F A Q E T

Samstag, 21. Dezember 2013

Vaso Papaj

Vaso Papaj është lindur në Tiranë në janar 1945. Shkollën e mesme e ka kryer në Durrës dhe në vazhdim është diplomuar në degën e Matematikës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në vitin 1968. Që atëherë i ka provuar të gjitha llojet e profesioneve: Edhe punëtor edhe ekonomist, edhe tornitor edhe matematicien, edhe Kryetar Këshilli Rrethi edhe Prefekt, edhe i papunë edhe Drejtor Rajonal Arsimi. Vetëm mësues, kurrë. Në vitin 1969-1970 ka shkruar romanin “Një Dimër mes Dimrash” ose “Romani i murosur”, vërtet i murosur, për më shumë se 20 vjet, i çmurosur në vitet e demokracisë dhe botuar dy herë: më 1995 dhe më 2006. Ka përkthyer nga italishtja romanin “Ylli i mëngjesit” i poeteshës së njohur italiane Ada Negri, botuar më 2008, si dhe “Kasta” (Dosjè) të gazetarëve italianë Serxho Rico dhe Gian Antonio Stella botuar me puntata në gazetat lokale “Dyrrah” dhe “Sintagma”. Në vitin 2011 boton vëllimin poetik “Mbeta mik me shpirtin”, në vitin 2012 vëllimin poetik “Një tjetër diell” dhe në vitin 2013 vëllimin poetik “Koncert nën narkoze”.



Poezi nga Vaso Papaj
 
Joniane 

E ngopem, e zhytem,
Buzë më buzë me peshqit puthem
Sa dua këtu të ngulem!

E thekem, e kripem
Zënë gjinkallat dhe shastisem,
Sa dua të mos dalldisem!

E të mbetem burrë i kripur.
Të kërkojnë të më lëpijnë,
S’jam nga deti i dremitur,
Dielli këtu e ka shtëpinë.
 

Nuk e pashë Trojën,Enea*

Trojën nuk e pashë atë ditë, Enea,
Megjithëse i kalova fare pranë.
S’ doja të shihja një qytet të vdekur.
Vallë, për një grua ishte bërë kurban?!...

Po kioskat në rresht suvenire ofronin,
E bleva një kalë edhe unë, gjithsesi.
Ata kuaj më dukej akoma mashtronin.
Veç dy euro. Sa lirë, më e madhja pabesi!...

I ngjante kështjellës me vrima e kamare
Një kalë kuqalash me qeramikë të pjekur.
Sa e bleva, bir, e hodha tej, për fare,
S’ do t’ merresha kurrë me qytete të vdekur.

As ti mos u merr me ta, asnjëherë.
Shpëtove, ah, atë natë të pafund .
Mes flakësh që rrotull villnin veç tmerr,
Do të ngrije dhe ti një qytet tjetërkund.

Nuk e pashë, Enea, Trojën e vdekur,
Mos e shih atë asnjëhere edhe ti
Por as kalin me qeramikë të pjekur
Në kioska suveniresh kurrë mos e bli.

*Djali im që mban emrin e princit trojan

 
 
Kënga e nomadëve

Sa zhytet dielli, vjen e më kërkon
E dorë më dorë më shumë të ndjej.
Vallë nga i merr ato fjalë që më kon?...
Se unë mbi to më mjalt nuk gjej.

Ne si nomadë shkretëtirash ngjajmë,
Humbur rrugëve të qytetit
Dhe si dy shpirtra frymën ndajmë
Mes ëndërrës dhe realitetit.

E kohën vrasim, oaze kërkojmë
Me netë pa gjumë në qiell të hapur.
Atje ku duam, kurrë s’ përfundojmë,
Se Zonjën Liri prapë e kanë kapur.

Lirinë gabele me ngjyra - ngjyra.
A ka vallë liri me xhepa bosh?!...
Lirinë që paska aq shumë fytyra,
Lirinë që qenka veç për kodosh.

Nomadë të dashurisë ne jemi,
Udhëtarë që çajnë në çdo tallaz.
Të ndalemi, ne mendje s’ kemi,
Rebeles erë i shkojmë nga pas.

 
 
Valixhja e vjetër

Të shikoj valixhe e vjetër.
Dru me vrima, krimba shpuar.
Je kujtim nga një kohë tjetër,
Kur im atë qe i dënuar.

Ç’të kujtoj më parë, moj mike!?...

Gjithmonë gati në korridor.
Herë më erdhe, herë më ike.
Jeta jonë një fat mizor.

Burg i mbyllur tek qelia,
Ndaj për mua ke kaq vlerë.
Brenda më kish mbetë rinia.
Bëj t’a nxjerr e nuk e nxjerr.

Brenda teje flinin ëndrra,
Ngatërruar bukë e gjellë.
As u ndala as u trëmba.
Burg më burg i kam përcjellë.

Nuk të flas valixhe e rrjepur.
Nuk ke veshë e nuk ke gojë.
Si relike më ke mbetur.
Dua vite të t’zbuloj.

Hap e mbyll, i gjëmon fatit,
Rroba burgu, mall dhe lot
Të mungon kostumi i Gabit*.
Shkoi me atin tim n’atë botë.

*Gabi - Tregu i shitjes së rrobave të përdorura.

 
 
 
Jam si dikur

Çdo ditë më shpesh kujtoj përrallën time,
E çfarëdolloji qoftë, nuk reshtem t’a tregoj.
Vishem me ëndrra dhe kështu i ngjaj një fëmije,
Që krijon iluzione sikur po loz me heronj.

Ca shkrepëtima brenda meje më ngasin zgjimin,
Po dhe pse ndërroj fytyrë, prapë mbetem po ai.
Jam po ai që vjen përherë të më kërkosh harrimin,
Por poezi të tillë s’të shes, jam mbi çdo gjë zotëri.

Përtej kësaj maske, ti e di, jam unë, i vërteti,
Me gëzime, hidhërime dhe probleme boll.
Trukohem.., fundja ky i jetës sime është sekreti.
Mos u habit, jam si dikur, djalosh, atje në shkollë…

Me “gjest” e transformoj një realitet të stisur.
Mjaftojnë ca yje letre, ndrin qielli skaj më skaj.
Mos poezia ime rreket të shpikë krijesë të stolisur,
Që të mund t’a harroj botën me çmenduritë e saj?

Gjithçka jashtë teje mbetet ngrirë, s’lëviz.
E ti vazhdon: qan, qesh, këndon njëlloj si unë.
Në vogëlushe kthehesh dhe loti të bën vizë,
Vragën e tij më le tek jaka mbi kostum.

Prapa kësaj maske, mësoje, jam unë në mes.
Ç’kërkoj e ç’dua nga jeta ime, e di vetëm Zoti(?!...)
Çdo herë që do të lind, çdo herë dhe që do vdes,
Do them këtë përrallën time, mësuar prej qëmoti.



Po u pamë!?

Ndonjëherë dhe po u pamë,
As shëndet nuk do të themi,
Por mes turmës, siç u ndamë,
Ndoshta lot në sy do t’kemi.

Dhe po e thirra tëndin emër,
Do t’ma hedhësh fshehtë vështrimin.
Do t’bëj “tak” e jotja zemër,
Ndoshta ëndërron dhe kthimin.

Ja, qëlloi, në trotuar...
Ndala frymën dhe të prita
Dhe pa folur, pa u qarë,
Ndoshta sytë i thanë të gjitha.

E po m’ pyete, si po shkoj,…
Do të t’them, s’di të gënjej,
Do t’mundohem të t’harroj,
Veç harresën s’mund ta blej.


 
Erdha
(Në lamtumirën e Lirak Bejkos)

Erdha…
Pa këmishë të bardhë,
Por me dhimbjen fjalëmekur.
Shiu ndër ulluqe ngjante,
Sikur kishte vdekur.

Erdha…
Me dëshirën zjarr
Dhe me zemrën që s’qe shuar.
Njerëz të cfilitur vitesh,
Lule nëpër duar.

Erdha…
Trupi yt i shuar,
Në qivur qiri i tretur.
Atje lart në qiellin gri,
Shpirti i padjegur.

Erdha…
Kishe bërë një rrugë të gjatë,
Që nga Praga ardhur,
Që t’a sillje nëpër natë,
Një të fshehtë të zbardhur.

Erdha…
Qielli plumb si portë qelie,
Sot rëndoka ndryshe.
Shpirti yt simbol lirie,
Më ngjan dallëndyshe.

 
 
Zonjë Lumturi

N’ato vite të ferrit, kur qielli më qe mbyllur,
Dhe errësira e thellë më kishte dhënë lëndim,
Të preka dhe të ndjeva mes njerëzish kokëulur,
Zonjë Lumturi, më ishe brenda shpirtit tim.

E s’të kërkova, Zonja ime, kurrë nëpër motele.
As ndër bankete zhurmëmëdhenj edhe dinakë.
Shumë herë s’të gjeta ty as kioskave me zhele,
Zonjë Lumturi, ta dish, të kisha brenda, gjak.

S’harrohen provat e mëdha, mërzitë e trishtimet
Edhe çdo herë kam dashur të mbetesha njeri.
Më të mëdha ato, më të mëdha dhe gëzimet,
Zonjë Lumturi, pranomë, kam mbetur po ai.

Me mua, mikja ime, nuk ndahesh dot aq lehtë.
Herë duhemi pa fund, here jemi flak’ për flakë.
Ti më ke nxitur vetë, të kem guxim në jetë,
Të ndjek edhe të ngjaj me maratonomak.

 
 
Peizazh jugor

E zuri reja Llogoranë,
Si mike, s’e lëshon.
Me erën pika shiu vanë,
Gjer poshtë, te bregu Jon.

E bredhat nisën të vallzojnë,
Mbërthyer me ullinj.
U fshehën zogjt nën strehën tonë,
Gjinkallat në qetësi.

E tundu-shkundu këta ullinj,
Si t’ishin balerinë.
S’di ç’po shikonin sytë e mi:
Peisazh apo vegim?

Mbi supe pika shiu ranë,
Nis era të buisë.
I mbyllëm çadrat, brënda vamë,
Me freskun mbi kurriz.

Po dielli reve u shpëtoi,
Anuar përmbi det.
Ca rreze si shigjetë lëshoi,
Ia puthi faqet qetë.

E dalim, çadrat hapen prap,
Ky deti si pasqyrë.
Na lidhin rrezet në çdo hap,
Kemi ndryshuar ngjyrë.

Nuk ndërrohen këto ditë këtu,
Me muaj nëpër botë.
Gjithçka lëviz mbi skenën blu,
Të kemi afër Zot.


 
Qetësinë ta bëj të flasë

Do të doja krahë të fluturoj,
Po ja, nuk i gjej dot.
Mos mbeta ngulur pa përvojë,
I humbur në këtë botë?
S’e di nëse përpiqem kot,
Kuptim në jetë mos t’kem!...
Më sheh në sy, më merr për Zot,
Por Zot nuk mund të jem.

Me dhimbjen, të luftoj më fton,
Me poezi, pa lot.
Më puth e fort më përqafon
E prapë më quan Zot.
Por Zot, ta dish, unë s’mund të jem,
Besomë, nuk të gënjej.
Veç nëse dhimbjen pas do të kem,
Qetësia do t’më brejë.                                     

Ndaj, nis e qesh, në krahë të marr
E humb në hapësirë.
Në sy, si ti, dhimbjen kam parë.
Kjo më ka bërë të mirë.
Do të doja krahë të fluturoj
E lart, më lart të ngas.
E nëse rrotull ka qetësi,
Qetësinë ta bëj të flasë.

 

Shi i shpirtit tim

Shi i shpirtit tim,
Shi pa pranga…
Zbutmë plagët,
Plagët e përgjakura të mundit,
Mos i lerë të zenë merimanga.

Miku im i mirë,
Shi plot hir.
Shuama grahmën e dhembjes.
Freskomë qelizat e mendjes.
Të mos rend kuturu.
Ngreje vetullën tënde,
Ylberin,
Ja, kështu:
Bashkoja kreun dhe fundin,
Mirësinë dhe mëshirën…
Shi i shpirtit tim,
Për mua,
Bëje më të mirën!
Se je shi i shpirtit tim,
Shi pa pranga.
M’i zbut plagët,
Mos të kem më danga… 

 
Spaç…
(Në kujtim të Koç Papës dhe Gëzim Çelës,
që i mbijetuan këtij Ferri)

Spaç…
Tregomë ç’të duash, nuk kam më lot,
Po prapë s’m’i çlodhe kurrë mendimet.
Kujtimi yt Zotin s’ma ndot
E as më nxit në shpirt mallkimet.
Ndonëse më ngjan një tjetër Ferr,
Pa Ugolin e pa Ruxher*.

Spaç…
Një rreze dielli si prangë e zjarrtë,
Poeti ndrydh një shkulm prej vreri.
Qielli më ngjan - rrasë e acartë,
Mali - njëlloj kupolë bunkeri.
E prapë më dukesh tjetër Ferr,
S’ka Ugolin, s’ka as Ruxher.

Spaç…
Me Danten erdhëm dorë më dorë
E hëngrëm bukë me vesë pranvere.
Mbi ca gërmadha vumë kurorë,
Na ngrinë buzëqeshjet dhe kësaj here.
Se na u duke Ferr mbi Ferr
Edhe pse s’kish Kont e Ruxher.

Djall…
Hëngre tët bir si t’ish mëshqerë,
Ndaj duan të t’i fshijnë dhe shkronjat.
Po qumësht’ i nënës kurrë s’do t’shterrë,
Në mur, pa yll, gdhëndur shqiponjat.
E prapë më ngjan Ferr përmbi Ferr,
Ku qenkan bashkë Kont e Ruxher,
Që hanë vetveten këtë herë.

*Kont Ugolini dhe Peshkop Ruxheri,
personazhe të “Ferri”-t (“Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit)




Furgoni niset n’orën shtatë

Furgoni niset n’orën shtatë
I përgjumur nga Berati
Këtë Tetor e solli fati
Të më kujtosh në orën shtatë
Të më kujtosh në orën shtatë
I përgjumur nga Berati...

Këtë Tetor e solli fati.

E pa pritur të gjeta prapë
N’ një lokal te “Myslym Shyri”
Porsa t’ pash, s’ma besoi syri
Dot s’ të fshehu e zeza natë
Dot s’ të fshehu e zeza natë
Rrath’t e syve ngjyrë plumbi
Porsa t’ pash, s’ma besoi syri.

Furgoni niset n’ orën shtatë
T’ gjitha puthjet seç m’i mori
M’i rrëmbeu semafori
Mbeta vetëm në Berat
Po më shpon si thikë ky shtrat
M’u përgjak krejt krahërori
Ç’i pashpirt ky semafori.

Furgoni niset n’ orën shtatë
I përgjumur nga Berati
Këtë Tetor e solli fati
Mos më kujto më n’orën shtatë
Mos më kujto më n’orën shtatë
I përgjumur nga Berati
Këtë Tetor e solli fati.


 

Më mungon

Më mungon,
Kur terri shuan gjurmët nëpër gurë,
Kur dielli valët detit ia përkëdhel,
Si hije më gjurmon, s’ më ndahesh kurrë
Dhe lodhja brenda vetes nuk më del.

Më mungon,
Në shikime, në buzëqeshje, s’ të kam gjetur
Në biseda lënë përgjysmë, më mungon
Në grykën time si një nyje më ke mbetur,
Bëj të të gëlltis e kurrë poshtë nuk më shkon.

Më mungon,
Mund të shtirem, se jam mirë, por më mungon.
Tani kuptoj seç është, të mos ndjesh’ një çast intim,
Mos më ndodhesh pranë, kur gjumi më harron,
Kur ecën këmbëzbathur brenda shpirtit tim.

Më mungon,
Ku të t’ kërkojë? Do gënjeja veten. Më mungon,
Je lutja ime në të ftohtët e mëngjeseve pafund
Për rreth, i arratisur ësht’ dhe ajri, më mundon.
Të të shoh edhe një herë, gjithë botën do ta shkund.

 
 
 
Tashmë
Tashmë
Në shtëpinë time je një hije,
Natyrë mort e varur në mur.
Je një lëngim poezie,
Varg i pashkruar kurrë.....


Tashmë
Për ty ndodhem larg
Dhe rrugët më nuk më gjejnë.
Nuk më ndërrojnë më zemrën,
As lotët lumenj.

Tashmë
Je një kujtim në letër,
Harruar diku në sirtar.
Një e re, mbetur e vjetër,
Një i prishur kandar.

Tashmë
Një vështrim në skaj kyçur,
Në jetën time një dyshim.
Një menteshë porte e ndryshkur,
Lule e tharë në kopshtin tim.

E tashmë
Je zjarr i shuar.
Sa jetuam bashkë, u dogj
Lëngim i kthyer në lutje,
Frut që stinës kurrë s’u poq!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen