F A Q E T
▼
Samstag, 14. März 2015
Agim Gjakova - Poezi të viteve të 50-ta
AUTOPORTRET
Ka ngja që malin ta rrahë breshni
E të mos duket,
Të jetë i mbuluem me hije
E të bajë ngrohtë,
Të fishkllojë erë e lagshtë
E të mos lëvizin gjethet,
Të bredhin egërsinat
E të këndojnë zogjtë,
Të shkundet nga furtuna
E të ketë paqë,
Të godasin gjithfarë “zotash”
E të qëndrojë si mali.
Prishtinë, 1959
DUHINË JA VODHE SHQIPONJËS NË FLUTURIM
Duhinë ja vodhe shqiponjës në fluturim,
Synin sqifterit,
Hapin kaprollit të Bjeshkëve në vrapim,
Ballin reve të mbledhuna përmbi mal,
Shpatullat pllajave të thikta pranverore
Dhe trupin ahut të shpatijeve;
Të thellë e pate dhimbjen, si Drini i mbledhun në grykë,
Të hapun zemrën, si fusha jote e rrafshtë,
Qëndrimin e forcën t’ariut të tmerrshëm në pyll,
Rrëmbimin e Ibrit, zemërimin e ortekut,
Durimin e thëllimit në ashtë;
Ndajnatëherë i vrazhdë edhe me nënëloken
Kur mbroje fijet që të lidhnin fort me tokën.
NATA NË QYTET
Nata ka ra në qytet
Dhe heshtja mbretnon gjithkund,
Vetëm n’anën e kazermave pa fund
Gërrop, gërrop këpucët me gozhdë bajnë në rrugë,
Asht roja që burgun ruen
E ndrrimin pret.
Në shtëpi zemra e nanës dridhet
Si toka prej këpucëve të randa me gozhdë
Që shkelin pa bërtimë dhimbje
Zemrën e tokës dhe zemrën e nanës
Matanë ku telat rrethojnë
Kanga vërshëllehet ngadalë
Si në thellësitë e varrit,
Matanë dera e burgut hapet
Bajonetat kalojnë,
Në terrin e natës dy hije rreshtojnë
Vallë ku shkojnë?!
Nën qiellin me re,
Nën qiellin pa hanë
Nën qiellin e nximë,
Dy fytyra të mundueme
Ku i çojnë?!
Ta dinte lumi do të ndalesh
Te pellgu i tmerrshëm zallesh
Te pellgu që po stërpikesh me gjak
E syni s’u bani tak!
Tue këndue në hapsinë
Dy krisma të thata u ndinë,
Dy flakë u dukën,
Dy trupa ranë,
Dy zane të thellë nga mundjet
U shuen me kangë.
Larg këceu vajza, i ndjeu, qau me lot,
Shkuli flokët, shqeu rrobat, por kot,
E në dhimbë u mendue e tha:
Me lot s’lahet gjak
Na do të marrim hak!
U ter nana n’kambë si thupra e thatë,
S’tha asnjë fjalë,
Po zemra i deshi, zemra e ngratë
Të kishte edhe nji djalë
Në luftë për me dalë.
Nata ka ra në qytet
Dhe heshtja mbretnon gjithkund,
Vetëm n’anën e kazermave pa fund
Gërrop, gërrop këpucët me gozhdë bajnë në rrugë,
Asht roja që burgun ruen
E ndrrimin pret.
TOKA JOTE –
PLAGË E MALLKUEME E POLITIKËS EVROPIANE
Toka jote,
Plagë e mallkueme e politikës evropiane
Për dheun tonë në këtë kontinent dallaveraxhi,
- Veja mendjen asaj të zeze plagë, o bir!
Toka jote
E gjanë jo me meridianë e paralele,
Por me ngrohtësinë e zemrës,
Meridianët i sjellë nji nga nji
Në boshtin e mendjes.
Toka jote
Pjellore se ka vlue gjaku,
Mullenjat kanë fluturue nëpër fushë
E kanë mëni të zezën, tradhtinë, të huejën, o bir!
Toka jote,
Nderbamë për miq e anmiq, të gjithë,
Kur fijonte bora përmbi kunorën e fushës,
Mokna të priste n’acar me nji palë duqë drith,
Murgjani s’hingllonte ma
Veç në kangët e tua
Netëve me histori të rralla.
Toka jote,
Jo mozaik perëndish, por njerëzish të gjallë.
MEDITACION I RINISË KOSOVARE
(Për festën e Nandorit)
Shko, o babë, në festë, shko,
Se mjaft e zbraze tanden,
Kambët të janë lodhë, trupi plakë e rrudhë,
Veshi të ka lanë, syni s’të kap për luftë,
Por zemra, ah, të hjek për shteg tingëllimi...
Shko, o babë, në festë, shko,
Ma len mue ta mbaj atë nur luftimi.
Hajt, o gjysh, ec ma shpejt në dasmën shqiptare,
Ma ven pak qeleshen mbi sy,
Se mbi te gjylja të rrëshqiti,
Ta nxiu tymi, flaka ta zharriti,
Ta shpoi plumbi, armiqtë i trembi, i theu,
Dhe u ba flamur i pasun i këtij dheu.
Shko dhe ti, oj nana ime, shko,
Në kokë ma ven shaminë e bardhë të dritës
Dhe buzëqeshju në mëngjes atyne maleve,
Se unë të përcjell me synin mprehë ndaj pritës,
Shpalos flamurin tim të mbështjellë në gji,
Që në majë valon kuq e zi për liri.
MONUMENTUM
Viti...? Cili të doni.
Këto janë gjithë vitet e mia.
Hapni zemrën time, o burra,
Prejeni me thikë dhe thajeni nga gjaku,
E kur të mbetet e zbrazun
Dhe gjaku të ketë vlue si gurra,
Soditni mbishkrimet e vjetra sa plaku,
Të ndeme në të kuqtë e saj:
“Ja sot, ja kurr duhet qëndrim!”
Hapni zemrën time, o burra,
Kulloni gjakun e shpejt valëvitës ndër dej
Dhe po të mbetet një pikë ujë,
Kalleni atë gjak, kalleni atë gjak, ej!
Digjeni si qymyrin nëpër furra!
Hapni zemrën time, o burra,
Rrëmbeni shkëndinë e fundit shkatrruese
Dhe hidheni fort e me vringëllimë,
E po të jetë shue nga coptimi,
Të ketë mbetë shterrë nga shkënditë,
Përplaseni atë me fuqi dërmuese
Do të shihni sa do të shkreptijë!
DY MIQTË
A ndjeve? Thonë turku ka ardhë
N’Beligrad asht shtrue n’qylym plot hijeshi
Me pretsednikun gju më gju ban fjalë
Gospogjet thonë: Oh, për mrekulli!
Ca fustane “Dior” do të presim na tani.
Dhe pretsedniku bisedon me pretsednikun:
- Me mija kosovarë a don t’i shes,
Se gjak po më duken këta të liq me i pa,
Po deshe të jap dhe pare, të jap nji thes,
Se na me paktin miq tash jemi ba.
- Oho! Për pare ar dhe të shtrenjtën “miqësi”,
Nji xhetëlmenski sporazum lidhim na tani,
Sa të duesh, me qinda mija kosovarë
Si turq dërgoji qysh nesër në Turqi.
E trashëm miqësin‘ e kralit, efendi,
Të dy kemi nji bos - paktin, Amerikën,
Ti dorën mue shpejt këtu me ma shtri.
-Amin! – të dy thirrën e me gaz bërtitën.
Kështu pretsedniku bisedon me pretsednikun
Gospogjet thonë: Sporazumi u mbrri
Oh, ca fustane “Dior” po i presim na tani!
Dhe popullit
Dajakun me ja vu, shpejt m’e zhbi,
Se kohët ndrruen për t’mbarë për mirësi,
Çdo kosovar me dalë tash në Turqi,
Atë që s’del të gjallë kam me e përbi.
RRUGICA E MSHEFUN
Letër për Turqi
Natën në qoshkun e rrugës, nën çati
Rrinim bashkë, Liri,
Edhe kur kish yj edhe kur kish hanë,
Zemra rrihte fort se të kisha pranë.
Por sot natën, nën çati, qoshku i rrugës asht i zbrazun,
Askush s’ka mbetë se ike ti,
Vetëm yjt më shikojnë në vetmi.
Por sonte qoshku i rrugës asht zbrazun
Se larg të çuen ty
E hana aty m’kundron pa zili.
1957
REFLEKTIM MENDIMESH
Lodhë, përgjumshëm, rraskapitun,
Me ballë hapun kur përpara iu dola,
Më ranë krahëve: “Ej, çfarë djali!”
Po jo nga gëzimi, as nga malli,
Po nga e liga aq të neveritun:
Buzëqesha, asgja nuk fola.
Ma vonë tue u endë më thanë:
“Mendo ma shumë për pare,
Do të jesh ma shumë i qetë!”
Atë natë mendova shumë
E paret i humba krejt.
“Asht e lëkurë të janë ba duert!”
M’i lëshuen këto fjalë përmbrapa,
Tue qeshë u ktheva, i kqyra
E kambët m’u dridhën si stapa.
Ma andej, nji plak i thyem
M’u gjegj lodhë nga vapa:
“Hajt biro, se këta janë të këcyem
E ata luftojnë për të thata !”
“Ç’iu desht me hy nëpër lakna !”
Pëshpëritën mandej ndër vedi
Dhe për të ditshëm, t’urtë u shitën
Nga unë që s’isha i kuptimit.
“Hajvan asht!” bërtitën
E m’erdhi me plasë prej idhnimit;
Së mbrami kush të shtyni a të shtini
Me t’i përvjelë mangët e këmishës
Natë pa natë, ditë pa ditë,
Çka fitove? Apo vetëm humbe!
“I marrë!” më thirrën.
Kur i kujtova
Lot m’u mbushën sytë.
E kahdo kështu pa fjalë mbeta,
Sa e idhtë që m’erdhi koha!
Po vështirë e paska jeta!
LISAT E OBORRIT TË SHKOLLËS
Lisat e oborrit të shkollës
janë përkulur në mendim
përroi këndon përmallshëm
çapkënllëkun tim
Çabrati kolovitet i lirë
vegimet flenë mu në breg
ku e kam vashën nëpër mjegull
apo ka zbritur në atë shteg
duart e kryqëzuara në gjoks
po më mbytin në det me trishtim.
PLOTË ME TMERR PLOTË ME TMERR
Plotë me tmerr plotë me tmerr
është zverdhur fytyra e këtij shekulli
jam kërrusur nën peshën e ajrit
me dëshirë që këndell vetëm vetminë
sa herë këpus lidhjet e frikshme me vdekjen
më fshehin nëpër korridore të pista
mbi det kam ndezur një qiri
t'u tregoj anijeve portin e furtunës
nuk po gjej tokë të ndriçueme
as det të errët.
Boegrad, 1956
ESHTRA TË PAVARROSUR
Pritja e gjatë ma breu mishin, trurin...
nervat e shkokëluara
humbën në thatënajën e zhbirueme
përfund detit
ma pinë të verbuemit e famës
thesarin e lëngshëm të syve
të fshehtat e fundit të detit
m’i shkapërderdhen në pluhur të verdhë ndotës
të pështjellimit politik
kur të vdes kam me tregue vetë
se ku të m'i varrosni eshtrat
në gurina të rrepta.
Gjakovë, 1956
PO E PRANOJ ZEMËRGJERË KËTË POSHTËRSI
Po e pranoj zemërgjerë
këtë poshtërsi
ofertë kur rëndohet përgjumshëm historia
fytyrëthatë gishtangrimë damarëmavi
më bërtasin politikanët
më qortojnë pehlivanët
më burgosin sharlatanët
më mavijojnë hajvanët
nuk kërkoj kompromis me detin.
Beograd, 1957
_____________
Përgatiti për "Ora shqiptare": Sylejman Aliu, shkrimtare
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen