F A Q E T

Sonntag, 21. Juli 2013

Xheladin Hamza

Xheladin Emrullah Hamza u lind më 03. 08. 1952. në Rahovec. Në fëmijëri të hershme në moshën tre vjeçare mbetet pa një prindër, pa babanë. Ritet në kushtet shumë të vështira të jetës.
Pas mbarimit të shkollimit punësohet në Kuvendin komunal në Rahovec, në Drejtorinë për financa dhe buxhet. Në fillim të viteve të nëntëdhjeta si shumë shqiptarë të tjerë edhe poeti largohet me dhunë nga puna. Pas çlirimit sërish aktivizohet në Kuvendin komunal në Drejtorinë për financa dhe buxhet. Krahas punës dhe detyrave profesionale ai merret edhe me shkrime letrare dhe përkthime.
Në vitin 2005 botoi librin e tij të parë "Pse trëndafilat çelin" si dhe përkthimin në gjuhën shqipe Duaja e Kumejlit (Lutja e Kumejlit) të Imam Aliut. Në vitin 2008 botoi librin e tij të dytë të titulluar "Ngjyrat e shkëlqimit". Përmbledhjen poetike "Hapat e mi" të cilin e keni në dorë është libri i tij i tretë. Jeton në Rahovec - Kosovë


Poezi nga Xheladin Hamza

AROMË TRËNDAFILI

Dorën time të lodhur, dredh e lehta pendë
Rëndon shpirtin që flakë digjet për ty
Ajsberg më bëhet trupi në lundrim me ty
Ndër ëndrrat më të bukura që s’kanë mbarim
Vesa e mëngjesit të ftohtë fle mbi ballin tim
E dielli me rreze të arta ma puth ballin e lagur
Rob i buzëve tua të zjarrta mbetem përjetësisht
Aty, në varreza të pahapura, varrosen ndjenjat e mia...

Eh ,sikur të kisha krahët e një engjëlli qiellor
Vonë pas mesnate do të fluturoja tek ti
Sa më pëlqejnë udhëtimet mistike qiellore
Në kohë kur ora nuk bën matjen e saj
Dhe ura e ylberit lidh dy shpirtra larg me vite drite,
Arshi mbi qiej do të dridhej edhe njëherë për ne të dy
Robëria për buzët e tua, në aromë trëndafili do të
shndërrohej...


 O XHANI IM

Yjet që shkëlqejnë më shumë
Ngjajnë me sytë e tu të zjarrtë
Që pandërprerë më përcjellin
O xhani im.

Më mësoi era
Si pëshpëritet emri yt
Edhe kur në ëndërr jam
O xhani im.

Dielli më përkëdhel e ledhaton
Lehtazi porsi dora jote
Dikur në shatërvanin e rinisë
O xhani im.


TI, XHANI IM
(akrostik)

E di që ti, xhani im pandërprerë
Në heshtje më përcjell si hije
Gjer në frymëmarrjen e fundit
Ëëë, je futur thellë në shpirtin tim
Jeta është e bukur dhe e ëmbël
Tamam si një ëndërr pambarim .

Shikimi mbetet i humbur në hapësirë
Qesh si fëmijë i vogël me yjet në vallëzim
Idilike duket kjo lojë, jeta – mashtrim
Pëlcasin damarët, gjaku ngrihet - akull
Tempo e frymëmarrjes trurin ma bllokon
Arnoj shpirtin me arnat e shkëputura hyjnore
Ranishtë e bukur, hapi krahët, lermë të fluturoj
E ti nëse vërtetë më do, eja pas meje fluturimthi
...........................në parajsë përjetësisht të pres!



TI

Ti,
Vite me radhë
Lundron ëndrrave të mia
Pambarim...


PIKTURAT E MËNGJESIT

Çdo natë
Më vije në ëndërr
E heshtur, e vetmuar
Tamam si shpirti im...

Ëndrrat mbeten të virgjëra
Sërish zbardhen mëngjeset
Bosh, si ëndrrat e mia,
Pa mbarim...

Për ty,
Ç’do ditë
Ndjej boshllëk shpirti...

Askush s’mi pikturon më,
Mëngjeset me fjalë të arta
Si ti...


BEBËZAT E SYVE TË TU

Jam vetëm një shpirt varfanjak
I derdhur në bebëzat e syve tu
Bojë qielli...

Të bardhat mendime për ty
Mbi rrudhat e ballit
I zbrita që nga retë e qiellit
Si shiun e pranverës...

Për urrejtje
Gjoksi më është tepër i ngushtë
Dashuria në heshtje më flet qetësisht...


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen