdekur
urtësia ime, s'ju besoj fjalëve kob
as kështu siē jam në këtë amulli
po më thuaj njëmend, gjyshe - thinjoshja ime
a kam vdekur unë i mërguar a ke vdekur ti?
Jo jo
ti s'ke vdekur se amanetin s'ma the
kam vdekur unë
që s'ta hodha sipër as një grusht dhé!

Eh, dhembje, vdekje, e zezë jetë
gjyshe më thanë syhapur shkove
me mallin për nipat në kurbet
jetëzeza jetë - medet;
ti shkove syhapur me mallin për nipat
e neve rrugëve të botës na verboi malli
shpirt e zemër flakë na i kalli.

Njeriu syhapur në vendlindje vdes
po ne në kurbet të verbër nga malli
errësirë e dhembje mbrëmje e mëngjes.

E dashura gjyshe njerëzit ndërrojnë jetë
në atdhe s'vdesin jo - në kurbet vdiqëm ne
për së gjalli të mbuluar nga dhembja e malli
ashtu siē mbulohen kufomat me dhé.
______________________
 Burimi: Biografia e autorit  është marrë nga Wikipedia, kurse poezitë nga faqe të ndrxeshme në internet

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen