F A Q E T

Montag, 9. März 2015

Dibran Fylli

Dibran Fylli ka ardhur në jetë më 29.09.1956, në Açarevë të Skënderajt. Ka mbaruar Akademinë për Teatër, Radio, Film dhe Televizion (AGRFT), në Lubjanë, drejtimi Regji. Ishte anëtar i Shoqatës “Migjeni” dhe Revistës “Alternativa” në Lubjanë. 
Dibrani ka qenë pjesëtar i radhëve të para të UÇK-së dhe udhëheqës i Njësitit të parë “Shkoza2” në Açarevë. Pjesëmarrës i shumë betejave dhe i plagosur në betejën e Llapushnikut më 8 maj 1998.Themelues i Trupës Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” të UÇK-së. Ideator, skenarist e organizator i Manifestimit Përkujtimor “Ditët e Përndritjës” tash “Epopeja e UÇK-së” (5, 6 dhe 7 mars - e njohur si “NATA e ZJARREVE). Shef i TAU “Hamëz Jashari” të UÇK-së dhe TMK-së (1998-2002). Ideator, skenarist e regjisor i Festivalit Folklorik „I këndojmë lirisë“- kushtuar figurës madhore të UÇK-së Mujë Krasniqi-KAPUÇI (Klinë 6, 7 dhe 8 Qershor). Autor dhe skenarist i programit artistik “Ai është i gjallë” pjesa -I- dhe -II-. Po ashtu, autor i shumë skenarëve dhe organizator i dhjetëra Akademive Përkujtimore e Solemne.
Duhet cekur se Dibran Fylli ka qenë i arrestuar nga gjykata e UNMIK-ut dhe i privuar nga liria për 4 vjet-1365 ditë,( i liruar i pafajshëm.) 
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” në Klinë.

Vepra të  botuara:

  1. Përmbledhje poezish “Të fala nga Stambolli” Tiranë 1998
  2. Argumente “Drenica dikur dhe sot” Tiranë 1998
  3. Përmbledhje poezish “Ai është i gjallë” Rilindja Prishtinë 2000
  4. “edhe kjo është pjesë e jetës” roman “KSH “Vorea Ujko” Klinë 2006
  5. “Ditari i Tafrruk Tafrrukuci  të Tafrrukajve” komedi-humor, KSH “Vorea Ujko” Klinë 2006
  6. “Sharkia e Drenicës” këngë për luftën dhe Dëshmorëve të UÇK-së Klinë 2007
  7. “1365 ditët e jolirisë”, Përmbledhje poezish – LSHK (2012)
  8. “Prekazi brezni trimash” kronologji në 7 gjuhë - LSHK (2013)
  9. “edhe kjo është pjesë e jetës”, roman – ribotim LSHK (2013)
  10. “Sharkia e Drenicës” – ribotim LSHK (2014)
  11. Hasan Prishtina, stërnip i Avdullah Veliqit, monografi – PrishtinaPress (2013)
  12. “Tahir Meha-5 breza pushkë lirie”, kronologji (shqip dhe anglisht) “Meshari” (2014)
  13. “Lulëkuqet  e lirisë”, antologji poetike– “Meshari” (2015)

Fotografi dhe xhirime ekskluzive gjatë luftës 1997/’99: 

  • Mbi 200 fotografi
  • Mbi 400 minuta xhirime filmike


Filma të realizuar
  • “Deri kur...?” - film artistik në dy pjesë i realizuar në vitin 1996
  • „Kalanica e Kadiut“ - komedi (1996)
  • “Qyteti i zi” - film i shkurtër (2014)

Role të realizuara:  
  • Filmi “Rrënjët” – Hazir Dema
  • Filmi “Deri kur?” – Demë Sinani
  • Komedi “Kalanica e Kadiut” – Tafrruk Tafrrukuci
  • Filmi“ Vdekja në sy të motrës”- Babai
  • Filmi “Azem Galica”- Bejtë Galicën
  • Filmi artistik i metrazhit  të gjatë “Azemi” – polici serb
  • Filmi i shkurtër “Qyteti i zi” – polici serb (pjesëmarrës në tri Festivale)
  • Filmi artistik “Balkan Scam” – plaku

Filma dokumentar dhe 2 monologje:

  1. „Gjaku i Kosovës“, dokumentar për luftën e UÇK-së dhe shërimin e të plagosurve (filmi është punuar gjatë luftës në TV Klan dhe është edituar ne TVSH 1998)
  2. Organizimi i shëndetësisë gjatë luftës“, dokumentar i promovuar ne Simpoziumin Ndërkombëtar (Prishtinë 29.09.1999)   
  3. Film dokumentar kushtuar jetës dhe veprës heroike të Dëshmorit Skënder Çeku (2000)
  4. Film dokumentar kushtuar heronjve Nebih e Tahir Meha (kooproduksion me RTK-2001)
  5. Dokumentar „Lindja dhe rrita e Bat. 40 të shëndetësisë të TMK-së“,(2001)
  6. Dokumentar „Thyerja e kufirit, ideal i bashkimit kombëtar“,kushtuar Betejës se Koshares  (2001)
  7. Dokumentar „Akademia e Mbrojtjes Tempull i dijës ushtarake” (22 prill 2002)
  8. Film dokumentar „Vepër, jo fjalë“ (2008)
  9. Film dokumentar kushtuar jetës dhe veprës heroike të Dëshmorit Muhedin Morina (2008)
  10. Film dokumentar „Fryma e lirisë zbutë dhembjen për liri“ kushtuar Dëshmorit Faruk Elezi (2008)
  11. Film dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Dëshmorit të Brigadës 112 Arben Haliti (2008)
  12. Film dokumentar „Jeta dhe lufta për liri“ kushtuar Dëshmorit Avni Zhabota (2008)
  13. Dokumentar „Korbi, pjesë e betejave të përgjakshme për shthurjen e Jugosllavisë“-Mirush Dakaj-(2008)
  14. Monolog kushtuar luftës çlirimtare të ZO të Pashtrikut (2008)
  15. Film dokumentar poetik „Krushqëzimi“ kushtuar 24 Dëshmorëve të Jezercit (2008)
  16. Film dokumentar informativ „Libri ne shtegtim“ për krijimtarinë e krijuesit Isak Guta (2008)
  17. Monolog “Amaneti i kullës së lashtë” (2009)
  18. Film dokumentar „Gjaku i lirisë“ kushtuar jetës dhe veprës heroike të Dëshmorit Fehmi Rama, (2009)
  19. Film dokumentar “Krisma e Këngë”, për Dëshmorin Milaim Krasniqi (2010)
  20. Dokumentar “FASHIKO” (2011) (për sportin e karatesë në Kosovë)
  21. Emision ekskluziv dokumentar në 12 vazhdime “LUFTË PËR JETËN”, i edituar në RTK gjate sezonit (2010-2011)
  22. Dokumentar “MBIJETESA” (2012) - pjesëmarrës në “Javën e filmit” në Nju Jork
  23. Dokumentar “KRIMI” (2012) - pjesëmarrës në “Javën e filmit” në Nju Jork
  24. Dokumentar “AI JETON NE SHPIRTIN E POPULLIT” kushtuar Hasan Prishtines (2013)


Poezi nga Dibran Fylli

NË SHESHIN E LIRISË

... dje tinguj kitare e krisma armësh
sot ligjërues i përjetshëm
kuqezi
në palë të flamurit ...

... në beteja
tinguj zjarri dëgjohen
telave të mprehtësisë së mendjes
udhëtim i pafund
qëndrojnë të pafjetur mendimeve
kotjen e hoqën nga sytë...

... prushin e këngës së pavdekshme
e ruajtën në bërthamën e shpirtit
Ata nuk të prekë vaji i nënave
as rënkimi i etërve
madhërisht
rininë e tyre e mbyllen në shtigjet e lirisë ...

(Kjo poezi është shpërblyer me Çmimin letrar “Metafora 1” për poezinë e lauruar, në Festivalin ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik 2012)



NDERIM PARA LEGJENDËS

zgjuar je Komandant
dëgjon çdo gjë që flitet mbi tokë
prijatar betejash
kërkimtar lirie
armik për armiqtë

idol
ikonë e i gjallë pavdekësie
simbol në kulla burrash
ligjërues i përjetësisë
shembull për njerëzimin

pse u bëre aq joshës për armiq?
sa pamje të bukur kishe
me pushkë kraharorit hero
me mjekër diellore kastriotësh
shami t’kuqe rreth kokës
kalorës i një mijë baladave

qielli
mendja
yjet
dielli
nderojnë madhërishëm
e shumëçka për botën
lidhet me ty o vëlla ...

(Kjo poezi është shpërblyer me Çmimin “Shën Jeronimi Ilir”-Vendi i parë, në Takimet e “Dom Mikelit 2012” , në Stubëll)



NJË SHESH, NJË PËRMENDORE
              (Zahir Pajazitit)

Aty
me buzagaz burrëror
përherë me pamje djaloshare
qëndron vertikalisht
Aty
nën hijen e armës sate
pushojmë
gjejmë lirinë
Aty
kënga s’pushon
fëmijët të nderojnë
rreshtim e parade ushtarake
Aty
përherë të gjejmë zgjuar
me ballin diell
e gjoksin mal
Ti
largove vajin e nënave
rënkimin e etërve
lotin e morave
solle lirinë
Ti
deshe dhe u bëre shteg lirie
mbete me pamje djaloshare
buzëqeshjen ua ktheve fëmijëve

(Poezi e shpërblyer me Çmimin e parë, në Festivalin Nderkombetar te letersise i mbajtur ne Besiane, 22/8/2013, Ora e madhe letrare - "Çmimi i Diaspores")


ATY KU ISHE TI
(Nënë Terezës)

...aty ishte
një jetë e shpëtuar
një sëmundje e shëruar
aty loti e mrrolat e fytyrave
shndërroheshin në buzëqeshje

...të pastrehët
Ty të kishin strehë
të varfrit magje buke
e bonjakët Nënë...

Aty ku ishe Ti
s’kishte urrejtje
e doje paqen
mbete shembull për njerëzimin

Aty ku ishe Ti
ishte Zoti...
                                  
...është gabim
e pa qelluar
mund të jetë gënjeshtër
apo fjalë koti

kush e thot
se nuk mund takohem
të flas
ta përshendes
madje edhe ta ledhatoj
shpirtin e saj engjullor...



BEKIMI I GJERGJIT 

Shporru zijosh përtej stepave
gjuhën tënde s’e kupton
thembrën tënde s’e duron
Toka arbërore!
-foli Gjergji i Madh
dhe shpatën vringëlloi
përtej detit.
Gjergji erdhi më vonë
Nëntorin 1955
flamurin ia dhuroi Ademit
e bekoi mbi kaptell:
Ti do ta bësh Shqipërinë!
Ademi fluturoi me Shqipen
preku qiell e bjeshkë
shpatën ngriti flamur
Diellin Liri bëri,
Kosovën Ademjashariane
Shqipërinë Skënderbejane!

2014


EMRA LIRIE

Atëherë kur skuqej Drenica
e diellit ia vrisnin rrezet,
te Qyqevica këndonin pushkët.
Nga istikamet
vinin zëshqiponja:
unë jam Shotë
Qerime
Xhevë
me thërrasin Antigona e UÇK-së!
Jetën ia kam borxh atdheut
jam emër lirie
dashuruar në mëmëdheun,
kam edhe ca fishekë në arkën e nënëlokes
për ta ruajtur votrën.
Nga istikami tjetër
shkreptinte si vetëtima
pushka e trimit këndonte:
Ndal armik gjakatar!
Unë jam Azemi e Ademi
Drenica më quan Ilaz Kodra!
Jam emër lirie
kam fishekë e barut
për ta bërë Shqipërinë trime.

2014



I DASHURUAR

Kur m’i shihni lotët në sy
mos kujtoni se jam ligështuar.
Kur më shihni duke qeshur
mos mendoni se jam gëzuar.
Kur flas me vetveten
mos pandehni se jam çmendur.
Flas me të pavdekshmit,
i dashuruar në vdekjen e tyre...

2014


DY EMRA, NJË QËLLIM

...ik turkolosh nga trojet e mia
foli Gjergji
shpata i vringëlloj
në ndjekje
deri përtej detit
nuk ta dua gjuhën
as kulturën turkomene
e dua Shqipërinë e lirë...
...kaluan shekuj e vite
copë më copë e bënë Shqipërinë
Gjergji heshti
në Nëntorin e vitit 1955
flamurin ia dhuroi Ademit
e shikoj në bebëza syri
i foli mbi djepin e tij
ah po ç’fjalë të madhe i tha
ti do ta bësh Shqipërinë Shqipëri...
...lind e rritë e burrërua
në frymën Skënderbegiane
shpatën e bëri pushkë
gjithë ato vite kërkimtar lirie
vra e pre e mbush gjak
ai s’ndaloj së kërkuari udhën e lirisë
derisa e bëri Kosovën Ademjashariane
e Shqipërinë Shqipëri

2014

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen