F A Q E T

Sonntag, 21. Juni 2015

Bjeshkët e Tropojës, mrekulli e natyrorës...

Nga Ismajl BUÇPAPAJ

Bjeshkët e Tropojës, sinonimi i fjalës të madhërishme! Bjeshkët e Tropojës janë një bukuri që zoti i skaliti mrekullueshëm dhe jua dhuroi banorëve të këtyre anëve për të jetuar 3-4 muajt e verës duke i bërë këta banorë të lumtur me ajrin e pastër, ujin e freskët, pishën, ahun rudinat, burimet e shumta e mbi të gjitha bukurinë e tyre. Këto zona shtrihen në një lartësi 160 m deri 2500 m mbi nivelin e detit. Lartësitë e mëdha për tu ngjitur, terreni mjaft i thyer, largësia e madhe nga qendrat e banimit kanë qenë faktorë të mëdhenj për të bërë një jetesë komode për shekuj në këto zona. Kullosat e pafund të bagëtive me rendimente të larta qumështi e mishi. Vera me freski dhe kënaqësi shpirtërore kanë qenë faktorët kryesorë që tropojani nuk është ndarë për shekuj nga këto vende të bekuara. Në çdo vend, njeriu i ngjan natyrës që jeton, nuk është rastësi që në këto vende me lartësi të mëdha, me bukuri të rralla, me burime të shumta natyrore që dalin vrullshëm nga kreshta malesh të lindin e të rriten njerëz me shtat të lartë, të bukur e të vrullshëm si natyra që i rrethon, të pastër nga shpirti e mjeshtër të fjalës e të pendës. Nuk është rastësi që këngët e vallet e Tropojës janë aq të bukura. Nuk është rastësi që këto bukuri natyrore kanë nxjerrë me dhjetëra këngëtarë me zë bilbili, kanë nxjerrë poetë, shkrimtarë, gazetarë, politikanë, sportistë e artistë me emër në Shqipëri.


Tregtia e boronicës

Popullata, për ti përjetësuar emrat e këtyre bjeshkëve në mënyrë tradicionale i ka vënë emra të tillë si: Balcina, Ujëza, Bjeshkë, Valbona etj. Këto zona janë epiqendra e Eposit të Kreshnikëve ku poeti popullor ka thurur mijëra vargje popullore për Mujin e Halilin, madhësia, fuqia e bukuria e tyre vendoset në përmasat legjendare. Për zanat e maleve që bukuria e tyre është pasqyre e kësaj natyre. Natyra në këto lartësi është e larmishme më një pasuri të rrallë e të madhe të florës e të faunës. Pyjet e mëdha me ahun, pishën, bredhin, pajën kanë raporte të mrekullueshme me pllajat me rudina. Këto zona përmbajnë një numër të madh bimësh medicionale ku si pasojë popullata nxjerr përfitime të mëdha ekonomike. Boronica bimë medicionale e përhapur masivisht është mjaft e dobishme për shëndetin e njeriut, pasi kuron një sërë sëmundjesh. Kjo bimë mblidhet me shumicë nga popullata, e cila ka përfitime të mëdha ekonomike. Tregtohet në Kosovë me çmim mjaft të ulët. Ka ardhur koha që qeveria shqiptare të gjejë një zgjidhje, qoftë në gjetjen e tregjeve me leverdi për popullatën apo të ndërtojë një fabrikë përpunuese të këtij fruti, prodhimet e të cilit janë mjaft të kërkuara.


Infrastruktura

Këto zona gjatë vërës kanë me mijëra banorë, mysafirë dhe me qindra turiste nga vende të ndryshme të botës. Numri i banorëve që banojnë 3-4 muajt e verës është mjaft i lartë, po aq i lartë është dhe numri i bagëtive që kullosin në kushte mjaft të mira. Kërkohet nga qeveria shqiptare të përmirësojë infrastrukturën si rregullimin e rrugës së makinës, mbulimin me valë celulari, shërbim mjekësor për njerëz dhe kafshë dhe mbulimi me energji elektrike. Të gjitha këto do të bënin të mundur rritjen e numrit të popullsisë në këto zona fantastike. Vonesa e ndërhyrjes së qeverisë ishte me dëm të madh për këtë popullatë në përfitimet ekonomike dhe shëndetin e turizmit. Ka më shumë se katër vite që kryetari i komunës Margegaj po bën punë të jashtëzakonshme për hapjen e rrugëve të reja për të lidhur çdo bjeshkë me rrugë. Kjo komunë ka një pjesë të këtyre zonave në juridiksionin e vet për tu ndodhur para një popullate që kërkon të lidhet me rrugën e makinës. Komuna Margegaj e ndihmuar nga disa biznesmenë ka hapur mbi 50 km rrugë duke lidhur rreth 80% të këtyre bjeshkëve. Këto ditë u bë e mundur hapja e rrugës Padesh, Ujëzë dhe Sylbicë. Kjo rrugë bën të mundur hapjen e unazës së bjeshkëve. Përfundimi i kësaj rruge, ëndërr shekullore e kësaj popullate do të hapi rrugë e mundësi të mëdha për një jetesë komode por edhe për përfitime të mëdha ekonomike.


Prodhimi

Konkretisht në këto lartësi prodhohet thekra, qepra dhe hudhra, madje shitja e tyre duket të jetë mjaft e mirë. Blegtoria nga viti në vit është shtuar veçanërisht kafshë të tilla si lopa, dhia dhe delja. Një fakt mjaft i habitshëm është se në çdo bjeshkë shikon lesh delje të lënë në lëndina. Leshi i deles në ditët e sotme humbet, por me parë në mënyrë tradicionale zona e Tropojës e ka përdorur si lëndë të parë për prodhimin e sixhadeve, qilimave, jastëkëve e shumë produkteve të domosdoshme për shtëpinë e malësorit. Këto prodhime me vlera të jashtëzakonshme për odën e malësorit janë të rralla. Madje për nga cilësia e bukuria janë shumë të kërkuara në tregjet botërore, prandaj edhe qeveria shqiptare ka mendësi të ndërhyjë duke ndërtuar ndërmarrje që përpunojnë leshin dhe hapjen e ndërmarrjes të sixhadeve e qilimave. Kjo do bëjë të mundur punësimin e dhjetra njerëzve dhe blegtorët do të kishin fitime të mëdha ekonomike. Këto bjeshkë të rralla nga bukuria dhe pasuria me hapjen e unazës së rrugës së makinës patjetër do të njohin hap cilësor në jetesën e mijëra banorëve.


Apeli

 Ne u ndodhëm në ardhjen e makinës së parë nga zona e Padeshit në Sylbicë, pamë një pritje të mrekullueshme të banorëve të Sylbicës të cilët falenderuan kryetarin e komunës Margegaj, Rexh Byberin, i cili me iniciativën e vet personale me ndihmën e banorëve e biznesmenëve bëri të mundur hapjen e unazës së bjeshkëve. Këto vende kanë shumë mundësi natyrore që njeriu mund ti shfrytëzojë e pikërisht në Sylbicë në një lartësi mbi 200 m mbi nivelin e detit është ngritur minihidrocentrali i parë me ujin që rrjedh me shumicë në këto anë. Prodhimi i energjisë me mjete të thjeshta dhe me kosto të ulët ka bërë të mundur që këta banorë të kenë dritë elektrike, dushe dhe televizor. Ky fakt duhet propaganduar që një gjë të tillë ta bëjnë edhe banorët e bjeshkëve të tjera. Jeta në këto lartësi është e vrullshme, çdo ditë është një përpjekje për përmirësimin e jetës ekonomike. Bjeshkët e Tropojës përrallë natyrore kanë nevojë për sa më shumë njerëz të shijojnë bukuritë, klimën, tu japin sa më shumë të ardhura ekonomike me pasuritë e mëdha natyrore që mbajnë. Prandaj qeveria shqiptare që ka vite që rri indiferente përballë këtyre banorëve duhet patjetër ta njohë këtë zonë, të bëjë investime, se do të ketë frute të mëdha në të gjitha fushat për këtë popullatë të shumtë. Bjeshkët e Tropojës më madhështinë e tyre mirëpresin sa më shumë njerëz. Jeta në këto lartësi është e mrekullueshme, dihama e mrekullisë duhet të përhapet më shpejt, më larg, pasi janë vende që bëjnë një jetë të mrekullueshme. Bjeshkët ju mirëpresin...
___________________
Huazuar nga sot.com.al

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen