F A Q E T

Freitag, 14. August 2015

Shahbaze Vishaj Grajçevci

     Shahbaze Vishaj Grajçevci (Pejë, 27.6.1963), ka kryer stu­­dimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Uni­­ver­sitetin e Pri­shtinës. Punon në Shko­llën e Mesme të Ulët: ''Hasan Prishtina'', në Milloshevë -  Kastriot. Për punën edukati­vo-arsimore për një çerek shekulli si pe­dagoge e gjuhës dhe e letërsisë shqi­pe ka marrë disa mi­rë­­njohjeje në mesin e të ci­lave edhe atë ’’Mësim­dhënës i da­llu­ar’’.
     Me shkrime filloi të merret qysh si nxë­nëse e shkollës fillore. Botoi në ga­zeta dhe re­vista që dalin te ne, Shqipëri dhe Ma­qedo­ni. Është laureate e shu­më shpër­bli­me­ve letrare. Shkruan poezi e prozë për fëmijë dhe të rri­tur, si dhe kritikë letrare, ese, publicis­tikë etj. Është anëtare e Lidhjes së Shkrim­ta­rë­ve të Kosovës, si dhe anëtare e redaksisë së revistës letrare për fëmijë ’’Pionieri’’.
     Shahbaze Vishaj  Grajçevci jeton dhe vepron në Pri­­­­shtinë.


Deri më tash ka botuar këto vepra let­rare:
  • ’’She­një dhe vragë’’ 2000, (poezi për të rritur);
  • ’’Shtjellë dhe vurratë’’ 2004, (poezi për të rri­tur);
  • ’’Shend e verë’’ 2006, (poezi për fëmijë); 
  • ’’Shiu i harresës’’ 2007, (poezi për të rri­tur); 
  • ’’Shtrezë në ve­tulla’’ 2010, (poezi për të rri­tur);
  • ’’Shegë vje­shte” 2010, (poezi për fëmijë);
  • ’’Shtatori me vio­linë’’ 2010, (tregime për fë­mijë);
  • “Shtigje va­shërie” 2011, (roman për të rritur);
  • “Shfletim vep­rash” 2011, (kri­tika let­rare);
  • “Shpalim vlerash” 2011, (kritika letra­re);
  • “Letërsia si art dhe inter­pretim poetik” (me H. Hasanin) 2011.
  • “Shporta me vi­sh­nje” është li­bri më i ri me poezi për fëmijë. 


Poezi nga Shahbaze Vishaj Grajçevci 

LUMTURIA HESHT

Kur ti nuk je
Lumturia hesht
Jeta merr formë tjetër
Në shpirtin e lënduar
Rrezja e diellit çdo mëngjes
Pikturon shumëçka nga pamja ime
Dhembja mbetet dhembje
Heshtja heshtje
Vitet kalojnë
E ti nuk ndryshon
Shpresa mbetet shpresë
Por pritja pritje
Jeta të thërret
E ti udhëton
Në rrugën tënde të panjohur
Ti prapë jeton



MOS MË PYET

Flokët më janë lagur
Trupi më digjet nga zjarrmia
Mos më pyet
Pse më avullon koka
Këtu
Ëndrra është lodhur
Harresa e ka zhdukur buzëqeshjen
Sytë më janë zvogëluar
Nga bryma e vetmisë
Lulet kanë harruar të çelin
Në ëndrrën time të fshehur



ËNDRRA IME

Vjeshta...
Vajzat i vesh me unaza
Pemët i zhvesh nga gjethet
Ëndrra ime
Pret unazë këtë Pranverë
Po ndjej aromën e saj
Kur t’më buzëqesh Ëndrra
Hënës i shtohet një yll
E diellit një rreze



NATA HARRON

Kur nata harron të zhduket
Dita harron të kthehet
Në shtratin ngjyrë blu
Zjarrmia djeg
Vetmia zbehet
Pritja numëron degët e thara
Në Kopshtin Magjik
Vetmia është borë e ftohtë
Sikur brymë vjeshte



LOTI I PEMËVE

Kur hyra në oborrin
e shtëpisë sime
vetëm oxhaku kishte
mbetur në këmbë
para sysh m’u rishfaqen
shumë korba
çdo hap e laga me lot
edhe loti i pemëve
u bashkua me lotin tim
mërzia e dhimbja
nuk ma kthyen kurrë shpinën



LULET PIKOJNË LOT

Çdo natë
daja flet me hënën
eshtrat e Yllit
edhe pas 10 vitesh
nuk ia solli Liria
më fal o Zot
as ty nuk po të shoh
në sytë e mi fle Dimër i Zi
Shpresa ia ka mbyll derën shpresës
lulet mbi varr pa eshtra
pikojnë lot



NË DHOMËN E GJUMIT

Kudo sytë e nënës
kërkojnë hijen e Luanit
në dhomën e gjumit
ende s’ka hyrë liria
ëndrrat shumë herë
ua bashkojnë duart
në shtratin e tij
kujtimet janë shndërruar
në lotore ngashërimi
nëna e dëshpëruar
ende kërkon ilaç
për zemrën e copëtuar

____________
Përgatiti Adem Zaplluzha për sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen