Përveç me prozë, merret edhe me shkrime poetike e publicistike ku disa krijime letrare i ka të botuar në revista e gazetat periodike në Kosovë e Shqipëri si “Rilindja”, ”Zog mëngjesi”, ”Kosova’’ e KEK-ut”, ”Bulevard” dhe “Vegime letrare” te Durrësit në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij.
Në përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që organizohej në Obiliq, është fitues i dy shpërblimeve letrare i cili mori çmimin e parë në poezi dhe çmimin e tretë në prozë në vitet 2007, 2008.
Punon në shkollën fillore ”Dr. Ibrahim Rugova” dhe është themelues dhe drejtues i grupit letrar i cili vepronte ne kuadër te SHKA ”Rruga e lirisë” e me vonë i Klubit letrar dhe tash i Shoqatës së Shkrimtarëve ”Fahri Fazliu” në Kastriot. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve të Kosovës prej vitit 2011. Jeton në Kastriot dhe punon si Zëvendësdrejtor në SHMU “ Dr. Ibrahim Rugova” prej vitit 1990.
Librat e botuara:
- “Kohë e ndaluar”, monografi, 2001
- “Shtegtimet e Arbërit”, poezi, 2008
- “Shtegtime letrare”, monografi, 2012
- “Dritat e shkëlqimit poetik”, fituesit e poezive dhe tregimeve 1990-2011
Poezi nga Bedri Neziri
LAHUTA E GJYSHIT
Në fshat ka mbetur vetëm oda e vjetër
vatra e ndezur e kujtimeve
dhe gjyshi që ende na e mëson lahutën
Dhe pushkën si t’ia kthejmë hasmit
Sa herë kthehem në atë odë
Dëgjoj zërin e gjyshit tek ia thotë malësorçe
Dhe ndjej mallin si rritet si bari
Nuk e di a jam në ëndërr
Mbase sërish po zgjohen vegimet
Derisa përkundem në djepin e së kaluarës
Dua të më zë gjumi nën tingujt e lahutës
ATDHEU
Atdheu është buzëqeshja ime e parë
është lulja e kuqe e mëllagës
që rritet në shiun e buzëqeshjeve tona
uji i kristaltë ku burimi shuan etjen
është djepi i stërlashtë i gjyshit
ku na mësoi si të rritemi
është betejë fitoresh për liri
është bukuri me të cilën mund të matet vetëm parajsa
është frymëzim shpirti gjak zemre
është buzëqeshja nga e cila rriten yjet
që i bëjnë dritë sa herë ecë nëpër natë
e nëpër stuhi
është lule që i falë bukuri njeriut
kur është i lirë
është si bjeshka me lule
si përralla me zana e shtojzovalle
është e vetmja fjalë që bekon dëshmorin
e vetmja këngë për dashurinë që na bashkon
SHTEGTIMET E ARBËRIT
U rrita dhe u plaka
Pa arritur në Krujë
Pa shkuar në Vlorë
Të mësoj si fitohet liria
Për Drenicën për Kosovën
U rrita dhe u plaka
Pa arritur në Ulqin e Preshevë
Në Medvegjë e Tetovë
Në Manastir e Strugë
Në Janinë e Çamëri
Të mësoj si ecet vertikalisht
Shekujve nën robëri
U rrita dhe u plaka
Pa arritur në Tivar e në Prevezë
Për të parë Pluhuri i Harrimit
Sa ka mbuluar Dritë edhe Rreze
U rrita dhe u flijova
në Drenicë dhe në Prishtinë
po kurrë s’e pashë tok Arbërinë
U rrita dhe u plaka
Duke pas frymë Besën Shqiptare
Duke u shoqëruar me shpresën për liri
Fushave të bujarisë dhe trimërisë kombëtare
LAPSI MAGJIK
Me lapsin magjik
Shkruaj diçka për shpirtin
Netëve të vona
Fushave të frymëzimeve
Vjel lule për martirët
Për të mirët
Derisa në sytë e mi
Si bletët punëtore
Vallen e lirisë vallëzojnë dëshmorët
Të nesërmen mbi botë
Na përshëndetë dielli...
NJËQIND VJET ME NET ME STU
Atdheu i vegjëlisë është buzëqeshja
nga e cila rriten yjet
që i bëjnë dritë sa herë që ecë nëpër natë nëpër stuhi
duke lakmuar bukurinë e atdheut
u bënë lule lirie
duke lakmuar bukurinë e lirisë
u bënë lapidar guximi e trimërie
u bënë vet historia me data të reja
Si historia e Krujës si historia e Vlorës
duke imituar Kastriotin, Qemailin, Boletinin
hynë në përrallë shtegtuan nëpër histori
në shteg mali në ballë shkëmbi
i zunë prit ujkut që donte të hante
Njëqind vjet me net me stuhi
Kërkuan dritë për kullën
Për zogun që duhej të fluturonte
Njërin e quanin Skënderbe
E thërrisnin tjetrën Ismail Bej Qemajli
Për ta pagëzuar lirinë
Ranë duke kënduar në altarin e kombit
Duke kënduar hynë në histori
Tash edhe dielli edhe yjet
Marrin fuqi nga bukuria e buzëqeshjeve të tyre
ATY KU NDODHI NËNTORI I DYTË
Doja të ripërtërihem si lulja në stinën e lirisë
Doja të rritesha si fëmija në gjirin e nënës
Me fluturimin e shqipeve për të mbërri një ditë
Aty ku shqipja e ka folenë
Dhe rrit fëmijët me dashurinë e atdheut
Aty ku buzëqeshja lindë
Nga dashuria për tokën për qiellin
Aty ku flamuri është prijës
E jo këmishë e hedhur në gardh
Aty ku pleqtë kthejnë nga betejat
Fitimtarë duke sjell diell në atdhe
Aty ku shkëmbi është shtëpi e shqiponjës
E lulet janë bukuria e saj
Aty ku e kuqja është dashuria
Ndërsa e zeza stoli e dashurisë
Aty ku ndodhi Nëntori i dytë
Dhe krenaria iu bë kurorë
_________Përgatiti Adem Zaplluzha
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen