F A Q E T

Donnerstag, 13. November 2014

Agim Gjakova

Agim Gjakova

         Agim Gjakova lind më 11 korrik 1935 në Kavajë. Shkollën fillore dhe të mesme, Normale, i kreu në Gjakovë. Punoi si mësues (1952-1954). Studioi në Beograd për gjuhë e letërsi frënge dhe letërsi botërore në Fakultetin Filozofik. Gjatë kohës që ishte në Beograd themeloi shoqatën e studentëve shqiptarë “Përpjekja”. U burgos tri herë dhe më në fund, më 1960, u dëbua në Shqipëri si person i padëshirueshëm për pushtetin jugosllav, duke mos i lënë shteg t’i mbaronte studimet.
         Punoi si mësues në Kavajë (1960-1962). Më 1966 kreu studimet në Fakultetin Histori-Filologji për degën e anglishtes në Tiranã. U mor si redaktor-përkthyes në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (1966-1970), kaloi në arsim (1970-1978), në Kinostudion “Shqipëria e Re” (1988-1990), si skenarist.
          Në vitin 1999 erdhi në Kosovë. Punoi si redaktor për kulturë në gazetën “Bota sot” deri më 2006.
          Më 1965 u martua me Naime Dacin (e mbetur jetime në moshën katërvjeçare se i ati i saj, Jahja Daci, u zhduk nga regjimi jugosllav më 1945).
          Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri është ndjekur gjatë gjithë kohës nga Sigurimi i Shtetit. Për krijimtarinë e tij me temë nga Kosova dhe për frymën demokratike që e përshkonte ka qenë gjysmë i injoruar dhe gjysmë i izoluar.
          Në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë më 1967, diskutoi për trajtimin në letërsi të subjekteve nga jeta e dhunuar e shqiptarëve të Kosovës. U prit shumë keq nga “elita partiake drejtuese”. U akuzua se po ngrinte çështje në kundërshtim me vijën e Partisë, ose që nuk i kishte ngritur partia. Madje iu përgatit edhe internimi (apo edhe arrestimi), urdhri i të cilit nuk u ekzekutua falë atyre njerëzve objektivë që argumentuan se diskutimi nuk kishte qenë tendencioz.
          Pas botimit të romanit “Në Kërkim të së vërtetës”, vepra u akuzua në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve si ahistorike dhe që nxin realitetin. Në këtë vazhdë për përmbledhjen me poezi “Rrënjët përtërihen” (“I gjuaj ëndrrat me gurë”), së cilës iu ndalua botimi, me porosi të Plenumit të Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë u akuzua se është kundër: Ideologjisë së Partisë, politikës së Partisë, ndërtimit të socializmit; si edhe për hermetizëm e luftënxitës (se paska dashur që Shqipërinë ta shtinte në sherr me Jugosllavinë).
         Që atëherë emri i tij u vu i pari në listën prej shtatë a tetë vetash si “krijues që është i destinuar të gabojë ideologjikisht” dhe, pasi veprat e tij nuk qenë në përputhje me oreksin e regjimit diktatorial, jo vetëm që nuk mundi t’i botonte të gjitha, por edhe u mbajt nën vëzhgim dhe në një formë izolimi e injorimi gjatë gjithë kohës, i mbikëqyrur në mënyrë të egër deri më 1990 nga Sigurimi i Shtetit të Shqipërisë.


Krijimtaria:

Përmbledhjet poetike 
  • 1.Dhe thonë se paqe ka në botë, 
  • 2. Kangët e Dinit të Bardhë, 
  • 3. Perspektivë, 
  • 4. Obelisk, 
  • 5. I gjuaj ëndrrat me gurë, 
  • 6. Deti, 
  • 7. Guxo e vdis, 
  • 8. Kufiri imagjinar, 
  • 9. Saga flurore.

Proza
  • 1. Dritëhijet e një qyteti (roman), 
  • 2. Në kërkim të së vërtetës (roman), 
  • 3. Herezi (roman), 
  • 4. A ka kund zot (roman), 
  • 5. Loja e kafkave (roman), 
  • 6. Korridoret e gjelbra (roman), 
  • 7. Mëhalla e kolegëve (roman), 
  • 8. Rrëfimet... (roman), 
  • 9. Nën hijen e pavdekësisë (tregime), 
  • 10. Shtëpia në udhëkryq (tregime), 
  • 11. Themelet e reja (roman për fëmijë), 
  • 12. Vjen përroi (tregime për fëmijë), 
  • 13. Përsiatje (ese filozofike-sociologjike), etj.

Drama e skenarë
  • 1. Ishulli i argëtimit (dramë), 
  • 2. Nusja (skenari xhiruar). 
  • 3. Guri i besës (skenar i xhiruar), 
  • 4. Fundi i një gjakmarrjeje (skenar i xhiruar) etj.

Publicistikë
  • 1. Kosova edhe e shkrumueme është e hijshme, 2. Publicistika I dhe II, etj.


Poezi nga Agim Gjakova



HIJA IME

(Koha e parë)

Patën një herë një gëzim të madh se ma zunë hijen,
unë po i shikoja në zgripc të kohës
lëmshit të shpirtit s’po m’ia gjenin fijen,

patën një herë një gëzim të madh
se ma shkelën hijen me këmbë
dhe me pesë hunj ma ngulën në dhé,
unë po fishkëlleja nëpër dhëmbë
dhe s’mundën të matnin
asnjë pëllëmbë të saj përbé,

patën një herë një gëzim të madh
se hijen me çarçaf ma mbuluan
veçanti, shenja, tallje, anekdota…
shkruan mbi të, shkruan e shkruan,
unë i këqyra fytyrat e tyre plot brenga
të gjitha shkrimet i kishte fshirë shqota,

e menduan pastaj si të ma zënë trupin
hije-tmerr me tërë mend u bëra atëherë!




MË THONË FJALË TË PA NGJYRË

Pareshtur bien flokët që i kisha si tel të fortë
e ruana Zot mos të na dalin mendtë prej kreje,
pa da më zbardhet mjekra e më kërcejnë kërcinjtë
e ruana qiell mos të na nxjerrin ndoj bidat tjetër feje,
pareshtur vijnë e më thonë fjalë të rrejshme pa ngjyrë
e ruana zjarr mos të bëhem një ditë me dy fytyra!

Hijen e ke shokun më të ngushtë
që nuk të shqitet deri në vdekje
prandaj mundohu t’i afrohesh
sa më afër diellit
të kësaj të vështire jete!




HIRI I SHTËPISË SË DJEGUR

(Portreti i veteranit)

Fytyra e tij është një arë
ku janë mbjellë farërat e historisë
në kokë i ka rënë hiri i shtëpisë së djegur
në faqe vuajtja vragët ia ka shkrehur,

fytyra e tij është një lëndinë
ku janë selitë lulet e trimërisë
vetullat e kërleshura baruti ia ka kallë
hapësirë e shpirtit i ndehet gjeregjatë në ballë,

fytyra e tij është një bjeshkë
ku janë brazduar istikamet e së ardhmes
sytë i shkreptijnë dy gaca të ndezura të mërisë
mbi ta qerpikët e ngritur shpata të hakmarrjes
qe hapën rrugë nëpër shekuj
ngjarjesh
që i bënë strehë fatit të Shqipërisë,

kjo fytyrë e bronztë ngërthen dhjetë romane
njëqind gazeta, një mijë diskutime
nuk mund të përfshihet tamam
në asnjë format fotografie
ngjyrat e saj janë malet, fushat,
madhësia, qielli
kujtim i shkruar me plumba, diçiturë lirie.




THESARI I EMRIT TËND NUK U GJET KURRË

Thesari i emrit tënd nuk u gjet kurrë
edhe pse stuhia shkretoi verën
edhe pse dimri erdhi pa borë

kur të buzëqeshin kaktuset
kur të qajnë lisat
do t’i jap ryshfet Perëndisë
me një email përshkënditës vetëtime

kurrë nuk qesh i lirë
edhe pse ende jam guximtar
dhe në thellësitë e mia
jehon zëri i një mijë ferreve

nuk dridhem nuk ëndërroj nuk tutem
zëri i gjykatësit nuk sjell frutat e parajsës
të më bëjë të shurdhër të më lërë pa përgjigje

diçka duhet të ekzistojë
që ngacmon vuajtjen
të mbizotërojë në pambarim.




NË PËRFYTYRIM TË MREKULLISË

Nuk e njoh e nuk dua t’ia dijë errësirës
as natën nuk e bëj ditë dhe as ditën
natë, nëpër vegime kalërojnë
buzëqeshjet e dikurshme që i lëshova kot dhe buzët
m’u thanë në pëshpëritje e në pritje
të thithnin pikat e shiut tek binte rrëshajë

as mirëdita as natën e mirë kambanave
që buçasin brenda kraharorit të zbuluar
askund fresk e koha e mbetur pezull
përçon ngjyrat e horizontit të përhumbur

shtrëngoj gotën dhe tund hapësirën
e pamatë që më gjarpëron përpara syve dhe
në përfytyrim të mrekullisë shtrihem
në kadifen e gjelbërimit të përjetshëm.




BJESHKË, MORI BJESHKË...

Athua vetëm për trimëri
keni zbardhur kokën me mjegull e borë
o Bjeshkët e mia!
Athua vetëm me këngë
keni çarë kurrizet me thepa madhështorë
o Bjeshkët e mia!
Sa shekuj mallkim
përplasën kohërat mbi majat tuaja
e ju nxorët nga brinjët vetëm urime
vetëm urime!
Sa shekuj tradhti
përplasën kohërat mbi shpinën tuaj
e ju nxorët nga gjokset vetëm freski,
vetëm freski!

Kur dua të hap zemrën
vij në gjirin tuaj
o Bjeshkët e mia,
besnike si heshtja
besnike si jeta
dhe fjalën time e ktheni në jehonë

e lëshoni ushtimë nën ato kreshta!




BJESHKË, MORI BJESHKË...

Athua vetëm për trimëri
keni zbardhur kokën me mjegull e borë
o Bjeshkët e mia!
Athua vetëm me këngë
keni çarë kurrizet me thepa madhështorë
o Bjeshkët e mia!
Sa shekuj mallkim
përplasën kohërat mbi majat tuaja
e ju nxorët nga brinjët vetëm urime
vetëm urime!
Sa shekuj tradhti
përplasën kohërat mbi shpinën tuaj
e ju nxorët nga gjokset vetëm freski,
vetëm freski!

Kur dua të hap zemrën
vij në gjirin tuaj
o Bjeshkët e mia,
besnike si heshtja
besnike si jeta
dhe fjalën time e ktheni në jehonë

e lëshoni ushtimë nën ato kreshta!




MOTIVET E QYTETIT TIM

Janë gurët e lumit që kanë marrë ngjyrën e historisë
janë degët e manave ku janë thyer hovet e dashurisë
janë rrënjët e hardhive ku kanë rrjedhë pika djerse
janë kalldërmet dhe boshtet e grave tjerrëse
janë gjilpërat që kanë shpuar sytë e vajzave në gjergjef
janë lotët e derdhur dasmave me def
vetmia është gdhendur natën në ndonjë bankë
balli është gjakosur e ka mbetur me dangë
itarë janë mbështjellë qafe e plumbi vësh në kraharor
ka rënë shi, vetëtimë, kanë çelë lule edhe nëpër borë
ka dalë diell, kanë krisë këngë plot zjarr...
dhe unë kam mbetur një motiv në emrin e tij varë!




LETËR E PADËRGUAR

mos ma përbuz dashurinë
që ta dhuroj pa interes e pa kamatë
në daç kur dielli ta rrezit fytyrën
në daç në mesnatë,

mos m'iu përvish zemrës
që është e hapur e hapur përjetësisht
në daç ngjite tënden përgjithmonë
në daç miqësisht,

mos ma ftoh shpirtin
që të mbulon dymbëdhjet shekuj ngrohtësi,
se gjaku nuk bëhet ujë
e unë s'ndryshoj dot në tjetër njeri.




AKUAREL

Ndodhet ujë urë e rrëzuar me topa
pranë sajë një shtëpi e rrezbitur me gjoba
ndodhet një mur i shembur nga yrrfija
pranë tij një lis i prerë nga bashkia
ngrihet murana ku vranë një grua
pranë saj i argjendtë buron një krua
varë në trug të kohës nga nuk e rreh shiu
sharkisë i vringëllojnë telat kur fryn veriu.



THIRRJE

O zog, ma jep ëmbëlsinë e çerdhes maje peme
po të bëj roje syhapë kundër gjarpërinjve
po t'i tremb sqifterët, sorrat, gjeraqinat,
shkarpat po t'i lyej me dyll blete
po t'i vesh palë palë, me lesh të butë
rryezë trungu ditenatë po të rri zgjutë!...

Era tund degën e çerdhes së verdhë
ia lëkund dy fije kashtë,
ciu-ciu shpërndahet lugjeve të çabratit...
i buzëqesh jehonës me këtë dëshirë të lashtë.




HAKI TAHËS

Kur mundohem të zhbij të vërtetën e përfytyrimit
rrëmbehem, dridhem, shkrihem "krejt s'dlirtit",
po të më vënë një bashkë resh në plagën e shpirtit
nga sytë do të më rigojë shiu i përmallimit.




ERDHE MOJ NËNË NGA GJAKOVA

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Rrudhat e tua
përrenjtë e lotëve dhe djersës
që rrodhën të rrëmbyer
nga malet e brengave
në lumin e jetës,
sytë e tu
burime të ngrohta të qëndresës
që gufuan pa u ndjerë
nga shpella e ngjarjeve
ende pa u rrëfyer.

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Hapi yt
gjëmim i tokës që s'heshti
as para kërcënimit të trefishtë të vdekjes,
duart e tua
mjeshtre që përkëdhelën djem të epokave
që u dogjën në diell të mesditës,
zëri yt
përmbledhje jehonash në këmbanë të kohës
që tingëlloi gjatë
si inçizim i sakrificave
në peshën e dashurisë së tokës.

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Flokët e thinjur si rreshta të rrallë
tezash të kësaj jete
paralele që sosën e zhyten në hemisferën-ballë
ku jetojnë tërë gëzimet e hidhërimet
që shekujve ka peshuar Kosova.




KUR VALVITET FLAMURI

Kur valvitet flamuri
hedhin valle të gjithë dëshmorët
me gëzim të mallëngjyer nënat qeshin
vajzat mëkojnë dashurinë e fortë si guri,
kur valvitet flamuri
petkun e luftëtarit burrat veshin
nuset lidhin shaminë e kuqe në kokë
fëmijëve sytë u xixillojnë
nën hijen e ti djemtë matin burrërinë.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen