Latif Berisha |
Latif Berisha lindi më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Vushtrri e Prishtinë. Fillimisht më 1949, punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë. Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t'i botojë në revistën letrare "Jeta e Re". Më 1951 punoi inspektor në Sekretariatin për Arsim Kulturë dhe Shëndetësi. Në ato vite qe edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.
Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve, më 1957 boti përmbledhjen e poezive"TUFA". Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare "Përpjekja" të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit. Në qershor të vitit 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës.
Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare, Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës "Skëndërbeu në letërsinë e shkruar shqipe".
Më 1965 u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa më 1968 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi).
Që nga viti 1984, punoi në projektin "Skëndërbeu në letërsinë shqipe" të cilin nuk e mbaroi.
Në vitin 1991, si dhe shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Latif Berishën, regjimi serb e largoi nga puna.
Gjatë viteve '90, Latif Berisha u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare.
Kontributi i Latif Berishës në fushën e arsimit, shkencës, kulturës etj., qe shumë i madh. Vepra e tij poetike e shkencore zë vend të rëndësishëm në letërsinë dhe shkencën shqiptare të filologjisë.
Latif Berisha ka botuar vëllimin me poezi "Tufa"(1957), studimet e vështrimet: Ali Asllani dhe krijimtaria e tij poetike"(1963), Skëndërbeu në poemën "Kënga e sprasme e Balës" (1968), Skëndërbeu në disa krijime të letërsisë shqipe në Jugosllavi (1968), Vepra "Lulet e Verës" dhe disa nga dimensionet e saj kuptimore (1972), Poema "Bagëti e Bujqësi" (vlera ideoartistike) (1972), Hil Mosi dhe krijimtaria e tij poetike (1972), Andria Kaçiq Mioshiq dhe shqiptarët (1974), Një tufëz vjershash autografe të Zef Serembes (1974), Mistifikimi letrar dhe letërsia shqiptare e Rilindjes (1976), Jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në katër poezitë e atyre viteve (1978), Zef de Rada,poet pak i njohur arbëresh (1978),Pikëpamjet e Luigj Gurakuqit mbi poezinë (1978), Në gjurmë krijuese të Jeronim de Radës (1978), Pikëpjekje të Letërsisë së Rilindjes me jetën dhe letërsinë e sllavëve të jugut (1982), Poezia e De Radës në suaza botërore (1984), Gjendje aktuale e kulturës shqiptare në Kosovë dhe kahet e zhvillimit të saj (1995), Vepra letrare "Dora d'Istrias, Shqiptarët (1995) etj.
Për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në vitin 2004, është dekoruar me Medaljen e Artë të Pavarësisë.
Ishte antarë i Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Pas luftës, Biblioteka e qytetit në Mitrovicë e mori emrin emrin e tij.
Profesor Latif Berisha, është vrarë më 24 mars 1999 nga forcat kriminale serbe.
Një poezi nga Latif Berisha
Tri gota
N’livadh të jetës tri gota i gjeta
Dy janë të mbushura, asht bosh e treta…
Të parën e mora, në buzë e afrova,
Ish’ idhtë si pelimi mejherë e largova…
Të dytën e mora, me gjuhë pak e preka,
Prej s’ambli më dogj, mejherë e hjeka…
I zbraza të dyjat në të tretën gotë,
U ba idhtë e ambël, si asht vet’ kjo botë…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen