Riza Xhevat Lahi ka lindur në Shkodër në 16. 01. 1950. Për 30 vjet ka shërbyer si pilot në Forcat Ajrore, gazetar në shtypin ushtarak, si dhe pranë zyrës së OSBE - së në Tiranë. Përveç çmimeve letrare të fituara në nivele të ndryshme në Konkursin Kombëtar 1994 ka fituar çmimin e parë të letërsisë për fëmijë. Pjesë nga veprat e tij janë botuar në SHBA, Greqi, Rumani, Maqedoni, Kosovë, Iran, dhe së fundi në Indi. Lahi është anëtar i Shoqatës Botërore të Poetëve.
Shkrimtari Riza Lahi ka ndërruar jetë në vitin 2013.
Veprat e botuara
Tregime, përralla për fëmijë:
- “Legjenda e Zerdelisë”, 1985
- “Ledia në një natë me hënë”1995
- “Aventurat e rosës Monda” ( Shqipërim nga E. Bosse) 2001
- Vëllime me poezi gërshetuar me tregime
- “Kosova, e fejuara ime”,1994
- “Drenica, qeleshja kosovare”, 1998
- “Trëndafilë”1996
- “Trëndafila nga Tirana”2009
- “Hannibal Antes Portas” – poems and stories in English and 8 other languages – Tirana, 2011
Tregime
- “Ëngjëjt me krahë duralumini”,2000
- ”Fluturime mbi qilimin persian”1998
- “Nën hënën e Ulqinit”,2001
- “Ylli që sheh mbi sheshin “Skënderbej”2001
Romane
- “Të shtunën në mesnatë në një yll”, 1997 – roman për fëmijë
- “Vorri I Ashikut”, në katër volume - 2005
- “Serenatë korçare në Nju Jork” 2009
Poezi nga Riza Lahi
MOJ NËNË
Moj nënë, shpesh më thua: “Po, lëri tash vjershat
Po lodhesh, dëshpërohesh, s’tu botua asgjë!”
Po, prap rri me mua dhe me llampen e ndezur
Tek grindem me vete gjer më dymbëdhjetë a më një
Kur nxitoj për shkallësh drejt marrshimeve të gjata
Lehtë – lehtë , si mbaron tëra punët e shtëpisë
I mbledh fletët e mia të shkruara e të bardha
Dhe lehtë i ujdisë tek syndyku i nusërisë
1971, Shkodër
PEISAZH NËN KALANË E SHKODRËS
Rrjedh Buna, rrjedh ëmbël, rrjedh shtruar, menduar
Drejt gjoksit të leshtë të Drinit të rrëmbyer...
Një vajzë me buzën e lehtë të Mona Lizës
Nga libri i saj një faqe ka kthyer
Pulëbardhat i sillen përqark dhe asaj
Dhe Bunës, që plagë po më çelin pa faj...
Dhe Bunës... Ky Drini për beli përfshin
Stolirat dhe ojnat vajërore të saj.
Si plagë trëndafilash këto buzë buzë Bunës...
Ç’lexojnë mbi libër këto vetulla si shtiza?
Mes lotëve të shelgut i heshtur rri unë
Mes lotëve të shelgut buzëqesh Mona Liza.
Po, kush do t’i puthë pa i vrarë ato buzë
Fare lehtë...sa një fllad...jo si Drini lugat
Por ...vajza me dorë thërret djalin e saj
Dhe Buna shkujdesur po shkon për në shtrat.
Këto plagë, pse m’i çelën dhe vajza dhe Buna
Pyes vete dhe buzën kafshoj gjer në asht...
Pulëbardha krahëbardha fluturojnë drejt bedenave
Zemërbardha kridhen në qiellin e lashtë...
1980
ÇFAR MË KA MBETUR NGA SHKODRA IME
Të vetmet që më mbetën nga Shkodra ime
Janë këto këngë
Këto shkodranet e mia të gjalla,
të bukura dhe që ecin duke spërdedhur belin
Si një grup biblilash pylli.
Këto këngë
që vijnë që nga blirët e gjimnazit,
piaca, vështrimet e ngulura te një dritare
dhe më rrëmbejnë nga kthina ime ku shkruaj....
Nisem për Shkodër.
Askush nga këta djem nuk e di se kam qënë dikur si ata
Se e kam dashuruar para tyre ”Motrën Tone”;
Para tyre si i çmëndur
Kam ndënjur me orë të tëra pa u ngirë para saj
Ata flasin për sex ndërsa
Para tyre shkojnë vajza gjysëm të çveshura
Ata se dijnë se i gjallë në botë
nuk kisha ardhur këta çaste nëpër Shkodër
Po të mos më rrëmbenin këto këngë
Që rinia ka nisur t’I harrojë
Të harrojë edhe Motrën
Që unë e kundroja me orë të tëra
Megjithse ajo ishte e mbuluar
Po plot zjarr
Si shkodra ime
E cila nuk e di
Përse më rri kaq larg
Dhe këto lotë që vijnë qënga rinia ime.
28 tetor 2010
NËNA IME
Të lutem
Rro edhe pak
Se ndryshe
Sa herë të shfaqem
Te ura e Bahçallëkut
Ajo do të tronditet shumë
Unë do të përkulem mbi ujrat e Drinit të shpërlaj lotët
Rozafa
Do të më shikojë akoma më shumë me dhimbje
Ajo është mësuar të më shikojë duke qeshur
Duke kënduar mbu urë
Duke llustruar këpucët, duke fshirë pluhurin, duke u krehur
Para se të hyj në qytet
Rro edhe pak nëna ime
Që unë të jem ende djalë shtëpie përmbi këtë urë
Jo mysafir i largët
I largët dhe i përlotur.
Shkodër - Tiranë, 20 - 21 mars 2010
DASHNORI I PERANDORESHËS
Ua, sa pyll pafund i mrekullueshëm
Me kurorat si kodrina prej kaçurrelash të blerta
Si dashnor për të cilin bëjnë një kompromis të heshtur dhe të prerë
Bota ajrore
Dhe bota e ujrave.
Para pak muajsh dielli
më kot i dërgonte poezi dashurie
mes rrezeve
qënga kangjellat me dry të reve të shiut.
Para pak muajsh ka qënë në perandorinë e ujrave
në shoqerinë e cironkave, mëlyshëve, gjucave, krapuliqëve, bretkockave
mes të fshehtave,
intimiteteve,
kërcënimeve,
premtimeve,
thithjeve,
puthjeve,
epsheve
të perandoreshës së ujrave
perandoreshës që e mbante ditë e natë shtërnguar mes kofshëve...
Sa puhizë e ëmbël ajore
nën këtë blerinë pyllnajore!
Gardalina - cicërojnë papushim
Dallandyshe - koloviten dhe këndojnë
Lejlekë si kajmaklie
sipër ... nëpër
kaçurrelat e dëndur si t’ia ketë dhruar ndonjë oaz nga orienti;
flutura...fluturaaaaa...fluturafluturaflutura....sidomos flutura të kaltra
si dhurata mëngjesore nga qielli i këtij agimi
Por do te vijë perandoresha sërish!
Do të vijë me taborret e reve të zeza
me tamtamet e luftës së bubullimave
e etur për dashuri
do vijë perandoresha e ujrave
për ta futur në kështjellën e saj këtë pyllnajë
për ta shtërnguar fort
mes krahëve të saj
mes gjirit të saj
mes kofshëve të saj
rretheqark duke u sjellur si eunukë
cironkat, mëlyshët, gjucat, krapuliqët, bretkockat
dielli do të struket pas reve duke i shkruar poezi dashurie papushim
lejlekët, dallandyshet do të kenë ikur përtej….
Përmbi këto kurorëza
duke prekur me pendë ujrat
do të sillet plot guxim
zogu me i shëmtuar i dheut
dhe më besniku
trumbcaku....
Tiranë, 30 korrik 2010 - liqeni artificial, shtëpi
QENTË E RRUGËS
Sa më vëjn keq për qentë e rrugës
Janë më shumë se sa duhet të edukuar
Ta lirojnë rrugën si njerëz
Të shikojnë me sy fëmije
Nuk lehin kurr
I ka edukuar e njëjta dorë
- rruga tmerrësisht jo livadhore e kryeqytetit.
Ata iu qahen me sy, me të lutur
Qenëve që shëtitin me qafën me zinxhirë
Që e kanë një strehë dhe ushqim
Por dhe n jë oborr për të lehur
1 – 2 shtator 2010 , ora 05 e mëngjesit,
ndërsa këndon hoxha jacinë e syfyrit, Shkodër
REJA ISLANDEZE
DHE UJRAT NË SHKODËR
Qielli i botës
Kërcënuar ngado prej resë
Që nxorën nga dhimbja e tmerrëshmë dherat
Atje
Por ujrat e Shkodërs sime janë zbukuruar
Nga sytë e kulluar të pranverës
A thua i dhimbset Shkodra kësaj pjelle të egër të nëntokës?
Apo ka rënë në dashuri
Në një dashuri platonikë
Siç bijnë përbindëshat?
PILOTËT E VJETËR
Hodhën nga një grusht dhe në varrrin e hapur
ku qanin të gjithë.
Iu afruan të heshtur tavolinës së mortit.
U ulën
Pikëlluan ca
Pinë dhe nga pakëz raki
Dhe bënë shaka.
Kishin luajtur me vdekjen tër jetën.
Unë ua njoh të gjithëve:
Mëritë,
Djallëzitë,
Modestitë,
Egoizmin,
Pisllëqet,
Furinë,
Plogështinë
Fuqinë
Dobsinë
Të qeshurat
Lotët
Që të gjithë këta
E patën një të dashur
Që i treguan gjithëçka
Që i falën gjithëçka
Që i qeshën gjithëmonë
Që nuk e tradhëtuan kurr...
Hapsirën mbi atdhe.