F A Q E T

Montag, 23. Juni 2014

Xhemajl Rudi - Cikël poetik


Muaji i 11-të
 
Muaji i 11-të
i qëndresës
i përjetësive
i nëntorëve
kur fitoret ishin të mëdha
kur vjeshtat ishin në frute të pjekura
e vreshtat ishin me lëngun e purpurt
me tri ngjyrat, ...

kur dehjet ishin të përëndërrta.
E bardha me raki rrushi të mirë në ndjesi të hollë
e kuqja me verën e aromës së pjergullës sa shekujt e lashtë
e zeza pikonte pasioneve fisnike e bartej në krahët e shpendit hynor

 
 
N`shtigje

Kur në shtigje fillon me ra nata
dhe pishtarët nuk ndizen më
dhe llampat nuk janë të varura
as yjet as hëna në qiell nuk janë
dhe një gotë verë mund të jetë
në strajcën e ushqimit të pakët
dhe një pushim i çlodhjes për hir të gotës
si një ndriçim tek shpirt i natës pikon, e sytë ëndërrojnë
qiellin e largët,
udhët dhe detin e kaltër dhe fundin e shtegut n`agun e Ri

 
 
Kërko të sotmen

E kaluara është në shuplakë të dorës
ec më tej, vërej hapin e parë,
pastaj të dytin e kështu koha është në kuptimin njerëzor
e sotmja, kjo kalimtare, që na shpie në udhët e errëta
tek të panjohurat
në ato që s‘i kemi parë, na shpie në tana sprovat
Por e tashmja jemi ne, kalimtarë çasti dhe ecim si kalorës
apo ndoshta si skllevër të erërave, apo të përtokur si zvarranikët
që thuren e tërthuren ndër shkëmbinj, si në sarkofagët e lashtë
apo në livadhe, lugje e kodra a shpatije...
Aty në faqet shterpe të pasqyrës, aty ku janë tana kohët
në një pikënisje tek një fillim i përhershëm, tek një zgjim i paardhur
Kërko të sotmen, e kaluara është në vijat e dorës
dhe shikimi është në sytë e së nesërmes, në mendjen e hijes
së djeshme, si në prehrin e saj të blertë
ajo vragë e sotme e verbër, ajo ëndërr e kalorësisë që na shpie
në faqen tjetër tue e pa veten në sytë tanë
dhe atë pjesë që ende s`ka mbërri me u shtri ndër ne
sipër hendekut tonë, si harku i jeshiltë i kalorësve

 
Ne dhe bota

Kush jemi ne
ata siç na shohin
apo siç duan të na shikojnë të tjerët
me syzet e tyre
as të zeza as të bardha as të përhimta,
ata që nuk mund të na shohin ashtu siç jemi
apo që na shikojnë përmes përthyerjes së hijeve të së keqes
Kush jemi në të vërtetë,
ne apo ata që gjykojnë, që na mallkojnë
apo ata që na bekojnë,
dhe nën bekim janë hendeqet e rrënimeve
Dhe ne jemi ata që e ndiejmë se jemi, që e kuptojmë qenien
e së tashmes sonë me sytë tanë, me syzet e ngjyrave njerëzore
Fjala dhe përjetimi dhe urtësia dhe reagimi i dhimbjeve
dobësia dhe fuqia jonë, mbijetesa dhe vazhdimi ynë
e djeshmja dhe e ardhmja
apo në të tashmen e frymës së përhershme jemi... 

Kopshti i blertë

Bari ka blerue në kopësht
dhe fijet janë nëpër erën e ditës
dhe në vesën e mëngjeseve e mbajnë shkëlqimin
dhe kopshti ka marrë pamje brerore dhe degët pikojnë
sytheve të luleve, në hijen e dritës së parë të mëngjesit

E shtrihet marsi dhe gufon në ngjyrën jeshile në barin e njomë
e në degët me ngjyrat e reja, dhe nëpër sythe të freskëta
dhe marsi dhe era dhe shiu i palos përdhe fijet e barit
i lakojnë erërat prej çasteve, andej kah perëndon dielli
andej ku hijet tona e shohin përmasën e vet

Dhe ngjyrën e kopshtit të kaltër e të detit të njelmët,
atje tej erërave
tej atyre që nuk fryjnë asgjë, tej përthyrjeve të egra,
tej keqkuptimeve, tej marrëzive të kohës,
aty ku shkaba
ndihet në kopshtin e saj, në qiellin e gjerë, të thellë e të lirë

 
Shtigjet

Shtigjet e heshtjes
i heshtin shtigjet
dhe frymojnë
dhe erërat i përshkojnë
si udhët
si lugjet dhe brigjet
dhe krojet atje lart te shkëmbinjtë
dhe majat e maleve
si kunora ku bien kaltërsitë
dhe retë dhe murmurimat
dhe në vetëtima
shkëlqejnë
në ditët e turbullta
në netët pa yje, në qiellin kur s`është hëna
dhe heshtja ngjitet lart deri te qielli
kudo zbret dhe shket si vesa prej sythit të kohës
n`shtigje dhe n`heshtje dhe n`kohë,
n`turbullime, n`vetëtima dhe në natën e zymtë pa yje, pa hënë

 
Ballkoni i kaltër

Ballkoni im i kaltër
si sytë e tu
si kënga ime
për ty
si violina e tingujve pa mbarim
si fryma jote në dridhjet e zërit tënd
tek pentagrami i notave
tek shpirti yt
tek mbrëmja që s‘ka mbarim
asgjë s‘është e pakuptimtë
asgjë nuk është e rastit
as çasti
as mbrëmja jonë
Dhe ballkoni
ndriçon për ty
këndon dhe valëzon si harmonia e flokëve në mua
në qiellin e largët e të gjerë
si det i pafund ku fryn puhia e mëngjeseve të tua

 
Eja

Eja në udhën e erërave
të atyre që vijnë rrallë
dhe bëjnë kthesa të moteve
Atje diku lart
tek malet te kodrat e lashta
aty ku gjelbëron përvit stina e re
dhe udhët janë të rrahurat e ecjeve
nga ata që shembin hijet e djajve të moteve
Një dashuri është zonjë e shekujve
e dheut është, si shkaba
e maleve dhe e kurorave të reja të kohës që vjen
Atje eja, ku mjegullat bien mëngjeseve si verbimi i natës
aty ku krojet rrjedhin pranë shkëmbinjve në gurët e kohës
aty ku dëbora është e përhershme,
e vetme është
si bardhësia e saj, ku erërat vërshojnë në udhët e frymës së re

 
Jeta

Jeta është udhë takimesh
pikë ndarjesh
ëndrra të ndërprera
dhe të mundshmet ideale
të arrira deri në cakun e parafundit

Jeta është fitore me gjysma të gjysmuara
me përhumbje e dëshpërime para cakut të fundit
dhe shpresa të lindura në dëshpërime të thella
aty ku përpjekjet kurrë s`janë ndalë, as brezat s`kanë mbarue

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen