F A Q E T
▼
Mittwoch, 13. November 2013
Fakete Rexha dhe "Bota e vogël e Beri Lu"
Shkruan: Haxhi Muhaxheri
Që nga vitet e 80-ta, Fakete Rexha, krijoj një stil të vetin, me të gjitha veçoritë e shprehjes, duke i hapur njëkohësisht poezisë shqipe një perspektivë bashkëkohore, të padyshimtë si një dritare që shihet, e përmes së cilës jo vetëm poeteshat e kohës e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin botën. Mënyra e të shkruarit - gjithmonë në veten e parë, stilin shumë të avansuar, timbrin lirik si dhe frazat e saj, i njohim që në shikim të parë. Kjo gjeturi e guximshme krijuese dëshmon karakteristikat e një aparati gjuhësor që i ngjanë vetëm asaj, dhe që i përshtatet shumë bukur stilit të shkrimit, dhe individualitetit të veqantë.
Para disa kohe doli nga shtypi përmbledhja më e re e prozave poetike "Bota e vogël e Beri Lu" të Fakete Rexhës. Kjo përmbledhje ndryshon diametralisht kur e krahasojmë me librat e botuar më herët. Ngaqë kësaj radhe letërsia e F. Rexhës përcillet me nota të dhembjes, frikës, trishtimit, mossigurisë jetësore dhe fizike në rrethana të shtetrrethimit, vuajtjes, luftës, shkuljes, kampeve, ekzilit, instalimit dhe kushteve të reja që i imponohen pas vendosjes në Francë. E që megjithatë ia del në krye fal kurajës që ka, dhe fal fëmijës së saj, Beri Lu, tek e cila autorja ruan ehon e zërit të besimit, shpresës dhe ditëve të bukura që edhe për to një ditë do t'vijnë. Zë që del me afsh nga brendia, e thërret i vetmuar plot trishtim e dhembje duke kërkuar me çdo kusht rrugëdalje nga kjo gjendje jo vetëm për veten e saj, por edhe për popullin shqiptar në pëgjithësi, e veqanarisht për atdheun e saj Kosovën. Që në fillim të librit na shfaqet si " Kosova e gjallë në trena".
Libri konsiston në tri linja imagjinare. Linja e parë. Autorja flet me gjuhën e femrës, motrës, gruas, nënës, krijueses. Flet me instiktin njerëzor që femrën e bënë të lumtur, më të guximshme, më të fortë e plot kurajë që nga çasti kur i jep jetë fëmijës së saj.
"Qëkur erdhe në jetë, gjithëçka në jetën time, rreth meje, në mua mori kuptimin e vërtetë. U mahnita e me vete thashë: Oh, ç'mrekulli! Ç'mister! Kjo fëmijë kaq e bukur! Ti, bija ime. Ishe aty pranë meje në shtrat. Spitali në Gjakovë. Shtetrrethimi kërcënonte portat e kryeqytetit. Kur unë bëra të pasur Kosovën me një ëngjëll si ti. Në bark nënash gjeneratën ta vranin, eme bijë. Atëherë kur mua më pushtoi krenaria. Ndërsa të kundroja ty. Kryevepra ime. Oh, po ç'fat i bukur, të kesh një vajzë si ti. Beri Lu".
Prej këtu e tutje, na shfaqen të pandara, nënë e bijë; në teatër, në promovime, protesta, manifestime, në ëndrra, në jetën me të gjitha frikërat e mbledhura sëbashku. Në vuajtje, dëshpërim e shpresë. Të dyja bashkë si dy shoqe, si dy mikesha duke ndarë të mirën e të keqen. Prandaj, e gjithë kjo frikë, vuajtje e dëshpërim i thellë i tyre, na shpërfaqet si dhimbje kolektive që "ngarkohet në trena":
"Ka ditë që të gjitha lidhjet e lagjes me lagje janë ndërprerë. Duke u mbyllur kështu secila brenda qorrsokakut të vetë, të izoluar kryeqytetit ku sillen vërdallë natën, fantazmat e zeza duke mbjellur farën e vdekjes, gjakut e tmerrit. Kryeqyteti si përherë është i braktisur dhe ngjanë në gjahun e premtuar për gjuetarë. Kurse, gjithëkah rreth stacionit të trenit në Fushë të Kosovës pamja gri e turbullt. Ka më shumë se tri orë që na kanë ngujuar vetëm në tren, mua, tim shoq, dhe time bijë. E, nuk dijmë përse na mbajnë këtu vetëm të izoluar të presim... Më në fund me zhaurimë u nis treni. Pata ndjenjën se krejtë Kosova ndodhet e trusur brenda kësaj kutie të zezë, të metaltë që do të na dërgoi ku tjetër përveq se në vdekje të sigurtë. Kosovën e gjallë".
Në kampin e Bllaces arrinë në mbrëmje. Prej këtu nis me të njëjtën frikë, dhembje, trishtim e lodhje linja e dytë e librit. Është rrugëtimi i frikshëm nga njëri kamp në tjetrin deri te ekzili i fundit. Herë-herë autoren e gjejmë të thyer shpirtërisht, të brishtë nga mbyllja, ngarendja e pritja e gjatë pranë telave me gjemba për të siguruar një biskotë, ose një shishe qumështi për Beri Lu, nga streset, traumat e shpenzimi i jetës gjatë luftës. Por, sa më shumë që shfletojmë librin shohim autoren në krejtë atë gjendje të thyer si gotë kristali, duke besuar. Ajo beson, megjithatë beson në heshtje, pa bërë zë, pa u ndier. Beson në vetvetën e saj: " Sepse, s'është fatkeq në çdo gjë njeriu"! Herë-herë duke e zëvëndësuar ndjenjën e frikës e dëshpërimit me ngrohtësinë e besimin, se një ditë gjërat dhe gjendja patjetër do t'ndryshoj: "S'paska gjë në botë më të fuqishme, as më të pafuqishme se fjala"!
Kurse, linja e tretë paraqet pjesën e mbetur të rrugëtimit të tmerrshëm të autores nga kampet e Maqedonisë dhe Shqipërisë deri tek arritja dhe vendosja e saj në Francë. Sikur një ëndërr e keqe i duken ngjarjet, përjetimet gjatë luftës në Kosovë si dhe rrethanat që e sollën deri këtu. Për më tepër është ëndrra që dogji, e vrau ëndrrën reale të familjes së saj. Pra, autores i kishin vrarë të vëllain dhe djegë të gjallë krejtë familjen e motrës. Ëndrrën që e kishte parë muaj më parë, i kishte ndodhur me të vërtetë. Ky pra, është udhëtimi i trishtë, i tmerrshëm e plot vuajtje. Por, në të njëjtën kohë plot besim e kurajë, guxim e shpresë se ditët e bukura, megjithatë, patjetër do të vijnë. Sa më shumë rrëshqasim nëpër fletë, libri josh lexuesin, e kapërdinë dhe sakaq na mbështjellë në guacën ku ishte e mbyllur autorja, e fillojmë rrugëtimin e saj, bashkë me të, që nga faqja e parë deri tek ajo e fundit: "Kurrë mos ia shkyej letrat e Nënës":
"Zemra e Nënës dhuratë prej floriri. Dashuri e saj me asnjë krahasohet. Këshillat e saj si të mikes, mësueses. Ndaj gjithmonë ruaj letrat e Nënës. Poezi e gjallë margaritarë të jetës. Këto letra dashurie ia fshehin lotët. Kurrë s'plagosin veç i shërojnë plagët. Dridhin zemrën që i derdhë kujtimet. Nënë zemërgjera kurrë s'mplaket. Megjithë telashet, brengat e gropat. Çdo lumturi tëndën falja edhe Nënës. E kurrë mos ia shkyeni zemrën në copa".
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen