F A Q E T

Samstag, 29. Juni 2013

Gani Xhafolli

Gani Xhafolli

Gani Xhafolli u lind në fshatin Drenofc, afër Prishtinës, më 25 nëntor 1942. Ka kryer Akademinë pedagogjike në Prishtinë. Ka punuar në arsim: në Drenofc, Barilevë, në Lipjan dhe në Magure, si mësues. Mëpastaj ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës prej vitit 1979 redaktor në programin për fëmijë deri në 1990, kur pushteti okupues i Beogradit e dëboi me dhunë nga puna së bashkume 1340 punëtorë të RTP-së. Ka fituar shume çmime letrare.
Gani Xhafolli ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare në Prishtinë, më 16. 06. 2015.

 


Vepra të botuara:

  1. TE PORTA E EDHAVE.
  2. ZOG SHIU (poezi) 1979.
  3. ËNDRRA NË SHUPLAKË (poezi) 1981.
  4. ZOGJËT FLUTUROJNË MBI LULE (poezi) Tiranë,1984.
  5. VJERSHEN S’E ZË GJUMI (poezi) 1985.
  6. LULE MA JEP DORËN (poezi) Shkup,1986.
  7. KROI THËRRET DALLËNDYSHET (poezi) 1987.
  8. SHTËPIA ME KULM TEPOSHTË (roman) 1988.
  9. PLESHTI HA ME DY LUGE (poezi) 1990.

10. KUQ E ZI (poezi) Cyrih, Zvicër,1990.
11. LEJLEK I SYRIT (poezi) Shkup, 1992.
12. PO (roman) Shkup, 1996 (i shpërblyer me çmimin e dytë).
13. TË DUA (roman i shpërblyer me çmimin e parë,1997).
14. NUSE NËN MOLLË (dramë) 1997.
15. GJEOMETRIA E SYRIT (poezi) 1999 (e shpërblyer për veprën më të mirë nga LSHK).
16. GISHTI IDIOT (poezi) 2000.
17. PRINCESHA E VOGËL (poezi) 2000.
18. SHTEPIA ME KULM TEPOSHTË (roman) Shkup, 1999 (ribotim) .
19. DIELLI ME TRI DRITARE (monografi letrare) 2000.
20. NË GOJË TE GJARPRIT (roman) 2000.




Poezi nga Gani Xhafolli


ZEMREN E KAM PLOT OQEANE
 


UNË JAM gani xhafolli
Zemrën e kam plot dritare
zemrën e kam plot unaza
zemrën e kam plot oqeane
zemrën e kam plot ajër
e plot diell
e kam plot dete
e plot zogj
e kam plot rrugë
e plot pemë
e kam plot lule
e plot dashuri
e kam plot bletë
e plot këngë
nuk e kam
asnjë miligram
urrejtje




KAM FLUTURUAR
SHPESH

Erdhi koha të kthehem
në atdhe e t’u marr erë luleve
+ pemëve në degë
shtëpinë e kam parë shpesh
ëndërr
kam fluturuar mbi
pemë e mbi kroje
duart e gjyshes i kam
vizatuar çdo javë
do të pi ujë çdo orë
do të ha pemë të vendlindjes
çdo ditë
diellin do ta fotografoj
çdo mëngjes




DASHURIA U DUHET
TË GJITHA FAQEVE

Shumë bëhem nervoze
kur në mbrëmje
ndalet rryma
e librat mbesin në terr
nuk ka faj Luli që
nganjëherë i ha gishtat
zemra ime kërkon
sa më shumë këngë
JAM shumë e vogël
për nervozë
dashuria u duhet
faqeve e të gjitha luleve




NUK DI PSE GAFORRJA
EC MBRAPSHT

E kam pyetur gjyshin
më ka thënë NUK DI
e kam pyetur një vajzë
në Francë
PYETE LUMIN
në vendlindje e
kam pyetur një ditë
GAFORREN në
Danimarkë
nuk di pse iku prej meje
kur unë nuk jam polic




DIELLI SHKRUAN
PROZË NË FAQE

Kur e përqafojmë gjyshen
në mbrëmje
zgjohemi më të ëmbël
në mëngjes
e dielli shkruan prozë
në faqe
që mund të lexohet
vetëm me puthje
edhe hëna shkruan poezi
me buzë moderne




PJESHKAT I KA
ZËNË GJUMI

Pjeshkat në katund
i ka zënë gjumi
presin dorën time
të butë
nw ëndërr i lexojnë
vargjet prej rëre
gjethet këqyrin
mos po më shohin
në rrugë
u kujtohet kur isha
zog mëndafshi në degë
dhe ylber në mollë




JAM BËRË SI
LEJLEK I LODHUR

Kam kohë tepër pak
të shkruaj vjeshta
është ulur mbi flokët e mia
dhe u jep krejt ngjyrë
bryme
jam bërë si lejlek i lodhur
ENDE nuk e kam harruar
MOLLËN në Toplicë
të gjyshit e gjyshes
më kujtohen të gjitha
dyert me zog flamuri
JAM lodhur shumë
prej malit në mal
prej trenit në tren
më duket 1000 vjet i kam





DËSHIRË GJATË NJË
NATE KUR FLUTURA
ISHTE NË MËRGIM

Ah sikur ta kisha një kalë
të bardhë
një kalë të bardhë
që fluturon përmbi pyll
e përmbi fusha
ah sikur ta kisha një mollë
një mollë të artë
një mollë të artë
një mollë të artë të Çamërisë
ose të Shkodrës
do të isha nisur
drejt fluturës
DY JAVË KA QARË DEGA
Mos ua thyeni pemëve duart
sepse mërziten tepër gjethet
e nuk i merr gjumi
dhe qajnë në heshtje
edhe shiu nuk e ndjen
veten mirë
një qershi është ankuar
shumë
kur një djalë ia ka thyer
pesë gishta
dy javë ka qarë dega




DASHURIA ËSHTË
ME SHUMË ZEMRA

Dashuria është e ëmbël si molla
E përqafon një ylber të vogël
Kënaqesh
Dashuria është me shumë zemra
I duhet lumit
I duhet detit i thua MERRE
Me dashuri e hap derën
Kur vjen dikush dhe i qet kafe
Me dashuri zgjohesh
Në mëngjes për një përqafim
Të diellit
E katër përqafime të nënës
Dashuri është edhe kur mbyll
Derën kur shkëlqen hëna



ÇDO DITË
FLET ME DIELL

Kur erdhi Skënderbeu
Në Prishtinë
Motra lindi djalë
Emrin e mori Trim
Skënderbeu në KALË
Diçka i thoshte dielli
HIJE I KA SHPATA
KALI i këqyri retë
E kishte marrë malli
Për krejt Dardaninë
ENDE s'e merr Gjumi
As KALIN as Gjergjin
të flet me DIELLIN
     



DIKUR EDHE
TREGIMET PLAKEN

Sigurisht e keni parë
Peshku ha pa duar
Noton pa këmbë
Dimrit nuk di a nerth shumë
Dhe a ia di emrin botës
Edhe unë kam qenë peshk
Në barkun e nënës
Tash jam gjysh me mjekër
Edhe unë çuditem qysh i
Shkruaj vjershat e reja
E di: dikur edhe tregimet plaken
Pikëpyetjet a i lexon dikush
Plaket edhe banesa dikur
Plaket edhe nëna
Edhe makina e shkrimit
Dielli pikëpyetje a plaket




KUR FLUTUROJNË
BUZËQESHJET

E njoh një vajzë
I ka dy bylbyla
Në zemër
Këndojnë kur ajo
E vizaton diellin
Dhe mbjell lule
Këndojnë kur ajo
E shkruan fjalën
atdhe
këndojnë kur nëna lind djalë
dhe fluturojnë buzëqeshjet




DIÇKA MË KA DHËNË
NJË KËRMILL

Jam munduar shumë
Ta shkruaj një vjershë
Të verdhë në vjeshtë
I kam lutur të gjitha
Lulet të më ndihmojnë
Edhe lumin
Edhe hënën
Diçka më ka dhënë deti
Diçka më ka dhënë pylli
Diçka më ka dhënë kërmilli
Diçka një patë e egër
Diçka më ka dhënë
Një vetull e një vajze
Diçka një krah i një fluture
Diçka më ka dhënë
Një buzëqeshje xheloze
     



VJERSHAVE
U RRITET BUKURIA

Flokët i rriten Lises
dhëmbët i rriten Gentit
duart i rriten hënës
këmbët i rriten Yllit
e pëllumbave u rriten
krahët
plepave u rriten gjethet
dardhave u rritet bishti
mua më rriten vjershat
vjershave u rritet bukuria




KAM HARRUAR
SI DUKEJ SHTËPIA
E VJETËR

Kam harruar si dukej
shtëpia e vjetër
me dy dhoma e një kuzhinë
me pak lugë e tri dritare
do ta pyes Agim Devën
dhe tash e shoh pak
Shtëpinë e Re
nuk di a ka dritë mbi kulm
nuk di si duken pikturat
e mia në terr
dhe a mërziten
që nuk i shoh mirë
të martën do të shkoj
në spital
kam menduar se do të shihja
edhe pa dritare
nuk di si duket as liria
as fletorja e parë
e bukurshkrimit me një zog




LETËR MOTRËS
NË GJENEVË

E vogël ishe
kur të puthte era
kur të buzëqeshte
shiu
nën kumbulla dhe degë
fustanin e kishe
me ngjyra
e vogël ishe atëherë 
kur u ke kënduar
gjetheve
dhe një cope buke
flamurin e ke vizatuar
tinëz në shuplakë
mos i harro ëndrrat
mos e harro nënën
as hijen tënde të vogël
MË KUJTOHET kënga JOTE:
ende ka shumë borë
____________
Përgatiti: H. Muhaxheri

Xheladin Mjeku

Xheladin Mjeku

Xheladin Mjeku u lind më 1 shkurt 1961 në Graboc të Epërm të Prishtinës (tash nën juridiksionin kadastral të Komunës së Kastriotit), me të mbaruar shkollën e mesme të mjeksisë, ka studiuar në Fakultetin Filologjik – Letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Poashtu ka studiuar edhe për Teknologji ushqimore.
Për disa vite ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, në Departamentin e Ekologjisë Humane në Prishtinë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Botimet:
  1. “Aromë gruaje”, poezi (2010)
  2. “Bedri Dedja në kujtesën tonë”, kujtime dhe kritika (2010),
  3. “…me Dritëronë”, monografi dhe publicistikë (2011),
  4. "Lotët e virgjër”, antologji poetike (2012),
  5. “100 rrënjë të gjethit bohem“, antologji poetike për Tahir Deskun (2012),
  6. “Antologji e dhembjes poetike“, antologji poetike për Ali Podrimjen (2012)
  7. “Prekja e pikëllimit”, monografi dhe poezi (2013),
  8. “Qofsh e lumtur, mbesa Dorelë”, shkrime dhe urime (2013),
  9. “Flakadani i lirisë“, poezi për Zahir Pajazitin (2013), etj.
  10. “Mëkatet e Orfeut”, poezi
  11. “Në kopshtin e muzave”, poezi
  12. “Nëna e lirisë”, tregime për fëmijë
  13. "Pranvera në shtator", poezi për fëmijë


Poezi nga Xheladin Mjeku



EDHE PAK DARDANI, EDHE PAK KOSOVË...

Merre si ta marrësh, në këtë Kosovë
Në cilin skaj ta prekësh ka pak Dardani
Edhe pak Dardani, edhe pak Kosovë
Në këtë palcë guri, në ashtin prej lashtësie
Mbi masën e syrit e peshën e gurit të vet
Ngriten bedenat e kështjellës – qëndresë stoike
Për një pëllëmbë Kosovë, një ëndërr Dardani
Shekujt u shtynë gjatë tej Alpeve deri në agoni
Mjer toka që thahet për një pikë gjaku
Për një këngë kushtrimi të shtegut të lirisë
Merre si ta marrësh, në këtë Kosovë
Në cilin skaj ta prekësh ka edhe pak Dardani



NË KOPSHTIN E MUZAVE

Përditë shkëpus nga një gem të fjalë-mendimit
Derisa kaloj mespërmes Kopshtit të muzave
Dhe mbëltoj fidan të ri tej radhës tjetër të fjalës
Me mbushet kupa e fjalës me aureolën e gjëllimit
E bjerrakohësit druajnë prej syrit të keq që pëlcet
Ndryshimi mbetet enigmë e pafre gjithandej
Ngarendin vargjet pas muzave e ndjekja makabër
Vizionar i pathyeshëm në gjetjen e imazhit të ri
Derisa mbyllim vetveten në guasën e mendimit
Ia prejmë blenin e mendimit kuptimit të fjalës
Sfidim i ndërgjegjes me nerva të shprishura
Dhe valëzim mendimesh në Kopshtin e muzave
Në rrugëtimin e daljes nga orbita e vetëmohimit 
Nga të gjitha polet drejtoj heshtat e vrojtimit 
Ta shkund vargun e harlisur në kupën e mendimit



ALKIMIA E HESHTJES

Po bdaren do kohëra në shtjellën e vet
E trungut do t’i vijë rrënja sërish
Për një grusht dhé Piramidë e Keopsit do të shembet
Gjer shtatë pashë nën dhé me gjasë
E do përligjet kulti i durimit
Doemos
Librit të predikuesve të heshtjes
Po i grisen faqet në diell
Për një grusht flori do blihet në ankand publik
Për hiçin e ëndrrës së keqe
Ndofta do të kemi arsyen
Të flasim përçart për bejtet
Dhe të këndojmë ninullat që i lamë përgjysmë
Në emër të arsyes
Vetëm për një grusht ëndrra
Do blihet në ankand publik

Alkimia e heshtjes





TËHARRJE E BIMËS SË KEQE

Sa inat i kisha Ymer Shkrelit
Kur solli në jetë Bimën e dreqit
Druaja se na mbet në pragun e shtëpisë
Si Gjarpëri i Mirko Gashit
Dhe nama e plakave në mëhallën time
Tëharrje e bimës së keqe

Deri në agim mbeteshim në dritare
Duke përcjellur lojën e yjeve
Në Kashtën e kumtrit
Dhe meditimin për bëmat e ditës
Që përtypeshin nga gojëkëqinjtë
Si në mokrën e  stërgjyshit të ndjerë
Tek bluante kokrrat e pakta të drithit
Mbledhur fushëblertave të djegura
Nga dorë mizore e satanës ndjellakeqe
Atëbotë

Tëharrje e bimës së keqe
Zbret në kujtesën e viteve të ikura
E sotmja nis me zgjimin esëll
Me frutin e mbarsur nga engjëjt e dritës
Sjell kujtimet e mallit për miqtë e fjalës
Me dashurinë në katror



DERISA VIZATOJA PORTRETIN TËND

Kërkoja penelin dhe ngjyrat
Ta sjell tek ti një rreze dielli
Të fshij kujtimet në qetësinë e natës
E të shprish vetminë time të strukur
Në hijen e kujtimeve të tretura

Me shpejtësi më shkëpute nga ëndrra
Derisa vizatoja portretin tënd
Më ftove në përqafim të ri
Mes pikave të lotit

Nga syri i përlotur
Që i gjason një ylli mbi re
Zbriti një rreze drite
Mbi nurin e adhurimit tënd
Si fjongo iu mbështoll
Portretit që po lind

Çuditërisht më shkëpute nga ëndrra
Për një kujtim dashurie të humbur
Ngjyrat e ylberit u kthyen në pamje të re
Në portretin tënd hapej drita
Përfundimisht



ËNDRRËS IA SHKEL SYRIN

Ëndrrës ia shkel syrin
Prej saj nuk kam frikë
Pres çastet që të agoi dita
Dhe dielli të ngjitet në zenit

Mos ma rikthe atë ëndërr
Që më kujton vuajtje e mundime
Druaj që më sjellin pastaj
Të kaluarën plotë shqetësime

Në ëndërr dhe zhgjëndërr
Kjo miqësi e padjallëzuar
Ia hap flatrat jetës
Kode ëndrrash deshifruar

Të kërkoj edhe në ëndërr
Dhe nuk të arrij dot
Kujdes mos dil nga vetvetja
Se jetës i shkakton lot

Ëndrrës ia shkel syrin
Ditën përshëndesim me dorë
Hap kodin e ëndrrave
Që jetën ta shkojmë gazmor!




SIMFONI VJESHTE

Kur gjethet i shkund era
Një stinë tjetër troket
Ndryshimi mes lojës së gjetheve
Është fillim i aktit të tretë

Kur gjethet bien për tokë
Koha vesh petkun e vjeshtës
Ndryshon gjithçka rreth nesh
Gjallëria i hap rrugë heshtjes

Kur gjethet i shkund vjeshta
Mollët skuqin nëpër shporta
Ndryshim stine ndodh pastaj
Stinët sjellin jetën në rrota.

Kur gjethet i gëlltitë toka
Ne bëhemi shumë kurioz
- Vallë është e mundur kjo
Stinën ta bëjë dikush nervoze?


Kur gjethet bien për tokë
Era shkund përreth gjithçka
Dita ndërron gëzofin e kohës
Simfoni vjeshte gjithkah!





ATYRE QË E DUAN LIRINË

Atyre që e duan lirinë
Nuk ka pse t’u shkruhen vargje,
Ata vetë i stolisin epopetë
Me tytën e pushkës.

Ata janë të parët
Që i dalin hakut atdheut,
Derisa të tjerët meditojnë për agun,
Me kohën maten veç burrat e dheut.

Ata që e duan lirinë
Luleve ua falin nga një petale të kuqe,
Gjaku t’i ngop damarët e tokës
-Ky është shpirti i lirisë.

Me ata që e duan lirinë
Gjithmonë ecim ballëlartë
Dhe rrezet e diellit ua lakmojnë plagët
Që ia shëndrisin rrugët lirisë.

Atyre që e duan lirinë
Nuk ka pse t’u thuren epope e lavde,
Ata vetë e shkruajnë historinë
Me tytën e pushkës.





AROMË NËNE

Si buqetë lulesh plot margaritarë
Vjen aromë nëne – dashuri e parë.

Për të gjithë ne është një mrekulli
Fjalë e saj e ëmbël sjell veç dashuri.

Sikur ta them atë që ndryej në zemër,
Më shtohet kurajo kur thërras këtë emër.
...
Emri i saj gjason në tufë yjesh në qiell
Që shëndrisin në jetën time plot diell!

Naimi në vargjet e poetëve

Ese nga Lumo Kolleshi

 NAIMI NË VARGJET E POETËVE


Fragment nga libri "Nga nje autor tek tjetri"

Në rrjedhën e historisë dhe sidomos në momentet më dramatike të saj,kur i është dashur drejtpeshimi i fateve të veta, kombi ynë ka gjetur pika të tilla referimi, që janë trupëzuar në një me vetëdijen, me vetqendresën dhe, me dritësinë e shkëlqimin e tyre, kanë ndriçuar rrugët e shpresës kombëtare.Një figurë me përmasa të tilla dhe gati më emblematiku është pa dyshim Naim Frashëri.

Për këtë figurë janë shkruar monografi e shkrime të panumërta kritike, kanë folur personalitete të shquara e të fushave të ndryshme të dijes, për gati një shekull dhe pas ndarjes fizike të tij nga jeta, në poezinë shqipe për të cilën ai mbetet kryepoeti, ky uranium i shpirtit dhe gjuhës së zjarrtë do të shndërrohet në një motiv të vet poezisë.Është ndoshta rasti më unikal në vetëdijen letrare të kombit tonë që për këtë figurë madhore të shkruhen aq e aq vargje.Mund të pohojmë pa frikë se çdokush që është rreshtuar në armatën e poetëve, në kopshtin e vet poetik e ka mbjellë qoftë edhe një lule të bukur për Naimin e madh.

Deri më sot poeti ynë kombëtar është kundruar nga naimistika për produktin e vet letrar, për rolin e vet si Rilindës e mësues i shqipes, për idealet e larta që mbolli për kombin apo si një ndër apostujt e bektashizmës, por pak ose aspak është marrë në konsideratë që Naim Frashëri, me madhështinë e vet ka sjellë në letërsinë tonë motivin e poezisë kushtuar Naim Frashërit.Pikërisht në këtë punim të shkurtër, marrim përsipër të vendosim qoftë dhe një piketë, duke e parë figurën e tij si një burim i përjetshëm frymëzimi e një ndër motivet e vet poezisë shqipe.Kjo nuk është rastësore, por një vazhdimësi e pandërprerë që lidhet me atë fenomen që akademiku Prof.Rexhep Qose e spikat në veprën e vet “Porosia e madhe”: ”Naim Frashëri, pa dyshim është njëri prej shkrimtarëve më të popullarizuar në letërsinë e derisotme shqipe.Ai është shkrimtari, sigurisht i vetëm shqiptar që deri sot gëzon popullorësi në të gjitha shtresat dhe në të gjitha trevat e shqipes…Deri sot nuk ka shkrimtar shqiptar për të cilin është shkruar ashtu vazhdimisht dhe ashtu shumë si për Naim Frashërin.”(“Porosia e madhe” faqe 415,417…)

Madhështia nga njëra anë dhe popullorësia e kësaj figure emblematike nga ana tjetër, kanë shërbyer si dy shina për të vënë në lëvizje e në zhvillim motivin e poezisë kushtuese, e cila sjell një pasuri të re, jo vetëm për faktin se është e lidhur me këtë emër të rëndë si vet Guri i Naimit në Frashër.

Studjuesi Prof.Doc. Ali Aliu shtron pyetjen: ”Pse vazhdon të shkëlqejë ylli poetik i Naimit, më i madhi në qiellin tonë letrar?” dhe po kësaj pyetje ai ia jep vet përgjigjjen: ”Naim Frashëri mbeti i tillë se gjenialisht e ndjeu qartë aspiratën historike, ndjeu nevojën e shpirtit e të mendjes kombëtare, hetoi zjarrin gjysmë të ndezur të shtresuar gjatë shekujve, ndjeu dhe preku atë që është vizion dhe ëndërr shekullore e përbashkët e shqiptarëve, prandaj vepra e tij vazhdon të ushtrojë ndikim të dorës së parë mbi botën shpirtërore të shqiptarëve.” (Ali Aliu, ”Refleksione letrare”, faqe 10).

Është krejt e natyrshme që bota shkrimore shqiptare të jetë ajo më e ndikuara.

Vargjet kushtuar kësaj figure të ndritur,këtij ylli poetik, siç e cituam më lart,kanë ardhur nga dy burime, nga skalitësit e fjalës shqipe, poetët dhe nga populli, nga folklori.

Theksojmë se në këngën popullore, në më të shumtën e rasteve, figura e Naim Frashërit jepet e pandarë nga ajo e Abdylit dhe Samiut, kësaj trinie që lindi vetëm në Frashër e për të gjithë Shqipërinë.Kënga popullore i risjell kështu bashkë e brenda një trinomi të çuditshëm: pendë-pushkë-atdhe, ku dhe vet motoja e Rilindjes sonë Kombëtare ishte “Me pushkë e me penë për mëmëdhenë”.Sa për ilustrim të asaj çka thamë më lart, po sjellim vargjet e një kënge: ”Tre bilbilla nga një derë, /Shqipëri, moj qysh t’u ndanë?/Larg e larg qiri të mbenë/Dy mbi pendë e një mbi armë.”

Për të mos qëndruar shumë te kënga popullore, por që s’është e lehtë një shkëputje kaq e flashkët prej saj, kur dëgjon shpirtin piluriot “Bilbil i vendeve të mia”, që për nga vlera dhe kristalizimi, me një lakonizëm e një aromë deti, ajo përpiqet të ndërtojë një bust poetik popullor për Naim Frashërin: ”O pena florilarë/Mbi botë lulja e parë/Hënë yjesh, hënë behari, /Ç’u bë Naim këngëtari/O i ëmbli për të gjallë, /O i gjalli për shqiptarë…More Naim Shqipëria”.Këtu gjenia popullore ka arritur të japë të plotësuar portretin e popetit, si vjershëtor e mendimtar, si pedagog e dijetar, si përbashkuesi më i madh i shqiptarëve.

Motivi i poezisë kushtuar Naim Frashërit, sigurisht, do të niste e do të merrte shkas nga pikëllimi i madh që shkaktoi vdekja e poetit.Të parët që folën me zemër të dridhur për këtë humbje të pazëvendësueshme do të ishin poetë të tillë, si: Lef Nosi me vjershën “Naim Beut”, në vjeshtën e vitit 1900 “Thonë se deka Naim beu/Nuk ka dek, aj’ përsëri leu”.Një vit më vonë Adham Shkaba shkruan poezinë “Lutje””Emri kurrë mos j’u harroftë/Vjershëtorit, Shqipërisë/Shpirt i tij përherë qoftë,/Në dritë të perëndisë”.Në po këtë vit Dushi H.Jorgobaba del me poezinë “Vajtim për Naim Benë” “Shkove! O shpirt i uruar!/Vajte në të mirën tënde, /Po ne na le të dëshiruar; /Më t’u bëfsha asaj pende!” Një ndër poetët më në zë të asaj kohe, Filip Shiroka, do të shtojë: ”Naim Beg Frashëri, shqyptar i nderue/Atdhetar i vërtet, un , kurr’ nuk mund t’harroj!” I këtij viti dhe brenda kësaj natyre do të vijë edhe krijimi i Shtjefën Gjeçovit “Naim Bujar Frashëri” “Burr shpirt madhi, na ka vdekun;/Naim Frashëri trim bujar;/Vdek e Tij na ka thekun/Ç’n’u dur q’i madhi Atdhetar”

E shikojmë me vend të theksojmë se shkalla e informimit për vdekjen e Naimit nuk ka qenë kurrsesi si sot dhe një gjë e tillë është përjetuar më tej në kohë, pa shtuar këtu dhe faktin që jo të gjitha prurjet poetike të asaj kohe kanë mbërritur deri sot.

Do të isha i mendimit se krijimi më i arrirë në kohën e vdekjes së poetit dhe një nga elegjitë më të ndjera të gjithë shekullit të kaluar për Naimin, mbetet sigurisht krijimi i poetit tjetër të madh të kohës, Andon Zako Çajupi.Është krejt e natyrshme që ky krijim të përcillet në një linjë elegjiake dhe këtë e justifikon boshllëku që krijoi vetë vdekja, si e tillë, kjo poezi, përpos anës vajtimtare, bën dimensionimin e poetit, duke i ngritur kështu piedestalin e tij të parë.Në vazhdën e kësaj ideje,do të jepet për herë të parë një portret i plotë me vargje të ndjera dhe i krahasuar vetëm me vetveten “Mendjelarti,zemërtrimi,/Vjershëtori si ai…”Te ky poet,vazhdues e pasonjës i denjë i Naimit gjen përdorim metafora e parë lapidare “bilbili i gjuhës sonë”,metaforë e cila do të shërbejë si një ndër përmasat e vlerësimit të mëvonshëm e brez pas brezi për Naimin.Madje ky krijim do të funksionojë më vonë si një motivim edhe për të tjerë poetë që do të merrnin përsipër risjelljen në dritën e kohës atë që u shkri si vetë qiriri i tij për Shqipërinë.

Largimi në kohë nga vdekja e poetit do të shoqërohet me një sfumim të lehtë të tonit elegjiak dhe fillojnë të dalin tashmë në plan të parë vlerat reale të poetit.Kështu do të shkruajnë pak më tej Hil Mosi,Petro Nini Luarasi,Mihal Grameno,Sali Butka,Josif Bageri,Kristo Floqi, por, natyrisht edhe në këto krijime do të takojmë nota elegjiake.Në këtë plejadë poetësh që shkruajnë për Naim Frashërin do të shquajnë dy maja të larta të poezisë shqipe:Aleksandër Stavre Drenova dhe Lasgush Poradeci.Poezia “Fyelli “ e Asdrenit si dhe krijimet tepër të ndjera të Lasgushit sjellin risi të çmuara në këtë drejtim.Ato janë poezi të dala nga kratere vullkanësh poetikë, por, për disa veçori të tyre, do t’i trajtojmë më poshtë.

Duke iu referuar pak më lart akademikut Rexhep Qosja, nënvizuam popullorësinë e Naimit.Një hapësirë e tillë e krijuar prej vlerave do të krijonte një gjeografi të plotë e të pandarë krijuese.Për Naimin janë shkruar dhe do të shkruhen pambarimisht vargje si brenda trungut të copëtuar dhe amë, po ashtu dhe me atë ndjenjë e, në mos pak më tepër, jashtë këtij trungu e kudo ku flitet shqip.Nuk mund të bëjmë një apel të mbarë emrave të poetëve që kanë hedhur vargje për të, sigurisht kjo kërkon një vëmendje tepër të madhe dhe një lexim shterues të krejt poezisë shqipe, gjë që praktikisht është e pamundur, por le të ndalemi te emrat më të spikatur përgjatë një shekulli pa dhe me Naimin Frashërin:Ethem Haxhiademi, Petro Marko, Dritëro Agolli, Bilal Xhaferi, Ismail Kadare, Qerim Ujkani, Agim Shehu, Rahman Dedaj, Enver Gjerqeku, Agim Vinca, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Sabri Hamiti, Vorea Ujko, Musa Ramadani, Bardhyl Londo, Koçi Petriti, Dhori Qiriazi, Moikom Zeqo e shumë të tjerë.

Gjatë rrugës së këtij punimi natyrshëm lindin shumë pyetje,por njëra prej tyre del më e qenësishmja: Si vjen Naimi në poezinë shqipe prej poetëve ? Besueshmërisht që përgjigja e saj nuk ka sesi të jetë shteruese, aq më tepër brenda diversitetit të mendimeve dhe kulturave.Në këtë punim do të përqëndrohesha në disa pika që, sipas një skedimi jo të plotë të gjithë poezisë së shkruar kushtuar Naimit, kjo dhe teknikisht është e pamundur, kështu që do të mbeten dritare të hapura.Gjithaq po mbahemi në disa sythe:

1.Naim Frashëri nga shumë poetë është trajtuar në tërësinë apo në brendësinë e poezive të tyre si mëkonjësi i gjuhës shqipe.I kundruar në këtë aspekt, aty shpaloset kontributi i pallogaritshëm i një personaliteti të tillë, që, për nga vlera përvijohet me atë që bëri Dante Aligeri për kombin italian.Në qasje të tilla për kontributin ndaj gjuhës do ta gjejmë te Andon Zako Çajupi “Bilbili i gjuhës sonë/S’do të dëgjohet më kurrë!”, Jani Vruho “I dhe shpirt gjuhës, s’prapse të ligën”, Hil Mosi “Njashtu si shqypja nalt tue fluturue…/Kështu ti, Naim, gjuhën ton’ nalt e ke çue.”,Lasgush Poradeci (ky mjeshtër i pashoq i fjalës shqipe dhe ndjekës i përkorë i poetit) “Gjuha:shpirt i shenjtë i kombit, që kalon duke kënduar!/Gjuha:zjarr ku djeg me dritë një mendim i frymëzuar!/Gjuha:afsh i gjallë i jetës! Shpat e ndritur e lirisë!/Gjuha:yll i vjershërisë! Gjuha:Verb i Perëndisë!“ Në një përqasje të tillë e shikojmë figurën e poetit edhe në krijime të Ismail Kadaresë, Xhevahir Spahiut dhe Moikom Zeqos.

2.Një pikë tjetër këndvështrimi e poezisë shqipe e shenjtëron Naim Frashërin, duke e sjellë para gjithë botës shqipfolëse e shqipdashëse si ëngjëll e profet.Në ndihmë të këtij pikëvështrimi na vijnë vargjet e poetëve:Dushi H.Jorgobaba „Pendëtari trim me fletë,/Profeti i Shqipërisë!“, Mihal Grameno „Ay ish ëngjëll rënë mbi dhe për ta ndritur kombin“, Mediha Frashëri:“Ti je kisha, je xhamia,/O bashkim për njerëzinë./Je i ardhur nga perëndia/Një profet për Shqipërinë“, Ferid Vokopola „Të falemi, o Dritë, o yll i perëndisë“, Moikom Zeqo „Imam i trembëdhjetë i metaforave sekrete“, Sulejman Mato“Po vjen ai...zjarri hyjnor i këtyre maleve“, Lumo Kolleshi „Një shekull e nuk ndahemi dot,/Harresa vetëdigjet në qiejt e harrimit,/Ëngjëllor si atëherë vjen shenjti dritëplotë,/Varrin e lë bosh në boshësinë e moskuptimit.“

3.Në tërësinë e kësaj poezie figura e Naim Frashërit vjen si metaforë me gjetje nga më interesante sa tek një poet tek tjetri.Këtu e më poshtë po japim disa nga metaforat më të spikatura:Andon Zako Çajupi „bilbili i gjuhës sonë“, Shtjefën Gjeçovi „O dritë e bardhë shpejt perëndove“, Mihal Grameno „Atje ka lerë Naim beu, zemër e Shqipërisë“ , Lasgush Poradeci „Ti, o rapsod i lashtë i kombit, fjalëtar i mallëngjyer, këngë e rritur ndaj selvisë“, Mediha Frashëri „Ti je kisha, je xhamia“, Kristo Floqi „Po ti Naim Dituria,/Frashër i madh je për ne“, Asdreni „Se mi të gjith’ prap’ ti plot forcë trimi,/Qëndron, o fyell magjistar“, Azem Teferiçi „Martir i madh i larë në ar/Sot ty të gjunjëzohet çdo shqiptar“, Ferid Vokopola „Të falemi, o Dritë, o yll i perëndisë“, Dritëro Agolli „E përshëndes çdo gjë këtu/Ku lindi ylli e poeti“ apo „Nën Stamboll nën jataganin ngrinte këngë e ligjërime/Një sulltan i poezisë, Naim Beu i tokës sime“ dhe po këtu „Një armatë ish Abdyli dhe një tjetër ish Samiu/Dhe e treta gjenerali, gjeneral poet Naimi/Që lëshonte nga Stambolli divizione vjershërimi“ Është për t’u vënë në dukje se këtu metaforat ndjekin njëra-tjetrën.Llazar Siliqi „Tri maja të vargmalit“ dhe pak më tej „Bilbil i tokës arbërore“, Rahman Dedaj „As i tretur, as i venitur/Lis i gjatë në malin e rritur“, Qazim Sheme“Digjeshe ti flakë e bardhë/Tek i bëje zë pranverës/Kur atdheu s’kish behar,/Ti na dhe lulet e verës“, Lefter Çipa „Shkëmb mbi det Naimi“, Luan Qafëzezi „Të tre ata-pasqyrë e Prometeut“, Luan Rexhepi „Eh,sa shumë lule/Mbolle për këtë tokë/Kopshtar i madh i poezisë“, Adem Istrefi „Mos ishe kopshtar i Luleve të verës/Mos ishe kopshtar i vetë diellit/A lajmëtar i lindjes,/Yll drite i zgjimit?“, Fatos Arapi „Shpirt shqiponje i lirisë i ndezur për jetë të jetëve/Kënga-atdheu qiellor i pavdekësisë së poetëve“, Xhevahir Spahiu“Ato fjalë që t’i tha zemra,/O bilibil, kumbojnë mes nesh“, Moikom Zeqo „Pastaj erdhi Naimi-demiurgu i madh“, Visar Zhiti“Naimi bari/Kopenë e madhe të deleve të poezive të veta/Kullot nëpër bregoret bukuroshe të ardhmërisë“, Koçi Petriti „Tre vëllezërit frashëri/Sa për tre Tomorrë“, Odhise Grillo“Ju do të bëheni poetë/Do t’ju burojë frymëzimi,/U bëfshi miqtë e mi të vegjël/Bilbila si Naimi“, Arben Duka „Floriri i rrallë/Te jastëku im/S’mund të ishte/Veç i madhi Naim“.

Nga ky parashtrim i gjerë metaforash të përdorura për Naimin, mund të fiksojmë disa prej tyre që janë rrezatueset dhe më të shumëpërdorura.Kështu metafora „bilbil“ jep një nga përmasat e vet poezisë dhe vargut naimian, ëmbëlsinë dhe bukurinë e gjuhës shqipe të bazuar mbi gjuhën e Naimit.Edhe simotrat e tjera „yll“ që jep shpërndarësin e dritës në mes të asaj errësire ku ishte zhytur Shqipëria, “kopshtar“ që përcakton mbjellësin më të përkorë të poezisë shqipe, “lis“ e „shkëmb“, të cilat karakterizojnë pashkulshmërinë e tij, “sulltan i poezisë“ e „gjeneral poet“ skicojnë kështu majën më të lartë në malin e poetëve shqiptarë.

4.Naim Frashëri, me poezinë e vet, i solli pasuri të paçmuar letërsisë shqipe tri simbole të fuqishme në një arkitektura sa të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë lexuesit, po dhe aq të ngritur nga niveli artistik i tyre.Dhe këto simbole janë pikërisht: qiriri, feylli (Xhuraja) e manushaqja.Kjo simbolikë u përqafua më vonë nga të tjerë poetë, por tanimë ato vijë e i kthehen vetëm poetit që i ngjizi, Naimit Kështu Rahman Dedaj brenda simbolit të qiririt do të gjejë natyrshëm vend edhe për fyellin.Në këtë mënyrë, duke operuar me ato simbole, poezia merr përsipër të rikrijojë para lexuesit të vet portretin e Naimit. „U dogje gjer në fund që të lindësh përsëri/Dhe ashtin na e ndeze të bëjë dritë-/Fyellit edhe me një gjysmë mushkërie i ke fry’,/Zemrën e këngës për ta rritë.../U dogje gjer në fund e prapë qiri...“Këto simbole aq të dashura dhe aq tragjike të vetë Naimit, vijnë e zbulojnë apo plotësojnë më qartazi portretin nga poetë të ndryshëm. Fyelli do të hyjë edhe në vargjet e Asdrenit, duke zbërthyer një ide të madhe se poetë si Naimi, edhe pse pas tij vijnë plot të tjerë, ai do të mbetet „fyelli magjistar“.

Të shumtë janë autorët që na vargjet e tyre operojnë me këto simbole për Naimin, por le të përmendim vetëm disa syresh:Lasgush Poradeci, Bilal Xhaferi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Vehbi Skënderi, Natasha Lako, Agim Vinca, Dhori Qiriazi, Vullnet Mato, Halit Shamata etj.

Ndërkaq gjendet edhe simboli i manushaqes, por ky është më i rrëllë dhe më konkretisht e takojmë te Agim Shehu, Klara Kodra, Piro Kuqi e ndonjë tjetër.

Nisur nga qëllimi i këtij punimi, që në vetvete nuk merr përsipër të analizojë në planin shterues ndikimin që ka lënë shembulli dhe vargu i Naimit ndër poetët e tjerë, por duke shërbyer si një nismë e mirë për të evidentuar dhe një motiv të patrajtuar të poezisë shqipe, më lejoni të heq një paralele si përfundim të këtij punimi:Nëse për botën muslimane është një vend i shenjtë i quajtur Mekë dhe në përvitshmëri drejt këtij vendi organizohet një haxhillëk i përmasave të mëdha, për botën shqiptare ka dhe do të mbetet një Frashër, i cili usheu me qumështin e vet çështjen kombëtare e Rilindjen e tij, ka midis tre vëllezërve një Naim Frashëri, që do ta kthejë pa dyshim Frashërin e bukur në Mekën e gjithë shqiptarëve.E kjo nuk besoj se do të mbetet vetëm një aspiratë.Kështu dhe vetëm kështu edhe brezat që do të vijnë më pas, do të plotësojnë poezinë e pambaruar kushtuar Naim Frashërit.