Majlinda Zorba |
Majlinda Zorba, ka lindur në Tiranë më 22 maj 1967. Gjatë viteve 1986 - 1990 ka mbaruar studimet në fakultetin Histori - Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Kurse gjatë viteve 2012 - 2016 është diplomuar për "Studime letrare" në Qendrën e Studimeve Albanalogjike". Mëpastaj, ka punuar prej 16 vjetësh si mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën 9 vjeçare "Ali Demi" në Tiranë.
Majlinda ka redaktuar dy libra të shkruar në gegërisht "Llesh Nik Daka", "Historia e Lezhës". Ka berë një studim letrar për tri romanet e autorit Zija Çela "Burrat nuk dalin nga lufta", "Gjaku i dallëndyshes", "Las Varrezas". Po ashtu, ka publikuar edhe një studim kritik "Gjama e malësorëve", qe është botuar në revistën "Perla" në vitin 2016.
Veprat:
- "Ëndërr e thërrmuar", poezi, SHB "Marin Barleti", 2007
- "Shërimi i vetmisë", tregime, SHB "Marin Barleti", 2011
- "Kalorësi i bardhë", poezi shqip-ilalisht, SHB "Marin Barleti", 2017
Poezi nga Majlinda Zorba
Natë e pagjumë
Kjo natë zbarkoi tinzare
bashkë me xhaketën time të telasheve...
Diku pikojnë strehët e shtëpive,
diku mbi kokë t'sëmurit i qëndrojnë
diku gëzojnë...
Heshtja e ngrohtë si gjaku
s'po merr më kuptim
Një kumuri e ngordhur më lë pa gjumë...
Vështrimi im i trembur struket
ngjashëm me të verbërin
errësirë gjithkund...
S'ka fjalë, poezia lind të tjera poezi
të kapshme, të pakapshme,
pak reale e pak imagjinare...
E lënduar ajo s'bie dakort
me gropat thithëse që i hapin
ca gjytrymë
që pandehin se bëjnë poezi
duke kërleshur fjalët me zgjyra
mendimi e fjale...
Kam nevojë të rri pafund pa gjumë
të shprehem
pasi botën time të kem njohur
sa dora të shkasë
në rrjedhën e pamatur
me labirinthe trush...
Gjykoj edhe kur jam në gjumë...
Nuk shkruaj vargje që të thërrasin
"Bravo"
ca bukëshkalë, ca kokëtrashë
që e duan gjumin shumë...
Edhe pse maturia më shkon për shtat
e matur s'dua për pak të jem
që monotoninë vrastare ta ul në gjunjë...
* * *
Dhe shpirtrat e filozofëve kanë mbushur pupla gjith' hapësirën
e unë pandeh se janë në gjumin e përjetshëm
në darka shpirtrash, në teatro tekanjozësh
që edhe këtu sa ishin
hëngrën, fjetën, u frynë...
Më tremb gjithçka që më rrethon
mendimi më pëllcet në natën pa gjumë...
Pa titull
S’është dimër
ҫeli bari…
Prap se prapë
vorba mbi zjarr
zien corbën
bosh s’rri…
E në s’pata dot lavdinë
Kam të paktën ҫorbën, urtësinë…
Më s'u pamë
Po më shfaqesh ngadalë...
Dritat e vogla si margaritarë,
Tiparet e tua kanë shpërndarë,
Në puthje të largëta u shuan
E më s'u pamë...
Tiparet e tua si pikat e lotit,
Zemrat e ngrohta-gjakun ngrinë,
trupat tanë n'shpella lakuriqësh mbenë,
Perëndimet i pres e vetme në mërzinë...
Gabuam! N'përballje me botën finoke,
humbëm dashurinë e përkorë deteve...
Në ëndrra vrapoj un' si e marrë,
Turrem të t'puth majën e hundës,flokut,
Sikur kohët prej helmit t'i lëçis.
Vrapoj pa e ditur ç'më pret,
Sytë i kam ngulur në një pikë...
Vrapoj, lotoj, dëgjoj zërin tënd melankolik,
Tek më fton në pyje të huaja
E unë sërish e zbrazur n'angushti.
Po më shfaqesh ngadalë...
Në dritat e vogla si margaritarë
Rrekem tiparet e tua t'i qëndis...
Përtej xhamit dimëror prek shpinën tënde,
bota qesh, s'hesht, s'rri...
Shën Mëshirë
Kërkova në formën më të bukur
Mëshirën njerëzore,
Më pas e kërkova sikur ai përballë
Shpirtin në kthetra t'më mbante
N'atë çast rrembat e gjakut të dorës së tij,
Më goditën me shuplakë...
Desha ta gërgas me një gazel të bukur,
Po rrembat iu frynë inatit
dhe u gëmusha si e marrë...
Edhe më pas në këmbim kërkova Mëshirën,
Po kjo s'u duk,
fshehur vrimave rrëzoi njërin sy.
U tërhoqa,
u çorodita,
urreva fjalën "shpresë"
Mbushur gjarpërinjsh lëshova helmin e tyre,
po përsëri Mëshira s'u duk,
Mbetej të rrëzoja edhe unë të mirat e mia,
i rrëzova dhe prisja fjalë mëshirimi:
"Mos,s'bën mirë kështu".
Edhe më tej nga harresa freskuar
rrëzova edhe tjetrin sy,
Tani urreja atë që kërkonte t'më mëshironte
dhe i thashë tjetrit:
"Sa keq, je bërë për Mëshirë"
Pyjet e imazhit tim janë plakur,
Eci në një botë të pamëshirë,
që s'kupton se Mëshira sadopak peshon
dhe thërras në kët' botë të turbulluar:
"Shën Mëshirë"
Dëshpërimi i Orfeut
Heshtni o muza,heshtni o nimfa!
Ndaleni argëtimin!
Jam unë, babai i këngës,
që lirës dy tela i shtova,
për nder të nëntë muzave,
motrave të sime mëje.
Jam këngëtari tragjik,dragonjtë në gjumë i vura.
Sirenat,memece i bëra,
degët të përkulen e gurët të lëvizin.
Heshtni të gjithë!Jeta ime vdiq!
Buzëqeshja e saj më ka braktisur...
Ja,po tundet dheu në natën pa tinguj,
unë vërtitem në errësirë e kërkoj Euridikën.
Në botë mbeti vetëm ëndrra ime e vyshkur
me sytë e tu të ngrirë që zemrën e thërrmuan.
Fatkeq unë jam,të humba Euridikë!
Nga ofshamat,ngashërimet,këngët i thura.
Njomëzakja ime e brishtë,
delikatja me napë të hollë mbështjellë...
Kurmi yt i ngrohtë më la të ftohtë në qoshen time,
rrahjet e zemrës sate tinguj të butë më zgjuan,
nga zemërimi i ndezur,
këndoj për ty pa gaz e ngushëllim.
Oh,ç'gjëmë e zezë më gjeti!
Ktheva kokën dhe përgjithmonë të humba,hyjnesha ime!
Filli i vetëm që me tokën më lidhte,u shkëput,
më kanë humbur udhët,nga të shkoj,shpresën lut.
Mes ujërave udhëtoj dhe bota ka frikë të më shikojë
se etja u shtohet prej tingujsh magjepës.
Ndërsa unë me një etje që s'shuhet kurrë,vajtoj...
Në muzgun ngjyrë jargavan,
një kokë e prerë tundet mbi valë,
tashmë nuk i duhet më as jetës,as vdekjes.
Ku është rruga e jetës sime?Ku është e adhuruara
Euridikë?
Dëgjoni këngën time rrëqethëse
që shkrihet në heshtje mes pikëllimit...
Koka ime në Ebro gjithnjë do të këndojë,
se besnik i një dashurie që humbi unë mbeta...
Në ishullin e Lemnosit një kokë këngëtare
në tempull më në fund u përjetësua...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen