F A Q E T

Samstag, 20. Juli 2013

Liliana Furrxhiu

Për "Ora shqiptare" GRIGOR JOVANI, Athinë

Liliana Furrxhiu ka hyrë tashmë në botën e letrave. Boton në shtypin letrar, ka tërhequr vëmëndjen e kritikës, shfaqet nëpër antologji. Nuk e ka futur kush, vetë ka hyrë në odat e shkrimtarëve, duke lënë në prag këpucët e saj me baltën e Myzeqesë. Si vajzë fshati, megjithatë, nuk u dha rëndësi ca gjërave: i kishin mbetur në flokë dhe në ëndrrat e saj vajzërore lulëzat e bregut të lumit, britmat e zarigogave, legjendat që ia tregonin mamaja dhe gjyshja, tek e prisnin të kthehej nga studimet. Këto gjëra, të natyrshme për një rritje artistike, të cilat ajo i solli spontanisht në art, u ranë në sy shkrimtarëve, tek e bujtën në odat e tyre. Prof. Nasho Jorgaqi, në parathënien e librit të saj të parë, "Për një çast unë shkela ëndrrën", botuar qysh kur ishte gjimnaziste, vuri në dukje: "E ëmbël dhe e brishtë, e drojtur dhe e dlirë, Liliana Furrxhiu rikëndon me zërin e saj ato çka jetuar dhe përjetuar deri më tani. Një zë i sinqertë, herë herë prekës, por i besueshëm, që më bën të shpresoj, që këto këngë shpirti s'do të mbeten kënga e mjellmës..." Dinte ç'thoshte mjeshtri. Nuk mbetën. Manaxherja zyrtare e "Pegasit", me të cilin ka filluar të bëjë edhe fluturimet e saj në qiellin e artit, ka përgatitur një vëllim të ri poetik, si edhe vazhdon të shkruajë në prozë. Por edhe proza e saj është poezi. Sollëm këtë cikël poetik, për të dëshmuar sa themi më sipër. Do të mbeten këto krijime shpirti "kënga e mjellmës". Mbase... Por për një gjë jemi të sigurtë: duke e lexuar, askush nuk do të rrijë indiferent. Siç nuk rrinte ajo, tek shikonte zarigogat e lumit të saj...


Poezi nga Liliana Furrxhiu


TE DUA
 

Të dua!
Si një melodi zemre,
me puthje kompozuar.
Si një mendim ëndrre,
lëkurëgjarpëruar.
Si një puhizë mendimi,
mëngjezeve filtruar.
Si nje pikëz vese,
petaleshpresëpikuar.

Më shumë,
se veten time të mohuar!

 


ME DEGJO

Dëgjo:
nuk ndërtohen shtëpitë me tulla të njoma.
Me shiun e parë tretet balta e kuqe,
bëhet dhe.

Dëgjo:
Nuk niset anija në det pa vela mëndafshi.
Në furtunën e parë bëhen rrecka,
në kthim, nuk gjendet më atdhe.

Dëgjo:
Nuk ndërtojnë dallëndyshet foletë nëpër pemë.
Me strehëzat nënshkruajnë kontrata banimi,
të kenë një shtëpi.

Dëgjo:
Nuk ndizet zjarri në oxhak vetëm me purteka.
Drutë e lisit ia mbajnë shpirtin gjallë…

Dëgjo, ndonëse, të gjitha këto, ti i di…



TË NDIEJ NE SHPIRT

Ripe lëkurën time, nga koka gjer në maj të gishtave,
mbështillu me të.
Vetëm atëherë do ndjesh ethet, zjarrin, lotin që zjen,
që digjet për ty,
pa zë!
Merre frymën time, bashkë me zemrën që vuan,
përqafohu me to.
Veç atëherë do ndjesh rrahjet, që vetëm ty të përkasin,
që thërrasin për ty,
dëgjo!
Merri sytë e mi, shkuli bashkë me qerpikët,
mbulohu me to.
Vetëm atëherë do rrënqethesh, do ndiesh diellin që ikën
nën qepalla, për ty,
veç shiko !

 


KESHTJELLA

Ngrita kështjellën e ëndrrave,
në buzë të detit.

M'a shëmbi realiteti.

 


ME FAL!

Më fal!
... që e përtyp botën në një gllënkë dhe nuk mbytem,
nuk trembem, nuk ndërtoj guacka refuzimi për t’u fshehur
nëpër qoshe frike,

se duroj.

Më fal!
... që e pështyj fatin në një pellg dhe nuk tërhiqem,
nuk shtirem, nuk përmbys anijet e shtegëtimit të shpirtit
nëpër brigje drite,

se jetoj.

Më fal!
... që ekzistoj.



SHPIRT I VRARE

Sikur të kishte sy llogjika dhe zemra të kishte
pakëz tru, nuk do përdoreshin fjalët,
si pas shpine thikat,
nuk do turbullohej nga lotët zemra,
nuk do ngulej shpirti si një kokë e prerë,
në një hu…



BEJ SI DI VETE

Të flas në emër të dashurisë, të flas në emër të së vërtetës,
ngado që shkoj, ngado që mbillem, ngado që mbij,
kokën e kam pas, hapat janë të çalë, mendimi është i verbër.

Te flas në emër të unit, në emër të zjarrit, në emër të dritës,
edhe kur zgjohem, edhe kur shuhem, edhe kur nuk fikem,
ngadalë nanuritem, ngadalë shkëlqej, ngadalë digjem.

Të flas në emër të shpirtit, në emër të detit, në emër të qiellit,
thjesht jam pishtar, thjesht jam dallgë, thjesht jam kometë,
eci nën hije puthjesh, eci në brigje vargjesh, eci tek yjet, mbi retë.

Të flas në emër të luleve, në emër të lumit, në emër të heshtjes,
më shiko si gonxhe, më shiko si shelg, më shiko si rrëfim,
më prek me buzë, më pushto me fletë, më dëgjo me zemër...

... ose më mirë... bëj si di vetë.

 


PERQAFUAR

Netëve bëhem xixëllonjë,
pranë dritares tënde,
pa të prishur gjumin.

Uni im, vjen pas meje,
si një nerajdë lumi.

Në mëngjes, para ikjes,
nerajdën,
ta marr me vete dua.

Hedh sytë nga shtrati yt...
Flini përqafuar !

 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen