F A Q E T

Freitag, 17. Oktober 2014

Faruk Tasholli - Flamuri im


FLAMURI IM
(për Lorikun, Balën, Xhakën...)

I shpaluar ky flamur
Fluturon duke valuar
Mbi qiell t'armikut plak
Valë-valë i bekuar!

Fluturon ku i ka trimat
Fluturon u bie në dorë,
Për një çast ndal vetëtimat
A është engjëll a shqiponjë?!

Ky flamur që nuk përdhoset
Ky flamur i kuq i zi,
E thërret djalin e Kosovës
Që ta mbrojë me krenari.

Po ku bie flamur i bukur
Djali grushtin e bën gur,
- Po s'të çova prapë në qiell,
Dal e vetë bëhem flamur!

Dienstag, 14. Oktober 2014

Sabit Rrustemi - Nën maskën e mysafirëve

Tregim
 
... vetëton, bubullon, vetëton, bubullon, pandërprerë. Ka humbur qetësia. Në këtë kohë të zezë nuk ka qetësi. Vetëm shqetësime, vetëm shqetësime.
            Qoftëlargu me të vërtetë sillet. Sillet e kërkon. Gjuan e më rrallë qëllon. Huq. Sa nuk pëlcet. Shtrëngon dhëmbët. Kërcëllon. Uluron. Kafshon gjuhën. Shkul mustaqet. Shpurdhë me këmbë. Prish edhe më shumë sytë, krahi i djathtë i tij, Syprishuri. Lirë na bleu se nuk na njohu. Tash po na njeh, pasi na mbështeti për muri... Çirret e çirret kur ia djegin cergën aty-këtu. Ngapak. Ia bëjmë me dije se kjo tokë s'është e lënë, e harruar, asnjëherë, jo ...
            Janë bërë si të çmendur, si të çartur. S'shohin nëse është fëmijë, grua apo i moshuar. Po të jetë yni, e shqyejnë si ujqit. Atyre u ngjajnë, ujqve të uritur. Në është yni, e djegin deri në koc. Me ujë të valë e përvëlojnë. Shpirtin ia nxjerrin me gurë e therra. Në është yni, copa-copa e bëjnë. Gjakpirësit. Kokëngrënësit. Zullumçarët kanë shkelur çdo rregull. Nuk e kanë të gjatë, jo. Kanë prekur edhe në fëmijë, hej, edhe në fëmijë... !

*     *     *
            Ata s'janë nga të mëparshmit. Kur nuk na linin vend kund. S'janë. Ndryshuan si ndryshon koha në dimër. Njëqind fytyra i ndërron brenda ditës. Edhe ata njësoj. Ajo egërsia e dikurshme, që s'hiqej prej syve të tyre, është zhdukur. Veç t'i shohësh; sa të urtë, sa të butë, melaqe! Dreq me gojë s'dinë të thonë. Qafirat. Edepsuzat! I njohim, i njohim! Ujku qimen e ndërron, po mjeshtërinë s'e harron. Edhe këta ujq janë. Ata që na kërkonin kokat, ata që na vrisinin, na digjnin, na vranin ku na zinin... E tash e kanë pisk. Kungulli nuk shkon gjithnjë mbi ujë. Nuk shkon. Rëndohet një ditë. Shafon. Aq thellë shafon, sa nuk e mban më asnjë thellësi. Secila e hedh thellë e më thellë.
            Ani ai Syprishuri! Ani ai se! Demek, e harruam ne atë? Zullumet e tij? Jo, ore, jo! Na kujtohen fare mirë. Sa njeriu është zhdukur prej dorës së tij. Sa e sa nëna kanë mbetur qyqe në gur të vatrës duke vajtuar. Sa e sa gra kanë mbetur me fëmijë në djep a në bark, duke e ruajtur. Sa e sa vasha, me pajën në dorë, duke pritur e duke thurur... E njohim fare mirë. Sa fshatrave u është vënë zjarri nga dora e tij. Sa shtëpive u është vënë dryri nga dora e tij... I dimë, të gjitha i dimë. Dhe, ai, ai na ndryshuaka tash? Jo, ore! Le të mos ndryshoj fare. Ata sy do t'ia rregullojmë, që të shoh më drejt. Trimat njihen në kohë të vështira.
            Po seç po flasin për të? Nuk më besohet se kam dashur vetë të bëhem ballë për ballë me të. E paska zënë një natë sherri po thonë. E me kë se! Me atë Sybutin, me atë që njëmend dreq me gojë s'dinte të thoshte. Po ia kishin plasur zemrën me krime. Si të mos ishte i tyre: A mund të ketë edhe te ta zemërmirë?
            Kishin qenë në rojë. Aty pas mesnate. Jashtë fshatit. Në të hyrë, ku para tyre shtrihej fusha e gjërë. Lepuri u kishte hyrë në bark. Në vend të huaj më! Shumë kohë kishin heshtur. Çile gurë gojën! Dikur s'ishin duruar. Kishin ndërruar fjalë, për ta larguar vetminë që s'i lëshonte, për t'i liruar zemrat e mbushura mëkate ...
            — Ftohtë. Na mbytën ethet. Çfarë ethesh se! — kishte folur Sybuti, ai që rrallë fliste.
            — Na mërdhinë, na ngrinë, e asku të zëmë vend! — kish pranuar Syprishuri.
            Uniformat e përhirta i kishin shtrënguar më shumë për trupi. Disi kishin zënë të ngroheshin. Sidomos Sybuti. Ndiente nevojë për t'u çliruar nga një mal fjalësh të pathëna që i vërtiteshin nëpër kokë. Po si t'ia fillonte? Syprishuri nuk i jepte shenja se është i interesuar për bisedë. Megjithatë ky nuk ishte duruar.
            — I ke dëgjuar ç'thonë për ne? — kishte menduar në thashethemet që qarkullonin ndër ne për shqetësimet e tyre, për qerren, që si duket, e kishte marrë tatëpjetën dhe ndale Qoftëlarg, në mund ta ndalësh!
            — Hm? — ishte kthyer kah ai Syprishuri. Nëpër terrin e natës kishte dashur t'ia shihte fytyrën. — Ç'thonë?
            — E kanë prej dielli thonë. — U ka rënë mbi kokë. I ka trullosur. Nga dielli e kanë. Tash as mirë s'po shohin. Dielli i ka verbuar. I sheh si ecin? Si pulat nëpër terr. U ka rënë terri syve. Të terrosurit. U ka rënë terri i pulave. Të gjorët. Krenoheshin. Botën deshën ta fusnin në grusht. Për çudi, qëlloi e madhe, u mbeti në fyt. Tash diellin e kanë mbi kokë. I djeg e s'i nxeh. I vërbon, e dritë s'i fal. E kanë përbuzur diellin. Le të qëndrojnë tash. Le të durojnë tash. Kjo s'është lojë. Luftë është ...
            — S'kanë faj, jo! Ndihen më të lirë! Më parë vetëm tek-tuk një krismë dëgjohej, e lëre më të flasin. Tash jo që nuk i prajnë krismat, po edhe flasin!
            — Kohët ndërrojnë.
            — Ndërrojnë, ndërrojnë, — kishte pshërtirë Syprishuri. — Njëmend ndërruakan kohët!
            — Edhe për të tjera gjëra flasin...
            — Le të flasin; goja llap-llap, shpina dap-dap!
            — Flasin edhe për shumçka tjetër, por vështirë kuptohen.
            — Lëri më! Më vlon koka!... — Ishte ngritur më këmbë Syprishuri. — Lëri më! — prap kishte thënë.
      — Por...
            — Ç'deshe?
            — S'di, jo ...
            — Fol de, fol! — kishte vazhduar përsëri, pas një pauze të gjatë, me një zë të ulët e të frikëshëm, nëpër qetësinë e thellë të asaj nate, që e tërhiqte ngadalë pelerinën e zezë, e mblidhte në vete sikur të frikësohej nga dikush, nga dita, nga dita që do të vinte.
            — Po flas dhe, plas. Plas. Flas e plas. Nuk na mbeti tjetër.
            — Ç' gjuhë është kjo? — ishte hidhëruar Syprishuri.
            — Ç'gjuhë? Nuk e kupton? Dëgjo: flaseplasplaseflas. Apo: plaseflasflaseplas.
            — Të qenka zgjatur, si duket. Duhet ta shkurtojmë pak.
            — Lëre ti gjuhën time. Këta flasin, vazhdimisht flasin.
            — Lojë janë fjalët e tyre, lojë, lojë! — kishte ngritur zërin e tij të vrazhdë Syprishuri.
            — Ç'loj, ej!
            — Lojë, lojë!
            — Ne nuk flasim për ata... ?
            — I di këto!
            — Atëherë?
            — Demek. Ditkan edhe këta të flasin?
            — Fjalë e shpatë...
            — ... ?
            — Me plumb vrasin një, me fjalë njëqind. Dhe t'i presin këmbët. Këmbët e rrugët. Së paku të ishim kthyer atje ku ishim! — deri tash ia kishte pëshpëritur vetes disa herë këtë dëshirë. Tash ia thoshte hapur edhe Syprishurit.
            — S'kemi ardhur për t'u kthyer...
            — Jo, se varret i kanë hapur për të gjithë ne!
            Syprishuri i prish sytë sa s'ka. I zgurdullon. Po nuk sheh mirë. Ishte terr. Pika e natës.
            — Të huaj jemi këtu...
            Syprishuri ishte afruar. Nëpër terr kishte dalluar vetëm hijen e trupit të tij. "Vetëm hije jemi këtu, hije të natës, lugetër!" — dhe një dridhmë ia kishte përshkuar trupin tej për tej. I ishte afruar edhe më, për ta parë sa më mirë.
            — Ndien frikë?
            Zëri i tij kishte qenë ngapak tallës, ngapak fyes.
            — Kush prej nesh nuk ndien frikë?
            — Ty të paska hyrë në bark.
            — Nuk e kam nga frika. Por nuk jam atje ku isha.
            — Filozofi na shet ti? Je këtu ku ke menduar.
            — Vetëm ndonjë libër të vjetër kam lexuar për këtë vend, kam dëgjuar për këta njerëz. Se do të vij këtu, as ëndërr s'kam parë. E mendoja gjithnjë si një vend të ashpër, të papërkulur, — kishte ecur në drejtim të Syprishurit, meqë ky kish qëndruar disa hapa larg tij, kinse nuk dëgjonte. — Dhe, dije: të tjerët menduan për mua, për ty, për të gjithë ne. Na mashtruan.
            — E zgjate shumë, — ishte bërë i padurueshëm Syprishuri. — Ne erdhëm si mysafirë! E ke harruar këtë? Portat na i hapën vetë. Pastaj na qëlluan, disa të shitur, dhe nisi kjo valle e quajtur luftë.
            — Ne s'ishim mysafirë. Vetëm maskën e tyre kishim. Mysafirë s'ishim.
            Secili në vete kish rikujtuar për të satën herë ardhjen në këtë vend. Ata zbarkonin. Disa na tanët u bënin temena. Shumica ishin shpërndarë nëpër popull. Ngritnin masën në demonstrata, protesta. Armët ishin në dry. Edhe ato thatë, pa fishekë. Kush kishte në shtëpi, dilte e zinte një breg dhe i përshëndeste këta mysafirë me rafale plumbash, se nderi i këtyre anëve kështu e donte. Ndërsa ata zbarkonin. Si mysafirë. Po të armatosur deri në dhëmbë. Ky mysafirllëk ia kish vrarë syrin edhe Sybutit. "Mysafirë, e të komandosh. Të bëhet si thua ti. Jo!" — për të satën herë nuk ishte pajtuar ai. "Ne pushtues jemi. Jo mysafirë. Vetëm maskën e tyre paskemi, sa për të hyrë brenda në vatër", sa nuk kishte bërtitur të madhe për ta dëgjuar gjithë fushat, malet. Për ta dëgjuar anembanë ky vend i ashpër, i panënshtruar. Vendësit, kah ishin e kah s'ishin. "Ne pushtues jemi", i kishte thënë me mijëra herë vetes në këto vite sa ishin këtu, dhe thellë në shpirt e kishte brejtur diçka. E kishte kafshuar keqas. Sa nuk kishte bërtitur: "Pushtues! Pushtues!"
            Koka e tij ishte varur mbi armën e ftohtë. Pas pak e kishte kotur gjumi. Pak, fare pak. Një gjumë, një kllapi. Ai tjetri, Syprishuri kishte lëvizur në vend, më shumë që të mos i ngritej gjaku damarëve, atë natë që frika u kishte hyrë në palcë. Kishte përgjuar fushën. Fusha ka sy, mali ka vesh! Ku e kishte dëgjuar? Këtu, këtej, prej dikujt. Ndoshta prej Sybutit. Ai kishte fjetur, ndërsa ky nuk ia kishte prishur gjumin. Veshët ia kishte qitur këtë natë me llokopendra. Çuditej me të: ku i gjente gjithë ato fjalë, ky që rallë ose fare nuk fliste pa e pyetur, pa ia nxjerrë si me darë. Deri tash qenka zier në vete, qenka ngrënë. Tash shpërtheu. Papritur. E nuk ia prishte gjumin. Le të flejë, vetëm të mos më shurdhojë me filozofi të thata. Mali ishte larg. S'kishte frikë nga askush. Sytë katër i kishte drejtuar andej se mos luante kush, se mos dëgjohej krismë. Po, heshtje, heshtje e rëndë kishte pllakosur. Pas kësaj heshtje, e dinte ç'do vinte.
            Ç'hynë në vatër, digjet. Tym bëhet. Ke parë ndonjëherë tym? Ngjyra e tij është e njejtë me ngjyrën e rrobave tona."
            U kthye papritur. Prej nga ky zë? Sybuti fliste jerm. Iu afrua. Koka e tij ishte shtrembëruar, ishte varur edhe më mbi armën e ftohtë. Me majën e këpucës e preku në cep të krahut. Ai u zgjua.
            — Ç'flet përçart?
            — Flas çka shoh!
            — Ke luajtur mendsh?
            — Ke luajtur mendsh? — ende ishte i përgjumur.
            — Ty të them!
            — Ty të them? — kishte përsëritur prap Sybuti.
            — Nuk të kam papagall. Mos përsërit! — Nga këto fjalë shihej inati, mërzia e Syprishurit.
            — Jeta qenka e tillë, përsëritje.
            — Të kanë lënë pak!
            — S'më kanë lënë, po asgjë mbarë s'na shkon!
            — E ke humbur besimin?
            — Kam humbur durimin.
            — Ç'thua?
            — Këtu nata ecën ngadalë.
            Syprishuri kishte heshtur.
            — Zgjat njëqind vjet.
            Syprishurit nuk iu ishte duruar:
            — Harruam që jemi në rojë! Heshtim...
            Parandjenja të tmerrshme vërtiteshin nëpër perden e syve të Sybutit. Nga rrezet e maleve dilnin njerëz grupe-grupe. Zinin prita. I vënin dy-tre gurë përpara. Pastaj tytat e pushkëve i bënin gati për zjarr dhe pritnin. Edhe pak, flakët e tyre do ta shkyenin terrin e kësaj nate? Jo. Terrin e këtij paraagu. Edhe pak. Nata në gishtërinj mund t'i numërojë minutat, sekondat.
            — Afër është! — ishte trandur nga ata parandjenja Sybuti.
            — Kush?
            — Kapitullimi...
            — Mos e thuaj atë fjalë! — kish brofur në këmbë Syprishuri.
            — Si të mos e them, kur kemi hyrë në rreth.
            — Je penduar?
            — E ç'fola deri tash?
            — Atë që deshe!
            — Atë që pashë: fundin.
            — Më lodhe...
            — Edhe pak!
            — Tërë natën s'të pushoi ajo gjuhë!
            — Për të folur e kam gojën. Deri tash heshta. S'duroj më. M'u desh të shprazesha para dikujt njëherë. Dhe ti qëllove këtë natë. Po flas shumë? E di, por ky është i vetmi ngushëllim tash. Keq u mashtruam.
            — Nëse u mashtruam, nuk je ti i vetmi, — dukej se pendohej Syprishuri.
            — Të gjithë njësoj jemi, me një emër të tmerrshëm, të përbashkët: pushtues! Si fëmijë, i kam urryer lakmitarët. Tash e urrej edhe vetveten.
            — Edhe neve?
            — Pushtuesit!
            — Ti më së paku e paske merituar këtë ardhje! — me gjithë mend i kishte thënë Syprishuri. Sybuti ia kishte plasur gazit.
            — Ha, ha, ha! E zë për nder ti këtë ardhje? Krenohesh? Beson se do të kthehesh kryelart? Dhe, do të të thurin himne lavdie? I marrë — i kishte plasur zemra më. — As eshtrat s'do t'i gjejnë për t'i kthyer në vendlindje. Këtu as djalli s'do të shpëtojë.
            — Pusho!
            Syprishurit i ishte ndezur gjaku. Pak nga ndonjë krismë e largët, ushtime e së cilës nuk i harronte as veshët e tij, pak nga fjalët që kishte dëgjuar më parë prej Sybutit. Ia kishte ngulur sytë. E shikonte si i çartur. Terri i mëngjesit e pengonte ende t'a dallonte atë fytyrë më mirë.
            — Ç'më shikon si ujk i plagosur? — Edhe gjaku i Sybutit dinte të nxehej. Edhe zëri, edhe zëri i tij bëhej i vrazhdë. Po sytë, ata sy të butë, bëheshin të egër, të prishur kundruall Syprishurit.
            — Pusho! — thirri për të dytën herë Syprishuri. Ai sa vinte bëhej më i padurueshëm. Hiç më pak edhe Sybuti.
            — Ia kemi rënduar ndërgjegjen popullit. Më kupton? I kemi poshtëruar nënat tona. Pjellën e tyre — s'ndalej që s'ndalej ai.
            — Pusho, ose...
            — Më bren nata. Terri i mëngjesit më ha. Afro veshin e dëgjo, si ma grimcon diçka trupin. Patjetër më duhet të flas. Të shprazem dhe të pëlcas. Duart, duart i kemi me gjak. E këtu gjaku gjakun paguan.
            — Të vrava...
            — Prit edhe pak. Ende nuk ta kam thënë atë që dua të them.
            — Thuaje më, e hesht!
            — Mos u shqetëso, të njëjtat rroba kemi veshur!
            — Kryeneç!
            — Kryeneç e dreq. Kur të njoh s'kam pse frikohem.
            — E teprove!
            — ... Edhe ne. Çdo ditë pakësohemi. Toka na zhduk. Një ditë as ne s'do të jemi bashkë. Do të zhdukemi si këto fjalë në terrin e kësaj nate.
            — Frikacakët s'kanë vend as ndër varre.
            — Mendove në pushtuesit? Atyre, në vend të luleve, u vënë therra. Në vend të përgëzimeve, urimeve për trimëri, ata marrin mallkimet për krimet që kanë bërë.
            — Ti je i dehur...
            — Jo!
            — Atëherë... ?
            — Kot bëmë roje kësaj nate, dita do të vijë me dritë...
            — Dreq gjuhë paske!
            — Ky s'është kompliment, nuk të falenderoj.
            — Edhe me humor? — sa nuk pëlciti ai.
            — Për fytyrën tënde të egër. S'qeshë kurrë fatkeq!
            — Po luan me kokën tënde.
            — Ne të gjithë i kemi kokat në lojë. S'dihet cila qëllohet e para, cila e fundit...
            — Krismat shpeshtoheshin. Afroheshin. Këta shqetësoheshin.
            — I dëgjon krismat? — shtrëngoi armën e ftohtë Sybuti.
            — Krismat? — Syprishuri dridhej me armën në dorë. — Të kujt janë këto krisma? — mezi u dëgjua zëri i tij.
            — Të pushkëve tona! — mori veten Sybuti. — Të pushkëve që ne i ndërruam me nga një pulë, me nga dhjetë kokrra vezë...
            — Nga vijnë?
            — Nga malet. Po ç'ke që je zverdhur?
            — Vetëvrasje është kjo, vetëvrasje. Të na vrasin me armët tona...
            — Ngadal beg se ka hendek! Hm! Ç'je hutuar? Ç'i shikon duart ende s'të janë tharë fluskat e gjakut? Gjakpirës!
            Ai drejtoi armën kundër tij.
            Ç'të dridhen gishtat, kriminel, ç'të dridhen?
            Tashmë tytat e armëve të tyre nuk ishin kthyer nga malet, andej nga vinin krismat. Ishin drejtuar kah njëra-tjetra.
            — Këtu... këtë... kë... tu... — deshi të thoshte diçka Sybuti. Goja iu mbush gjak, njësoj si Syprishurit, nga krismat, nga flakët e përnjëhershme.
            Asgjë s'kishin parë më, asgjë s'kishin ndier, pos metaleve të ftohta, plumbave që u futeshin nëpër mishra, nëpër eshtra dhe ua turbullonin gjakrat e ua prenin damarët, lidhjet, jetërat, qetë-qetë. Aty para agut, në të hyrë të fshatit, në fushën e gjerë, i gjetën të vrarë dy rojat e fundit të asaj nate...
            Eh sikur të isha bërë sy më sy me të, me atë Syprishurin. I kemi pasur do fjalë, por ç'e do. Nuk qenka më për fat!
 
. . .

 
Shënim nga Jusuf Gërvalla:

         "Tregimi i Sabit Rrustemit "NËN MASKËN E MYSAFIRËVE" (nga fletëza e tetë) u botua për herë të parë në revistën "FJALA" të 1 prillit të këtij viti. Në mëngjesin e asaj dite, herët, sapo revista u lexua nga denoncuesit e parë ose nga nëpunësit e parë të UDB-së, menjëherë u dha alarmi për ndalimin e "FLALËS" dhe për mbledhjen e numrave që tashmë kishin dalë në shitje, si dhe për gjetjen e rrëmbimin e ekzemplarëve të shitur shpejt e shpejt.
          PRETEKSTI: Sipas fjalës së serbomëdhenjve dhe lakejve të tyre, tregimi në fjalë bënte aludim të drejtpërdrejtë në ngjarjet më të reja të Kosovës. Por kjo s'ka si të jetë e vërtetë, po të marrim parasysh kohën që i është dashur autorit për ta shkruar dhe revistës për t'u botuar, të mos flasim për procedurën tjetër të shtypit, siç është redaktimi, lekturimi etj.
         Kjo s'do të thotë se tregimit i humbet vlera. Përkundrazi, duke ngjarë shumë me një situatë të mëvonshme të krijuar në Kosovë pas intervenimit ushtarak e policor të Serbisë në Kosovë (në maj të këtij viti, në Gërmi të Prishtinës, u zhvillua një ngjarje thuaja identike me atë që përshkruhet në tregim: policia kroate u përlesh me policinë serbe, me ç'rast mbetën dhjetëra policë të vrarë e shumë të plagosur), ky tregim flet për intuitën thuaja të materializuar të autorit për ngjarjet që do të ndodhnin thuaja atë çast.
                    Të shtojmë këtu se autori i tregimit, Sabit Rrustemi, dhe kryeredaktori i revistës "FJALA", që e botoi këtë tregim, tani ndodhen në burg, të dënuar, i pari me 4, dhe i dyti me tri vjet burgim të rëndë."

 
(Marrë nga "Zëri i Kosovës", organ i LNÇKVSHJ, nr. 1, nëntori 1981)

Sonntag, 12. Oktober 2014

Ali Ibra

Ali Ibra, ngjarje dhe data që shkruan historinë
 
Nga Gani Qarri 
 
Ali Ibra (1835-1900), personalitet i lindur dhe rritur në një vend të njohur për burrëri, legjenda të panumërta dhe shumë kronika trimërie, ku miti dhe realiteti, gjatë gjithë kohës bashkëjetuan si dy vëllezër binjak, Ali Ibra nga Malësia, përveç tjerash u dëshmua edhe si njëri nga shtyllat kryesore për ngritjen e Mburojës së parë Kombëtare pas vdekjes së Skënderbeut-Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
 
Ardhja në jetë e saj u dashtë të priste kohën e heronjve të kalitur si ai me bashkudhëtarët historik të tij, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sylejman Vokshin, Haxhi Zekën etj., për ruajtjen edhe me armë të tokave të atdheut që rrezikoheshin nga çdo anë me copëtim e zhbërje përgjithmonë.
 
Pas rreth pesë shekujsh pushtimi, jo vetëm Perandoria pushtuese Turke po shembej në mënyrë të merituar, shpejt dhe pandalshëm-si një grumbull dheu i pa-ngjizur asnjëherë, por para ujërave të rrëmbyeshme që kishin vërshuar turbullt nga çdo anë, edhe atdheu ynë rrezikohej seriozisht me fshirjen e tij të përhershme-si truall shqiptar, nga harta evropiane.

Mu në ato vite, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, (10 qershor 1878),mblodhi rreth vetes emrat më të njohur intelektual dhe luftarak nga të gjitha trojet tona etnike, përfshi edhe burrin e nderuar të Malësisë Ali Ibër Nezën me kontributin e të cilëve ajo u ngrit në ikonë të përpjekjeve kombëtare për mbrojtjen e vendit dhe krijimin e Shtetit Shqiptar në Ballkan.
 
Ali Ibra u lind në vitin 1835 në fshatin Shipshan të Tropojës dhe vdiq më 1900 në afërsi të Gjakovës. Ai bashkë me Sylejman Vokshin, Haxhi Zekën, Mic Sokolin, etj., do të linte nam për kryengritjet heroike të Lidhjes kudo, dhe befasonte si Perandorinë pushtuese Osmane ashtu edhe pushtuesit e rinj hegjemonist me besnikërinë e tyre ndaj atdheut dhe trimëritë e treguara në luftë për lirinë e të gjitha trojeve të Shqipërisë etnike.

Falë kësaj organizate kombëtare, emri i Shqipërisë dhe shqiptarëve, pas rreth 5 shekujsh pushtimi, po ri-dëgjohej përsëri ,madje për disa edhe për herë të parë, ndaj sado që me shumë vështirësi e pengesa edhe atdheu ynë po pranohej ngadalë, por sigurt dhe kudo.

Ali Ibra nuk ishte hero i rastësisë, por një dritë shprese, ardhur në momentet më vendimtare mbi qiellin e errësuar të gjeografisë shqiptare, si burrë i kalitur për përdorimin e pushkës dhe ushtar i mirë-përgatitur për realizimin e idealit të lirisë.

Të parën(pushkën) e kishte trashëgim familjar, kurse idealin-amanet të vendlindjes, të dyja bashkë ishin traditë e Malësisë e cila për qindra vjet me radhë kishte kalitur ushtar trimërie për ditët më të vështira të vendit.

Malësori ishte dhe mbeti çdo herë, në krye të altarit të trimërisë i gatshëm të shkrihej në çdo kohë e situatë për komb e atdhe, pa u shndërruar asnjëherë në rob të nënshtruar nga sundues dhe pushtues të huaj

Vet fakti se Ali Ibra bashkëjetoi me të gjitha trojet e vendit, dëshmon se ato kudo, ishin vendlindja dhe jeta e tij. Ndaj, vetëm fal njerëzve si ai, lufta për liri dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë Etnike mundi të vazhdonte e pandërprerë, vepër- pa të cilën atdheu i shqiptarëve, nuk do të ishte ky që është sot.

Dyert e Malësisë ishin gjithmonë të hapura për të gjithë kryengritësit dhe luftëtarët e lirisë për të cilët, malësorët jo vetëm se treguan përherë mikpritje dhe dashamirësi të pafund por kur e donte nevoja edhe bashkëjetonin me ta.

Në Malësi, Sefë Kosharja gjeti mbështetje e bashkëluftëtar, kurse Ymer Prizreni e Sylejman Vokshi-mbrojtje dhe siguri, si bashkudhëtarët më të denjë të Ali Ibrës e Mic Sokolit gjatë gjithë veprimtarisë së përbashkët të tyre.

Madje edhe në periudhat më të vështira kur miqtë dhe aleatët e shqiptarëve ishin aq të pakët dhe shkëlqimi i shpresave të tyre zbehej aq shpejt, atje buronte frymëzimi nga bëmat e emrave më të lartësuar të kombit , përjetësuar në këngë patriotizmi e trimërie që mbi vete mbanin shumë histori heroizmi.

Ndaj, pikërisht në vitet kur u vlerësua se kishte arritur momenti vendimtar që pushtimi të mos tolerohej më në asnjë pjesë të atdheut, Ali Ibra pa asnjë hezitim do të merrte përsipër një detyrë të vështirë të cilën e kreu si duhet dhe me nderë, akt që atë do ta lartësonin në njërin nga emrat më të çmuar si për Lidhjen Shqiptare ashtu edhe për konsuj e diplomat ndërkombëtar.

Malësia e Ali Ibrës, Mic Sokolit, Binak Alisë dhe heronjve të tjerë, mësoi shqiptarët kudo që ta duan vendin, të luftojnë për liri dhe ti përkushtohen me të gjitha forcat çlirimit të tij, ashtu siç vepruan malësorët në çdo kohë.
Personalitete të tilla i duheshin edhe Lidhjes së Re Kombëtare, themelimin e së cilës e kërkonte koha, rrethanat e krijuara dhe ekzistenca e rrezikuar kombëtare e shqiptarëve në trojet e tyre.


Mençuria e Ali Ibrës

Lidhja e Prizrenit do të formohej më 10 qershor të vitit 1878,e cila në radhët e para të emrave të nderuar të kryesisë së saj, përveç Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit, do të vendoste edhe Ali Ibrën, si përfaqësues të denjë të Malësisë. Vetëm një javë pas formimit të kësaj Lidhjeje, dy aktet e para të kuvendit të përgjithshëm të saj, ishin një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit dhe një tjetër dërguar portës së Lartë. (“Kanuni dhe Urdhëresa-17 qershor 1878” Gazeta "Shekulli" 11.01.2014).

Ndaj, Perandoria turke, duke pas parasysh se tani e tutje, do ta kishte të pamundur tregtinë me trojet shqiptare, bënte plane sesi ta de-faktorizonte dhe shkatërronte sa më parë këtë Organizatë.

Osmanët, ishin zotuar para Fuqive të Mëdha se ata do ta bënin dorëzimin e Plavës e Gucisë, Malit të Zi, edhe pa pëlqimin e shqiptarëve, gjë që pas formimit të Lidhjes së Prizrenit, ishte komplikuar dhe bërë e pamundur, pa përgjakje me ushtrinë e saj.

Kështu që, për dëmtimin sa më të madh e mundësisht edhe shkatërrimin e plotë të Lidhjes, turqit do të përdornin taktikën e propagandës së rrejshme të cilët për ta bërë sa më të besueshëm mashtrimin e tyre, vetëm 5-6-t, javë pas formimit të saj, do ta keqpërdornin një marshim të forcave austro-hungareze (22 korrik 1878-wikipedia) në drejtim të Bosnjës, duke propaganduar se gjoja ato vinin për të pushtuar tokat shqiptare.

Madje ata deklaronin sikur tokat tona etnike nuk rrezikoheshin nga tregtia që pushtetarët perandorak bënin me to dhe as nga pushtimet sllavo-greke, që me pëlqimin e Perandorisë turke ndodhnin para syve të shqiptarëve, por nga forcat austro-hungareze me të cilat turqit për shumë kohë, ishin në konflikt të hapur.

Në këtë mënyrë, tentonin që trupat e Lidhjes ti nisnin drejt Bosnjës në luftë kundër asaj ushtrie, për të dobësuar apo edhe shkatërruar këtë Organizatë Kombëtare, dhe liruar duart e tyre, për tregti të mëtejshme me trojet tona.

Por fal mençurisë së tij, Ali Ibra në vend të dërgimit të ushtrisë në luftë, ai do të shkonte vet në krye të një delegacioni të Lidhjes, në Pazar të Ri (Novi Pazar) për vërtetimin e fakteve nga përfaqësuesit e forcave austro-hungareze.

Dhe, që në kontaktet e para, Delegacioni i Lidhjes, do të mësonte se Perandoria Austro-Hungareze, atëkohë nuk kishte kurrfarë planesh invadimi në tokat shqiptare.

Në këtë mënyrë, Ali Ibra me mençurinë e tij , dëshmoi edhe njëherë se ai vërtetë meritonte besimin e përfaqësuesve të lart të Lidhjes dhe të Kombit tonë në përgjithësi, gjeturia e të cilit shpëtoi shqiptarët nga involvimi edhe në një luftë të panevojshme, të huaj dhe shkatërruese për ta.


Vrasja e Pashë Maxharit dhe Abdullah Drenit

Pas dështimit të këtij plani djallëzor, perandoria turke, duke njohur qëndrimin e Lidhjes dhe luftëtarëve të saj, organizoi tradhtinë tjetër të radhës me pandershmërinë më të madhe ndaj popullit tonë, jo vetëm me tentimin për të copëtuar trojet e tij, por edhe qëllimin bizar për ti armiqësuar shqiptarët sa më keq me Fuqitë e Mëdha të Evropës si Francën dhe Gjermaninë, në mënyrë që ata të mos gëzonin përkrahjen e asnjërës nga këto Fuqi vendimmarrëse në përpjekjet e tyre kombëtare.

Për realizimin e qëllimeve të mbrapshta turke, nga fundi i gushtit të vitit 1878,Perandoria e tyre do ta dërgonte në Kosovë, Mareshalin Mehmet Ali Pashë Maxharin, i cili ishte me origjinë evropiane, përfaqësues i Perandorisë në Kongresin e Berlinit dhe nënshkrues i vendimeve të tij, për copëtimin e tokave shqiptare.

Mehmet Ali Pashë Maxhari, i lindur më 18 nëntor të vitit 1827,në Brandenburg të Gjermanisë, njihej me emrin e origjinës si Ludwig Karl Friedrich Detroit dhe vinte prej një familje refugjatësh protestant nga Franca, e vendosur në shekullin 16-17, në Gjermani.

Si njeri i etur për grada dhe karrierë, ai që në moshën 16 vjeçare do ti bashkohej ushtrisë perandorake, konvertohej dhe arrinte deri në gradën e Mareshalit të Ushtrisë.

Më 26 gusht të vitit 1878,po ky ushtarak, me eskortën e tij arriti në Prizren, ku së pari do të takonte Ymer Prizrenin, nga i cili do të hidheshin poshtë të gjitha pretendimet e Mareshalit osman, me ç ‘rast do të vritej edhe telegrafisti turk që siguronte lidhjet e tij me Stambollin.

Kështu që më 1 shtator, Mehmet Ali Pashë Maxhari nga Prizreni do të arrinte në Gjakovë ku bashkë me përcjellësit e tij do të vendosej në kullat e Abdullah Pashë Drenit, shqiptar nga Gjakova, i cili edhe pse njëri nga krerët e Lidhjes, do ta tradhtonte kauzën kombëtare.

Por, kur të gjithë e shihnin me shqetësim ardhjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit në Kosovë dhe dridheshin prej rrezikut që i kanosej vendit nga misioni i tij, Dega e Lidhjes së Prizrenit për Gjakovë me rrethinë që përbëhej nga prijësit më të shquar të këtij populli, nga e cila do të zgjidhej edhe Komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë së rregullt Kombëtare të Lidhjes Shqiptare, u hodh në aksion për të evituar copëtimin e mëtejmë të atdheut dhe parandaluar spastrimin etnik të trojeve të pushtuara shqiptare nga Serbia dhe Mali i Zi.

Forcat e Lidhjes, së pari rrethuan kullat e Abdullah Pashë Drenit, ndërsa nga 3 deri më 6 shtator, u zhvilluan bisedime të pasuksesshme tri-ditëshe për kthimin pa kusht të Mareshalit prej nga kishte ardhur, dhe pasi që edhe ato nuk ndihmuan, më 6 shtator të vitit 1878,në tendencat e tij të fundit për ti dorëzuar me forcë dhe pa pëlqimin e shqiptarëve, Plavën dhe Gucinë Malit të Zi, Mehmet Ali Pashë Maxhari do të vritej nga luftëtarët e Lidhjes në krye me Sylejman Vokshin, Ali Ibrën Haxhi Zekën, Mic Sokolin, Jakup Ferrin etj, bashkë me mbajtësin e tij vendor, Abdullah Pashë Drenin.


Parandalimi i vëllavrasjeve

Pas vrasjes së Mehmet Ali Pashë Maxharit më 6 shtator të vitit 1878, zhvillimi i papritur i ngjarjeve brenda territoreve shqiptare, përveç nxitjes së përgatitjeve të mëdha ushtarake nga ana e Malit të Zi për pushtimin me forcë të Plavës dhe Gucisë, edhe shërbimi i fshehtë malazez kishte mundur të krijonte rrjetin e tij me disa nga prijësit fetar katolik të Kishës së Gjakovës, për mes lidhjeve që ata kishin me Mark Milanin, udhëheqësin kryesor të ushtrisë pushtuese malazeze dhe bir i një nëne shqiptare katolike nga fisi i Kuqit të martuar me një serb nga rrethi i Podgoricës, i cili ishte zotuar para mbretit Nikollë se do ta pushtonte Plavën e Gucinë dhe çfaroste të gjithë shqiptarët e Malësisë dhe Dukagjinit.

Ky shërbim me ndihmën e kishës ortodokse serbe, kishte arrit që edhe në Manastirin e Deçanit, të organizonte një bazë të fortë antishqiptare e cila sado që nuk pati sukses për dobësimin e forcave mbrojtëse, megjithatë- mundi të fuste pjesërisht urrejtjen ndërfetare tek një numër i vogël i shqiptarëve katolik, (rreth 70 fanë-Wikipedia) të cilët morën guximin ti shkonin në mbrojtje me armë Mehmet Ali Pashë Maxharit si dhe përkrahnin hapur dorëzimin e Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi.

Ndaj, përveç vrasjes së Mareshalit osman dhe Abdullah Pashë Drenit, nga disa luftëtar të Lidhjes pati tentativa që të ndiqeshin edhe mbrojtësit katolik të Mehmet Ali Pashë Maxharit dhe përkrahësit e dorëzimit të Plavës e Gucisë, Malit të Zi, si dhe të digjej kisha në Gjakovë si ndëshkim për tradhti kombëtare ndaj Lidhjes dhe Popullit Shqiptar.

Por, ndërhyrja e Ali Ibrës bëri edhe një herë mrekulli, madhështia e fjalës së urtë dhe maturia e ndërmjetësimit burrëror të të cilit u pranua pa asnjë rezervë nga të gjithë.
Vullneti mirë i tij ndikoi si një bekim i zbritur nga qielli që të uleshin tensionet dhe mbyllej ky problem pa gjakderdhje ndërvëllazërore në Gjakovë e rrethinë.


Përgjigjja burrërore e Ali Ibrës

Zhvillimi i papritur i ngjarjeve brenda trojeve shqiptare dhe vendosmërisë së shprehur nga luftëtarët e Lidhjes për mbrojtjen e Plavës e Gucisë edhe me armë, do ti detyronte malazezët që nga fundi i tetorit të vitit 1879,të kërkonin bisedime me prijësit e saj.

Por ata në vend të bisedimeve do të përpiqeshin përmes kërcënimeve ti detyronin shqiptarët që të pranonin pa kushte, pushtimin e këtyre tokave tona, për ndryshe do të nisnin luftën për ti marrë ato me forcë.

Ali Ibra si kryesues i Delegacionit, jo vetëm se nuk u dobësua para kërcënimeve denigruese të malazezëve por edhe Teodorit-vëllait të Mark Milanit dhe kryesuesit të dërgatës malazeze iu përgjigj me trimëri se nëse malazezët do të guxonin ta kalonin kufirin dhe binin në rrafsh të Velikës, ai dhe mbrojtësit shqiptar do ta linin Malin e Zi vetëm në çika e në gra, fjalët e të cilit pak kohë më vonë do të personalizoheshin dhe merrnin formën e një kënge kombëtare:
 
Bjer në fushë të Velikës
dhe ti provojmë armët, se...
Edhe Dukagjinin me ta lëshue
nuk të duhet gja
asnjë mashkull të gjallë
ty më nuk do të la,
ta lë Cërnagorën
veç në çika e ‘n gra”.
 
Duke parë rrezikun që i kanosej atdheut, Shqiptarët nën udhëheqjen e Lidhjes së tyre kombëtare u bashkuan edhe një herë ashtu si duhet dhe luftuan heroikisht e me vetëmohim për çlirimin e të gjitha trojeve amtare nga pushtuesit e vjetër osman dhe mbrojtjen e tyre nga okupatorët e rinj serbo-malazez.

Ndaj, siç ishte marrë vendim që në ditët e para të Lidhjes së Prizrenit(1878-1881),për mbrojtjen me armë të të gjitha tokave shqiptare, ashtu do të veprohej edhe me rastin e Plavës dhe Gucisë, kur do të dilej me kushtrimin që të luftohej nga 7 deri në 70 vjeç, për të mos ia lëshuar trojet e të parëve shkjaut.


Trimëria e forcave shqiptare

Kërcënimet e veta, malazezët do të përpiqeshin që ti realizonin me luftë, por ashtu siç ishin zotuar, për mbrojtjen e trojeve të të parëve, luftëtarët e Lidhjes si në betejën e dhjetorit të vitit 1879 në Pepaj – dhe veçanërisht në atë të janarit të vitit 1880 zhvilluar në Nokshiq, dëshmuan trimërinë dhe vendosmërinë e tyre duke mundur mbi 12 mijë forca të udhëhequra nga Mark Milani dhe vëllai i tij Teodori shtabi i të cilit bashkë me armatim do të kapej nga shqiptarët, dhe ushtria malazeze, do të pësonte disfatë të plotë nga forcat e Lidhjes.

Ali Ibra, edhe në këtë luftë, ishte ndër të parët, në ballë të forcave të Gashit, i cili në anën tjetër, kishte kërcënuar valiun e ri, Muhtar Pashën për mos dorëzimin e Plavës e Gucisë, përndryshe do të pësonte fat të njëjtë me atë të Mehmet Ali Pashë Maxharit.

Duke parë keqësimin e gjendjes në terren, lëkundjen e disa krerëve të Lidhjes dhe kërcënimet e pandërprera që u vinin trojeve tona nga çdo anë, kërkesat e shqiptarëve për autonomi dhe krijimin e shtetit të tyre kombëtar, detyruan krerët e Lidhjes që të zgjidhnin një kryesi të re e cila me nismën e Ymer Prizrenit, Sylejman Vokshit , Ali Ibrës dhe disa emrave tjerë të shquar, në një mbledhje të mbajtur më 21 mars të vitit 1881,në Gjakovë, ndryshuan pjesën më të madhe dhe kryesore të udhëheqësisë së Lidhjes, për të krijuar qeverinë e përkohshme me në krye Ymer Prizrenin, filluar pak kohë më vonë me krijimin e pushtetit vendor dhe çlirimin e të gjitha trojeve nën udhëheqjen e Sylejman Vokshit, Ali Ibrës e të tjerë, nga Perandoria Osmane me qëllim të arritjes së autonomisë dhe krijimin e shtetit të lirë shqiptar.


Besnikëria e Ali Ibrës

Megjithëse siç u cekë edhe më lartë, pati lëkundje të disa krerëve të Lidhjes, Ali Ibrën kurrë nuk arriti ta blej apo përvetësoj kushdo-qoftë nga armiqtë, me poste, grada as para.

Kushedi sa herë provoi edhe Valiu i ri, Muhtar Pasha, por nuk mundi asnjëherë ta tërhiqte as me dhurata prej ari. Dy herë vetëm brenda vitit 1880,atë do ta dekoronte vetë Sulltani, por Plisbardhi nga Malësia-Ali Ibra, gjithmonë i refuzoi gradat dhe dekoratat e tij.

...kryesekretari i pallatit të sulltanit, Ali Riza, shënon: “Ali Ibra dekorohet me medaljen e Mexhidie të klasit IV, të cilën s’e pranoi kurrë. Brenda vitit sulltani kishte lëshuar dy dekrete për dekorimin e Ali Ibrës, të cilat s’i pranoi”.( “Udhëheqësi i Lidhjes sipas burimeve angleze”. Alma Mile; Panorama 10 tetor 2012)

Lidhja e Prizrenit, fal udhëheqësve të tillë-trima dhe besnik, në dhjetorin e vitit 1880, pas afro pesë shekujsh robërie, që nga vdekja e Skënderbeut, për herë të parë po krijonte bërthamat e shtetësisë shqiptare dhe vendoste pushtetin kombëtar në qytetet më të mëdha të vendit duke filluar nga Plava e Gucia, Peja, Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Prizreni, Luma, Gjilani, Kumanova, Shkupi, Tetova , Gostivari,Dibra,Janina etj., me qëllim çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve tona etnike si dhe krijimin e shtetit të par shqiptar në Ballkan.


Ali Ibra në luftë kundër turqve

Pas riorganizimit të Lidhjes, nuk vonoi shumë dhe forcat pushtuese turke me mbi 20 mijë ushtarë e jeniçer do hidheshin në luftë kundër shqiptarëve për pengimin e jetësimit të autonomisë në trojet e tyre.

Ndaj, në ato momente të rënda për vendin, prijësit kryesor të ushtrisë së Lidhjes Shqiptare, Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli, Sefë Kosharja etj.,kishin barrën më të rëndë të udhëheqjes dhe organizimit të qëndresës me vetëm 5-6,mijë luftëtar të pa armatosur mirë, me pushkë të vjetra të cilat mbusheshin përpara me vetëm nga një fishek, të cilat arrinin të gjuanin deri në 100-120, metra largësi, të shpërndarë në një hapësirë tejet të gjatë, që nga Gryka e Kaçanikut deri në Shtime e Prizren.

Luftëtarët e Lidhjes, jo vetëm se kishin para tyre mbi 20 mijë trupa të perandorisë osmane të udhëhequr nga dhjetëra gjeneral e mareshal të sprovuar lufte, qindra topa dhe artileri të rëndë e të lehtë-malore e fushore, armatimin më modern të kohës, por nuk munguan as hilet e bashkëpunëtorëve shqiptar të armikut, prapa shpinës së luftëtarëve kombëtar.

Në këto luftime përveç shumë burrave që do binin në fushë të nderit edhe Sefë Kosharja do të kapej i plagosur rëndë. Ai pasi që nuk pranoi as në gjendjen që ishte të kthehej kundër Lidhjes së Prizrenit, do të varej në një lis nga gjenerali turk Dervish Pasha, të cilit kështu do ti këndonte populli shqiptar:
 
Sefë Kosharja i pari Fisit
Hije të paska maja e lisit
Hije më ka or shokët e mi
Se kam dhanë jetën për liri!
 
Mandej do vinte rënia heroike e Mic Sokolit në dyluftim me topin turk dhe sa e sa trimave të tjerë, ndaj megjithëse do të vriteshin mbi 1800 ushtar turq, edhe ndër shqiptar pati shumë viktima. Po-ashtu, me këtë rast, kënga e rapsodit do ti përjetësonte veprat e tyre ,e cila dhembjen për rënien dhe krenarin për heroizmin e luftëtarëve më të dalluar i shprehu me vargjet si këto:
 
Mos mi patë Smajlin e Micin
Fyt e m ‘fyt tha me Dervishin
Eh medet po ban mileti
Na u vra Elezi e Smajl Hyseni,
U vra Mici e Smajl Mehmeti...
 
Përveç rënies së disa prej prijësve të dalluar shqiptar si Mic Sokoli e Sefë Kosharja , në luftimet nga Shtimja në Slivovë pati edhe shumë luftëtar të plagosur rëndë, në mesin e të cilëve edhe udhëheqësit kryesor të betejës si Ali Ibra e Haxhi Zeka.
Plagosjes së Ali Ibrës i cili me gjithë kërkesën e Sylejman Vokshit për tërheqje nga fronti, ai sado që i rridhte gjak pa ndërprerë nga plaga, vazhdonte luftimet, populli do ti këndonte me admirim:
 
Ali Ibra në Vranç të Zi
Po i shkon gjaku për zingji
 
Me gjithë flijimet e mëdha dhe vetëmohimin e treguar, pas disa dit luftimesh dhe një qëndrese historike e cila nuk ishte parë as dëgjuar ndonjëherë më parë në këto troje, jo vetëm rënia dhe plagosja e luftëtarëve por edhe mbarimi i municionit, si dhe pengimi i ardhjes së forcave të reja vullnetare me armatim, ushqime e veshmbathje, nga forcat reaksionare shqiptare, bënë që rezistenca e Lidhjes së Prizrenit, përkundër trimërisë dhe guximit të dëshmuar të shqiptarëve, përkohësisht të thyhej por jo edhe të përfundonte ideali i saj-asnjëherë.


Kthimi në Malësi

Burrat e njohur të Malësisë, luftës i shkuan gjithmonë atje ku ajo shpallte mejdan për matjen e trimërive. I tillë ishte Mic Sokoli, i tillë u dëshmua edhe Ali Ibra, Binak Alia e shumë të tjerë.

Shembulli më i mirë i luftëtarit tipik shqiptar, natyrisht vinte nga Malësia, ndaj edhe nuk ishte e rastësishme që shumica prej tyre jo vetëm se u bën emra të pazëvendësueshëm, por shumë herë ata edhe u flijuan larg vendlindjes duke mbrojtur çdo cep të atdheut.

Prijësit e Lidhjes nuk ishin vetëm luftëtar të dalluar por edhe heronj të vërtetë. Ata ishin udhëheqës të zgjuar dhe gjeneral shembullor të cilët përcillnin tek brezat artin e luftës çlirimtare dhe idealin e pashuar të atdhedashurisë. Ishin mësues të kryengritjeve kombëtare për të cilat Shqipëria Etnike ofroi djemtë më të mirë nga çdo familje dhe shtëpi.

I tillë ishte Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Dedë Gjon Luli, Haxhi Zeka, i tillë u dëshmua edhe Mic Sokoli, Binak Alia, Sefë Kosharja, Mehmet Shpendi e shumë të tjerë. Emrat e tyre ishin vetëm disa nga ikonat e trimave të pa harruar të Lidhjes Kombëtare Shqiptare, të cilët në çdo kohë dhe periudhë lanë pa mend Perandorinë pushtuese turke dhe pushtuesit sllavo-grek, me besnikërinë e tyre ndaj atdheut dhe vendosmërinë e treguar kudo në beteja për mbrojtjen me heroizëm të çdo pjese të trojeve të Shqipërisë etnike.

Vetëm kështu përpjekja për liri dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të tokave tona mundi të vazhdonte e pandërprerë deri në shpalljen e Pavarësisë, vepër pa të cilën atdheu ynë nuk do të ishte ky që është sot. Heroizmi i tyre, lartësoi dhe ngriti në piedestal kombëtar emrin e Ali Ibër Nezës dhe prijësve tjerë historik, si në vitet e veprimit të Lidhjes së Prizrenit(1878-1881), para dhe pas saj.

Malësia ishte edhe vendstrehim i sigurt për figurat kryesore të kombit, ku pas shuarjes së Lidhjes, një kohë, atje do të qëndronte edhe Kryetari i Qeverisë së përkohshme të saj, Ymer Prizreni, të cilit më kot Perandoria Turke i bëri shumë oferta për bashkëpunim me pushtuesit osman, ngase ai nuk i pranoi ato asnjëherë.

Shembulli i atdhedashurisë së Ymer Prizrenit mbetet i veçantë, sublim dhe përjetësisht i pa harruar. Ai edhe pse në moshën mbi 60 vjeçare, hodhi poshtë me përbuzje çdo ofertë të perandorisë osmane, duke u përgjigjur se po ti jepnin të gjitha parat e Perandorisë dhe vet Sulltani ti ofronte kolltukun e tij, ai nuk donte të dëgjonte më kurrë për Turqinë.

Pas kësaj përgjigje të vendosur, si ndëshkim, pushtuesit osman do ti merrnin atij, të dy vajzat dhe gruan e shtyrë në moshë, duke i dërguar ato për syrgjynosje në Turqi.

Megjithatë Ymer Prizreni nuk do të dorëzohej as para këtij presioni dhe do të strehohej përkohësisht në shtëpinë e Ali Ibër Nezës në Shipshan të Malësisë, prej nga pastaj do të kalonte në Ulqin, ku nuk do të shkonte shumë kohë dhe do të mbytej me mjete të forta nga agjentë turko-malazez, mu para shtëpisë në të cilën banonte.

Përveç Ymer Prizrenit, pas thyerjes së Lidhjes Shqiptare edhe Sylejman Vokshi do të qëndronte rreth 5 muaj në Malësi, prej nga bashkë me Ali Ibrën do të përgatisnin të paktën edhe dy kryengritje të reja anti-osmane, derisa edhe ai, në vitin 1885,do të kapej përfundimisht me tradhti nga njerëz të shitur dhe dënohej me burgim të përjetshëm nga Perandoria turke.

Me burgosjen e Sylejman Vokshit, veprimtaria e Ali Ibrës së mbetur pa bashkëpunëtorët më të ngushtë do të vështirësohej dhe binte nga intensiteti, por megjithatë qëndrimi i tij nuk do të ndryshonte. Edhe ai njëjtë si Ymer Prizreni e Sylejman Vokshi ,nuk u shit asnjëherë për grada as pasuri.

Ali Ibra nuk pranoi kurrë tituj as pozita perandorake të ofruara kohë pas kohe nga turqit dhe dallkaukët e tyre, duke mbetur përgjithmonë besnik i çështjes kombëtare dhe bartës i papërkulur i idealeve të Lidhjes, deri në vdekjen e tij më 1900, në fshatin Osek pranë Gjakovës, ku kishte kaluar vitet e fundit si njëri nga anëtarët e rrallë të kryesisë së Lidhjes, që do të ndërronte jetë nga vdekja e natyrshme dhe me krye në jastëk.

Dekoratat e vetme të cilat ai nuk do ti refuzonte, ishin ato që atij iu ndanë nga atdheu dhe bashkë-familjarët, pas vdekjes.

Me të parën do të dekorohej në vitin 1937 nga Mbreti Zog, kurse më 12 tetor të vitit 2012, në shenjë nderimi me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, do të përjetësohej edhe me një shtatore bronzi në Gjakovë, nga të afërmit e tij, lavdia e të cilit nuk mund të shpaloset tërësisht vetëm me një shkrim dhe as detyrimi ndaj tij si hero i kombit, nuk do duhej të përfundonte vetëm me kaq "pak" nderim.


Burimet:
1. Historia e Lidhjes së Prizrenit, gazeta “Shekulli” 11.01.2014.
2. Libri "Krijuesit e Historisë" 2012 Prishtinë
3. Isa Boletini, gjeneral i pavarësisë së Shqipërisë “Bota Sot” 12.10.2012.
4.Si e mbrojti Ali Ibër Neza Lidhjen e Prizrenit, Alma Mile;"Panorama"10 tetor 2012.
5.”Berisha e Jahjaga zbuluan shtatoret e Ali Nezës dhe Isa Buletinit”, “Koha” 12.10.2012.
6.“Monografía "Krahina e Plavë Gucisë nëpër shekuj", Rexhep Man Dedushaj,
7. Wikipedia
 

Gani Mehmetaj - Kali i Trojës në mesin e shqiptarëve!

  • “Me serbët na ndan vetëm një cipë e hollë e qepës”, kanë predikuar shumica e hoxhallarëve në Kosovë e në Maqedoni, në fëmijërinë time, “me shqiptarët katolikë na ndan një bjeshkë”, vazhdonin propagandën e tyre antishqiptare hoxhallarët. Këtë moto po e ndjekin edhe sot e kësaj dite.      
 
Fryma që ta thanë shpirtin nga Sahara, ua ka mpirë mendjen një lukunie renegatësh, të cilët luftojnë si në dëlir  kundër shqiptarëve. Në vend të flasin për bukurinë e jetës, ata flasin për bukurinë e vdekjes. Të bukures i thonë e shëmtuar dhe të shëmtuarës, e bukur! Ka dëgjuar kush ndonjë hoxhë, apo vëllazërinë islamike shqipfolëse, por jo shqiptare, të flas për tmerret e policisë e të ushtrisë serbe? Ka dëgjuar kush që shefqetkrasniqet, mullazimkrasniqet, gogiqet, lutfihazirët e mjeranët e tjerë mercenarë, që shkarravisin nëpër revista islame ta shajnë Milosheviqin? Asnjëherë, asnjë fjalë nuk e thanë kundër krimeve serbe e kundër kriminelëve serb, asnjëherë nuk e vunë në pah se rreziku më i madh edhe më tutje vjen nga Serbia. E ka dëgjuar kush ndonjë hoxhë t’u flas besimtarëve për Amerikën, Britaninë e Madhe apo Evropën Perëndimore që na shpëtoi nga shfarosja, derisa shtetet islamike bënin sehir, apo bënin tregti me Serbinë? Nuk kam takuar hoxhë që ka fjalë miradije për shpëtimtarët tonë, përkundrazi kam takuar dhjetëra që vjellin vrer kundër atyre që ua shpëtuan edhe këtyre mjeranëve kokën.
Përjargën si të çartur shumica e hoxhallarët e ideologëve të errësirës kundër personaliteteve shqiptare e përpjekjeve tona që t’i ngjitemi Evropës Perëndimore. E dini pse? Sepse e thotë më se miri lideri i shqiptarëve të Maqedonisë: qendra e islamikëve për Ballkan është Beogradi. Prej atje i marrin urdhrat, nga atje frymëzohen, prandaj as në të ardhmen hoxhallarët e islamikët e tjerë renegatë nuk do të predikojnë nëpër xhami, nëpër gazeta, apo para “xhematit” të debilizuar kundër armikut tonë më të madh- Serbisë e institucioneve të saja, por do të shajnë shqiptarët dhe personalitete tona, sepse ashtu kanë urdhër.
Erdogani i Anadollit ka shpërndarë lukuni për luftë speciale të grrmrr-it. Në emër të kinse ndihmave vëllazërore përmes shoqatave vrastare islamike po krijon formacione goditëse kundër shqiptarëve dhe po mobilizon shqiptarë për xhihad.  Pushtetarët dhe opozitarët në Kosovë e në Shqipëri sillën si pulat para gjelit me kryeministrin turk, i cili tashmë i ka zhytur duart më gjakun e popullit të vet.
Kështu, atë që nuk arriti ta bëjë kurrë Serbia -përçarjen në baza fetare, po e bën tash  përmes renegatëve hoxhallarë e ish-oficerëve të vet që i përgatiti për luftë speciale. Natyrisht po e ndihmon me bujari edhe Turqia.
 
 
Shqiptarët mish për top 
 
Dikur ishin aq të mobilizuar kundër Serbisë dhe kundër korbave islamikë, ndërsa sot të dyja palët janë futur brenda dhe po na përtypin. Mjerë ata që u shkojnë prapa. Si nuk u ngritë asnjë besimtar nëpër xhami t’i pyes këta hoxhallarë: e kemi armik Serbinë apo Evropën? Na shpëtoi nga shfarosja SHBA-ja e Evropa Perëndimore, apo Serbia?
“Me serbët na ndanë vetëm një cipë e hollë e qepës”, kanë predikuar shumica e hoxhallarëve në Kosovë e në Maqedoni, në fëmijërinë time, “me shqiptarët katolik na ndanë një bjeshkë”, vazhdonin propagandën e tyre antishqiptare hoxhallarët. Këtë moto e ndjekin edhe sot e kësaj dite. Ata kishin merita të mëdha për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, sepse u thoshin besimtarëve atje është vendi i myslimanit. Kështu i urdhëronin nga Beogradi.
Po i dëgjove predikimet e tyre të çartura, krijohet përshtypja se problemi fondamental i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni e në Shqipëri është lufta fetare të islamikëve kundër “kaurëve”, “hyrijat e xhenetit” të cilat i presin “xhihadistët”, ndërsa armiq janë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Nëna Terezë, Pjetër Budi e  Pjetër Bogdani, Ibrahim Rugova e Ismail Kadare. Hoxhallarët u bien të gjitha trumbetave për luftë vëllavrasëse (paçka se shqiptarët kurrë nuk do t’i dëgjojnë ulërimat e tyre), por fatkeqësisht rrimë duarkryq dhe i shikojmë këta korba. Predikimet e tyre kanë detyrë ta mjegullojnë krimin e organizuar në Kosovë, vrasjet e pasqaruara të personaliteteve tona, krimet serbe që ende nuk u ndëshkuan, gjendjen e rëndë sociale të shumicës së popullatës, të rinjtë e frustruar e pa asnjë ideal, të cilët po i mbështeten djallit e të birin që të dalin nga kjo gjendej në të cilën i ka futur shoqëria jonë. Prandaj, hoxhallarët e shfrytëzojnë fatkeqësinë e të rinjve që t’i thërrasin për luftë në Siri, ndërsa kurrë nuk i kanë ftuar më herët të luftonin për çlirimin e Kosovës. Presheva, Medvegja e Bujanovci janë të okupuara. Ku janë këta mercenarë që s’bëzajnë? Cili prej këtyre hoxhëve do të jep nesër llogari për gjakun e derdhur të atyre që ranë në Siri? Pse duhej që shqiptarët të bëheshin mish për top në një vend prapa diellit?
Janë paguar këta predikues ta vënë në gjumë popullatën, t’i shkëpusin nga treni i Evropës. Predikojnë t’i bashkëngjitemi vendeve kaotike islamike, ku për çdo ditë vriten në mes veti qindra fatkeq. Dhe vazhdimisht na e vënë model botën islamike e cila vetëm model jetese e qytetërimi nuk mund të merret. Nuk na e preferojnë as njerëzit e tyre të mençur.
 
 
Kur mjekërzinjtë përdhosin qytetin e ilirëve
 
Në Maqedoni islamikët me hoxhallarët e paguar nga dreqi, pra në marrëveshje më  shërbimet sekrete sllave e turke, përpiqen t’ua fashitin shqiptarëve vendës ndjenjën e pakënaqësisë kundër diktaturës pushtetore. Asnjë fjalë hoxhallarët nuk e thanë kundër pushtetarëve që e kanë lënë në mjerim popullatën shqiptare, asnjë fjalë hoxhallarët e shitur nuk e thanë kundër përmendores së Car Dushanit, vrasësit të shqiptarëve, por gati u tërbuan kur u ngrit shtatorja e Skënderbeut në Shkup. Po këta klerikë nuk i lejojnë partitë politike shqiptare t’i ngrehin përmendoren Pjetër Bogdanit.
Gjendja është pak më ndryshe në Shqipëri, por aspak e lakmueshme. Ka degradim të ndjeshëm kulturor e shpirtëror. Dhjetëra të rinj kanë ikur në Siri për të lënë kokat. Për qetësinë sociale, po edhe sepse i korruptuan në shkallë të gjerë shoqatat islamike e shërbimet e fshehta të orientit,  pushtetarët e opozitarët lejuan mjekërzinjtë e shoqatat e tjera islamike të nxisin përçarje, duke krijuar pasqyrë të shëmtuar për realitetin shqiptar. Qyteti i vjetër i Durrësit, pjesa më e frekuentuar turistike, në mbrëmje të frikëson me grupet e mjekrave të zeza që enden kot fare poshtë e lartë si të ishin në zemër të Arabisë, e jo në qytetin e ilirëve, apo rezidencën e perandorëve romakë. Në këtë qytet u ndërtua xhamia mbi rrënojat iliro-romake, ndërsa Amfiteatri antik, ndër më të mëdhenj në Mesdhe ende nuk është pastruar e rinovuar si duhet.
Nuk kam pa diçka më të shëmtuar se sa falja në qendër të Tiranës ditën e Bajramit që ta krijon përshtypjen si të ishe në shkretëtirat arabe.  Vetëm devetë e pak rërë shkretëtire   mungon në këto rituale që e frikësojnë botën nën qiellin e hapur. Ka edhe shembuj të tjerë të shëmtuar.
Qeveritë e dy shteteve shqiptare kanë flirtuar dhe po flirtojnë frikshëm me islamizmin e skajshëm, me fundamentalizmin islamik të Erdoganit, ndërsa në fakt po na e sjellin fatkeqësinë të dera, sepse derisa të ne investuesit islamik ndërtuan vetëm xhami, në Serbi, Kroaci, Rumani e Bullgari investuan nëpër fabrika e kantiere anijesh disa miliardë dollarë. “Kaurëve’ u dhanë fabrika, kantiere e hekurudha, neve probleme me mjekër palarët e me hoxhallarë që po e rrënojnë shtetin. Për një xhami që ua lejuan të ndërtohet në Rijekë të  Kroacisë, beduinët vjet blenë anije kroate në vlerë prej 800 milion dollarësh. Ky është realiteti, të cilin ne nuk e shohim në sy mu si makushi kur e fsheh kokën në rërë. Ky është realiteti i dhimbshëm: i zymtë, i pa perspektivë, i frikshëm, që të rrëqeth.
“Feja e shqiptarit është shqiptaria” duhet të shndërrohet sërish në kushtrim, në himn dhe në mobilizim që t’i ngjitemi trenit të qytetërimit evropian, duke dëbuar mercenarët e Kalin e Trojës jashtë territoreve shqiptare sa nuk është bërë vonë. Kështu, si jemi Kosova e Shqipëria nuk do të cilësohen shqiptare, por myslimane.
 
 
Shkombëtarizimi në Maqedoni
 
Gjendja nuk paraqitet më e mirë as të shqiptarët ortodoks në Maqedoni e Greqi. Mbase nuk e ka shkallën e tillë të primitivizmit oriental, sikurse myslimanizmi, por shkallën e frikshme të shkombëtarizimit e ka më shumë intensitet. Në Greqi pothuajse janë shkombëtarizuar shqiptarët ortodoks nga presioni agresivë i kishës, por sidomos nga presioni i dhunshëm i shtetit grekë. Të njëjtën gjë e kanë pësuar pjesa e madhe e shqiptarëve në territoret etnike në Maqedoni. “Ndarja në turq e kaur që na e bënin priftërinjtë dhe hoxhallarët ishte shumë e keqe”, e thotë në emisionin televiziv shqiptari ortodoks nga Reka e Keqe, i cili e rifreskoi çështjen e shkombëtarizimit të shqiptarëve në emër të fesë. Sa herë e shikoj këtë emision, edhe mua me qahet, ashtu sikurse i qahet protagonistit të emisionit shqip të një televizioni në Shkup, kur e kujton të kaluarën dhe presionin e shkombëtarizimit nga priftërinjtë sllavë. Ai rrëfente gjëra të dhimbshme: një krahinë e tërë kishte kaluar nëpër Kalvar nga presioni që të harronte gjuhë e komb. Sërish e dëgjova nga goja e tij thirrjen e rilindësve: feja e shqiptarit është shqiptaria. Sërish kjo thirrje është shumë aktuale, sepse ka gjasa të mobilizoj shqiptarët kudo.
Shqiptarët si asnjë komb tjetër në Evropë kanë tri fe.  Ndarja në fe, nuk është pasuri, por fatkeqësi, pavarësisht që rilindësit e ideologët kombëtar janë përpjekur këtë tragjedi ta zbusin. Fatkeqësia më e madhe në historinë e shqiptarëve ishte pushtimi osman, sepse zgjati shumë, prodhoi një varg fatkeqësish prej të cilave nuk u këndellem, sepse reflekse antikombëtare të kësaj fryme manifestohen edhe tash. Asnjë perandori nuk ishte aq mizore (mund ti konkurroj vetëm mizoria sllave e mesjetës dhe e shekullit të XX), asnjë perandori nuk u solli aq të këqija shqiptarëve se sa turqit, asnjë perandori nuk ndikoi që pastaj tokat shqiptare të pushtuara të ndahen sërish në mes të fqinjëve grabitqarë. Pushtuesi bëri tregti të vazhdueshme me Serbinë, Greqinë e Bullgarinë më tokat shqiptare. Me mizorinë e pashembullt ua imponoi fenë myslimane me hekur e me zjarr, pos atyre shqiptarëve që u tërhoqën nëpër male, apo atyre që kaluan në Gadishullin Apenin. Kronistët turq shkruajnë me mburrje për hakmarrjet e tmerrshme të ushtrisë turke kundër shqiptarëve: pirgje kufomash të grave, fëmijëve e të burrave, lumenj gjaku e kolona të gjata të shqiptarëve të lidhur me vargonj. Ata që mbetën gjallë morën fenë islame. (Kronisti Evlia Qelebiu).