F A Q E T

Dienstag, 11. Februar 2014

Tringë Smajl Martini

TRINGË SMAJLJA -
HEROINË E MALËSISË
 
"Se falë Zoti mashkullin ma të mirë se këtë vajzë". Kështu thonin malësorët për Tringë Smajlen, ose siç e quanin populli Tringa e Grudës, apo Tringa e Maleve. Poeti ynë kombëtar, Atë Gjergj Fishta vigani i denigruar i letrave shqipe thoshte  " Tringa ia kalonte çdo mashkulli më të mirë n' urti e n' trimni ". E këtillë ishte kjo trimëreshë e Malësisë,  e bija e patriotit të shquar dhe luftëtarit kundër turqve, bajraktarit dhe kryekreut të Grudës- Smajl Martinit. Lindi në vitin 1870 në fshatin Kshevë të Grudës-rrethi i Podgoricës, në një familje fshatare patriotike. Konsiderohej ndër vajzat më të bukura të Grudës.
 Nore Kolja, bija e Kolë Kurtit nga fshati Pikalë dhe e reja e Dedë Gjo Lulit- bashkëluftëtare e Tringës, thoshte  "Tringa ishte belhollë, si ato më të bukurat. Ishte e urtë dhe ka ditur të bisedojë edhe me burrat më të shquar. Ajo mbante adhtinë dhe mauzerin. Erdhi në luftë bashkë me babain, kushërinjt dhe grudasit" .
 I ati i Tringës, si udhëheqës i forcave mbrojtëse të degës së Lidhjes së Prizrenit për Grudë   dhe si udhëheqës që nuk lejonte, së bashku me shumë të tjerët, që të coptohen trojet shqiptare, me shumë trima lufte dhe krerë të Grudës, dënohet për çështje patriotike në vitin 1883 nga ana e Divani Harbit ( Gjyqit ushtarak turk) dhe u transferua në vitin 1886 në Dinari Bekir, Kurdistan-Anadolli Lindore, ku edhe mbas disa vjetësh vdes. Disa vite më parë, më 1880 gjatë luftës kundër armikut, të dy vëllezërit e Tringës Zefi dhe Gjoni, mbeten të vrarë. Në këtë mënyrë Smajl Martini mbet pa djalë, përkatësisht pa trashëgimtar të drejtpërdrejt. Atëherë Tringa  vendosi të mos martohet dhe të rrijë me babain.
Që në moshë të re kjo trimëreshë fisnike me vemendje i dëgjonte bisedat dhe vendimet që i sillnin malësorët në bashkimet e udhëhequra nga babai i saj. Ishte shumë e zgjuar dhe e mençur.  Vazhdimisht shoqërohej me burrat më të mirë. Martinit. Në tubime  të burrave e logje, duke kryer në këtë mënyrë mesazhin e të parëve të saj Vuksan Gelës dhe Smajl Martinit,  i ftonte malësorët që mos të vriten në mes vetes, që pushka të drejtohet kundër armikut për të mirën e vendit, për liri, e harmoni midis njerëzve, pa dallime fetare..
 Përveç në tubime, në aktivitete brenda fisit të Grudës, e kuvende mbarëmalësore shquhet edhe për trimëri. Këtë cilësi e tregoi sidomos në Kryengritjen e Malësisë më 1911, ku mori pjesë si organizatore e luftëtare. Mori pjesë edhe në tubimin gjithëmalësorë në Greç ( qershor 1911). U dallua sidomos në luftën e Deçiqit . Burrave të Malësisë u jepte zemër që të luftojnë trimërisht kundër ushtrisë turke. Kontributi i saj në këtë luftë ishte i gjithanshëm. Malësorët trima i furnizonte me bukë, ujë dhe municion. Të plagosurve ua lidhte plagët dhe , sipas mundësisë që kishte, u bënte edhe shërbime të tjera mjekësore.
Kjo heroinë e Malësisë,   e cila tregoi heroizëm  në fushën e betejës si luftëtare e dalluar, ishte mjaft aktive edhe në qetësimin, paqësimin dhe rregullimin e atëhershëm brenda fisit dhe ndërmjet fisit. Me gjithë energjinë e saj rinore luftoi për shuarjen e hakmarrjes, gjakderdhjes në mes malësorëve (shqiptarëve). Ajo nuk u pajtua  me mjerimin, shkatërrimin dhe coptimin e shqiptarëve. Për të ndihmuar hapjen e shkollave shqipe në Malësi ( në vitet 1916-1917) shiti tokën dhe të hollat i vuri në dispozicion në hapjen e shkollave në Dinoshë, Priftën etj. Si e tillë Tringa gëzonte autoritet jo vetëm në Grudë, por edhe në Hot ,Triepsh, Kojë, Këlmend, Kastrat, Shkrel, Shalë, Shosh,  Shkodër e vende tjera. Ajo respektohej nga burrat më të shquar të kombit shqiptar të asaj kohe.Për punën e saj fisnike e patriotike sot e kësaj dite me admirim flitet kudo në mesin e shqiptarëve.
Sëmundja e pashërueshme ia ndërpreu jetën me 2 tetor 1917, në moshën 47 vjeçare. Dy vite më vonë,  nga ushtria e Mbretërisë SKS në trojet e Malësisë, shkatërrohet varri i saj në Kshevë. Megjithatë veprimtaria e saj patriotike kurrë nuk do të vdes. Ndaj le të buças thirrja e dalë thell nga zemra dhe shpirti ynë "Të pavdekshme si ato malet e Malësisë qoftë vepra e heroinës  Tringë Smajles!"
__________
Burimi: buzuku.info

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen