F A Q E T

Freitag, 15. November 2013

Salih Zogiani - Anekdota 5

Anekdota te zgjedhura nga pesë librat e botuara nga autori Salih Zogiani

1. KEQAN SADIKI TE RAMADAN SHABANI

Keqan Sadiki i Dashinocit niset për të shkuar te Ramadan Shabani në Kijevë. E luti vëllai i vet Keqanin që ta merrte me vete. Donte të shihte se a po e presin Keqanin qysh po e pret ai Ramadanin, a po presin ndonjë delme për Keqanin, siç po e pret ky kur po i vjen Ramadani. - Po të marr, - i thotë Keqani, në qoftë se ma jep fjalën se nuk flet kurrgjë, se e dinte që flet pa lidhje. - Besa të qoftë, nuk flas kurrgjë, - i tha vëllai. Shkojnë bashkë te Ramadan Shabani, e vëllai i Keqanit e mbajti fjalën dhe nuk foli kurrgjë. Të nesërmen, kur Keqani kish dalë për nevojë, e Ramadani po e ndizte zjarrin, po e pyet vëllanë e Keqanit: - A u çove, bre mik, si ke fjetur? - Valla, shumë mirë kam fjetur, po e kam parë një ëndërr, e kam qejf të ma shpjegosh. - Po çfarë ëndrre ke parë, bre mik? - i thotë Ramadani. - Kam parë ëndërr që i kam hëngër dy bajga. - Unë nuk di t’i shpjegoj ëndrrat, - i thotë Ramadani. - Jo, të pyeta ty, se nuk është të shpjegohet kjo ëndërr. - Po çka thonë të hash në ëndërr bajga? - Po, sigurisht sivjet do të bëhen shumë gruri e misri, se bajgat janë pleh. - Eu, bre, bile t’i kishe hëngër tri bajga e ndoshta do të bëhej edhe elbi, se unë tokën e kam mbjellë elb, - i thotë Ramadani.


2. GURIT I NXIRRET FYTYRA ME DY TË RËNA, PO BURRIT ËSHTË VËSHTIRË

I kishte goditur njëri do mjeshtër për t’ia ndërtuar shtëpinë me gur të gdhendur. Mjeshtrit punonin shumë mirë, po ky nuk u bënte muhabet. Nuk u qiste të hanin mirë, se kishte qenë shumë tahmaqar. Një ditë, tek po gdhendte mjeshtri një gur, po i thotë i zoti i shtëpisë: - Mjeshtër, allahile, sa të mundesh, ua nxjerr gurëve fytyrën përpara. - More burrë, gurit i nxirret fytyra me dy të rëna të çekiçit, - i thotë mjeshtri, - po burrit është vështirë t’i nxirret fytyra!


3. SI TËRSHËRA, EDHE KËNGA

Shaban Manxholli, bashkëluftëtar i Azem Bejtës, kishte marrë vesh se rapsodi, Dervish Goxhuli, po e qet një këngë për Azem Bejtën. E merr një gjysmë thesi drithë e shkon te Dervishi. Si hyn brenda, e lëshon thesin mbas derës e po i thotë Dervishit: - Mora vesh se je tuj ia qit nji kangë Azem Bejtës. Ti e din se unë jam bashkëluftar i tij e mos e le pa më shti edhe mue në kangë. Dervishi ishte i vobektë, e kur e pa se Shabani kishte sjellë gjysmë thesi drithë, edhe pse nuk e dinte se çka kishte pru, i premtoi se do ta shtinte në këngë. Kur shkoi Shabani, Dervishi e pa se ai i kishte pru tërshërë, nuk i pëlqeu hiç, po mbasi i kishte premtuar, iu desh ta përfshinte në këngë diqysh dhe e shtini: Fort bërtiti Shaban Manxholli, Kuku nanë m’pshtoi majori; N’ta i shkrepa tri paqeta, Asnja n’trup, po tana n’tesha. Kur e dëgjoi këngën Shabani, nuk i pëlqeu fare, e shkoi dhe i tha Dervishit: - Qysh, bre Dervish, gjithë ata plumba e asnja nuk ia kishe lanë n’trup, po të tanë nëpër tesha! - Nuk e rrokshin kurrqysh, se plumbat kishin qenë të lehtë, si tërshana, e i bajke era, - i tha Dervish Goxhuli Shaban Manxhollit.


4. AJO NËNË LE TË THOTË SE KA DJALË

Njëri ia nis t’i qethë dhentë, po nuk mundte pa ia mbajtur dikush. E thirri djali nënën për t’i ndihmuar. Sa ia nisi të qethte delen e parë, përmbi katund ra një aeroplan. Nëna, tek po ia mbante delen, po i thotë djalit: Ajo nënë e atij që po i grah ballanës, le të thotë se ka djalë e jo unë, se ti nuk po je i zoti as një dele ta qethësh pa ta mbajtur dikush.


5. MIKO, A PO M’NIMON ME E MAJTË MIQASINË

Aziz Veliqi i Shkarashnikut ishte bërë mik me Haxhi Hasin e Gllogofcit. Kur shkonte Haxhiu mysafir te Azizi, kur çohej për t’u kthyer, ai e përcillte deri te autobusi, gati gjysmë ore rrugë. Mirëpo, kur shkonte Azizi te Haxhiu, ky i thoshte “udha e marë” te dyert e oborrit. Një ditë, duke e përcjellë Haxhiu Azizin, e duke i thënë ‘udha e marë’ te dyert e oborrit, Azizi i tha: - Miko, a po m’nimon ta majmë miqasinë, se veç unë nuk muj me e majtë. - Po pse po thue k’shtu, çfarë gabimi kam ba? - e pyet Haxhiu. - Kurgja nuk m’ke ba, po unë po t’percjelli gjysë ore rrugë, e ti kqyre ku po m’thu udha marë, te dyert e oborrit, - i tha Azizi.


6. BUDALLAKIA ASHT ME GRUMULL

Në një muhabet, në një odë, e pyeti një mik njërin: - qysh je me idare, a po t’del buka sivjet, deri t’korret elbi, a jo? - Jo, nuk ma mrrin për pak, për nja shtatë-tetë buçukë, - i tha ky. Një kojshi, që kish qejf të lëvdohej para burrave, i thotë: - Mos u anko, se për shtatë buçukë t’i jepi unë, se e kam plot hamarin drithë. Çohet ky të nesërmen e shkon me qerre te dyert e atij që u lëvdua. Kur thirri te dyert, doli djali e ky i tregoi se ka ardhur për ta marrë drithin që ia ka folur baba i tij. Shkoi djali në odë, i tregoi babës edhe e pyeti: - Çka me i thanë? - Jepja drithin, se ja kam folë, - i tha ai. - A me ja mushë buçukët rrafsh a me grumull? - i tha djali. - Jo rrafsh, po mushja me grumull, se budllakia gjithmonë asht me grumull, - i tha baba djalit.


7. A JE TI I LOPËS?

Kadri Ivaja i Sllatinës së Madhe e kishte blerë një lopë veresi prej njërit të Bardhit të Madh. Ai i Bardhit i kish treguar gruas se e ka shitur lopën veresi dhe i kishte thënë që kur t’i bjerë paret, mos qëllofsha në shtëpi, dil e merri ti. Mbas do dite Kadriu shkon për t’ia çuar paret. Thërret te dyert, po burri nuk kish qenë në shtëpi, e del gruaja e pyet: - Kush asht? - Jam Kadria prej Sllatinës, - i thotë ky. - A je ti ai i lopes, a? - e vetë ajo. - Jo, s’jam i lopës, po jam Kadria i Rexhë Ivajës, po dil e merri paret për lopë, - i thotë Kadriu.


8. A KA KUSH QË IA SHAN NANËN, SE MU NUK M’BJEN

Dy vëllezër, Qallapek të Tërstenikut, kur shkonin bashkë mysafirë, njëri folke hashamet, e ai tjetri e kishte shumë mërzi. Duke shkuar për një të pame, po i thotë vëllai atij që folke hashamet: - N’koftë se flet pa lidhje edhe n’t’pame, unë s’po vij me ty, po po pres derisa t’dalsh ti e tani po shkoj unë. - Nuk flas pa lidhje, - i thotë ky vllai edhe shkojnë bashkë. Po, kur hynë brenda, ai nuk mundi të durohej pa folur, e foli prapë hashamet. Atëherë, ky vëllai, prej inati, që ai nuk e mbajti fjalën, u çua në dy gjunjët e po u thotë burrave në odë: - O burra, a ka kush që ia shan nanën qëti vllaut tem, se po e lyp, po mu nuk po m’bjen me e sha, masi e kam vlla.


9. E KA VIZEN “Ce”

Njëri i Veleshtës së Strugës e kishte pas qitur një dhi në pazar, për ta shitur. E kishte pas stolisur dhinë me rruaza, e kishte bërë sikur nuse. Ia kishte ngjitur dy letra, njërën në ballë, e tjetrën në bisht. Afroheshin për ta parë, për seri, si e ka rregulluar edhe e pyesnin: - Sa kushton kjo dhi? - Çmimin e ka n’ballë, - u thoshte ai. Kur e këqyrshin, aty shkruante: “Çmimi pesë mijë marka”. - Qysh ban kaq shtrejt, nji dhi pesë mijë marka? - i thoshin njerëzit. - Këqyre se çka i shkrun n’bisht! - u thoshte ai. Kur e lexonin, aty shkruante: - E ka vizen “C-e”!!!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen