F A Q E T

Dienstag, 2. Juli 2013

Martin Çuni

Martin Çuni - , u lind në fshatin Ujz i Hasit të Thatë, më 14 maj l948. Ciklin e ultë të shkollës fillore e bëri në fsh. Bishtazhin të Hasit, ndërsa tetëvjeçaren e përfundoi në fsh. Keqekollë të Gollapit, ku i punonte i ati, Ndreca. Gjimnazin e mbaroi në vitin l968 në Prishtinë. Më pastaj i vazhdoi studimet në F F të Prishtinës,Dega e Pedagogjisë.
Gjatë studimeve për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike u detyrua të punojë. Fillimisht , tre vite punoi në sh.f. “ Rilindja “ të Keqekollës,Pastaj në K N I “ Ramiz Sadiku “ të Prishtinës. Më vonë pranohet në punë në RTV-të Prishtinës, si gazetar në Redaksinë e Kulturë - Programi për fëmijë. Ka udhëhequr Emisionet: “ Mirëmëngjesi fëmijë “, “ Kolovajza e së dielës “ , emisionin për të rritur“ Karvani i fshatit “, etj. Asokohe realizon reportazhe, shkruan vargje , prozë, tekste për radiodramë etj.
Që nga viti 1968, M. Çuni , merr pjesë aktive në lëvizjen ilegale të kohës, në platformën e avancimit të çështjes kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre në Jugosllavi. Në vitin l982 arrestohet me shumë veprimtarë të tjerë, e më pastaj dënohet me tetë vjet burg. Për veprimtari në burg, më vonë dënohet edhe një herë. Në burgjet e Serbisë i mban nëntë vjet, prej tyre tetë izolim. Martini edhe në vuajtje tëdënimit vazhdon të shkruaj.
Në fund të vitit 1990, pas vuajtjes së dënimit, ai emigron në Zagreb, një vit më vonë shkon në Shqipëri, si reporter i Radio Zagrebit, për emisionin shqip atje. Në vitin 1992, për shkaqe ekonomike edhe politike emigron në Gjermaninë Federale. Aty u angazhua për themelimin e Bashkësisë Shqiptare. Në vitin 1998 kthehet në Kosovë dhe iu bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht ishte në njësitet e Z U të Drenicës, te komandanti Sylejman Selimi, në Likoc, prej nga raportoi për Radion Deutsche Wele. Në nëntor të vitit l998, Shtabi i Përgjithshëm i U Ç K - së kishte marrë vendim për themelimin e institucioneve të luftës: Radios “Kosova e Lirë “ e Agjencisë“ Kosova Pres “. Aty M. Çuni do të veprojë deri në fund të luftës, së bashku me Ahmet Qeriqin, Berat Luzhën, Nusret Pllanën, Nezir Myrtën, Habib Zogajn, Qemal Aliun, Isa Krasniqin e të tjerë.
Pas luftës, me vendim të Ministrisë së Informatave në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, derisa punonte në R. “ Kosova e Lirë “, M. Çuni caktohet në detyrë të udhëheqësit të Organit Drejtues për fillimin e punës në Radiotelevizionin e Prishtinës. Pas gjashtë muaj angazhimi pa pagesë, në drejtim të krijimit të kushteve për kthim të gazetarëve dhe të punëtorëve në R T P , ai jep dorëheqje i pakënaqur me rezultatet e arritura. Për shkaqe ekzistenciale serish i kthehet kurbetit.
Aktualisht jeton e punon në Gjermani.

Vepra të botuara:
Reportazhe Lufte, dokumentar
Jetë e furtunë, poezi për të rritur,
Jetë për jetën, poezi për fëmijë.


Poezi nga Martin Çuni

MOS E PRISHNI SHQIPËRINË

Kuçedrat zemërliga punojnë nën dhe
Eshtërat i rrëmojnë me thika të smirës,
Tokën godasin me errësirën e planeteve!
Ne i shikojmë për së shliri e për çejfi
E bëjmë “zef “ dhe gjoksin i godasim,
Nënës që jetën na dha nga gjiri i saj;
Vetëm për hir të mënisë së minotaurëve
Dhe për një kënaqësi të egos së ndyer,
Për hir të përshlirit të pirit e të delirit!

O i pari ynë pse kështu na linde
Për tu urryer mes veti deri në kotësi,
Mos është ndonjë namë e vjetër përmbi?
Mos jemi të marrë që nuk e dallojmë
Në gjene të bukurën dhe mirësinë,
Si me të shenjtën nuk komunikojmë?

Pse more verbëria e rrëqebuallit
Na ka rrëmbyer logun e qyteteve,
Na ka marrë bukurinë e fshatrave
E do të rrëmbejë edhe djemtë tanë.
Në zgorin marroç të hirit turbulluar
Për një çikë pushteti të dëshiruar
Krekosen në mes veti, turfullojnë
Kur hijenat rreth po na kanosen!

Rrini kujdestarë nëpër rrugëkryqe,
Po i minojnë trojet tona në kyçe!
Me syrin gjakpirës si të ishin vra
Me të afërmin e gjakut, t`yt vëlla
N´krah t´pushtetit për një tra var`
Të huajit po i lajkatohemi, pikut
E po i afrohemi te doçet anmikut.

1
E ia lëmojmë thumbat vandalizmit
Po i anashkalojmë edhe piromanët
E ia vërtetojmë teorinë gjakpirësit,
Edhe me hujet e mjera të kërriçit
Aprovojmë teorinë e Karaxhiqit!

O të dashurit e mi e të Lazgushit
Provoni të dalim të ziut, prushit,
Prej llaçit e prej zjarrit të ferrit,
Të lëmë rrugën e territ e tmerrit!
Të bëhemi, si jemi, të mirë vërtetë
Dashuri e bardhë, mehlem për varrë
E t´ia falim edhe vëllai – vëllait,
Si ia falëm Sulltanit osmanëve!
Ia falëm krajlit e ia falëm mbretit
Ua ruajtëm emrat në zemër t´qytetit;
E tash ia falëm gjenocidin serbit!

Merre more atë dorë të gjorë,
Atë dorë të pastër e të bardhë
Mundesh pa fyer tëndin e pa sharë;
E dijmë se dhe ne kemi të marrë!
E mira ka namë e ka edhe pa anë
Ka vend te i miri dhe te i keqi,
Ikur prej dhunës, larg nga dreqi.

Të falim si Gjergji i Madh.
Lavdërojmë si Leka i Madh.
Bërju me dije se nuk ke hak as hile,
Larg sherrit e të të sëmuarave ambicje:
Që të shkelësh të shkrumosh me dhunë,
Me shkop apo me furtunë rrufeshë!
Ligje duhet të mbash edhe besë,
Ndershmëri të keshë dhe shpresë!

Mjaft e brejtëm enën tonë
Me thartinën e ve të urrejtjes,
Me brumosjen e farës së keqe
Që na mbollën shekujt e fjetur,
Sulltanët e krajlët: të zi e të kuq
Mbi të rritur edhe mbi fëmijë
Më çdo kusht për me na zhbi!

2
O punoni me shpirtë e me kokën tuaj,
Punoni me zemër e me gisht kah vetja.
Pyetni more çfarë ju thotë Nënëlokja
Ajo është, që dikur njihte gjithë Bota.

O i shoh shqiptarët more si pulat:
-Nëpër porte të huaja në rreshta,
-Nëpër kufij të Botës deri n` Malejzi
-Në Evropën tone more varg e vi.
Të qetë të urtë si qengji, sykës n`gji!
Punojnë e të vyeshëm sa s´ka,
Nga puna nuk dijnë me u nda
Kudo more kudo të vyer pra!

E në Mëmëdhe ku jeni e si jeni
Pse nuk e doni o njëri tjetrin?
Pse nuk e thoni o një fjalë të mirë
Të dashurisë vëllazërore, për hir
Si në të mjerën kohë të vështirë,
Merreni me eshtrat e nëpërkëmbur
O shpirti ynë, dashuri e kujt je?

E shikoheni me sytë e smirës
Deri dje me buk misri e kripë,
Deri dje me përfolje, jo përfillje
Deri dje fli, o më të mirët e mi!

Nuk di, dot s´mund ta marr me mend
Si po e shkelim gjyshin e stërgjyshin,
Prej së pari gjithmonë mos t´ia nisim
Kurrë nuk bëmë çati kokës përmbi!
Kurrë s´arritëm deri në kulm shtëpie
Po themele të vjetra prishim përherë,
Themele të reja vazhdimisht rinisim!
Nisje, rinisje; nisje prishjeje radhas
Riprishje, rinisje, riprishje, nisje!
Merre ashtin tend e rehatoje pak
Gjysh e stërgjysh kujtoje - shenjë
Jemi si lisi, shumë të gjata rrënjë!

3
Shqiptarët kanë dalur rrebesh prej nesh
Që sot Botën me paqe e punë pajtojnë,
S´dënjejmë t´i kuptojmë as bekojmë!
Tokën tone ta madhërojmë, ujin, erën
Lumin, bimën në arë, detin me valë!

Tokën ta qëndisim ore si lule
Shqiponjat mbi re t´i tejkalojmë,
Me flatrat tona të dashurisë së re
Si Shën Martini i tokës së Ilirisë,
Si Shën Kelmendi i tokës Albanit,
Si Nënë Tereza që Botës dhuroi paqe,
Dritë shprese, në të njerëzores faqe.

Themele mos prishni, se s´bëni shtëpi
Kulturën mos humbni, se s´bëni shkëndi,
Njeri tjetrin t´mos humbni, se prishni histori!

Kur e shkeli dikë shqiptari,
Kur të padrejtën dikujt ia bëri;
Dha e vetëm dha, gjithmonë u bë fli!
Të bëhemi edhe për vete një dashuri
Amanatin ta bëjmë tok betim të ri:
Kudo që jemi ta ruajmë në çdo stinë
Kurrë të mos prishim Shqipërinë!

Nju Jork, janar 2011

________________
Për "Ora shqiptare": Shaban Cakolli

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen