F A Q E T

Donnerstag, 18. Juli 2013

Milazim Krasniqi

Milazim Krasniqi lindi në fshatin Breznicë, Kosovë më 1955. Pas shkollës fillore në vendlindje, kreu shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë. Për disa vjet punoi si ndihmës mjek e më pas si përkthyes në një klinikë të Prishtinës, ndërsa kreu edhe studimet universitare për letërsi shqipe. Po në Universtitetin e Prishtinës mori magjistraturën më 1988 dhe doktoraturën 2004.
Pas mbarimit të studimeve universitare u bë redaktor e pastaj kryeredaktor i revistës kulturore “Fjala” dhe më vonë redaktor përgjegjës për Kosovën, i gazetës ditore “Bota Sot”. Gjatë këtij dhjetëvjeçari (1988-99) ishte edhe Sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Më tej ka vazhduar karrierën publicistike si kolumnist i gazetave “Kosova Sot” dhe “Gazeta e Re”, kryeredaktor i revistës “Interesi Nacional”, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës dhe analist pranë Radios “Evropa e Lirë“. Pas një angazhimi të gjatë e intensiv, në vitet 1989-2001, tërhiqet tërësisht nga jeta politike.
Aktualisht është shef i degës së Gazetarië në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, ku ligjëron disa lëndë.
Ka botuar gjashtë vëllime poetike, dy romane, dy vëllime publicistike, tri studime dhe njëmbëdhjetë drama: “Zbulimi“, “Mos më merrni në qafë“, “Punë Sizifi“, “Kur lindi partia“, “Kush i bie fyellit“, “Bryma e vdekjes“, “Kosovë në ndërgjegje“, “Monedha e Gentit“, “Rulet rus për Ali Pashën“, “Një Antigonë e re” dhe “Kësulkuqja e shekujve”./Wikipedia/


Poezi nga Milazim Krasniqi


I KUJT ËSHTË KY
GJETH I RËNË


Ky gjeth i rënë këtu në baltë
që paskësh filluar të nxihet
si një trup i asfiksuar
i kujt mund të ketë qenë
i kumbullës a i mollës
i dardhës a i qershisë
që janë kaq të përziera
si në qiell retë e të gjithë detrave
këtu në kopshtin tim

Pavarësisht i kujt të ketë qenë
Këtu tash është domethënës
për jetën që shuhet
dhe na lë në baltë
nëse nuk e kemi kuptuar
pse na është dhuruar
dhe prej kujt
 



PSE FLUTURON GJETHI 


Para syve të mi të turbulluar
nga mjegulla e lehtë dhe nga era e zemëruar
që se nga vjen e më sjellë vërdallë ajrin
fluturon një gjeth i zverdhur
si i rënë nga një kurorë dafinash
e një koke të prerë

Pse fluturon ky gjeth në ajër
Si me qenë pëllumb i frikësuar
Nga të shtënat

A mundet ai gjeth vetëm
me fluturue ashtu gjithë trimëri
pa i bërë syri tërr nga stuhia
që si hije po afron
apo edhe ai është pjesë e pandarë
e kësaj bukurie të kombinuar
në mijëra ngjyra dhe emocione
të kësaj pasditeje të trazuar
të cilat mund të mos i zbuloja kurrë
po të mos fluturonte ky gjeth kështu
tronditshëm
para syve të mi të mjegulluar
edhe nga mrekullia 




GURËT PSE RROKULLISEN 


Nga gjumi i thellë i shkëmbit
kur shkëputet papritmas një gur
dhe lëshohet tatëpjetë me rrokullimë
duke u bërë madhështor
në rënien e tij fatale
na jep një provë të re
të asaj që e ndjejmë edhe kur nuk e dimë
se sa e ciflët është frika
Nga Zoti i Botëve
Edhe në fortësinë e gurit
 




KAH SHKON KJO BLETË 


Sapo ngrihet nga lulja
merr rrugë drejt të panjohurës
me lehtësi marramendëse
dhe humbet nga shikimi im
si një përfytyrim i bukur
i prerë përgjysmë nga frika
e realitetit që nuk e kupton

Por edhe përfytyrimet
Ngjashëm me ëndrrat
janë një jetë e ndodhur
Në botë e kohë të ndryshme
në të njëjtën kohë
ashtu siç është dhe bleta
një mister dhe një provë
në të njëjtën kohë

Ajo e humbur nga shikimi im
E vazhdon fluturimin
E lumtur që di gjithçka duhet të dijë
Për të panjohurën që e pret
Dhe që më mirë se askush e kryen
urdhërin e Zotit
Duke u përgjasuar ashtu engjëjve 




ÇKA ËSHTË FJALA 


Fjala është
materie e fortë që na prek me mprehtësinë e saj
të shndërruar në kuptim
apo është ide
që na e vërtitë mendjen rrugëve të ngushta
nëpër të cilat trupi ynë nuk përbirohet

Është rrugë nëpër të cilën ecim tash
Të shkujdesur
Apo rrugë që na shpie në të ardhmen
E cila na prêt e hutuar

Mos është përfytyrim i jetës së amshueshme
Drejt të cilës duam sduam afrohemi
Apo ëndërrr që na shfaqet në të kaluarën
Prej së cilës largohemi

Çka është fjala
nëse jo të gjitha këto së bashku 




A JANË KUJTIMET
SI NJË COPË MAGNET 


Një fëmijë me shikim të mjegulluar
Që sheh si po zvogëlohen fushat
Si po rrafshohen kodrat
Si po tkurret përroi
Më tërheqë për mënge
Dhe përpiqet të më shpjegojë
Që ai nuk ishte një faj i tij
Po ishte një mendim i rebeluar
Që nuk po e pyeste askend
për asgjë

Tash unë e kam hallin
Prej nga e merr guximin ky fëmijë
Të më kap për mënge
E të më detyrojë ta dëgjojë
Arsyetimin e tij të mërzitshëm
Pse i paskësh pëlqyer ajo farë vajze




 
TË KUJT JANË
KËTO PIKA SHIU
 


Këto pika të imta shiu
Që po më bien në shuplaka
Të kthjellëta si lot gëzimi
Nga kanë ardhur deri te unë
Nga cili oqean janë avulluar
Dhe nga cila lartësi kanë rënë
Kaq të dashura e të palëndruara

Në fund të fundit kush i ka bërë
Që të jenë burim jete
Për tokën e vdekur
Dhe njerëzit e etur

Kush tjetër mund të bëjë këso mrekullie
Që pikat e shiut të bien
Nga mijëra metra lartësi
Të palënduara

Pos Atij që ka krijuar çdo gjë.




PSE ËSHTË FATZEZË
MOTRA E AVDISË 


Edhe nëse nuk e ka ndalë
qëndismën përgjysmë
Kur ka dëgjuar krismat
kobsjellëse
Edhe nëse nuk ka vajtuar me atë dhimbje
Që i bën me vaj gur e dru
Ajo është reale
Si një statujë mermeri
E gjymtuar nga kthetra tinzare

Ajo është e mishëruar në mijëra motra
Anekënd botës sanë
që jetën e kanë ngrysur
në vajtime të thella
që e gërryejnë shpirtin

Por është më fatzezë nga Antigona
Motra e Avdisë
Sespe lëvizë nëpër kujtesën tonë
si trungu në ujë të turbullt
pa e gjetur ngushëllimin e plotë
as në përmbysjen e Vraninës

Edhe vetë zanat frikësohen
Prej pikëllimit të saj
Të pushtuar nga harrimi




PSE NGUSHTOHET
KRAHARORI
 


Kur të ngushtohet kraharori
Si hinkë plasteline në një dorë të fuqishme
Dhe të ther një gjilpërë e padukshme
Dikund pranë fundit
Ndërsa fryma fillon e rrallohet
në dhomë e në tërë gjithësinë
Ngase alveolët e mushkërive qajnë
si fëmijë të uritur
Mos e humb shpresën
Si i rëni në ujë të turbullt
Po dëgjoje me kujdes zemrën tënde
Si e zbrazë hidhërimin
Për diçka që ia ke mbajtur fshehtë
Për diçka që ia ke vjedhur
Për një kohë të gjatë
Deri sa ajo vetë e ka marrë punën në dorë
O të ta zgjerojë kraharorin
O të pëlcet vetë
 



Dalja e Atdheut edhe nga ëndrrat

Më parë kjo ishte vatër
Ku shtrohej tryeza e kënga
Ku rriteshin fëmijë
Thureshin ëndrra
Një Fitore një Ilir një Shpresë
Dhe një Atdhe i vogël
Ata janë tash diku në Kirunë
Janë bërë më të brishtë
Më apatik
Dhe në ëndrra u futen me përdhunë
Shkretëtira të bardha
Atdheun s’ua kujton asgjë më
Madje as këtë vatër
Me themele që mbahen
Mbi emrat e tyre ndër shekuj




DETI

Det o det
det o gjëmë e kaltër,
këlthitur nga ëndrrime të mëdha.

Të shikoj si fërgëllohesh
dhe njësohem me dallgët
e shqetësimeve të tua,
që vijnë nga ora qiellore,
që mat kohën tonë
mbi kokat tona.

Edhe në ty e shoh
mrekullinë e krijimit,
të qiejve e të tokës
dhe të jetës sonë,
të cilës Krijuesi i tha:
"Bëhu" dhe ajo u bë
që t’i jep kuptim mrekullisë
përmes adhurimit.

___________________
Biografia e autorit është marrë nga Wikipedia

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen