F A Q E T

Sonntag, 16. Februar 2014

Ismet Ali - Kalorësi i pestë

Ky tregim ka marrë çmimin e tretë në Konkursin letrar të Manifestimit "Flaka e Janarit" 2014

Ismet ALIU ( Ferizaj )


KALORËSI I PESTË

0.
 

U takuam në një vend plot Natë e Mjegull, ku tanimë nuk dëgjoheshin britma lemeritëse, vaje, kuje… Mbase bota kishte rënë në gjumë. Gjithçka ishte mbështjell me shëmtinë e vdekjes. E unë…?! Nuk e di pse isha gjallë!!! Në përgjumjen e thellë të MortJetës dëgjoja frymëmarrjen e asaj Qenie që grithte materien si një shkëmb gurgacë kur tërhiqet zvarrë nëpër relievin materies që ishte po aq e fortë sa edhe ai.

1.

“Prej cilit univers vjen?!” - e pyeta.
Ai s’ më qe përgjigjur.
I vetëtiu Terri në fytyrë. Nëse mund të quhej fytyrë ai grumbull mjegullash...
Ai terr i të gjitha Vrimave të Zeza të Universit që qe mbledhur te Ai. Më bëhej se pikërisht aty e kishte fillimin edhe frymëmarrja e tij, që s’ishte gjë tjetër veçse një gërrhamë bubullimash që derdhej gjithandej…
U habita dhe i pëshpërita vetes pak me frikë:
“Si ka mundësi kjo fytyrë të përthithë gjithë atë Terr të Vrimave të Zeza të Universit?!”

“Prej nga flet? – më pyeti.
“Prej Ëndrrës... Mbase prej Ëndrrës. Ose më mirë thënë prej hapësirës boshe që ndodhet mes dy Ëndrrash.
Qenka vështir të jetosh i ngecur mes dy Botësh...
”Mes injorancës e përbuzjes”
...Dhe, po më ha malli për të takuar dike të gjallë a të vdekur. Por ah! Veç fytyrës tënde që ka zënë gjithë horizontin , s’po shoh gjë! Pusht!”


2.
 
Ndërsa e shikoja atë Fytyrë të frikshme të Kalorësit të Pestë, mendoja me vete:
Ringjallja mund të ndodhë nesër ose mijëra vjet më vonë. Kushedi!
S’ ka rëndësi kur. Kur të kaloj në Anën Tjetër të Jetës, siç kaluan të gjithë, do të kem kohë për të ëndrruar kthimin, megjithëse koha për të vdekurit s’ka asnjë kuptim…


3.

M’u kujtua pyetja që i kisha bërë sall një çast më parë Atij Pushtit:
“Prej cilit univers vjen?!”
Dhe, Ai megjnuni, s’ më qe përgjigjur as atëherë, as një çast më vonë: tash…

Tek më shkoi mendja ta pyes edhe njëherë (“Prej cilit univers vjen?!”) pashë se Frika si kacub ishte ulur galuc në pyllin e djegur të mendjes sime, ku ende tymosnin kërcunj drurësh.
Nuk e di sa kohë më pare Ethet e frikës ma kishin ndezur Pyllin. Kushedi?!
Unë e kisha humbur kuptimin për Kohën, Hapësirën dhe Qenien.
Ndoshta kjo kishte ndodhur prej kohës kur na i dëbuan Prindërit tanë nga parajsa për shkak të asaj Molle.
Mbase edhe mund të jetë kështu?!
Kushedi!!!
Mendova me vete, me tërë atë Bjeshkë Frike mbi shpinë:
“Hiqu këtij Pushti që e shkatërroi gjithë Planetin!…” , mendova.

 


4.

Në Pyllin e Djegur të mendjes ku ende tymosnin kërcunjtë e djegur kishte Heshtje dhe Mort…
MortHeshtje
HeshtjeMort

Tash Filli dhe Fundi i Hiçit ishte Fusha pambarim ku kotej përjetshëm ndërgjegjja pa frymë.
Unë dhe Kalorësi i Pestë ishim në mes…
Me gjithë mundin, nuk arrita të kuptoj pse unë ende isha gjallë dhe pse ende nuk isha çmendur nga prania e Kalorësit të Pestë. Ndoshta kaherë kisha vdekur, por shpirti ende shfletonte pamjet tronditëse të Kiametit, nëpër të cilin sapo kaluam.
Tek po ecja, diku përtej vetes, Në Shpellën e Jetesë ndjeva të ulërinin Hijet memece të Kujtesës ngarkuar me dhembje e nostalgji.

U zgjova.
Nuk e di nëse u zgjova tash apo mijëra vjet më herët… Dhe, Kalorësit të Pestë i thash:
“Kënaqu Pusht, kënaqu me Pamjet pa Ne!”
Nuk di kujt i pëshpërita vetes apo Kalorësit të Pestë që kalëronte herë horizonteve të pafund, herë brenda Unit tim.

Pas asaj Heshtje që mprehte thonjtë në vezullimën e frikshme të vetëtimave, foli ai: Kalorësi i Pestë, që s’ më qe përgjigjur as atëherë, as tash, por foli. Foli diçka palidhje:
“Nuk e kam lehtë! As unë nuk e kam lehtë…” – i tha më shumë territ të tij sesa mua.


5.

Më zuri gjumi. Një gjumë i rëndë…
Pash ëndërr.
Po, pak para se të jepja shpirt, pash Ëndërr sesi Kalorësi I Pestë volli.
U bë një grumbull I madh Plehu që se kapje dot fillin as fundin.
Kalorësin më nuk e pash.
Ç’ leshin më duhej ta shija se?!
Pushti!... Nuk qe i Zoti të më vrasë...Më la as me të gjallët, as me të vdekurit...
Unë ndoshta edhe kam vdekur.
Kushedi?!

E, me që koha për të vdekurin nuk paska kuptim, s’ di nëse Ai u zhduk tani apo mijëra vjet më parë?!


6.

Preka trupin tim.
Isha ende gjallë. Jo ore, mos m besoni. As unë vetë nuk i besoj kësaj. Mbase Shpirti përmes kujtesës preku trupin tim të vdekur prej kohësh.

Pastaj, prej territ kalova në Dritë.

Me sa mbaj mend, në fillim vdiq Kujtesa pastaj Trupi…

Por paraprakisht, në këtë mezokohë, sesi më vetëtiu pamja e të Dashurës Sime, të cilën e kisha varrosur një ditë qershori, këtu e tridhjetë e sa vjet më parë. 

                                                                                     Shifra: “Sigmund Freud”

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen