F A Q E T

Sonntag, 15. September 2013

Dy kandidate shqiptare për Parlamentin e Austrisë

DONJETA KRASNIQI
DHE RILINDA REXHEPI

 Shkruan Ramiz Selimi

Mësimi i gjuhës shqipe prioritet

Në zgjedhjet parlamentare në Austri me 29 shtator konkurojnë mbi 2000 kandidatë nga 14 parti gjithsej. Ky numër është me i madh se në zgjedhjet e kaluara. Kjo rritje ka të bëjë kryesisht me faktin se partitë në radhët e veta kanë emëruar kandidat edhe nga emigracioni.
 
Përderisa gjenerata e parë e emigracionit pati vështirësi me nostrifikimin, integrimin dhe adoptimin, gjenerata e dytë edhe pse në numër jo të mjaftueshëm po arrin gradualisht të marr përgjegjësi në drejtimin e jetës së tyre. Në zgjedhjet e ardhshme kemi një numër të kandidateve që vijnë nga viset shqiptare si: Donjeta Krasniqi nga (SPÖ) dhe Rilinda Rexhepi nga (ÖVP)

Po e bëjmë prezantimin e kandidateve shqiptare nga Austria e Epërme për Parlamentin Austriak.
 
Donjeta Krasniqi e cila kandidon për Partinë Socialiste të Austrisë (SPÖ) është 24 vjeçare, studente e Fakultetit Juridik në Linz, ka emigruar si dy vjeçare me prindërit e saj nga komuna e Pejës. Ajo gjendet në listën Federale të SPÖ-s në numrin 29, kurse në listën e Landit të Austrisë së Epërme me numrin 11. Është kandidatja me e re në moshë dhe brenda partisë së saj Donjeta e gjen veten në krahun e majtë.
 
Rilinda Rexhepi kandidon për Partinë Popullore të Austrisë (ÖVP) është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, ka përfunduar shkollën e lart ekonomike, është drejtoreshë e kompanisë REX. Rilinda ka emigruar si 8 vjeçare nga komuna e Prizrenit. Ajo gjendet në listën e ÖVP-s me numrin 32. Si drejtoreshë Rilinda është konservative dhe i përket krahut të djathtë.
 

Fushatë e përbashkët e kandidateve në Steyr dhe Kirchdorf
 
Pas fushatave që kandidatet kanë patur në Linz, shoqata “Mergimi” nga Steyri me kryetarin e saj Miftar Zagragja dhe shoqata “Albafol” nga Kirchdorfi me kryetarin Ymer Aliu organizuan tubime me bashkatdhetarë nga këto anë për të ndihmuar fushatën zgjedhore të kandidateve.
 
Shoqatat thanë se do të angazhohen maksimalisht për të ofruar mbështetjen e kandidateve dhe u bënë thirrje anëtarëve të tyre që të votojnë për kandidatet shqiptare, duke besuar që ato do të angazhohen seriozisht për të zgjidhur të gjitha problemet që kanë. Në emër të shoqatës Miftar Zagragja tha se :” Ne do të mobilizojmë anëtarësinë për të ju votuar, por njëkohësisht ne kemi edhe kërkesat tona. Kërkojmë nga ju nëse hyni në Parlament që të angazhoheni në riformulimin e ligjit për aplikimin e vizave për të martuarit dhe fejuarit nga Kosova. Jemi i vetmi shtet në Europë që jemi të kufizuar me moshën 21 vjeçare për të marr vizën. Ju dëshirojmë fat dhe sukses ne zgjedhje”.
 
Zoti Aliu nga shoqata ”Albafol” tha se:” Është i lumtur dhe krenar që më në fund edhe nga komuniteti ynë dalin kandidat serioz për Parlamentin Austriak. Shpresojë shumë që programet e juaja dhe puna e juaj, të na ndihmojnë në ruajtjen e identitetit. Ne do të bëjmë të pamundurën që të sensibilizojmë anëtarësinë tonë për të ju votuar juve. Kërkesa e jonë është ndalja e diskriminimit në shkolla dhe punë, duke ju afruar mundësi të barabarta secilit nga ne”.
 
Në fjalën e tij publicisti Ramiz Selimi ju tha kandidateve:” Për komunitetin tonë nuk është aspak me rendësi se për cilën parti ju garoni. Për ne është me rëndësi dhe jetike të na tregoni hapur se, a e keni mbështetjen dhe hapësirën e nevojshme nga partia, të merreni seriozisht me problemet dhe hallet tona? Neve nuk na duhen kandidat vetëm sa për sy e faqe, neve kemi nevojë të jashtëzakonshme në angazhimin e juaj të pa rezervë në rritjen e numrit të atyre që vijojnë mësimin në gjuhen shqipe, nga 6% tani në 50% në vitin e parë, e pse jo pas dy viteve në 80%. Elektorati i juaj është komuniteti shqiptarë, ju duhet ti kontaktoni ata, ti bindni për programet dhe qëllimet e juaja sepse vetëm ata mund të ju dërgojnë në parlament, e jo programi i Partisë.
Ftojë të gjithë komunitetin shqiptarë në Austri të shfrytëzojë drejtën e votës, duke votuar motrat tona. Ne në Austri të Epërme jemi një numër i mjaftueshëm shqiptarësh për të ju mundësuar atyre hyrjen në parlament”.
 

Programi i Donjeta Krasniqit, kandidate nga SPÖ

Pastaj kandidatet shpalosen programin e tyre duke filluar me Donjeten, e cila tha se, do të angazhohet për azilkërkuesit, ku pas kërkesës për azil dhe pritjes gjashtëmujore ti lejohet e drejta e punës. Ajo e kujton periudhën trevjeçare të babait të saj si të papunë dhe vështirësitë e shumta që atë kohë hasen. Nuk është  njerëzore dhe në dinjitetin e njeriut që t`i pamundësohet dikujt të drejtojë vetë jetën dhe fatin e vet tha ajo, çdo azilkërkues pa marr parasysh se nga vjen duhet të punojë dhe të financojë vet jetën e vet.
 
Përvojat e saj në arsim gjatë shkollimit të saj nuk janë më të mirat, ka raste kur është ndier e diskriminuar, ajo dëshiron që këto dukuri ti minimizon në shoqërinë Austriake. Donjeta tha:“Si e re dhe emigrante kam përjetuar se si sistemi shkollor ka provuar të më nxjerrë jashtë binarëve të tij. Sistemi ynë shkollor provon që t`i ndajë fëmijët si egjrën nga gruri dhe kjo është gabim. Për këtë arsye kam konstatuar se mund të ndryshoj diçka vetëm nëse luftoj vetë kundër saj”
 
Si çështje tjetër të cilën do ta ngrehte në parlamentin e vendit, në rast se do të zgjidhej, ajo thotë se do ti ndihmonte familjet që kanë studentë, duke ju dhuruar atyre ndihma familjare deri në moshën e 26 vjeçare. Kjo ndihmë ka qenë praktikuar më parë por ndërkohë është hequr. Siguria sociale është temë jetike për studentët, thotë ajo.


Programi i Rilinda Rexhepit, kandidate nga ÖVP

Rilinda Rexhepi tha se nuk do ta lexojë programin e Partisë Popullore (ÖVP) siç bëri kundër kandidatja, por do të përqendrohet në prioritetet e saj për komunitetin shqiptarë. “Duke e parë rrezikun potencial të asimilimit, unë prioritet numër 1, kamë vendosur arsimin plotësues të gjuhës shqipe. Pse? Pasi që vetë vij nga një familje si shumica e familjeve tjera kosovare, gjatë shkollimit tim kamë arritur ti identifikojë problemet që unë hasa. Shumë fjalë që flisnim në familje nuk gjendeshin në fjalor, ato fjalë që nuk i kuptoja gjermanisht nuk mund ti përktheja në formë korrekte për shkak të mungesës së gjuhës letrare. Është jetike për fëmijët tanë, për ardhmërinë e tyre, që së pari t’a mësojnë gjuhën shqipe mirë, pastaj nuk do të kenë pengesa në mësimin e gjuhës gjermane dhe shkollimin e dëshiruar. Do të bëjë të pamundurën që mësimin shqip ta bëjmë obligues në Austri. Unë nëse zgjidhem deputete, do të angazhojë një ekip në teren, duke kontaktuar të gjitha familjet shqiptare që kanë fëmijë, për ti bindur ato për rendësin e mësimit të gjuhës shqipe.
 
Pika e dytë në programin tim është integrimi i shëndoshë dhe pa rrezik asimilimi në shoqërinë austriake. Kur them integrimi mendoj në kyçjen dhe marrjen pjesë të komunitetit tonë në të gjitha nivelet e shoqërisë, duke filluar nga subvencionet e deri të vendimmarrja. Këtu nuk është punuar sa duhet deri me sot, nga ata që kanë pasur përgjegjësinë e integrimit, me anashkalimin e komunitetit tonë. Me ardhjen time në Parlament këto gjëra do të ndryshojnë, sepse ne meritojmë shumë më shumë, se kaq.
 
Prioritet i tret është kontaktimi i trurit nga komuniteti ynë në Austri, për ti inkurajuar ata në bërje të biznesit. Unë do të jem në shërbim të tyre, kamë informacione se një numër i bashkatdhetarëve është mirë i kualifikuar, por ata janë të detyruar të bëjnë punë tjera, në mungesë të informacionit. Unë do jem krahu i fort i tyre, që ata të guxojnë të formojnë kompani, pse jo pas një kohe të bëjnë edhe partneritet me kompanitë nga vendlindja”.
 
Ato kërkuan njëzëri daljen e sa më shumë qytetarëve në zgjedhje dhe të votojnë për kandidatin e tyre. Votuesit duhet të kenë parasysh se nëse votojnë për Donjetën, duhet të votojnë Partinë SPÖ dhe poshtë shënohet emri i Donjeta Krasniqi, kurse ata që duan Rilindën votojnë Partinë ÖVP dhe poshtë shkruajnë emrin Rilinda Rexhepi.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen