F A Q E T

Freitag, 14. August 2015

Lulzim Logu

Lulzim Logu i datëlindjes 08.07.1960, lindur në Tropojë dhe banues në qytetin e Bajram Curri, me profesion mësues.
Ka botuar artikuj kritikë, përmbledhje ciklesh poetike dhe tregime në gazeta të ndryshme letrare, ne antologji dhe botime tjera në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali  etj.
Për një kohë të gjatë ka drejtuar degën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Tropojës, Klubin Letrar të Tropojës dhe aktualisht drejton "Shoqatën e Shkrimtarëve të Tropojës".
Anëtar i Lidhjes së Poetëve Ndërkombëtarë të Globit W.P.S. dhe anëtar i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve "PEGASI" Albania.
Fitues i disa çmimeve letrare.
Jeton punon dhe krijon në qytetin Bajram Curri, Tropojë, Shqipëri.

Botimet:        

  • "Kohën e engjëllit" - Poezi, viti 1999,  Shtëpia Botuese" Dardania"
  • "Hiri" - Poezi, 2002, Shtëpia Botuese" Kristalina KH"
  • "Pinoku i qytetit Magjik" - Poezi, 2002,  Shtëpia Botuese "Kristalina Kh"
  • "Tropoja - Enciklopedi e vogël e vendlindjes" - 2008, Shtëpia Botuese "Erik" 
  • "Akoma, hiri im" - Poezi, 2009
  • "Kujtimet e ujqërve gri" - Tregime, 2009
  • "Koha vdes si zemër" - Poezi, hajku dhe tanka, Shtëpia Botuese  "Egnatia" 2009;
  • "Krishti  i harruar" - Poezi hajku dhe tanka, Shtëpia Botuese "Egnatia" 2010
  • "Pikë mbi I" - Poezi hajku, Shtëpia Botuese" Vllamasi" 2013
  • "Antologji e poeteve të Malësisë së Gjakovës" - Shtëpia Botuese "Litografia Gjakove, 2013, si dhe libri me poezi të zgjedhura, 
  • "Frymë në një kuti" - Shtëpia Botuese"Blini" Gjakovë 2014.


Poezi nga Lulzim Logu

AJO
 
Ajo shkoi, siç shkojnë gjërat që vijnë rrallë
Kur plaket njeriu, vdes dhe për një puthje
Kur plaket njeriu, e do dhe një përrallë
Ajo shkoi…

Ajo shkoi, ditët vazhdojnë komplekse
Pjesë e zotit të pakënaqur që përsos
Në marrinë që quhet lindjevdekje
Ajo shkoi…

Ajo shkoi, befas u bë e domosdoshme
Rri në mua, ekuilibër i shpirtit të vrarë
Dhe çuditërisht jeta s’ndihet boshe
Ajo shkoi…

Ajo shkoi dhe kujtohem se duhet vazhduar
Se duhet të ndihem prapë i gjallë
Por përbuz të qenit e harruar
Ajo shkoi…

 
NJERIU
 
Njeriu qëkur ëndërron lumturinë e madhe
Njeriu sot vdes për një orë liri
Njeriu, të vetën pronë, mund ta bëjë hënën
Njeriu, zvarritet i mjerë , në uri.
 
Njeriu, vuan, për të bukurën dhe shpresën
Korret nga sida dhe vdes me drogë
Njeriu, për atdhe mund ta bëjë dhe marsin
Njeriu kryqëzohet si lypsar në botë.
 
Njeriu, sot matet me kohën, ta mundë atë
Njeriu, diku në glob, rrethohet me tel si kafshë
Beson pafund, shan pafund zotin
Dhe  se ndan dot ferrin me parajsë.
 
Njeriu, qëkur, ëndërron lumturinë e madhe
Njeriu, sot vdes, për  një orë liri
Njeriu, pareshtur thyen mite, piedestale
Dhe kurrë s’gjen qetësi.
Ah, njeri!
 
 
GËSHTENJAT
 
Pikin gështenjat
Në shtjellën e erës.
 
Shiu ta lag dritaren
Ta zë shikimin.
 
S’ke ku ti krehësh flokët
Ku ti shohësh sytë.
 
Vetëm zjarri të ndihmon
Të më kujtosh.
 
Si zjarri, kur jam me ty
S’di për fikje.
 
A mendon ndonjëherë
A mendon për hirin?!
 
Pikin gështenjat
Në shtjellën e erës.
 
Në zjarrin prushshumë
Piqen të tjerat.
 
Një e nga një në gji
Aty pranë zemrës.
 
Gështenja të ngrohta
Në u ftohshin fjalët…

 
DREDHËZAT
 
Dredhëzat tani nuk i dua më
Megjithëse pikojnë lëng të kuq
Megjithëse më kujtojnë
Buzët e tua.
 
Veç unë e di ç’kam hequr
Për ti harruar…

 
LUTJE
 
Zoti im, në qofsh
Rri me mua!
 
Në qofsh, të falem
Bie dhe ngrihem
Kurrë nuk ndalem!
 
Zoti im, në mos qofsh
S’ka gjë, është bota
Është jeta, është fryma
Është gjithsesi shpresa!
 
Është lufta për të mos rënë
Vazhdimisht duke besuar
Duke të krijuar
Zoti im!

__________
Përgatiti Adem Zaplkluzha / sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen