F A Q E T

Freitag, 11. Januar 2019

Ag Apolloni

Ag Apolloni

Ag Apolloni është prozator, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar. Ai është profesor në Universitetin e Prishtinës. Veprat letrare të tij dallohen për dimensionin dramatik, trajtimin filozofik dhe qëndrimin kritik ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë.
Ka lindur më 13 qershor 1982, në Kaçanik (Kosovë). Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka kryer në vendlindje, kurse studimet për Dramaturgji dhe studimet për Letërsi, i ka mbaruar në vitin 2005, në Universitetin e Prishtinës. Për shkaqe ekonomike, në vitin 2006 ka ndërprerë studimet në Filozofi dhe për dy vjet rresht kohën më të madhe e ka kaluar në Spitalin e Prishtinës duke u kujdesur për babain e sëmurë, i cili ndërroi jetë në 2007. Në vitin 2008, Ag Apolloni merr titullin Master i Shkencave Filologjike, kurse në 2012 merr titullin Doktor i Shkencave Filologjike. Apolloni aktualisht është profesor në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008
Apolloni ka punuar si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta ditore dhe revista letrare dhe kulturore në Prishtinë. Në vitin 2010 e ka riaktivizuar dhe e ka udhëhequr për tre vjet revistën më të vjetër letrare në Kosovë, “Jeta e Re” (e themeluar më 1949), e cila ka qenë mbyllur më 2006. Në vitin 2013, themelon revistën kulturore “Symbol”, në të cilën ka realizuar intervista me: Linda Hutcheon, Jonathan Culler, Rita Dove, Raoul Eshelman, Gottfried Helnwein, Andreas Huyssen, Mieke Bal, D. M. Thomas etj. Tekste dhe vepra të Apollonit janë përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, gjermanisht, italisht, çekisht, maqedonisht, serbisht etj. Apolloni është shpërblyer disa herë me çmime kombëtare për veprat e tij fiksionale dhe studimore.
Ag Apolloni ka filluar të shkruajë në vitin 2003. Në një kafene kishte dëgjuar një histori lufte për një kriminel që kishte koleksionuar sytë e viktimave të tij dhe kjo histori e kishte tronditur aq thellë sa që për këtë e kishte krijuar një monodramë brenda nate. Gjatë studimeve ka mbajtur një ditar poetik, të cilin në vitin 2009 e ka botuar me titullin “Zomb”. Ndërsa, në vitin 2013 boton romanin autobiografik “Ulurima e ujkut”, ku, nëpërmjet formës postmoderne, kombinon dhimbjen me tërbimin. I provokuar nga përvojat personale, mllefi i madh në këtë roman shpesh merr përmasa planetare. Pas këtij romani, shkruan novelën “Zazen” si një homazh për një shok të tij, i cili, pas mbarimit të studimeve në Degën e Filozofisë, në pamundësi për të gjetur punë në vendlindje, i mllefosur me të gjithë, kishte vendosur të zhdukej dhe, pas disa ditësh, ishte gjetur i vdekur në një humnerë. Derisa dramat e Apollonit provokojnë frikë dhe mëshirë, ndërsa poezitë e tij e transformojnë jetën intime në art, proza e tij është ankim dhe tërbim. Kurse, në studimet “Parabola postmoderne” (2010), “Paradigma e Proteut” (2012) dhe në kritikat e botuara nëpër periodikë, shihet një tendencë për të hapur shtigje të reja kërkimi.

Veprat:

  • Ulurima e Ujkut, roman,  (2013)
  • Zazen, roman, (2014)
  • Zomb, poezi, (2009)
  • Drama: Stefani, Halloween, Judita, Mat (2010)
  • Hamleti simbas Horacit, (2017)
  • Skenderbeu: Manuskripti i Marlout (2018)
  • Parabola postmoderne, kritikë, (2010)
  • Paradigma e Proteut, kritikë, (2012)
  • Koferi i Konicës, kritikë, (2016)


Shpërblimet:

  • Krijimtaria e Apollonit është shpërblyer me disa çmime letrare kombëtare, si:
  • 2010 Libri më i mirë poetik i vitit nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Zomb”;
  • 2013 Libri më i mirë kritik i vitit nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Paradigma e Proteut”;
  • 2013 Romani më i mirë i vitit (çmimi “Rexhai Surroi”), për librin “Ulurima e ujkut”;
  • 2017 Drama më e mirë e vitit nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”.


Një poezi nga Ag Apolloni


AUTOBIOGRAFI

Kur leu dita
e dha shpirt e zeza natë,
në shpellën e Platonit ideja mori trajtë.

Të diellën me diell të nxehtë,
në muejin e qershive, n’ditën e trembëdhetë.

Edhe pse leva herët,
gjindja kanë mendu se jam i vonuem.
Ndoshta pse me heshtjen kam qenë i dashunuem.

Nji antenë dhe nji gjel mbi kulm,
si gjana t’nevojshme, jo si gjana t’hijshme;
e kanë ruejt drejtpeshimin e shpisë sonë
ku na dhe televizori flisnim gjuhë të ndryshme.

Edhe atëherë s’ka qenë aq keq,
s’ka qenë ma keq;
ka qenë si sot:
hajna, hafije e heroj plot.

Kam luejt gjithçka,
nuk i mbaj mend emnat për secilën lojë.

Edhe pse s’i kam dashtë fort librat,
nëpër shkallët e shkollës jam ngjitë pa drojë.

Kur baba mori koferin me andrra dhe u zvogëlue n’horizont;
kur shokët shtegtuen si dallëndyshe në fund të stinës;
kur gjyshi një ditë e prishi rutinën e përnatshme
dhe, në vend se me fjetë, vendosi me dekë,
unë si fëmijë i humbun gjeta strehë në bibliotekë.

Në kohën e plumbave, nisa me ba jetë prej letre:
letrat e shkrueme i lexova e të zbraztat i shkrova.

Trupi me hijen në mur matet edhe hahet,
tash kur letrat e bukura i kam të vetmen fe;
në shpellë shoh mishin që bie, mjekrën që zgjatet,
dielli mbrapa shpine më pret të kthehem prapë në ide.

________
Për biografinë e autorit u shebyem nga Wikipedia, kurse poezinë e morëm nga interneti.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen