F A Q E T

Mittwoch, 4. März 2015

Agim Bacelli

Agim Bacelli

Agim Bacelli ka lindur në Korçë në vitin 1951. Shkollën tetëvjeçare e ka kryerë në Bulgarec dhe të mesmen e në qytetin e Korçës. Pas shkollës se mesme, ka vazhduar studimet në Akademinë e Forcave Ajrore për tu bërë aviator. Në fillim është caktuar me detyrë në Bazen Ajrore të Rinasit, ku punoj për katër vjet dhe më pas u transferua në Zadrimë. Ka marrë klasin më të lartë në teknikën ajrore. 
Në maj të vitit 1995 është liruar para kohe nga detyra, përderisa mbante gradën major. Mëpastaj së bashku me fymiulje ka emigruar në SHBA
Autori Agim Babelli deri më tash ka botuar 6 libra; dy me tregime për fëmijë, dy me poezi, një biografi familjare dhe një antollogji poetike bashkë me dy auturë të tjerë.
Jeton dhe krijon në New York City.


Tregim nga Agim Bacelli 

Dëshmitarja e vdekur

       Isha në zyrë. Ora po shkonte drejt mesnatës dhe unë isha i pafuqishëm të zbulonja një vrasje enigmë. Zura kokën me duar dhe po mendohesha ta mbyllja çështjen si dështak. Tërë inat përplasa grushtin mbi tavolinë dhe i thashë vetes, "Hajvan! Vritet një vajzë e pafajshme; më parë përdhunohet dhe pastaj mbytet sikur të ishte një zog pule dhe ku pa? në një qytezë kaq të vogël me tetë mijë banorë dhe, ti s'je në gjendje ta zbulosh! Dështak!"
       Më vinte inat sa ta mbysja veten. U bë viti dhe asnjë shënjë, asnjë e dhënë, asnjë dëshmitar! Të gjithë më thanë ta mbyllja çështjen. Solla nëpër mëndje tërë huliganët e qytetit bashkë më shokët e saj dhe bile, atyre u morëm ADN, rezultati ishte zero! E bëra këtë pasi kisha dhe ADN e vrasësit që e morëm nga një copë lëkurë nën një thua të viktimës. Kuptova se vrasësi nuk ishte ndonjë rrugaç ordiner. Kaq.
       Viktima, një vajzë e re e cila quhej Rina K. kishte qënë konviktore tek shkolla ekonomike e qytetit. Ajo kishte erdhur nga Mirdita.
        Vrasja ishte bërë diku tjetër që s'dihej se ku dhe trupi i saj ishte hedhur prapa konviktit të femrave të shkollës ekonomike, mes disa ferrave që të dukejs sikur kishte rënë nga dritarja e dhomës së saj.
       Si vallë se ka dëgjuar askush?! Qindra nxënës, bile kujdestarin bashkë me rojen e konviktit i mora në hetim. Askush s'kishte parë dhe dëgjuar asgjë. E çuditshme!
       Ndjehesha shumë i lodhur. I nervozuar. Ndeza një cigare për t’u qetësuar. Mendova ta pi cigaren pastaj të nisem për shtëpi dhe t'i jap fund kësaj torture. U ngrita dhe shkova tek paqyra e banjës dhe pashë fytyrën time. E pështyva duke i thënë, i paafte! Palo burrë! Po tërhiqesh o kapitullant edepsëz?! O Zot, pse nuk na ke dyzuar që të kisha mundësi ta shqepja në dru veten time sonte?! U ktheva në karrigen e punës, në atë të ‘dështakut’ më mirë me thënë, dhe po mendoja ta mbyllja çështjen se po çmëndesha.
       Befas mu duk sikur dëgjova një rrokullimë të pazakonëshme në dysheme pastaj pashë se u errësua dhoma. Nuk u ngrita. Na plasën me këto ndërprerje dritash, mendova. U bënë vite dhe asnjë qeveri si rregulloi që nuk i rregulloi dot. Një fërfëllitje e lehtë, sikur zvarritej dikush, u dëgjua përsëri nëpër zyrë. Ishte era, mendova. Kisha harruar dritaren hapur. Por jo! Diçka e pazakonte po ndodhte... Kisha ndjesinë se dikush hyri në zyrë.
       "Kush është?"
Asnjë përgjigje.
       "Kush është aty?" bërtita më fortë.
 Mu duk se lëvizi tavolina ime.
       "Kush mutin ka hyrë këtu pa lejën time? Përgjigju se ti hodha trutë në erë!" dhe vura dorën tek koburja.
       "Shef mos u nxeh. Jam unë...!"
 Ishte zë femre. Ne s'kishim femra në polici në atë orë, në mes të natës!
 Lëviza nga vëndi dhe s'dija se ç’far të bëja. Ndjeva frikë dhe pafuqi. Kush vallë të ishte kjo femër?!
       "Ndriçoni fytyrën", thashë instiktivisht dhe qita pistoletën, siç na kishin mësuar në shkollë por jo në kësi rastesh.
 Një dritë e bardhë në jeshille filloi të hapet në qendër të dhomës. Dallova një vajzë të re. "Kush jeni dhe ç’far doni? Si hytë këtu?!" i thashë këto sigurisht duke u dredhur nga frika dhe me zë të fortë siç flitet kur e ke frikën në palcë.
       "Shef Pirro, mos u shqetësoni. Ju lutem më dëgjoni. Jam Rina, Rina që është vrarë para një viti. Mos u trembni. Erdha si dëshmi për ju s'mund të gjeni dot dëshmitarë. S'mund ti duroja dot tërë ato përpjekje tuajat për të zbuluar vrasjen time. Po ashtu, s'mund ta duroj dot as atë vrasës që tallet me tërë qytetin bile edhe me ju."
       U trondita. Nuk e kuptoja nëse isha në ëndërr apo zgjuar. Asnjë kufi ndarës midis realitetit dhe ëndrrës nuk i ve dot as sot asaj nate. Paniku më mbërtheu si ngërç dhe as zërin se qisja dot më. Më mbërtheu hipnoza që mbërthen kafshët e buta para egërsirave të papërballueshme.
       Para meje ishte vërtetë ajo, siç e kisha parë nëpër fotot! Rina hapi përsëri gojën:
       "Shef, mo u trembni. Kam erdhur t'ju ndihmoj. Më vjen keq për ju. Ju lutem qetsohuni. Jam Rina. Shikomë! A s'jam si në fotot që ju keni në dosje! Ja, flokët e zezë kaçurela, prerë shkurt. Ja bluza e verdhë që kisha veshur atë ditë...Ja dhe fundi i kuq e çorapet e bardha me sandalet kafe...Shikomëni ju lutem edhe qafën...Akoma është po ajo qafë e ndrydhur dhe e nxirrë nga shtërngimi i vrasësit... Një grusht të fuqishëm kam marrë dhe në stomak...E di që mezi prisni të mësoni vrasësin. Mos u çuditni. Vrasësi im është vetë kryetari i gjykatës së qarkut. Atë mbrëmje ai më pa tek kinkaleria përballë shtëpisë së tij ndërsa po blija disa fletore dhe që kisha dalë pa i thënë askujt. Ai, monstra, ishte në dritare dhe më dha një përshëndetje me dorë të cilën unë ja ktheva me një buzëqeshje. Ne njiheshim edhe më parë se ai është mirditor si unë. Pas pak më erdhi një djalë i ri që nuk e njihja dhe më tha se më kërkonte kryetari. Shkova pa e vrarë shumë mëndjen pasi ky gjykatës është në moshën e babit tim. Atje…ndodhi ajo që ndodhi të cilën nuk kam dëshirë t‘jua tregoj. AND-ja e nxjerrë nga lëkura e tij që gjendej tek thonjtë e mija është e tij…Shkoni dhe provojeni."
       Fantazma u zhduk. Ngela i pataksur. Po mendoja nëse gjithëçka pashë dhe dëgjova ishte pjellë e fantazisë sime apo ishte vërtetë një realitet?!
       Atë natë nuk fjeta fare. Ja tregova gruas, megjithëse s'më besoi dhe më tha se kam qënë në ëndërr, edhe ajo nuk fjeti. Mezi prisnja të nesërmen për të bërë provën e ADN-së tek Kryetari i Gjykatës. Gruaja për tërë natën u mundua të më mbushte mëndjen se kam qënë në gjumë pas tërë asaj lodhje dhe se kryetari i gjykatës është burrë shumë i mirë. Më tha se fantazmat janë ndijime metaforike që lindin në mendjen tonë kur mundohemi të njohim diçka që s'mundemi dot.
 Unë e dij nëse isha apo jo në gjumë dhe s’kisha ndërmënd të dëgjoja anjë njeri. Po, ndoshta? Mbase mund të kem qënë edhe në gjumë por këtë s'mund ta kuptoja dot! Në fakt as që dua të mundohem të gjej nëse isha në gjumë apo zgjuar. Pë mua, e vërteta është se mendoj që s'isha në gjumë.
       Oh Zot, çfar ngjet nganjëherë me ne! Se kuptojmë dot ku është realiteti dhe ku është fantazia!
       Përsa dëgjova nga vetë viktima, ajo vërtetohet fare lehtë; një test i ADN-së së kryetarit të gjykatës dhe kjo e zgjidh edhe çështjen time nëse isha në gjumë apo zgjuar.
       Kryetarit të gjykatës i qëndrova prapa, siç i themi ne. Vura një njeri për ta kontrolluar edhe në hale siç i thonë fjalës.
 Agjenti im më raportoi midis shumë thënieve të krygjykatsit edhe këtë shprehje të tij tek e cila u ndala, "Unë s'para lexoj prozë artistike por një tregim, 'La Petite Roque' i cili në shqip është përkthyer me titullin,'Vajza e Rokes' më ka ngelur në mëndje..."
       Edhe unë e kisha lexuar atë tregim ku një gjykatës frances, mbi një shekull më parë, vret një vajzë 13 vjeçe pasi e përdhunoi. Kjo vrasje e bëri atë gjykats që të vrasë veten. Thënia më dukej një paralelizëm me vrasjen e tij. U futa në mendime.
       Pasi piva dy kafe të forta njërën pas tjetrës që të mos më zinte gjumi ditën, pas një nate të bardhë, u nisa përsëri në punë. Dhashë urdhër ti bëhej ADN-ja kryetarit të gjykatës. Për këtë gjë dërgova jo specialistin e kriminalistikës por një dentist, miku im, i cili e kreu porosinë për bukuri pa u kuptuar dhe materialin e marrë nga goja e tij ma solli mua sipas udhëzimeve që i kisha dhënë. Veprova kështu pasi kryetari mund të diktonte hetimin tim dhe mund të ja mbathte gjëkundi apo edhe më keq të hidhej në sulm kundër meje dhe mbase më pushonte edhe nga puna pasi drejtorin e policisë e ka mikun e vet.
 Kur e futëm në laborator materialin e marrë nga kryegjykatësi, doli se lëkura në thoin e viktimës i përkiste atij. O Zot sa u trondita! Personi vrasës është kryetari i gjykatës së qarkut. Fantazma e Rinës më kishte thënë të vërtetën dhe unë s’kisha qënë në gjumë! Le të mblidhet tërë bota dhe të më thonë se kjo s’ është e vërtetë, unë, përsa më ndodhi, do ta besoj tërësisht se më foli vetë fantazma e vajzës.
        Thashë se më në fund do të flija rehat por s’munda. Arrestimi i kryegjykatësit më gacmonte ligësht. Po jetoja vetëm me këtë arrestim të bujshëm. Bëra raportin përkatës në dy kopje dhe me dosjen e krimit u paraqita tek shefi im.
       “Zoti shef, hetimi mbi krimin e kryer vitin e kaluar ndaj një vajze konviktore, Rinës, perfundoi me sukses. I gjithë materiali dhe provat përkatse janë këtu në dy dosje; një për juve dhe një për Prokurorinë e Qarkut. Kërkoj lëshimin e urdhër arrestit nga prokuroria për vrasësin.”

       “Të lumtë! Ke bërë një punë të lavdërueshme. Më parë se të shikoj dosjen do të bëjmë diçka tjetër që nuk pret. Dosja këtu është dhe pret. Në lagjen Liria mbrëmë është thyer një dyqan, pikërisht dyqani që gjendet buze lumit Drin. Unë mendova se më mirë se ti askush s’ mund ta bëjë këtë detyrë. Dua të gjendet hajduti sa më parë të jetë e mundur. Hetimi të fillojë qysh tani. Paç fat!”
U ngrit nga vëndi dhe shefi më ra shpatullave pastaj më zgjati një letër ku ishin shënuar denoncimi dhe disa dyshime. U mërzita aq shumë sa isha gati ti bija me grusht turinjve. Punova një vit të tërë papushim duke prishur reahatine, gjumin dhe miqësinë dhe ja, ky me mospërfillje më jep një urdhër tjetër pa përfunduar çështja e nisur!
       “Zoti shef! S’mundem. Jam pa gjumë dhe shumë i lodhur. Ke hetuesë të tjerë. Të lutem, le ta mbarojmë çështjen e nisur që të jem i qetë pasi për mua arrestimi i një vrasësi me pushtet ka më shumë rëndësi sesa arrestimi i një hajduti rrugësh.”
       Desha ti thosha se mos përgatitet ndonjë reng me largimin tim nga çështja e vrasjes së Rinës por…çdo gjë ishte e kotë pasi ai, shefi im, është urdhëri dhe urdhëri duhet të zbatohet pa asnjë lloj kundërshtimi, kështu na kishin mësuar.
 Mora copën e letrës dhe u largova tërë nerva. U sorollata pa asnjë vullnet kot së koti në lagjen “Liria” dhe pas disa orësh u ktheva në shtëpi dhe u shtriva. Më dhimbte koka. Ishte mesditë dhe gruaja, shoqja dhe këshilltarja ime më e mirë, më “urdhëroi” të pushoj disa orë dhe në mbrëmje, kur të ndihem më i qetë, të shkoj të hetoj rastin e vjedhjes. Ajo më bëri një çaj kamomili dhe më dha edhe një excedrin për lehtësimin e dhimbjes së kokës.
       Fjeta mirë, siç duket ajo më kishte hedhur në çaj edhe ndonjë qetësues gjumëndjellës siç është apaurin të cilën ajo e përdor me raste. Kur u ngrita nga gjumi ora shënonte 5 e mbrëmjes. Kisha fjetur rreth 5 orë. Ndihesha i lehtë dhe i freskët. Pa humbur kohë u nisa drejt detyrës.

       Shkova direkt tek ura e vjetër mbi Drin e cila është e shkatërruar dhe jashtë përdorimit që nga koha kur u bë ura e re dhe u ula diku në binarët e saj. Dyqanin, pjesën e prapme, e kisha përballë dhe fillova ta vështroj me kujdes. Dielli që po perëndonte sipër kodrës së Dom Mëhillit binte mbi dyqan dhe i jepte një pamje të bukur magjepse. Ndeza një cigare dhe po e thithnja me shumë kënaqësi. Dera e pasme e dyqanit, e cila ishte lënë si dëshmi jashtë karkasës së derës, dukej se ishte thyer me një mjet të mprehtë pasi mjeti kishte lënë disa vrima në dërrasën e thyer. (Disa kryqe dërrasash bllokonin hyrjen e pasme në vënd të derës.) U ngrita dhe u afrova për ta parë derën me kujdes. S’kishte dyshim që ishte përdorur një vegël hekuri me majë. Do të ketë qënë një kazmë, mendova dhe shkova dhe u ula përsëri tek vëndi i mëparshëm.

       “Shef, të ka humbur gjë?” dëgjova një gollovesh të ri nga ata që i bëjnë të nëntëdhjetë e nëntat.

       “Hajde këtu ti xhigit!” i thashë jevgut. Djali u afrua me pak ndroje.
“Na 1.000 lekë dhe hyr këtu në anë të Drinit, nëpër këto ferrat dhe kallamishtet rreth e rrotull. Dua të më gjesh një levë hekuri apo një kazëm që është hedhur atje.
       “Shef dua 2.000 sepse akoma është ftohtë dhe…”
       “Dakort. Na 2.000 lekë.”
       “Shefo, po të kesh 3.000 se e kam nënën e sëmurë dhe jam pa punë? Aq bëjnë ilaçet.”
       “S’kam. Vetëm dy mijë kisha. Hajde dhe hyr ose nëmi lekët se gjej një tjetër…”
       S’foli fare por u zvesh lakuriq, vetëm në brekë dhe hyri në ujë. Ndeza një cigare tjetër dhe po prisnja rezultatin.
       “Shefooo! Më ler të shkoj në shtëpi të marr një palë çizma se po më çahen këmbët?”
       S’fola por edhe xhigiti s’priti lejën time, doli dhe u nis për në shtëpi. Pas pak u kthye me çizmat në dorë. Hyri përsëri në ujë. Po kërkonte me duar dhe me këmbë. Ju ça kurrizi dhe krahët nëpër ferra, po më vinte keq. Ishte muaj maj por bënte ftohtë. Mornica më kaluanë nëpër trup dhe u drodha. Ja se si është i detyruar të coptohet njeriu për dymijë lekë (të vjetra) të qelbura! Ndoshta dhe hajduti ka pasur familjen pa ngrënë dhe ka qënë i dëtyruar ta bëjë atë akt? Ndërsa kryegjykatsi, me gruan sa një pelë në shtëpi, kërkon goca të reja në krevat! Botë e qelbur. Pështyva.
       “Shefooo! E gjeta.”
       Ngriti lart një kazmë të shkurtër me bisht hekuri. S’kisha parë kazëm aq të lezetëshme.
      “Hajde këtu xhigiti im. I ke hallall edhe 2.000 të tjera por hajde nesër në darkë tek shtëpia ime të t’i jap. Dakort?” Nga mezi e poshtë ishte bërë i tëri baltë. Ja mora kazmën dhe e përkëdhela xhigitin shpatullave të lagura dhe të gërvishtura nëpër ferra, pastaj e shtërngova në gjoks. Jevgu u kollit.
       “Shko dhe bëj një çaj të ngrohtë.” Ai s’foli dhe u largua me vrap.
       Me kazmën në dorë hyra në lagjen “Liria”. Eca përgjatë lagjes pa patur ndonjë ide se çfar mund të bëja me të. Po mendoja se ajo kazmë është mjeti që ka thyer derën e dyqanit dhe se hajduti, pasi ka kryer punë, e ka flakur atë sepse s’mund ta mbante dot me vete kur kishte tërë atë mall të vjedhur.
 E kujt të jetë vallë kjo kazmë? Mendova të pyes. Trokita në një derë të cilën e hapi një jevgë plakë.
       “Nëne, a e di ti se e kujt është kjo kazma? E gjeta ja aty në rrugë…Mbase e kanë humbur.”
       “Nuk di gja nana o bir po ja të pys nusen. Prit o çun.”
Në derë u dha nusja e cila më pa me njëfarë përçmimi pasi isha i lagur dhe me baltë nga xhigiti që gjeti kazmën.
       “Pyet Rukijen, komshijen tonë në derën tjetër nga e majta se ajo di gjithëçka në këtë lagje”, tha ftohtë gruaja e re.
       Trokita tek dera e Rukijes. Në derë u dha një mesogrua topolake dhe llafazane.
       “Urnoni zotëri! ç’ju ka mundu me ardh në kët sahat? Doni nonjë fall? Doni me dit jetën tuj? Mos je burrë brinoç? Apo ju mundojnë shefat a?”
       “Zonjë e nderuar, desha të di se e kujt është kjo kazmë që e gjeta aty në rrugë? Mbase ju duhet atyre që e kanë humbur…”
       “Afronu pak. Uau! Po kët kazmë e njofim të gjithë, është e Rizait! E njeh ti Rizanë?”
       “Jo nuk e njoh”, gënjeva.
       “Riza kolerën qi s’le dy gurë tokë. Na i thomi Riza Lopata pse ai mban me vet nji lopatë të shkurtën me bisht hekuni, ja si kjo kazma. Rëmon me të. Rëmon thnellë…”
       “Çfar rëmon?”
       “Mutin e Baloshit. Hahahaaaaaaaa…”
       “Po ku e ka shtëpinë ky Riza Lopata?” bëra sikur se dija.
       “Ja, atje tej. Atë shpin e madhe qi ndriçon si me qënë hafsie.”
       “Faleminderit zonjë e nderuar.”
       “Me nder kjofsh. Po hajde gaxho kur të mbaroç punë të shtie nji fall e të tregoj ene zorrët e barkut tat…”
       Nuk ju përgjigja por eca drejt shtëpisë së Rizait, të cilin e njihja. Trokita në derë. Doli gruaja e tij, e pyeta nëse ishte kazma e tyre dhe ajo më tha, “po” dhe e mori duke më falenderuar. Ika në shtëpi.
       Mezi prita të nesërmen. Sapo fillova punën dërgova një polic për ta thirrur Rizain për një “bisedë pune“. E bëra këtë në kundërshtim me rregulloren e hetimit. Kazma nuk ishte një provë por isha i bindur që Rizai ishte vjedhësi pasi ai ishte i dyshuar në disa vjedhje në qytet. Në fund të fundit, kisha bindjen e plotë, Rizai ishte një hajdut. E njihja mirë sepse e kisha patur dikur informator. Por, nga që e njihja, e prisnja me frikë erdhjen e tij. E para frikë ishte se ai mbase nuk do të vinte dhe e dyta, nëse vinte, mund të bënte një kallëzim penal kundër meje…Njerëzit i kishte zgjuar e djallëzuar demokracia, s‘mund të bënim me ta ç‘far të donim siç bënim më parë, në kohën e komunizmit. Ndjeja një boshllëk dhe mërziti. Prita tërë ankth. Megjithë këtë ndjenjë, nga mëndja dhe shpirti im akoma bluhej çështja “Rina”, dhe fantazma e saj e shfaqur atë natë në zyrën time, nuk më largohej nga tërë qënia. Desha me çdo kusht të purfundonte sa më parë çështja e vjedhjes së dyqanit që më pas të përfundoja atë kryesoren, arrestimin e Ded Rrokut. Kjo ishte dhe arsyeja që unë shkela shumë rregulla për ta përfunduar...
       Rizai erdhi. Dukej i qetë dhe s’të linte aspak të dyshoje. Mjeshtër kalibri mashtrimi. I thashë policit të dilte jashtë.
       “Xake! Isha dje tek shtëpia jote, besoj se të thanë…”
       “Jo, s’më thanë gja!”
       “Xake, të kam mik, ti e di këtë. Të hymë drejt e në temë. Shko në shtëpi, merr gjithëçka ke vjedhur tek dyqani buzë Drinit dhe mi sill mua këtu!”
       “Shef!…”
       “Mos fol dhe mos më thuaj asgjë. Je në besën time. Mjafton të më sjellësh mallin e vjedhur dhe gjithëçka do të mbyllet. Përndryshe…Ky është favor që unë të bëj për shërbimet që më ke bërë. Shko tani dhe mos u mendo hiç. Silli tëra ato gjëra që ke vjedhur dhe kaq. Ti do të jesh i lirë. Dua të më premtosh që të mos vjedhësh më. Ik tani!”
       “Shef…”
       “Nisu! Kur të kthehesh do bisedojmë..Hajt, nisu!”
       Po mendoja po sikur të mos jetë Rizai hajduti? Do vihem para përgjegjësisë dhe ndoshta mund të më lirojnë pasi më kanë marrë me sy të keq. Le të më lirojnë, nuk do të vdes. Do shkoj në vendin tim e do rroj si do rroj. Më vjen keq vetëm për çështjen “Rina” që s’do përfundojë kurrë dhe vrasësi do kapardiset nëpër kafene duke treguar barsaleta, ndoshta edhe për mua.
Pse mos këkoj ndihmën e vet fantazmës Rina?! Mendova një çast.
       Riza Lopata u kthye në brëmje dhe më lajmëruan kur isha në shtëpi të paraqitesha tek hetusia. Kur mbrita pashë Rizain me makinën e tij BMW që më priste jashtë oborrit të ndërtesës së hetuesisë.
       “Shef, ajo ‘plaçka’ është gati. Vetëm ca para i kam prishur dhe s'kam...”
       “Bravo! Do ta futim "plaçkën" në zyrën time. Hajde më ndihmo.”
       “Jo, jo. S’kam kohë. Po e le këtu dhe fute ti me shokët e tu.”
       “Si ajo lopa e mirë e mbushe kovën plotë me qumësht dhe tani kërkon ta derdhësh me shqelmë! Hajde dy minuta ta futim bashkë. Nuk dua të përzihet askush në këtë mesele.”
       Filluam të dy ti futim thasët në zyrë. Kur mbaruam i dhashë urdhër policit roje që ta arrestonte Riza Lopatën. S’kisha se ç’far të bëja ndryshe! I ka zanati këto ligësi. Ju luta Zotit të më falte për besëshkeljen dhe paburrërinë.
       Të nesërmen që në mëngjez i raportova në zyrën e tij shefit tim, Lek Gjon Lekës se hajduti i dyqanit u kap. Ai ngeli i çuditur për shpejtësinë dhe qetësinë me të cilën e kisha kryer.
       “S’pate nevojë aspak për ndihmën tonë?” Më pyeti tepër i habitur.
       “Ndihma juaj shef, më duhet për çështjen ‘Rina’. E lexove dosjen? Kërkoj arrestimin e Ded Rrokut, kryetarit të gjykatës së qarkut. Për mua ai është vrasësi i Rinës.” Lek Gjon Leka krojti kokën dhe më foli nëpër dhëmbë.
       “I dashur Pirro. Bëj durim. Kam raportuar tek prokurori i qarkut dhe tek drejtori i rendit, ky i fundit, ka raportuar lartë në qeveri dhe ata presin udhëzime. Kaq ishte puna jonë. S'kemi pse të shqetsohemi. Ka rregulla të tjera arrestimi i 'Pezzo Grosso-ëve'.
       “Jo!" më doli pa dashje si pasthirrmë.
       "Për ta arrestuar është në kopetencën prokurorisë! Përse duhet urdhëri?!” i thashë jo pak i nxehur. Nuk e përmbajta dot veten. Isha në kulmin e nervave. Përplasa derën dhe ika në zyrën time. Pas pak më vjen shefi në zyrë dhe qëndroi një copë herë pa folur përballë meje. As unë nuk i fola. Më dukej i rënë; dukej si një qen i rrahur, si një fajtor, si një legen burrë dhe jo si shef hetuesie!
       “Përse duhet të raportonin lartë xhanëm për arrestimin?! Këtë se kuptoj!”
       “Pirro i mirë. Pirro i Epirit. Të kam zili për guxmin, pamvarsinë dhe për zotësinë në punë. S’ta kam bërë kurrë qefin por ja erdhi dita ta them me plotë gojën se je po aq i madh sa Pirrua i lashtë me të cilin ne mburremi.”
       E mbylli derën me kujdes dhe e kontrolloi dhe një herë nëse e kishte mbyllur mirë.
       “Pirro i dashur. Nuk je vetëm ti në hall por jam dhe unë, në mos më keq se ty.”
       Mori një karrike dhe u ul përballë meje.
       “Si nuk u bëmë tamam shtet, njëherë të paktën! Tërë jetën indvividë apo grupe klanesh kanë drejtuar këtë vënd të mallkuar. Ata që ngjiten përpjetë nëpërmjet shpatullave tona duan që të mos zbresin kurrë tatëpjetë. Do të mbahen atje me thonjë e dhëmbë, qoftë edhe sikur shpinat tona të shëmben krejt! Ata do të kacaviren si lakuriqë nate nëpër tavanin e Kupolës dhe me antenat e tyre ruajnë edhe minjtë e haleve sepse ju duhen për ushqim. Pa kopenë e minjve s‘rrojnë dot… Për këtë lloj njeriu të Kupolës, të cilit i përkulemi me nderim dhe nganjëherë e shënjtërojmë, ne përherë arsyetojmë gabim. Duke menduar se ajzbergët nuk krijohen në llucë, lumë apo moçale, ato krijohen vetëm në oqeane dhe dete, atje ku ujë pastrohet dhe derdhet pa kursim nga lumenj detesh dhe ata rriten në atë bollëk dhe në atë pasteri që të jep deti apo oqeani! Po kështu, me kaq naivitet, do të thosha se mendojmë edhe për rritjen e Njeriut të Madherishëm, ku lumenjtë e detit jemi ne vegjëlia që e rrisim me bukën tonë, Gjigandin Njerëzor, për të zezën tonë! Ky lloj 'Ajzbergu' nuk mban brënda tij atë ujin e krstalizuar ajzbergiane por mban urrejtjen, kanibalizmin dhe dhunën e pamëshirëshme të 'peshkaqenëve' të tij shpirtëror.
       Ky lloj njeriu për të arritur Majën jo rrallë i duhet që të durojë kur e shajnë, e mallkojnë dhe e përdorin duke u kthyer në një gomar i bindur dhe në një qen besnik tek ata më të fortët derisa ti verë poshtë edhe ata. Ai nuk e ka për gjë të zhgrryhet në llucën e pistë apo të bëhet urë ku të kalojnë ata që mund ti japin fuqi. Pastaj, pastaj, pasi merr fuqinë tonë..., ai na shkatërron nëse veprojmë ndryshe nga ç'far do ai.”
       Nuk po e kuptoja shumë mirë por nuk fola. Desha që ai ta mbaronte mendimin por ai ndrroi temë.
       “S’të pyeta sesi munde ta zbulosh vrasësin e Rinës? Ishin marrë tërë masat që ajo vrasje të mos zbulohej kurrë! Si vallë munde? Ma trego pak të lutem?”
I tregova takimin me fantazmën e Rinës. Nuk u çudit dhe as nuk reagoi.
       “Kur i thashë drejtorit të rendit për mundësinë e arrestimit të Dedës, ai ma preu shkurt se arrestimi nuk do të bëhet pa marrë pëlqimin e Ministrit të Rendit! Kur e pyeta pse, më tha se Deda është baxhanak i ministrit. Ky miratim akoma nuk po vjen dhe kam frikë se nuk do të vijë kurrë.”
        “Po sikur ta arrestojmë pa i marrë lejë atij? Ne e kemi këtë të drejtë. Marrja e lejës nga minstri për arrestimin është e pa drejtë...”
        “Ne s’mund ta bëjmë këtë gjë sepse na duhet policia dhe ajo nuk e bën pasi policia nuk vepron me urdhërin tonë por me urdhrin e shefit të policisë ose të drejtorit të rendit. Ti e di këtë gjë.”
       E pashë se Lek Gjok Leka ishte në hall vërtetë. Hetusia dhe policia janë të ndara dhe veprojnë vetëm në bazë të një marveshje të përbashkët. Ne s’kishim forca për ta bërë këtë gjë. Më lindi në kokë një ide. Do kërkoj të bëhet arrestimi në fshehtësi gjatë shërbimit tim duke e kordinuar me një shokun tim të besës në polici.
       Rrasti erdhi dhe unë, në bazë të provave të mjaftueshme i kërkova mikut që ishte edhe ai me shërbim në polici, në detyrën e shefit operativ, arrestimin e Ded Rrokut. Miku e pranoi me kënaqësi dhe nisi menjëherë dy policë për ta arrestuar. Policëve ju dha urdhëri të mbanin lidhje edhe me mua gjatë tërë kohës.
       “Valbona një, Valbona një, si më dëgjon?” ishte zëri i njërit prej policëve të detyrës për arrestimin e kryetarit.
       “Ju dëgjoj shumë mirë Skifteri”, ju përgjigja.
       “Valbona një, jemi në spital. Zogu i natës ka thyer këmbën gjatë tentativës për fluturim. Si të veprojmë?”
       “Më prisni mua atje. Po vij.”
       Shkova në spital. Ded Rroku gjatë tentativës për ikje nga shtëpia, kishte kërcyer nga ballkoni i katit të dytë dhe kishte thyer këmbën. Ishte në dhimbje të tmerrëshme. Ja dhe kjo, mendova, është një provë e qartë e fajësisë së tij. S’munda dot ta pyesja pasi po lebetitëte nga dhimbjet. U lashë detyrë dy policëve ta ruanin dhe ika. Mora në telefon shefin e policisë operative dhe i raportova për ngjarjen të cilën edhe ai e kishte ndjekur. Ai më ftoi për kafe.
       “Pirro, më vjen keq për ty. Nuk çajmë dot. Sapo më mori në telefon drejtori dhe më dha urdhër të ndërpres veprimet ndaj Ded Rrokut! Ishte shumë i nxehur por unë as dua të di nga kjo sepse e di, unë jam në rregull dhe ai është gabim por…Problemi është se kush do të fitojë; Drejtësia apo Padrejtësia?! Kjo nuk dihet. Zakonisht fiton Padrejtësia dhe a e di pse? Sepse, sipas eksperiencës sime, Drejtësia është njerzore dhe epet, tolerohet, ajo arsyeton, ndjen, fal dhe hap rrugë…ndërsa Padrejtësia çalon nga çdo gjë njerzore. Kurrë, kurrën e kurrës ajo s‘ hap rrugë.”
       “Më vjen keq që të futa dhe ty në këtë valle shtriganësh. Fundja, zbatoje urdhërin dhe tërhiqi policët. Unë do shkoj vetë ta ruaj Ded Rrokun në spital.”
       “Jo! Le të fitojmë të dy ose le të humbasim të dy. S’të le vetëm.”
       Ndërsa ne bisedonim, në zyrën e shefit operativ hyri drejtori si erë e marrë dhe ju drejtua shokut tim në detyrë.
       “Si mund të bësh ti një arrestim pa më vënë mua në dijeni?! Ore po ti paske qënë axhami! Nga ky hetues i merr ti urdhërat ti?” dhe tregoi me gisht e me përçmim nga unë.
       “Zoti drejtor! Mbaje gojën e mos më fyej sepse jam në krye të detyrës dhe ti shporru jashtë! Jashtë! Sot jam unë drejtor. Shporru!”
       U nxeh miku im. I dha një të shtyrë duke e nxjerrë jashtë dhe ja mbylli derën. Nuk e dija kaq trim. U ndjeva krenar per mikun.
       “Nxirri ato cigaret ta ndezim.”
       Ai se pinte duhanin dhe po kërkonte cigare. Shënjë kjo jo e mirë. Nuk i thonë kot se, para shefit dhe pas mushkës mos dil, sado trim që të jesh!
 Ja zgjata paqetën dhe ai me duart që i dridheshin e mori një cigare dhe e vuri në buzë por nga nervat nuk po e ndizte dot. Ja ndeza unë.
        U hap dera dhe në prag u dha përsëri drejtori.
       “Zoti M. dua të bisedojmë shtruar. Le të jetë dhe zoti Pirro, s’kemi sekrete.”
Zëri i tij dukej i shtruar dhe i zbutur.
       “Ne vërtetë jemi në detyrë por në radhë të parë jemi njerëz dhe veprojmë në bazë të normave dhe moralit njerzor. Ne s’mund të bëjmë skandale dhe të rrezikojmë pushtetin…, përkundrazi detyra jonë është ta mbrojmë pushtetin cilido qoftë ai pushtet.”
        “Më falni zoti Baki Kurvafa që po ndërhyj, - i thashë - Ju jeni totalisht gabim edhe në ato që thoni. Ne s’po krijojmë skandale kundër pushtet por po dënojmë skandale në pushtet. Kryegjyqtari, i pandehuri Ded Rroku ka vrarë një vajzë të pafajshme të cilën më parë e ka përdhunuar dhe akoma është i lirë të përdhunojë apo vrasë ndonjë tjetër, ndoshta edhe ndonjë nga të mijat apo të tuat... Provat janë të padiskutueshme sepse janë tepër të sakta. Mos arrestimi i tij është skandal dhe kushdo që do ta pengojë arrestimin do përballet me ligjin. Hetuesia në bashkëpunim me prokurorinë kërkojnë nga ju ndihmën për arrestimin e tij… Doni ju zoti drejtor ta arrestoni fajtorin apo jo? Kjo është çështja.”
        “Sigurisht që dua por…më parë dua përgjigjen nga lart ku kam raportuar.”
        “Me ç’ të drejtë keni raportuar lart? ndërhyri M., miku im. Apo nga që e dini se Deda është baxhanak i Ministrit të Rendit Publik? E drejta juaj është zbatimi i vendimit të prokurorisë së rrethit për arrestimin e tij. Kopetenca juaj është ta arrestoni dhe jo ta raportoni. Ky është skandali zoti drejtor. Fjala e fundit, doni apo nuk doni të firmosni fletarrestin e të dyshuarit Ded Rroku?”
        “Le të bisedojmë nesër kur të jemi në punë dhe të kemi mundësinë e vulës pasi sot nuk mund ta thërresim sekretaren…”
       Ai doli nga zyra e shërbimit.
       “Si thua, e pyeta mikun, do ta lëshojë urdhër arrestin apo jo?”
       “Nuk i zë besë. Do ta zvarritë ashtu siç edhe foli këtu…”
Të nesërmen M. më mori në telefon.
       “Pirro, Bakiu më tha se do të vendosim për arrestimin kur Ded Rroku të dalë nga spitali. Të thashë? E njoh këtë burrë kurvë, ashtu sic edhe ka mbiemrin.”
       U luta me ditë të tëra të më dilte në takim fantazma dhe më në fund, një natë von ajo erdhi përsëri në zyrën time.
       “Pirro, më vjen keq. E shoh se është shumë e vështirë të zbatohet ligji tek ju dhe…, fatkeqësisht kështu ka për të qënë edhe për një kohë të gjatë. Mos u mërzit. Njerëzit e drejtë duhet të paguajnë për padrejtësitë e të padrejtëve. A nuk pagoi Jezusi për tërë të liqtë e botës?! Për t’ju shpëtuar juve nga kjo situatë, që të mos e paguani edhe juve në vënd të Ded Rrokut, siç ndodh rëndom, le të shpresojmë që ai të vrasë veten.”
       Dëgjova fëshfërimën e largimit të saj.
       “Rina! Rina! Rina!“ bërtita por s’ mora asnjë përgjigje përveç jehonës së zërit tim.
 

1 Kommentar: