F A Q E T

Donnerstag, 7. November 2013

Fakete Rexha - Poezia e Haxhi Muhaxherit


NJË SHËTITJE NËPËR POEZINË
E AUTORIT HAXHI MUHAXHERI

Shkruan Fakete REXHA
 

Pasi bëra një shëtitje nëpër poezi vendosa t'i shkruaj pak fjalë lidhur me kërshërinë që më zgjuan si dhe interesimin e thellë kur i lexova ciklet e poezive të autorit Haxhi Muhaxheri. Përgjithësisht, janë poezi të arrira që shtrihen në një rrafsh poetik me një nivel të bukur artistik. Motivi, figuracioni, ndërthurja e bukur lirike e mendimit poetik janë përmbajtësore dhe të realizuara bukur. Plot ndjenjë, emocion, vrull, zjarr rinor, ku ngarendin në kahje të kundërta dashuria për atdhe nga njëra anë, dhe dashuria për të bukurën, të dashurën. Që të dyja këto në kushte e rrethana të jashtëzakonshme, që i shkojnë ndesh njëra tjetrës pa guxuar të bashkohen, pikërisht shkaku i gjendjes në të cilën ndodhen të dyja përkrah njëra-tjetrës. Pra, është koha kur atdheut i dridhet trolli nën këmbë, sikurse edhe dashurisë së autorit që (siç mendoj unë) i derdhet shpirti nga durimi i madh, i pambarim deri te "vadja e dasmës së madhe".
Autori, përmes vargjeve na dërgon deri tek thellësitë e ndjeshmërisë së qenies, që herë-herë na del e thyer në mijëra copa, sikur një violinë, deri tek telat e hollë të shpirtit. Ose, deri aty ku lexuesi dëshiron me hy, pra atje ku dashurojmë deri në marrëzi, ëndërrojmë të jemi edhe kur s'mundemi me qenë. Ku vuajtja për gjënë e dashur është më e ëmbël, se sa humbja e saj krejtësisht. Pra, dashuria e madhe për vatanin, me gjithë ç'përfshinë kuptimi i tij i gjerë dhe i ngushtë. Mirëfilli duke bërë të kuptuar se atë që me ngulmë e kërkojmë, sa shumë vështirë e kemi që t'ia arrijmë, ose dalim mbanë. Është poaq vështirë, tamam sikur të këmbëngulësh për të gjetur një të vërtetë të pastër, të saktë, të kthjelltë. Dhe, tamam kur besojmë se e kemi gjetur, sakaq e vërteta rrotullon krahun duke na e kthyer shpinën.
Autori, Haxhi Muhaxheri, me poezitë e tij përpiqet që të gjejë shteg në një ambient të zhurmshëm. Ka pasion qetësinë shpirtërore, frymëmarrjen e lirë, ç'prangimin deri në diafragmë, që përndryshe është pasion i kërkimeve të ambienteve të shurdhëra. Ç'poet i pangopshëm!
Kur them kështu, mendoj në atë, sepse në poezitë e tij nuk shohim përveçse një hijeshi të ndërthurrjes lirike të mendimit poaq artistik dhe metafore desilusionuese, dëshpëruese, shqetësuese. Por, që i japin poezisë së tij zjarr, erupcion, shtytje për edhe mëtutje në përballje të reja. Përgjithësisht poezitë janë të ndërtuara bukur, e mirë mbi realitetin shqiptar, e të vërtetën në përgjithësi. E, të ndërtosh poezi në këto dy dimensione, në këto dy plane, pra, mbi zhgënjimin dhe të vërtetën, ose, të vërtetën zhgënjyese po të duash, është një betejë e ashpër. Dhe, pikërisht këtu është ambivalenca e ndjesive të autorit që e shtyp këtë betejë. Betejës që i hyn dhe ia del mbanë, Haxhi Muhaxheri. Pikërisht duke i strukturuar poezitë në këto dy principe.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen