F A Q E T

Samstag, 7. März 2015

Petraq Kolevica

Petraq Kolevica ka lindur në Korçë më 11.01.1934. Në qytetin e lindjes kreu shkollën fillore dhe të mesme. Mëpastaj në vitet 1952-57 kreu studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës. Ushtroi profesionin e arkitektit, ku u shqua si projektues ndërtesash qytetare dhe u vlerësua me "Urdhër Pune" dhe "Çmim Republike". Por me vone ndodhi me e keqja. Atij iu hoq e drejta e punës nga sistemi diktatorial për shkak të sjelljës së modernizimit ne arkitekturë.
Petraq Kolevica ka shkruar poezi qysh heret, por ato i ka ruajtur në sirtare dhe nuk i ka publikuar. Ky krijues poezitë e veta i boton vetem pas rënies së regjimit komunist. Ai i ka përmbledhur ato në librin e tij dyvellimësh me titull "Të korrat e vona". Poashtu,
Petraq Kolevica ka të botuar edhe librin tejet interesant me kujtime e rrëfime nga bisedat me Lasgush Poradecin me titull "Lasgushi ka thënë".

Poezi nga Petraq Kolevica

Autobiografi
 

Një engjëll dhe një djall i hodhën zaret
Për jetën time të shqetësuar.
Një engjëll dhe një djall po bëjnë’ llogaret
Ç’më mbeti ende për të paguar.

Një engjëll dhe një djall më ndoqën pas
Në të përpjetat e kësaj jete.
Një engjëll po qesh dhe një djall po plas
Që s’më pat bërë dot për vete.

Një engjëll dhe një djall po grinden sot
Se kush ma merr shpirtin plot dhima.
Një engjëll dhe një djall por grinden kot,
Se shpirti im u shkri në rima.



Shpirti

Fle, shpirti, fle... vullkan i shuar
Harruar nga të gjithë.
Dhe kur kujton se si pat vluar
I vjen si qen të klithë.

Vullkani hesht e llave s’nxjerr,
Si llavë sot mban vrerin.
Kur ndien rrugaçët mbi krater
Që qeshin dhe përmjerin...


Nëna

Ç’më ndritka hëna te krevati!
S’m’u fjetka sonte, se jam vetë.
Vështroj në qiell si enden retë
Gjer treten tej nga Rozafati.

Mesnata ngjan se ka kaluar
Por, përkundrejt, një foshnjë qan.
U ngrita, shoh sesi e mban,
Si e përkund dikush në duar.

E ëma qenka. I jep gji.
Dhe lehtë-lehtë i këndon,
E përkëdhel, e ledhaton
Dhe e shëtit nëpër shtëpi.

Fëmia fjeti. E mbulon
Kjo nënë e dhembshur me kujdes
Ndërsa së largu një këndes
Afrim mëngjesi lajmëron...

Mendoj mbështetur në ballkon,
Ndërsa venitet drit’e hënës:
Sa borxh të madh i kemi nënës,
Një borxh që kurrë s’e kërkon.



Nocturne

Tani, kur tërë bota fle,
O shpirt’i im, përse rri zgjuar?
Ç’të ngre kështu në shtrat sa bie.
Sikur me gjëmba është shtruar?

Më dhëmbin plagët, plagët, bre!
Që ditëpërditë janë shtuar,
Për këtë popull që po fle
Kështu, verbuar e shurdhuar...



E dashur, fli!

E dashur, fli,
E qetë,
Mos shih ëndrra.
Do gdhihet përsëri
Dhe përsëri do vij;
Në rrugën për tek ti
S'do mbijë kurrë shpëndra.
Ti fli, e dashur.
Fli.
Dhe mos shih ëndrra...


Pa ty

Pa ty si munda të jetoj,
Si munda t'i shtyj vjetët!...
Pa ty, pa ty, e dashur moj,
Si munda t'i gdhij netët!...

Pa ty si munda të jetoj,
Një jetë që s'e ndjeja!...
Pa ty, pa ty, e dashur moj,
Që s'dija në të gjeja!...

Pa ty si munda të jetoj,
Të mundja ta rrëfeja!
Jo gjoksin tënd, e dashur moj,
Po gurët mund t'i breja!...


Arusha e madhe

Ne rrinim tok dhe shihnim yjet
Konstelacionet një nga një,
Arush' e Madhe tundte kryet
Na përshëndeste gjithnjë...

Arush' e Madhe sonte s'duket.
Të falat si t'ia çoj asaj?
Ajo, e vetme, në shtrat struket
Dhe ndoshta njom jastëkn' e saj.

Kaq tepër pak që rrimë ndarë
Dhe ngjan se shkuan vjet e mot.
Ajo kushedi se sa ka qarë,
Un' bëj të fle po nuk fle dot.

S'fle dot dhe ndal të flas me yjet,
Konstelacionet një nga një.
Arush' e Madhe del, tund kryet,
Sikur më pyet për atë.

1965


Ndoshta poezia e fundit

Dhe ndoshta, moj vajza, në qafë ju mora:
Dhe ndoshta, moj grua, do mbetesh e ve;
Dhe ndoshta të gjitha, të gjitha i bëra,
Po ja që donte i mjeri Atdhe.

Do mundnit të rronit të qeta, të qeta,
Të shkonit një jetë plot gaz e hare,
Po ja që qëllova poet, moj të shkreta.
Familja e poetit gëzimet s'i njeh

1991

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen