F A Q E T

Samstag, 2. Februar 2019

Selajdin Shabani

Selajdin Shabani

Selajdin Shabani u lind më 29 shtator të vitit 1969 në fshatin Runicë të Kumanovës. Shkollën fillore dhe të mesme ka mbaruar në Kumanovë e Gjilan, ndërsa Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë. Për më shumë se një dekadë ka punuar në Radio Shkup dhe për dy vite në Televizionin e  Maqedonisë, programet në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe paralelisht ka punuar edhe në gazetën “Flaka”, në  gazetën “Koha Ditore” botimi në Maqedoni; gazetën “Lajm” Maqedoni/Kosovë dhe së fundi në gazetën “Shqip”. 
Ka marrë disa çmime për gazetari dhe poezi.

Veprat:
  • “Ndrydhje”, (1999),poezi, 
  • “Mes stinëve të një gazetari”, (2006), libër me shkrime për konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni
  • ”Përtej Momentit”, (2008), skica e reportazhe nga periodiku i kohës
  • “Më shumë se Unë” (2014), poezi,
  • “Të kam thënë... Lajdins”, (2018), poezi


Poezi nga Selajdin Shabani


JETA ME SHUMË DYER...

Jeta ka më shumë dyer e më pak çelësa,
por pak puthen njëri me tjetrin,
jo të gjithë hyjnë e dalin dhe dyert mbeten të ndryshkura.
e vrimat e derës mbeten frymëmarrje e ndonjëherë edhe shpresë.

Jeta ka edhe deriçka
që sa herë mërzitesh 
ta gjen një ngushëllim.

Jeta ka edhe pirg, ku TI,
mund të shikosh e të mos flasësh
e miku im veç shikon
dhe kërkon shfajësim,
e jetës nuk i mungojnë as dritaret
me perde të bardha e të zeza
ku shikimi tretet larg dhe kthehet në pikën e takimit.

Jeta ka edhe reze dhe lëviz si brava të ndryshkura
me pak dhe shumë borxhe...



NDJESIHOLLË DHE HESHTJE DASHURIE

Dhe mund ta di saktë frymëmarrjen dhe shikimin tënd
por s’po dua ta di, edhe pse e ndjej,
se mendja pastaj më bëhet vërdallë, 
i kam frikë vetes,
Se mund të të trokas vakt e pa vakt
si muzë poetike
të lodrojë e notojë si në baltë
që edhe ashtu s’di të vallëzoj.
Hesht, por endem përreth teje
Si një i huaj, 
që kërkon një të njohur dhe s'e ka takuar moti kohë.
E di se ndjejmë bashkë, 
ndjesihollë dhe heshtje dashurie!

LOJA ME GJARPRIN 

Sa e sa herë kam hy në lojë vdekjeje, 
me ty gjarpër,
edhe kur na kanë thënë se je i shtëpisë dhe mbrojtës i saj, 
dhe të kam sjellë qumësht në shtrofullën e oborrit, të bunarit e arrës 
por unë s'të kam besuar, 
as kur na kanë mësuar, 
se ti nuk sulmon i pari,
kur kam mund ta shuaj etjen dhe të pimë ujë bashkë.
Jo rrallë më ke goditur në sy, 
edhe pse ti i verbër 
më ke mbështjellë për qafe si bollë
dhe më ke kafshuar me dhëmbët helmues:
Edhe në gurë, edhe në lumë, 
edhe në besë, edhe në fushë.
Ti nuk i zbulove gjurmët 
edhe pse ishe me dy kokë edhe në gjumë 
dhe loja me ty mbeti e pafund
Mos i zë besë gjarprit!?
E unë vazhdoj të luaj përsëri me ty, pa ditur se do fitoj ndonjëherë, Gjarpër!?



HESHTJA SI MALLKIM

Sa e sa herë kemi heshtur
Kur është dasht të bërtasim deri në kupë të qiellit
sa e sa herë jemi kallur në heshtje
dhe kemi duruar kafshimin e gjarprit e të qenit
dhe jemi fërkuar si eshkë dimri.
Heshtjerëndë mes nesh:
heshtje varri, heshtje sehiri,
heshtje guximi e heshtje lufte,
heshtje dashurie e heshtje heroi,
duke shkelur nëpër mote,
duke pritur pikat e shiut,
por asnjëherë nuk jemi shterur si pus
dike duruar më shumë se heshtja në heshtje 
duke u mekur në mallkim
e, ne frymojmë në heshtje



TINËZISHT

Duam të jetojmë si në ëndrra e zhgjëndërr,
dhe të dukemi si fisnikë,
por të veprojmë tinëzisht,
hetojmë e jetojmë: herë si gjarpër - me dy kokë, 
t’i fshehim gjuhën dhe këmbët 
dhe të kafshojmë pak nga pak dhe prapë të dukemi faqe e hisebardhë!
Duam të jetojmë: herë si mace nën sofër,
herë si engjëll e herë si dreq
herë si prift e herë si hoxhë
herë si bollë e herë si mollë.
Syrin e kemi shqiponjë,
mendjen vërdallë, 
shija nuk na dihet,
shijojmë çfarë na vjen dhe bëhemi aktorë
herë ëmbël e herë pelin e me naze
ty e mua ndoshta s’na pëlqen
por, na jemi këta në gjen!



DASHURI NË SHIKIM TË PARË

Takimi ynë ishte i rastësishëm
Në një nga rrugët e vjetra të qytetit
shikimet tona u puqen si në
telat e rrymës,
si në pikëpjekjen e shigjetave,
duke u stepur në mes të udhëkryqit 
duke ndalë edhe kalimtarët,
asnjëri nuk lëviznim nga stepja dhe të gjithë na vështronin!?
Kishim harruar se ku jemi:
as që dëgjonim, as nuk lëshonim rrugë
derisa ty të ranë lulet nga dora
të cilat i kishe për dikë tjetër dhe desh mi fale me të dy duart,
dhe mua fishkëllima e tjetrit
më kishte zgjuar nga kllapia, 
ku nuk kisha dëgjuar as orën e dorës që mu thye
duke u ndalë e puqur në 14 e 14!
Unë ika në njërën anë 
por me kokën kthyer pas teje,
por mbeti dashuria në shikim të parë 
duke e kërkuar njëri-tjetrin deri sa u gjetëm te guri dhe rruga e dashurisë!



PËRBETIM I RREJSHËM

Sa e sa herë kemi bërë BE rrejshëm 
në Emër të Zotit 
dhe kemi bërë akte tinëzisht në emër të tij
Sa e sa herë jemi përbetuar në emer të babës e nanës
dhe kemi vjedhur pak jetë
dhe kemi vrarë si shumë dashurinë
dhe kemi e s'kemi kërkuar falje
sikur asgjë nuk ndodh.
Fshihemi pas lotëve, pasqyrës, qëndrimit, dyshimit e lutjeve,
hedhim gurin dhe fshehim dorën
dhe sikur harrojmë 
se Zoti është dëshmitar,
Por edhe Zotin jemi munduar ta gënjejmë,
ashtu siç e kemi gënjyer veten një jetë të tërë e mote pa fund
duke u vonuar në kohën e duhur!


MË SHUMË SE NJË HERË

Kam falur më shumë se një herë
po edhe aq herë kam ulur kokën, 
kam mbyllur sytë sikur që s'po shoh, 
duke vënë syze dielli
kam heshtur edhe kur kam pas të drejtë
por edhe kam bërtitur deri në kupë të qiellit, 
kam ngjirur andej e këndej,
si aktor në një teatër
kam këlthitur me zë e pa zë
si një i trandur përballë vdekjes
kam çjerrë nëpër udhëkryqet e jetës
duke gërvishtur në tokë e në qiell
duke lënë një gjurmë kohe
kam ofshamur e psherëtitur deri sa kam fishkëllyer,
dhe nuk di a kam qenë i mirë apo i egër
për vete apo për të tjerë 
dhe jeta eci si lojë që s’e fiton kurrë!



ME ZJARRMI NËPËR FYTYRË

Si nuk ke një pikë mëshirë?
Ëndrrat për t’i shkrirë!

Si nuk ke një pikë dëshirë?
Ëndrrat për t’i shtrirë!

Si nuk ke një pikë të ngurtë?
Ëndrrat për t’i shthurë!
E ëndrrat vazhdojnë të mbesin ngrirë,
ku as Dielli nuk t’i shkrinë.

Ti vazhdon të mbetesh ngrirë?
Me zjarrmi mbi e nën fytyrë!



IKJE NËPËR HIJEMOTE

Të pata thënë Lajdins
shumë e shumë herë,
se, ikja (s’)është shpëtimi yt,
në një mot e përjetë!
Sa e sa herë pate sprovuar ikjen, Lajdins,
me shpirt e pa shpirt,
po aq herë ishe ndrydhur,
duke mbetur i trandur.
Kohë hijerëndë, Lajdins,
je gjurmë dhe hijëz e kohës.
Ikje: kemi ikur dhe po ikim
si hijelehtë nëpër yje
për të frymuar si shtat e si fije 
dhe për të(mbi)jetuar në retë e vjeshtës.
Po ikim si stinët e vitit, 
me plagët e kriposura,
ikje në heshtje, ikje përtej detit,
ikje si fantazmë, folenë s’e le!
Lajdins!?: SA E URREJE KËTË IKJE!
por, Shqiponja a ik, Lajdins!?



NJË COPËZ JETE

Jeta të jep më pak se e meriton Lajdins
ani pse ke ëndrra dhe ëndje
askush s’të pyet,
edhe pse të gjithë të duan e të lajkatojnë,
kur TI, u duhesh!

Jeta të shtrydh e të ndrydh, Lajdins
ani pse TI je i dashur dhe këndshëm
ajo vjen e fryrë dhe si e gëzuar
por të vret pa mëshirë.

Jeta të vret për ditë nga një ditë, Lajdins
e të fikë ditë e natë,
të shtrëngon si në ankth
dhe të lë pa gjurmë.



PUTHJE SI LUMË

Sa herë të kam puthur
Jam etur edhe më shumë
Nuk jam ndalë si përroskë,
kam vazhduar si lumë
në flokun dhe trupin tënd
edhe në gjysmëdritë, edhe në gjysmëhënë,
edhe në mëngjes, edhe në gjumë!
Kur të kam puthur
Frymëmarrja sa herë më është ndalë,
Po aq herë më është rritur
si tension i zemrës së lartë!

Puthje si lumë



RIKTHIM I VONUAR I DASHURISË

S’të kuptova,
kur koha dhe ora kërkonte t’i puqnim buzët dhe këmbët
dhe të lidheshim si me kthetra,
si mish e thua.
Ika duke të lënë në stuhi toke, 
si krua duke pritur të eturin,
e t'i përballove mote e sfida duke më prit
se do të kthehem një ditë se do të kthehem një stinë
dhe vërtet unë u ktheva ditëve dhe një fundjavë gushti:
më shijove një ditë - tri puthje e ca përqafime,
një ditë tjetër ledhatime
dhe një fillimjave tjetër dashurinë.
Dhe më s'doje t'ia dije për mua
dhe më nuk po takohemi
koha shkel pa dritën e saj
duke të pritur përsëri me një kumt.
Por t’i s'vjen e nuk dukesh askund
dhe nuk lëshon asnjë zë,
pos që më vërtitesh si peng i dashurisë së vonuar!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen