F A Q E T

Mittwoch, 19. August 2015

Flutura Maçi

Flutura Maçi lindi në Tiranë më 12 prill 1961. Prirjet e saj në art u dalluan që në moshë të re.
“Flet dhe shkruan bukur. Hartimet e saj janë shembullore. Ndërton fjali me përmbajtje të vështirë për moshën dhe i shkruan pa gabime. Dallohet në klasë për vizatimet shumë të bukura. Këngën e mëson shpejt dhe e këndon shumë mirë...”.  Kështu do të shkruante  mësuesja e klasës së parë, Beherije Abdihoxha, shkolla “Jeronim de Rada”, Tiranë.
Gjatë viteve 1976-80 Flutura ishte nxënëse e gjimnazit “Qemal Stafa”, Tiranë. Punoi shumë si në formimin e përgjithshëm intelektual, ashtu edhe në formimin profesional, në pikturë. Me rezultate të larta konkurroi në konkursin për t’u pranuar studente në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë.  Fituese e spikatur në këtë konkurs, Flutura u bë studente e degës “Pikturë monumentale”, në vitet 1980-1984. Pas përfundimit të Akademisë, emërohet piktore e më pas skenografe, pranë Departamentit të Dekorit, në RTVSH,  prej vitit 1984-2000. Gjatë kësaj periudhe ushtroi dhe  profesionin e gazetares dy vite: 1996-1998, në Radio “Tirana”.
Nga vitet 2000 e deri sot, Flutura punon si krijuese e lirë me studio private.
Është Presidente e Studio - Art “Maçi”, ku realizohen vepra në pikturë dhe modë shqiptare, unikale. Kjo studio është përjetësuar në një dokumentar 26' të Tv “Arte”, kanal televiziv elitar franko - gjerman, i cili modelon shijet e njerëzve dhe dokumentarë të tjerë. Aktualisht kryen edhe detyrën: Sekretare e Përgjithshme e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve  “Pegasi” Albania, duke qenë një nga figurat kryesore të saj, me kontribut të jashtëzakonshëm në organizmin dhe zhvillimin e veprimtarive me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ajo është nderuar me shumë çmime dhe tituj për veprimtarinë e saj shumëplanshe dhe dimensionale. Është shpallur nga LNPSHA ”PEGASI” ALBANIA për dy vite rresht: 2012, 2013 “Piktore e vitit”. Gjithashtu ajo mban titullin e lartë të kësaj Lidhjeje “Artiste e shquar”.
“Perifrazimi” i mësueses të klasës së parë, doli si profeci. Flutura studioi kitarë, u bë piktore profesioniste dhe zhvilloi hobin e saj në letërsi. Mban autorësinë e ekspozitës së parë vetjake, hapur në një ambjent privat më 1991, koha e pluralizmit politik në Shqipëri. Gjithashtu Flutura është autore e shumë ekspozitave vetiake, por edhe pjesëmarrëse në  ekspozita kolektive, brenda e jashtë vendit, si në: U.S.A. TURQI, FRANCË, GJERMANI, AUSTRI, GREQI, ITALI, MAL I ZI, KOSOVË, MAQEDONI, etj, pasqyruar në katalogjet përkatëse.
Falë karakterit, cilësive dhe virtyteve, profesionalizmit dhe shpirtit të saj emancipues dhe humanitar, mban titullin e bukur “Ambasadore për Paqen”, celebruar me këtë titull nga Federata e Familjes për Paqe e Bashkim Botëror.

Botimet e autores:
Ne vitin 2011 Flutura boton librin e saj te pare "Luvri im" – biografi dhe ndjesi,qe u prit shume mire nga lexuesit dhe kritika.
Ne vitin 2012 ,boton librin e dyte "Ne qiellin e shtate" – poezi dhe skica,qe u prit shume mire gjithashtu.
Ne vitin 2013, boton revistën  "Shtëpia Maci dhe Maci style" – art, mode, letërsi. Diçka e veçante. Libri "vargje & skica”, është libri i tretë i autores.



Poezi nga Flutura Maçi

KOMPOZIMI
 
Mbi letër ka bojë,
mbi letër ka shkronja,
mbi letër ka fjalë,
mbi letër ka ndjenja.
 
Kur ti ikën larg
e metrat bëhen kilometra,
të dashuroj  më fort,
më thellë.
 
Të përcjell
me rrezen e ngrohtë të dashurisë:
je brenda meje,
jam brenda teje.
 
Mbi letër vallëzojnë  shkronjat,
mbi letër shkëpus vetëm pesë,
mbi letër kompozoj si grua –
Të dua!
 
 
MIKUT TIM POET
 
Eh poet, poet!
 
Më qerase dhe sot
me kafenë e zakonshme
edhe pse në ikje
i the zotërisë në vesh:
"Shtoje dhe këtë faturë
në listën e gjatë!"
 
Të falënderoj poet
me zemrën e gjerë det,
më dhimbsesh poet!
 
E kthehem 
në shtëpinë pa drita,
ndez një qiri
të shkruaj për Ty.
 
 
AUTOPORTRET
 
E heshtur si heshtja,
e qetë si qetësia,
e plotë si të dyja bashkë.
 
Befas rebelohem,
marr ngjyrat e mia
pikturoj mbi heshtjen,
mbi qetësinë e gjithësisë...
 
 
PARFUMI
 
Mbrëmjeve s'ka kush
të m'i prekë flokët.
 
Parfumi im 
s'josh më njeri.
 
Të paktën ti
i lexon këto vargje.
 
Dhe unë,
dhe unë i lexoj si ti.
 
 
SIMBOLET E MIA
 
Shqiponjë,
shpend krenar lartësish!
 
Të lutem shqip:
 
Zbrit më merr,
të fluturojmë së bashku
trojeve arbërore,
përskuqur nga gjaku
i derdhur për liri.
 
Ti dhe Liria
Simbolet e mia.

___________
Marrë nga sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen