F A Q E T

Montag, 24. Juni 2019

Hamit Taka

Hamit Taka

Shkrimtari Hamit Taka ka lindur më 1949, në Konispol, Shqipëri. Ai ka mbaruar gjimnazin shkelqyeshëm, por nuk iu dha e drejta e studimit, për shkaqe biografike.
Shërbimin dyvjeçar e ka kryer në Veri të Shqipërisë, në Burrel, Peshkopi e librazhd. Ato dy vjet ka bashkëpunuar me gazetat “Zëri i rinisë” dhe “Luftëtari”, ku ka botuar poezitë më të frymëzuara e më të pëlqyera nga lexuesit. Katër vjet pas mbarimit të gjimnazit iu dha e drejta e studimit për matematikë dhe ka punuar mësues matematike në gjimnaz.
Gjatë viteve të punës ka ushtruar edhe gazetarinë dhe është anëtar i International Federation of Journalists.
Ka shkruar ne revistat: "Pionieri", “Fidan”(e Prizrenit),"Mesuesi", "Revista pedagogjike" dhe në gazetat: "Zeri i rinise", "Luftetari", "Mesuesi", “Drita", në gazetën lokale “Saranda”, "Rilindja Demokratike", “Rilindja” e Kosovës, "Koha jone", "Shqip", "Intervista",  “Shekulli” dhe "Standard".
Është dekoruar me titullin "Nderi i Krahinës".

Veprat:
  1. "I falem fatit", poezi
  2. "Poezi jasht kohe", poezi
  3. "Dashuri në ishullin e Feaçeve", tregime
  4. "Botë e çmendur e gëzuar", poezi për fëmijë
  5. "Nëna dhe tri vajzat", përralla për fëmijë



Poezi nga Hamit Taka


NJË LETËR NËN DERË

Mbase unë sonte nuk do të vij
Ti fike dritën kur të biesh.
E di se shtrati të duket varr
Po sqetullat prapë ti mund t’i lyesh.
Mbase as nesër në portë s’do trokas,
Ti darkën mos e ler të shtruar
Dhe djalit, kur ta vësh në gjumë,
Përralla të frikshme mos t’i thuash.
Mbase papritur kaloj kufirin
Si një skllav i arratisur nga padroni
Dhe në tokë të huaj rrëshqas e bie
Buzë një gremine e buzë një honi.
Mbase i dehur në kabarera
Ndeshem keqas me një zezak a bjond, 
Mbase diku në një skutë të errët
Pusi më zë një vagabond;
Mbase në një sofër të pa shtruar
Përtyp kotheren e urisë
A fillikat i vetëm në një tren
Rend mesnatës drejt lirisë;
Mban ky kurmi i mërgimtarit
Dhe qafë e tij si qafë e djallit…
Veç kudo qofsha, në parajsë a ferr
Unë sonte flë në shtrat të mallit.


GJYSHES
-kushtuar gjyshes së sëmurë 
të fëmijëve nga nëna, 
Vojsavës(shkurt Sava) 86-vjeçare-

Duart e tua
Si gjethe vjeshte
Kam frikë se këputen
Para meje rrëzohen;
Filxhani i kafesë,
Pjatat, abazhurët
Do bien nga dhimbja, 
Do kricen, thërmohen;
Përparsja e vjetër
Si një copë nat' e errët
Do të rrijë varur
Në gozhdën e ftohtë;
Atëherë do të ikin
Aromat e gjellëve
Dhe shija e ëmbël
E bukës së ngrohtë;
Në oxhakun e gurtë
S’do ndizet më zjarri,
S’do digjet më 
Ullishtja e menduar
Dhe sytë e gjyshit
Nga foto-ja në murë
Çdo qoshe, çdo derë
Do kërkojnë të hutuar;
Pranë krevatit
Të hekurt, të ndryshkur
Do të digjet vetëm
Llambadhja e mekur;
Dhe malli im
Do të shtrihet kudo
Si shtresa e gjalpit
Mbi bukën e thekur;
Do tkurret fshati
Mes dy gurësh varri
Udhët e gjelbëra
Do të mblidhen nyje;
Vetëm një shteg
Do të mbetet i bardhë
Ai shtegu i mallit
Nga ti më vije…



MBART KUJTIMET SI HAMALLI

Ja edhe vendlindja ime,
Mal’ i bukur përkarshi
Ka çelur sfaka anembanë
Luleverdhat si flori;

Udhës eci i përkulur
Mbart kujtimet si hamalli, 
Kujtoj vajzën bukuroshe
Si zgjaste kokën sipër gardhit;

Ja dhe shtëpia ku kam lindur, 
Kopshti im i mbetur shkret,
Plepi im që është tharë
Si pena ime, si një asket;

Ja dhe porta me sofatin
Ku rrinte mbrëmjeve babai
Dhe përshëndeste kalimtarët
Dy pika lot mezi i mbaj;

Bëj ta hap portën e vjetër,
Po këmbët nuk më bëjnë të hyj,
Më çojnë drejt e në varreza
Loti dhimbjen të ma shkrijë;

Bie në gjunjë si mëkatari
Që i lutet Zotit për pak fat, 
Se fati mua besimtarit
Më ka troshitur si xhelat;

Lëmoj mermerin me dy duart
Duke shtrirë krahët si urë, 
Trëndafilat u hepuan
Si hark i puthjeve dikur;

Të varr i nënës diçka lëvizi,
Dëgjoj një zë të venitur:
Bir, sa më qënke tretur,
Qënke thinjur e ronitur!

Babai i ngrysur si nga herë
Vihet hapur në siklet:
“Malli është për në varreza
Dashuri ka veç në jetë!”…

Sa i shtrenjtë ky skaj i botës
Ku kam lindur veç një herë
Dhe çdo hap më zgjon kujtime
Sa çelin lule në pranverë!



VETULLAT E VASILIQISË

Shtëpia ime e vjetër
Me portiqe e me damë
Emblemë ajo kishte
Trim Ali Pashanë;

Imgjysh thonë e bëri
Kur shërbente në Janinë
Me besë kishte pashain,
Me shpirt vasiliqinë;

Njëzet vjet shërbeu
Si besnik i rrallë
Veç një leje bëri
Gjashtë muaj me radhë;

Ngriti një shtëpi
Të madhe e të lartë
Me harqe dritaret
Dhe dyert po me hark;

Me harqe krejt i mbushi
Muret e shtëpisë –
Vetullat, qerpikët
E zonje Vasiliqisë.



TI, O POPULLI IM

Ta them hapur, pa dilemë:
Mos më lexo, se do më urresh
Kur unë të vërtetën do të themë,
“Ç’të duhet ty, or trap”, do ma kthesh.

Po mo po, ti, populli im,
Shoku, miku, i afërmi, vartës a shef!
E mori dreqi e mori, jam gjaku yt legjitim
Dhe më bëre të shkruaj me kaq mllef!

Ti, i çuditshmi, populli im,
Kaq i zhgënjyer, i influencuar përherë!
Ti, që m’i cingëris nervat sa hap sytë
Me atë të troshiturin karakter!

Sot ankohej se ke lakun në fyt
Nesër brohoret se punët të venë vaj
Më je bërë si politka pa kokë e pa bisht
Po jo edhe shteti, ta hajë dreqi ta hajë!

Ti, o populli im i ri
Me depresion e drama që në lulen e rinisë,
Me mua je, krejt  tjetër njeri
Dhe botës i shitej si dhuratë e perëndisë;

Ti, që veten shan e urren,
Që s’lexon një libër, nëpër kafe ditën ngrys
Të fyhet qytetaria e ndërgjegjja të bren
Kur vriten gazetarët në Paris…

Ndodh që vritet një turist i huaj
Ti mohon veten, kriminel i thua për ibret
Me injorancën tënde tallesh kur burri vret gruan
Në zgryp është rritur, thua, dashka dhe qytet!

Ti, që intelektin ke në gen
Rropatesh për një falco-diplomë
Për të qënë thjesht ushtar i kavies
Që bota eksperimenton në planetin tonë.

As pushtuesi as diktatura as demokracia
S’patën këllqe të të ndryshonin ty
Unë jo se jo, as Perëndimi, mos nesër rinia?
As Zoti as dreqi s’e di.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen