F A Q E T

Sonntag, 21. Juli 2013

Pano Taçi

Pano Taçi

Pano Taçi u lind më 1929 në Gjirokastër dhe vdiç në vitin 2012. Ka shkruar që në moshë të re. Vjersha e parë e tij është botuar bë revistën “Bleta” me ndërmjetësinë e Lasgush Poradecit. Anëtar i grupit “Besa”, formuar prej të rinjve nacionalistë fill pas 7 prill 1939. Më 1944 inkuadrohet në Brig. 24 sulmuese partizane. Mbas çlirimit vazhdon gjimnazin e Tiranës, por nuk e mbaron dot, sepse arrestohet. Arrestohet dhe vuan 24 vjet burg politik. Pas viteve ‘90 Pano Taçi ka botuar një mori librash poetikë dhe është përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Ndër të cilët përmendim: “Blerim i thinjur” 1994 dhe “Vdekja do paguar” 1998.


Kanë thënë për Autorin:

Dritëro Agolli: “Pano Taçi është poet origjinal, poet që vetëm ai mund të jetë i tillë. Në pemët e kopshtit të poezisë, Pano Taçi ka pemën e tij të veçantë, që nuk ngatërrohet me pemët e tjera. A ka gjë më të mirë se kjo?

Xhevahir Spahiu: Gjendje dhe gjetje të mirëfillta poetike; shumë pikëllim dhe pak shpresë; hove të fundme dashurore në pleqëri të thellë, ja ç’na kumton me një thjeshtësi prekëse poeti endacak Pano Taçi, të cilit si burgu, si pasburgu, ia mpakën, por s’ia mplakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuaj serembiane.

Luljeta Lleshanaku: Duke lexuar poezinë e Pano Taçit kemi shfletuar dramën e njeriut të ndershëm, ku të gjitha fletët janë të përthyera në skaj, si cepa të kujtesës, ku të gjitha fletët janë dëshmitare, janë të domosdoshme si brinjë të kafazit, ku u përmbyll për aq kohë ai.

Vath Koreshi: Është vështirë ta ndash Pano Taçin njeri nga Pano Taçi poet. Domethënë gjithë ndërtimin e tij fizikoshpirtëror, heshtjen e tij, ngrysjen e vetullave si për të fshehur xixëllimën e syve, një brengë të tijën, të kushediseçfarët e të përhershme që gjendet prapa heshtjes, por edhe para romuzit, shakasë së beftë dhe natyrës së tij prej bohemi.

Sadik Bejko: Hokatar dhe tragjik njëherësh, ai nën pamjen e një plaku ashik e qejfli, mik i tavolinave e i rrugëve, përherë buzagaz, sjell një përvojë të madhe e të thellë të njeriut që u ka kaluar vuajtjeve mespërmes. Me një vijueshmëri botimesh, për zili, në këta vjet ai provon atë që, ç’do të thotë të dish të qëndrosh në zgrip të gjërave, në telin e hollë të të vërtetave që kundërshtojnë njëra-tjetrën. (Gazeta "Panorama")


Pezi nga Pano Taçi

HIJA

Në derën e një plake të thinjur trokita,
ku shpirtin dikur pata nginjur
e buzët përnrita.
E pashë, më pa,
E njoha, ajo nuk më njohu.
Stapi ku mbështes pleqërinë më ra.
M'u bë se më tha:
- Afrohu...
Kur sy përdhe më pa,
- S'më njeh, i thashë, pa kujtohu?
A s'jam unë që shkëlqeja
si një yll në sytë e tu?
Të rrahurat e zemrës bëra t'ia ndieja,
asgjë, akull, m'u drodh shpresa
kur më tha: Kush je, ç'të solli këtu?
I thashë: - Ndjenja...
Përdore më mori harresa
të të bie në gju
e shpirtin për ç'ti mardh t'ua ngroh.
- Largohu, m'u përgjigj, s'të njoh.
Për ç'ka mendja me gënjehu,
zemra m'u bë sopa-copa.
Kuptova, nuk jam Odiseu
e ajo nuk është Penelopa,
që më tha: ç'pret kthehu...
jeto harrimin
me trishtimin
e bukurisë së vrarë në sy.
Siç erdha nëpër tym,
ika nëpër humbëtim
nuk ish rinia,
aty qe pleqëria.



JETË MORRI

Kur tokës, iu zvarrita si morri mbi kurriz,
poshtë këmishës me arma më gjeti mua;
tek kruhej, kur pickoja e bëja ta gudulis,
më zu e me gas më vuri mbi thua.
Bëri të më shtypte, e s'më shtypi dot.
lëkurën koha ma kish bërë prej guri.
morr i uritur, kyçur në qeli të ndotë
bënë çmos të ma shtronte lëkurën druri.
E tani, morr i plakur, them të bëj gjumë.
e ç'lëkurë me plagë që kisha tej i hodha.
poshtë këmishës së tokës, u lodha shumë,
më shumë se ç'duhej, nëpër zhele u lodha.
Do shtrihem t'i kyç sytë e mi të vrarë,
nga pagjumësia. Do fle pa andralla.
kujdes, mos më zgjoni nga gjumi me të qarë
se loti do m'i djeg të lodhurat kokalla.
Kujdes, ngrihem e ju tremb vurkollak
si skelet golle pa asgjë përbrenda.
të tjerë shushunja tokës i pin gjak,
unë q'e giciloja të qeshte, iu rënda.
Si morr pa ngjyrë që zvarë, zvarë shkon
nën këmishën e palarë të tokës, ku më vunë
te sqetulla e saj ku djersa i kutërbon,
më bëri të jetoj me përdhunë
nga që e bëja të kruhet.
Do shkoj të shtrihem të bëj gjumë
O soi im i morrit, u lodha shumë,
më shumë se ç'duhet.
Duke gicilisur tokën plakë:
kam cimbisur helm e jo gjak.

Tiranë 31. 12. 2004



TAKIM PAS DIVORCIT

Tek çapiteshim ngadalë,
bri për bri, stapërish...
hidh një fjalë e digj një fjalë
për një mall që larg na grish.
Bëm t'i ngjallnim ç'qenë varrosur
thellë në shpirt, nja dy tri shpuza.
fjalët që na qenë hirosur
embëlsisht na i thesh buza.
E tek hidhnim këmbën zvarrë,
për te fundi që s'kish fund,
ajo burr tjetër kish marë,
mua grua s'm'u gjend kund.
Diku udha u nda dysh
tek e bëmë stapërish,
stapërisht e shkarë shkarë.
as u ndreq gjë, as u prish,
e ne të dy prap sërish
mbetëm ndarë.



MOS MA LEXO

Mike, mos ma lexo dhembjen
në buzëqeshjen time.
nuk dua t'ua bëj mbrëmjen
t'iu mëkoj trishtime.
Mos m'i lexo sytë e thellë
tek rrijnë në humbëtim.
një dëshirë mallim ua ndjell
ç'më do ky shpirti im.
Mos më thuaj, se u bësh së gjalli
për ty pa pritur, unë.
pa pritur ma erdhi malli
që më ka djegur shumë.



EJA MIKE

Sa herë vjen çapkëni prill,
çapkëne më bëhet shpresa,
brezin nga mesi ia zgjidh
malit, t'ia bëj rëkeza
Bredhi si qiri argjendi,
na rri nën tyl të mjergullës.
prill çapkëni, lisin çmendi
kur gjirin ia puth pjergullës.
Eja mike, na fton prilli
te ai vend q'u bë harim.
atje ku këputet ylli
porsi lot i syrit tim.



DJERSË MERGIMTARI

Vëllezër, argatë në dhe të huaj,
pas punës këngës ia thoni pastaj.
qan e qesh e ju klith brenga e juaj
për këngën e djersës, qesh e qaj.
Vëllezër, argatë te vendi huaj,
me mall në zemër, me derte në shpirt...
mbrehur te qere pronarit si buaj
ju ranë koçitë, në punë çdo ditë.
Kur vini për mall nga dheu i huaj,
s'di si t'iu flas kur ndruat emër?
ju shoh që ju ranë patkojtë si kuaj,
me dregëza në shpirt, me plagë në zemër.



SYTË E SAJ

Kur hedh sytë në qiell,
qielli vetëtin.
Kur hedh sytë mbi tokë,
toka psherëtin.
Kur hedh sytë mbi mua,
zemra shkrepëtin.



BËJ TA GJEJ

Kërkoj veten që s'e kam.
A ma pa njeri?
Dua të di cili jam
me kaq plagë në gji.
Kërkoj veten, bëj ta gjej
Thomëni, kush ma pa?
Dhe n'e gjej, me dhëmbë e brrej.
Brengat mua m'i la.
Kërkoj veten ku më humbi,
në ç'udhë pa krye?
Pa veten do më marrë lumi
Pa veten jam hije.



DIMËR JASHTË E DIMËR BRENDA

Me bastun akulli ikën
dimri nëpër udhë.
ku shkel, tokës i kall frikën
e drurët i rrudhë.
Qielli borën po e sit
mbi male e fusha.
del gjahtari t'i bëj pritë
shapkës te gajusha.
Lodra e rrufesë gjëmon
e zjarr i kall qiellit.
reja me retë valëzon
për inat të diellit.
Qershia me sy për dhe,
nudo, mardh e tëra.
bredhi flokëhalat i ngre
me nfricë për gjelpëra.
Si një dimër këtë mbrëmje
kallkan nëpër derte,
pllaq e plluq iki mbi dhembje
e s'di se ku vete.
  

 
PIKËLLIMI

Nuk di ç’mall zemrën ia sëmboi
Tek thur romja flokun gërshetë.
Aty buzë një përroi
Ku çapitet këmba e lehtë.
Shkoi e u mbështet te ftoi
Ku qau me lot të zbehtë.



SHORTI I HARRIMIT
Poetit Isuf Luzaj

Fatlajthitur, Sizif ngaherë,
me tokën nënë qepur mbi kurriz.
Ah, katër copash ndarë edhe prerë,
katër copash lidhur në një kërthizë.
Kjo gropë e lashtë, e sertë me acid,
kush djall e nëmi që gjallesën vret?
Në dhe të huaj fërgëllojnë dritë.
Këtu gjithkush çmon veten mbret.
Oh, si na vret shorti i harrimit,
s'e lamë ne shpatën të ndryshkej në myll.
Eja tani në apelin e kujtimit,
ç'demon portën me shul na e mbyll?

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen