F A Q E T

Freitag, 15. November 2013

Irena Gjoni - Perënditë kanë etje


ATDHEU IM

Atdheu im,
Ti ke erën e lisit...

Ku mbi ty një zog me zë njeriu,
Kumtoi kumtin profetik
se aty i duhej ngritur një orakull Zeusit.

Ti jeton në shpirtin e lisit
qyshkur bota vuri gurin e parë.
Unë ha prej teje Zoti im pellazg
vallanidhe e lënde ëndrrash të tua.
I përtyp e bluaj me mokrat e shpirtit
për të rrojtur prej miellit tënd
e gatitur bukën e Diellit.

Zhurmërima e vijës së ujit,
janë lotët e frymëmarrjes
dhe fëshfërima e gjetheve të tua,
që mendon edhe në gjuhët e vdekura
përqafime degësh e rrënjësh në largësi.

E fatthëna përmes frushullimës së tyre,
Më thotë se edhe kur mos të jem,
sërish do bulosh vallanidhe ëndrrash për mua
e do të vish me erën e lisit...




SKENË E LUAJTUR NË PAFUNDËSINË
E HORIZONTIT TË PËRFLAKUR

(Në këtë ditë të ankthshme)
...

Pas krahëve të imazhit njerëzor,
Toka ime lëngon
nga gërvishtjet e thella në shpirtin e saj,
prej putrash kacavjerrëse egërsirash.

Në kujtesën e saj udhëton si era
që ulërin përmes qetësisë,
përgjunjet poshtë vetvetes
dhe derdh lotë që ngrijnë
në dashurinë e njerëzve.

Derdhet nga sytë e thyer e të bërë lila,
pamëshirshëm kthehet në urrejtje
për të çarë damarët e brishtë
të mbretëreshës së jetës.

Madhështia e dëshpërimit
vret dashurinë e porsalindur.
Nga truri i tij,
burojnë lumenj helmi,
që djegin blerimin.

Koha e humbur
përmes zhgënjimit të dhunshëm e të pakufi,
lundron në tymin
e zemrës së djegur të natyrës e times,
të Atdheut e Ardhmërisë,
në përpëlitjen e fundit të rikrijimit.

Në pafundësinë e horizontit të përflakur,
ndiej hingëllima kuajsh lufte
në spazma për të ngjitur piramidat e jetës...




NËSE UNË DHE TI

Armiq nuk jemi dreqi ta hajë!

Nëse unë dhe ti thyejmë Rubikonin
e gjejmë njëri - tjetrin,
bota nuk përmbyset...
As mallkim më shumë
s’do mbushet jeta jonë…

Nga ëndrra për lirinë kërkova ty...
Apostulli i saj në kokën time,
që në fetus fytyrën tënde ka pasur.

Kaq shumë ke munguar në jetën time!
Në një ëndërr të këputur gjithmonë vije.
Shfaqeshe dhe fikeshe
në një zgjim absurd,
si pasthënie e një libri të pashkruar.

Tani që rastësisht të gjeta,
në udhëkryqin e kohës së gabuar,
në hartën time shenjohet veç një rrugë
që shuhet në kthim…

Liria e shpirtit
strehën e vet të fundit ka aty,
Statujë prej mermeri që tretet në largësi…




KËTU TË KAM

Në natën laboratorike,
kipsi fanatik...

i zë fronin unikut të papërmirësueshëm.
Zë fronin e etjes.

Dënimin me vdekje i jep
shpirtit të qytetit me valë,
më të shenjtës së jetë-ditë-natës.

Ia jep, duke vrapuar pas çdo çasti.

Endet përbaltjeve të varreve në agoni.
Pagëzuar
“Këtu Të Kam,
frymëmarrje e frymëmarrjes së fundit”.

Askund nuk duket.

Rrugëtimeve baladave
zëri është tretur…
e për kë tjetër s’ka jehonë ...

Rënkimeve baladave
në kërkim të frymës së fundit.
Çastin e jetën e mat me një dashuri,
në rendje të verbër vetëm pas tij.

Unik në ekzistencë të pashkëputshme
në trininë e verbër
shpirt – mendje - trup.

Fryma e fundit që pret,
vetëm ajo ka fuqinë hyjnore
të anulimit të dënimit me vdekje.

... ankthshëm po e pret ...




PERËNDITË KANË ETJE 

Tani, Perënditë kanë etje
Në këtë natë furtunash mbi dete,
Ku me blic vetëtimash,
Zoti fotografon mungesën.

Larg prej të përjetshmit shtrat shpirtëror,
Zjarret e vetmisë në këtë natë,
lartësojnë hijen e mallit,
ngjizur ëndrrash endur në eter.

Lutje qerpikësh të puqura në një lot,
për të të pasur syrin, dritën, ajrin tim,
misterin, ëndërritjen e një dashurie të pafundme
Me kokën mbështetur në gjoksin tënd,
tek ngarend makinën e kohës horizonteve.

Ende perënditë kanë etje
Në këtë natë furtunash mbi dete...




NATË MUZASH

Edhe errësira ka shpejtësinë e dritës,
por me sens të kundërt...

kur nata është magji muzash.

Në vorbullat e saj
u konturua nga Djalli a nga Zoti,
një krijesë prej ajri, prej bryme,
prej vese, poleni, prej ëndrre…

Frymon nga dy shpirtra
skajshmërisht në një
njohur qysh prej legjendash…

Me një dëshirë të ethshme
për t’u ushqyer me zjarr buzësh,
Për të gjarpëruar
në çdo pore lëkure të dritës…

Nën ritmin e tingullit
të verës së gjakimtë të muzave,
derdhur qelqesh hyjnish.

Por… përbindshëm drithërohemi
nga frika e ikjes, e humbjes

Ndaj, afrohemi ngadalë, pa zhurmë
Me kokën në prehërin tënd
Duke përkëdhelur rrezet e lagura
prej një loti blu

E paqtë në dëshpërim
E egër në çmendurinë e lumturisë

Eh, gjithçka kaq unike,
kaq e pabesueshme,
saqë asnjeri nga ne
nuk mund t’i vendosë një emër…



NË MARROSJE UJËRASH

Nën shtatë palë lëkure tramundanash shpirti,
ka hedhë rrënjë guri i themelit të mungesës, ...

në një frymëmarrje që thur e shthur perandori,
Teksa copëza vetmie,
arratisen verbërive të qiejve, varur në degëza ankthi.

E thua se vetmia shtohet pambarimish,
në një fill pa formë, tjerrur prej shtëllunga lëngimi
dhe qielli humb në eklips rënkimi…

Kanë ngelë në imazh rrugët që kanë marrë flakë,
Ndërsa ne devijojmë duke u marrosur ujërash,
Përmes valësh të kaltërta që u mungon kripësia,
Përmes shiut të dritës në avuj përqafimesh,
që ndjell e shprish çaste të pa jetuara.

Ne po zhdukemi labirinthesh dilemash distancash.
Si një vaj pa zë,
ndjehemi sikur njëri ka humbur agun
që tjetri verbtazi e kërkon...

Nuk jemi të mbledhim valët mbi lëkurë
e t’i bëjmë kujtesë të prekshme...
Pa ne, kujtesa s’ka tokë e qiell të vetin,
është merimangë e ngatërruar...

Pritja,
rrëketë e ujërave mbi lëkurë po i than
duke lënë shikime që lëvizin si gjuhë gjarpëri
e vijnë rrotull të marrin ç’mundin.
Po ma përmbys botën
e gjithçka po ma bën tokë të shkrrumbuar
Kjo mungesë marrosje ujërash…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen