F A Q E T

Sonntag, 21. Juni 2015

Tradhtari që provoi ta shiste Shkodrën

“Imazhe të një tradhtie të hershme”. Kështu mund të quhen fotografitë e rralla të Esat Pashë Toptanit me oficerë dhe ushtarakë serb. Njeriu që tentoi të shiste Shkodrën për pushtet personal, zbulohet në disa fotografi të rralla, teksa shoqërohet me oficerë serbë, duke biseduar për fatet e territoreve shqiptare.

Esat Pashë Toptani ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së perëndimit dhe zbehjes së pushtetit osman dhe ofensivës grabitqare të fqinjëve të tanë, të fshehur pas “Aleancës ballkanike”. Shkodra u kthye në kasaphane dhe mollë sherri mes turqve dhe ushtrive ballkanike, kryesisht serbëve dhe malazezëve. Esat Pasha ishte caktuar zëvendëskomandant i Korpusit të Shkodrës, ndërsa komandant i të gjitha trupave të këtij korpusi ishte Hasan Riza Pasha, një ndër oficerët më të përgatitur të ushtrisë turke. Esat Pashë Toptani flirtoi si me malazezët ashtu edhe me turqit, për të ruajtur pozitat që kishte, duke pritur se ku do të anonte peshorja e fitores. Ndërkaq, vrasja e Hasan Riza Pashës dyshohet se u krye pasi ky i fundit kërkonte të ngrinte flamurin shqiptar dhe se shtabi xhonturk në qytet nuk ishte dakord për këtë veprim. Në këto kushte, xhonturqit bashkëpunuan me Esat Pashën, ndërsa ky i fundit pranoi, i tunduar nga fakti, që pas vrasjes së Hasan Riza Pashës, komanda e qytetit t'i mbetej atij. Po krahas bashkëpunimit me turqit, Esat Pasha kishte hyrë në marrëveshje me malazezët për hir të interesave të tij.


Takimet e fshehta

Esat Pasha kishte bërë disa kontakte të fshehta me krerët e ushtrisë malazeze e serbe. Më 5 mars 1913, Esati u takua me shefin e Komandës Ushtarake Malazeze, Princin Danilo, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm dhe tema kryesore e bisedës ishte: dorëzimi i Shkodrës. Për këto veprime të Esat Pashës kanë qenë në dijeni edhe qarqet diplomatike të Fuqive të Mëdha, të cilët në asokohe ishin mbledhur në Londër për të shqyrtuar gjendjen e krijuar pas luftës së parë ballkanike. Që më 10 prill 1913, diplomacia britanike informohet se Esat Pasha, i cili e kishte vrarë Hasan Riza Pashën, i ka kërkuar qeverisë malazeze një shumë prej 80.000 lirash turke për dorëzimin e qytetit të Shkodrës. Vrasja e Hasan Riza Pashës, sipas burimeve diplomatike ishte kryer nga Esat Pasha për të qenë i lirë në veprimet e tija që synonin drejt vendosjes në fronin e ri të princit të Shqipërisë. Shkodra u dorëzua në 23 prill 1913, pas nënshkrimit të tradhëtisë nga Esat Pashë Toptani një ditë më parë. Diplomatët njoftojnë se dorëzimi i Shkodrës është bërë mbi bazën e një pazarllëku midis Esat Pashës dhe malazezëve, dhe bisedimet kishin vazhduar me ndërprerje disa ditë në kushtet e një izolimi të plotë të sekretit nga autoritetet malazeze.


Fati i Shkodrës

Edhe pse Esat Pasha ia dorëzoi Shkodrën Malit të Zi, fati i këtij qyteti do të vendosej në Konferencën e ambasadorëve në Londër. Me ndërmjetësinë e Ministrit britanik të Punëve të Jashtme, Sir Edëard Grey-t, u arrit një marrëveshje ndërmjet Rusisë dhe Austro-Hungarisë për kufijtë e Shqipërisë së veriut e të lindjes, dhe Shkodra i mbetej Shqipërisë.


Esat Pashë Toptani

Esat Pashë Toptani ka lindur në vitin 1863 në Tiranë. Esati meqë ishte rritur në Tiranë, me kohë e kishte zgjeruar rrethin e ndikimit të tij, dhe duke qenë në shërbim të guvernatorit të Durrësit, Hafiz Pasha, ai u caktua kryetar i rrethit të Tiranës, post që i lejonte të bënte çfarë të donte pa u dënuar. Rreth vitit 1895, ai u emërua nga Sulltani, komandant i xhandarmërisë së Janinës. Ky post i kushtoi atij 1500 lira turke të cilat iu paguan mareshalit Dervish Pasha. Atë që në Tiranë e kishte bërë në mënyrë të paligjshme, filloi ta bënte hapur dhe në mënyrë zyrtare në Janinë. Esat Pasha, përuroi në Janinë epokën e përdorimit të bandave të cubave, që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të cilët i futi përsëri në punë, pasi merrte prej secilit 25 lira turke.


Forcimi i pozitave

Gjatë Luftës Greko-Turke të vitit 1897, ai i grabiti të gjithë bagëtitë, të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi mbërriti në Janinë si guvernator i përgjithshëm i Osman Pashës, i dha një hov më të madh punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori ryshfete madje edhe prej 20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e të drejtësisë dhe duke nxjerrë përfitim nga gjithçka. Më vonë Esat Pasha u transferua në Shkodër, me detyrën e shefit të xhandarmërisë. Nga pozita që kishte ai, bënte kërdinë kundër atyre që nuk i pëlqenin, atyre që mund të luftonin kundër fuqisë së tij, ose që me anë të pasurisë së tyre mund ta shqetësonin. Pikërisht në këtë periudhë nis me të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen