Muhamet Rogova |
Muhamet Rogova u lind në vitin 1944 në Gjakovë. Arsimin fillor, të mesëm dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike i kreu në Gjakovë. Pastaj ka kryer studimet në Fakultetin Filozofik, dega e albanologjisë në Prishtinë dhe studime pasuniversitare në degën e gjuhësisë, mori mori titullin “Magjistër i shkencave filologjike”.
Në maj të vitit 1981, për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, arrestohet dhe denohet me nëntë vjet burg.
Pas lirimit nga burgu, me inisjativën e tij formohet Shoqata e Intelektualëve në Gjakovë e më vonë Forumi i Intelektualëve Shqiptar.
Ka punuar mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë, në Gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovë.
Deri më tash ka botuar këto libra:
- “Kujtime nga Burgu”,
- “Lojërat popullore të Gjakovës (Etnologji),
- “Aromë Gjakove” dhe si bashkëautor me Prof. Migena Arllatin
- “Toponimet në Gjakovë (Mbiemrat-emrat familjar)
Fragment nga libri “Kujtime nga burgu”
Ishte korriku i vitit 1981. Më erdhën për vizit nëna, motra dhe dy vëllezër. Ata më lajmëruan se më 13 korrik , pra para disa didësh, më kishte lindur djali të cilit ia kishin vënë emrin Besfort. Ata ma uronin prapa grillave lindjen e djalit. Sa u gëzova, aq u merzita. Ishte shumë e rëndë që në një pozitë të tillë të ta sillnin të tjerët lajmin për lindjen e djalit dhe të uronin për lindjen e tij në burg prapa grillave. Djali na kishte lindur dy muaj pas burgosjes time. Përpiqesha të mbahesha për të mos u treguar i mërzitur para tyre. Edhe ata përpiqeshin të më jepnin kurajo E kisha ditur se do të më lindë djalë. Sinjalet më kishin ardhur përpara përmes ëndrrave. Kështu kishte ndodhur edhe me lindjen e tre fëmijëve të tjerë.Për Filloretën dhe Jeronimin për shembull.Përpara se të vinin në këtë botë., i shihja si engjuj duke ardhur nëpër qiell. Para se të lindëte Kushtrimi,më erdhi një zë në ëndërr e më tha në vesh;”Djalë”. Kurse për Besfortin që sapo ka lindur, pak më ndryshe. E shoh sikur më kishte lindur djalë. Atë fëmijë të posalindur, e mbaja në një dyshek nën sqetull dhe me te shetisja nga një rrugë në tjetrë, duke hyrë e dalë nëpër dyer të ndryshme nëpër ambiente të zymta. Kjo ëndërr më jepte të kuptoja se shtegtimet e mia nëpër burgjet e Jugosllavisë do të ishin të gjata. Unë ashtu e komentoja etë ëndërr.
Kur u ktheva në çeli pas vizitës, isha shumë i merzitur. E merrja me mend se sa të vështirë e ka pasur gruaja ime momentin e lindjes pa qenë burri i saj pranë si është zakon i për t’iu gjedur në ato momente të vështira. Edhe nëna do ta ketë përjetuar shumë rëndë këtë lindje. Ne në familjen tonë e kishim zakon që sa herë të na lindëte ndonjë fëmijë, organizonim ceremoni. Ftoheshin të afërm e me plotë gaz përpiqesha ta organizoja atë ceremoni sa më bukur. Gëzimi mbulonte tërë familjen se po na shtohej edhe një anëtar në familjes. Në ato çaste më parafytyrohej fëmijërija ime. Isha rritur pa e njohur babanë të cilin e kisha parë vetëm përmes fotografive që na dërgonte nga Greqia apo Turqia ku jetonte si emigrant politik. E dija se me çfarë peripetishë isha rritur, në varfëri dhe pa përkrahjen e askujt. Ishte tepër e rëndë. Tani mendoja se si do të rriteshin fëmijtë e mi. Ata në shtëpi, nën presionin e qeverisë, se njeriu kur i prishte raportet me qeverinë, edhe rrethi dhe populli po të përbuznin. Këtë e kisha përjetuar vetë në fëmijërinë time. Në këtë kohë babaj im jetonte në Turqi si emigrant politik dhe i zhytur në pleqëri të thellë dhe krejtësisht i vetmuar. Kush e din se a ka dëgjuar për burgosjen time. Nëse kishte ndëgjuar, si do ta ketë përjetuar. Me keqardhje apo me mburrje se edhe djali i tij e kishte vazhduar të njëjtën rrugë si ai dikur. Ja si po u përsëritka historia. Këtë rast mund ta quante dhembje krenare. Dikush në këto rrethana u dashka të sakrifikohet, paçka se i ra shorti familjes tonë si dhe shumë familjeve të tjera shqiptare. Në këtë kohë, në kokë më silleshin lloj-lloj mendimesh dhe nuk dija t’ia gjeja fillin. Isha i tëri i topitur.
Mbase këto janë ligjet e dialektikës, mendoja me vete. Ashtu si kokrra e misrit që hidhet në arë e asgjësohet dhe prej saj del filizi i ri që e përtrinë jetën. Ashtu po ndodhka edhe me mua. Unë që aq shumë e dua lirinë, u dashka ta humbë lirinë personale për ta fituar atë lirinë e madhe, lirinë kolektive apo lirinë kombëtare dhe për këtë megjithate duhet të ndiehemi krenar. Hysen Gega shpesh e përdorte një thënje, mbase që e kishte dëgjuar nga Jusuf Gërvalla me të cilin ka bashkëpunuar; “Burgjet plotë, liria te dera”. Si mund të na vinte ndryshe ajo liri e ëndërruar? Paçka se ne duhej të sakrifikoheshim. Kështu ka ndodhur gjatë të gjithë historisë.
Nga fundi i korrikut, mua dhe Hysenin që ishim bashkë, na nxorën nga qelia ku ishim dhe na dërguan në një qeli tjetër, në anën tjetër të koridorot. Ishte një qeli e përbashkët me gjashtë shtretër në dy kare, tre poshtë e tre lartë. Në atë qeli kishte edhe të burgosur të tjerë si Shefqet Telaku nga Banja e Malishevës, student, Fatmir Zekolli nga fshati Bllacë e Suharekës, nxënës në gjimnazin e Prizrenit. Aty ishte edhe një goran nga Dragashi por i burgosur për aksident në trafik dhe tani edhe unë me Hysenin që na dërguan. Ishte kënaqësi kur të takoheshim me fytyra të reja. Takimi me shokë të rinjë në rrethana të burgut konsiderohej si ngjarje me rëndësi. Pasi u prezantuam me njëritjetrin, filluan bisedat më të gjata në mes nesh. Shefqet Telaku na tregonte se si kishte marrë pjesë në demonstratat e Prishtinës dhe të Prizrenit dhe se si në ditën e dytë të martesës së tij, plicia i kishin shkuar në shtëpi dhe e kishin arrestuar, ende pa u njour mirë me nusen. Ky rrëfim i tij seç ma kujtonte baladën e Ago Ymerit.
Ndërkaq, Fatmiri ishte një djalë i ri 17 vjeç, siç thuhej, ende pa i djersitur mustaqet. Me një trup ende të palidhur e me fytyrë të njomë. Tërë kohën ulej në një kënd të qelisë dhe këndonte këngë trimërie e revolucionare. Edhe Hyseni shpesh e këndonte këngën e Bec Sinanit me plotë pasion. Kurse unë ua komentoja ato këngë në aspektin letrar e historik.. Kur e shikoja Fatmirin, një djalë ende të parritur mirë, më dhimsej pa masë. Kur e pyesja se a po merzitet që kaq i ri kishte rënë në burg, pa një pa dy më përgjigjej; “Jo bre burrë, mos e thuej këtë fjalë! Vetëm për një gjë po më vjen keq që nuk kam bërë ma tepër për çështjen tonë. Unë vetëm mora pjesë në demonstrata, ashtu si kan vepruar pjesa më e madhe e rinisë. Ishim marrë vesh me shokë për të dalë në demonstrata. Për atdhe duhet të punohet më tepër”
Një ditë prapë e pyeta Fatmirin;
- Fatmir, kur të del në gjykim, a do të pendohesh
- Mos ma thuaj bre këtë fjalë, si të pendohem unë? Vetëm për një gjë po më vjen pak rëndë, që nuk i di gjanat dhe historinë qysh po e dijshe ti e me folë edhe në gjyq. Atë që nuk kamë arritë ta boja në kohën e demonstratave, me ua thonë atyre në gojë e troç, se ky popull nuk ka me e ndërpre aktivitetin pa e fituar lirinë e plotë.
Kur e shikoja këtë djalë të rinj, ende të parritur si duhet, me këtë bindje e me këtë karakter, e vendosmëri, po unë, çfarë duhet të bëja. Po të tjerët që janë akoma më të pjekur, çfarë duhet të bëjnë? Unë në sytë e të tjerëve për rreth shihja lirinë. Liria vetëm mund të vonojë, por një ditë ajo do të vijë patjetër. Ashtu siç thoshte Ismail Qemaili; se “Ky popull me një rini të tillë mëkat të lëngojë nën robëri”
Nëse gjatë ditës bisedonim për probleme të ndryshme, e lexonim gazetën dhe e komentonim bashkarisht si dhe këndonim këngë të ndryshme, në brëmje, kur vinte koha për të fjetur, ata kërkonin që t’iu mbaja ndonjë ligjëratë me karakter politik apo historik. Mbasi shtretnit ishin në dy kate, njëri mbi tjetrin, uleshim në shtretërit e lartë dy nga dy përballë njëritjetrit, këmbëkryq dhe filloja t’iu flisja për tema të caktuara më parë. U mbaja tema historike duke folur për historinë e popullit shqiptar që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme, tema të ditës, tema sociale, etnografike, por edhe për tema të ndryshme politike, të rrjedhave politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Të gjitha këto ligjërata ishin në funksion të ngritjes dhe të formimit kombëtar e intelektualë, me qëllim të ngritjes dhe të formimit ideologjik, me qëllim të kuptimit sa më mirë të rrethanave politike në të cilat ndodheshim dhe perspektivën që e priste popullin shqiptar. Me një fjalë, shekulli i XX ishte shekulli i lirisë së popujve të robëruar e të skllavëruar. Edhe populli shqiptar i Kosovës i takonte kategorisë së popujve të robëruar në mes të Evropës. Kur popujt e robëruar të Afrikës e të Azisë po e fitojnë lirin, si mund të lëngonte nën zgjedhë në mes të Evropës populli shqiptar? Ata për çdo natë kërkonin nga unë t’iu mbaja nga një temë të tillë. Në vend se nata në atë qeli të burgut të ishte e trishtueshme, ajo kthehej në ankth të pritjes për të dëgjuar gjera të reja. Ata tregonin interesim të jashtëzakonshëm he dëgjonin me interesim shumë të madh temat që iu mbaja. Ato që nuk kishin arritur t’i mësonin gjatë shkollimit të rregulltë, përpiqeshin t’i plotësonin me njohuri të reja gjatë atyre brëmjeve. Në ato rrethana, burgu ishte shëndërruar në një shkollë për ta, kurse për mua ishte një kënaqësi e veçantë se edhe në burg, gjeta nxënës që aq shumë i kam dashur dhe i mbaja orët e mësimit që aq shumë më mungonin.
Me këta njerëz të mirë nuk e ndieja peshën e burgut. Aty më kujtohej thënja e Maksim Gorkit; “Burgu për revolucionarët eshtë vetëm një vend pushimi për të marrë energji të reja për të vazhduar më vonë me përvoja të reja dhe forca të përtrira”.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen