F A Q E T

Freitag, 9. August 2013

Cikël poetik nga Thanas Jani


Nase JANI: Lirikat e verës
(Urdhëri Naim Frashëri i Artë)
 

Poeti

E sotmja nuk dua të ikë...
Mezi pres që të vijë e nesërmja...

 

Të mendova

Gjysma: pranverë në lulëzim,
Gjysma: pas-verë me fruta pjekur...
Dhe shekulli të kërkojë korrigjim,
S’kam gjë për të hequr...

 


Aty le të vuaj

Sonte s’më flihet...
s’më sheh? Jam te porta...
s’më sheh? Jam te dera...

Nga varri jam ngritur,
nga qiejt kam zbritur...
s’më sheh? Jam i vetëm...

Ndiz dritat e gjakut
dhe një... dhe një tjetër,
të shoh se ku gjendem
në jetë a në ëndërr...

Mos më,
më verbove,
më kap lehtë prej dore
dhe dritat i shuaj,
aty le të vuaj!...

 


Kam një njeri

Kam një njeri, që nuk e kam,
kam një njeri…

Në ëndërr vjen, nga ato rrugë,
që kush s’i di...

E shoh një vit, e shoh sa vjet,
është pak një jetë...

Është një njeri, nga ëndrrat vjen,
tek mua zbret...

Dhe më merr larg, ai njeri,
në tjetër botë...

Ikim të dy, pa ditur ku,
askush s’na thotë...

Dhe s’duam më, as kalendar,
as ditë as natë...

Kam një njeri, që ikën-vjen
dhe ikën prapë...

 


Për ty

I ndrite sytë?
Ndriti...
E qeshe buzën?
Qeshe...
E fshehe brengën?
Fshihe...
E derdhe shpirtin?
Derdhe...

E zhveshe trupin?
Zhvishe...
E fike dritën?
Fike...
Harruar veten,
lere...
Në majë të malit,
shpjerë...

Në fund të detit,
zhytu...
Te dallgë e zemrës,
mbytu...
Dhe ngrihu pasmesnate,
Lëshomë pak zë,
Po pate...

 


Flakë shpirti

Më goditi në tru
një mendim i ri...
E lashë veten dhe erdha tek ty.

Më goditi zemra,
më në tru e në zemër...
Erdha tek ty e hyra në ëndërr...

Më goditi syri yt,
s’di ku më goditi...
Mori flakë shpirti...

 


Më prite ti…

Je ti,
e di, se ti ke qenë,
sa vite më është “ndërruar” gjaku,
kur stinët ishin veç pranverë,
pa ngricë dimri e vjeshtë të lagur...

Je ti,
e di, se më flladite,
ma bëre jetën të gjithë ëndërr,
një jetë, një vit, një ditë... më prite,
dhe po më pret te kopshti i zemrës...

Je ti,
e di, se gdhihet dita,
dhe dita gdhihet përsëri...
më prite ti... dhe unë të prita
më prit,... të pres,...
pafundësi...

 


Sikur…

Sikur të vije sot tek unë,
a unë sikur të vija,
në udhët e zogjve shtegtarë…
s’do di sa vite jam i gjallë,
sa shekuj kam jetuar,
do ndjehem djalë, i gjithi djalë,
do të të marr në duar...

Dhe s’di ç’do bëj me sytë e Tu,
me lotët brenda syrit...
do t’i kërkoj rrënjët e lotit,
aty poshtë, brenda gjirit...

Dhe s’di ç’do bëj aty mbi buzë
ku shega ka çelë lule,
do ndizem të mos shuhem kurrë,
nga vdekja të mos ruhem!

Një ditë prapë unë, do vi tek Ty,
a Ti do vish tek unë...
Do jetë pranverë, mars a maj,
e diel a e shtunë...

 


Sonte

S’di nëse jam vetja sonte?!
As shpirtin tim s’e njoh
dhe pse e di që është shpirti im...

Jam i pagjumë dhe pasmesnate,
shkruaj dhe s’m’ë njohin
as vargjet e mi...

Të gjitha mbetën pa mua,
të gjitha mbetën jashtë meje...
dhe koha,
dhe mendimi,
dhe ato që kanë qenë,
dhe ato që do të vijnë...

Veç ora troket
mbi komodinë...

 


Ngujim

Jam i ngujuar i gjithi brenda zemrës
më zihet fryma e s’dua të dal...

Më ka dënuar vetja
me dashuri të përjetshme...

 


Moderne

e nisa vargun me germë të vogël
dhe bashkova
fjalë-mashkullore
fjalë-femërore
me zanore
pa zanore
me gjini
pa gjini
pa themel
pa çati

pastaj
vargjet i këputa
shtatë herë
njëzeteshtatë herë
njëqind e shtatë herë

i vura njëri mbi tjetrin
i ngjita përpjetë e përpjetë
si kulla Ejfel

e i zbrita
poshtë e më poshtë
deri në fund
tek pusi i tharë i mendimit

i hoqa të gjitha
shenjat e pikësimit

 


Mbaj ndezur dritën e shpirtit...

Mbaj ndezur dritën e shpirtit tim
bëj udhë në errësirë...
iki nga ty, Atdheu im,
s’të them dot: lamtumirë...

Jetova ditë në frymëzim,
një ditë,
një javë,
një jetë...
shumë i vonuar në nxitim
tek vetja që s’më pret...

Për poezinë në poezi,
ku fjala s’kishte fjalë...
Si Diogjeni me qiri
i mençur dhe i marrë...

Mbaj ndezur dritën e shpirtit tim,
bëj udhë në errësirë...
Gjithçka që lashë tek vendi im,
s’i them dot: Lamtumirë!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen