F A Q E T

Freitag, 15. Februar 2019

Vaid Hyzoti

Vaid Hyzoti

Vaid Hyzoti, lindur më 10 mars 1960 në Ishëm të Durrësit. Në vitin 1982 kreva fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për gjuhë dhe letërsi shqipe, kurse më pas një specializim pasuniversitar për kritikë letrare, më 1987.
Ka punuar mësues dhe gazetar, pa iu ndarë kurrë letrave. Artikujt kritikë dhe shkrimet tjera i ka botuar në revista e gazeta, si “Nëntori”, “Drita” etj.
Më 1986 botoi vëllim e parë poetik, “Zërat e ditës së re”, për të cilin thuhet se vetëm 70%  ishte i tij, pasi dorëshkrimi u qeth dhe u rrumbullakua nga botuesit, nën shijen  e  censurës tematike të kohës. 
Në vitin 2000 emigroj në Amerikë dhe tash jeton në New York. Si duket, në kurbet iu shtuan frymëzimet. Kësisoj, ai vazhdon të shkruaj dhe t'i gëzoj lexuesit me libra tjerë.

Disa nga librat e botuara:

  • “Zërat e ditës së re”, poezi, 1986
  • “Thashethemet e vërteta” - skica, profile dhe tregime humoristike, 2002
  • "Qyteti i të marrëve”, poezi, 2006
  • “Fëmijë i vjedhur”, tregime dhe novelë, 2007
  • “I denuar të qesh”. poezi. 2011
  • “Kafe me djallin”, poezi, 2013
  • “Dita ime - një cigare”, poezi, 2017
  • Kurse romani "Parfum të vdekurish, është botuar fillimisht si teegim tek revista letrare “Mehr light” në Tiranë dhe më pas si trajtë novele tek vëllimi "Femijë i vjedhur".

Poezi nga Vaid Hyzoti


SHQIPËRIA IME 

S’e di a nuk më deshe ti.
S’e di a nuk të desha unë... 
Por çdo burim që rrjedh nga ty, 
Më turbullon, më le pa gjumë. 
Se jemi larg për vite e vite, 
Por prindërit peng m’i mban atje. 
Bari në varrin e babait rritet, 
Nënën dhe vdekja nuk e nxë. 
Çati e shtëpisë plasaritur, 
Vuan të ruaj çdo shenjë kujtimi. 
Tani dhe qiellin e kam ndërruar , 
Jam kthyer krejt në zog hutini. 
E prapë fytyrën e kam shkëmbore, 
Siç më je ti Shqipëria ime... 
Gjithnjë për ty lart e ngremë zërin, 
Ndonëse të mbytur në kukamë dhimbjeje.




VDEKSHA PO NUK ERDHA

Vdeksha, po nuk erdha
Tek ty, vendi im!

Këto vite të shumta, 
I harruar jam. 
Por beben e syrit, 
S’mbylla asnjë natë 
Pa të futur brenda...
Se të kam aq larg
Dhe të ruaj me ëndrra...

Vdeksha po nuk erdha! 
Veç të gjej të gjallë!

Sido që të vij 
Ti a do më qash?




EMËR I VËSHTIRË

Asnjëherë nuk mundën të ma thonë saktë emërin në këtë vend,
Ndonëse kam emër të shkurtër:
Dy rrokje,
Katër germa!
Mesojnë aq shpejt fjalët e pista nga të gjithë gjuhët e botës,
Në dhjetra gjuhë përdorin fjalēn “shkërdhatë”,
Apo të shajnë nga nëna!

Dhe në vdeksha me kursimet e mia do paguaj një varr të sheshtë ,
Dhe në ardhshin në varrim do thonë;
Vdiq një refugjat!
S’ia vlen të më thonë emërin, se mbase dhe i vdekur,
Mund te çohem dhe ne vendin ku emerin ma dinë

Mund të kthehem prapë!




KALAJA

Kalaja e Ishmit qe më mban shtepinë,
Shtepinë me mure bedenash,
Është plasaritur e çarë...
Çudi, asnjë gur s'i levizi në shekuj,
Por plasi në kohërat moderne.
Malli e paska marrë ...

Si t'ia nis një pikë loti,
Aq, sa për të më parë...




FALEMINDERIT, ZOT

Era tërë natën
I fshiu rrugët, 
Ku gjurmët e tyre dhe hedhurinat lanë njerëzit. 
Dhe na solli një mëngjes të trëndafiltë, 
Të pastër, të bukur, 
Si në kohën e Homerit...
Faleminderit, o zot, për këtë ditë dritēmirë. 
Që na dhuron sot

Për ta nxirë!




PUTHJA E PARË

Ishte aq e shkurtër; vetëm pak sekonda.
Ishte e plota me vlerën e puthjes... 
Ndonëse e dhënë me gjysmëdëshirë
Dhe gjysmën tjetër ia vodhëm druajtjes.
E ndjeva veten të humbur brenda zemrës.
Frymë mora thellë me poret dhe flokët.
Veç nje çast të vetëm se pastaj u meka,
I gjallë pa zemër, pa...kapak të kokës! 
Herë ndihesha fajkua të sulmoja qiejt, 
Herë si fosile e pagjetur akoma.

...kanë kaluar vite. Ajo më vjen shpesh
Puthja më e shkurtër - veç në pak sekonda.

Më ndjek, drithëron dhe veten e humb,
Paçka se shumë puthje dhashë ne jetën time.
Mbeti krejt e njëjtë, si e kuqja Onufrit.
Ndërsa te tjerat... vetem retushime!




DASHURIA

Ke zënë vend dhe nuk luan nga sytë e mi...
Shoh drejt e më bëhesh dritë,
Shoh majtas e djathtas - më kthehesh në gjemb...
S'ka mjek të marrë përgjegjesinë e operimit,
Më thonë: mbetesh qorr
E përjetësisht të dhemb!
Përjetë urdheron sytë çfarë të shohin,
Në gabojnë, je gati t'i nxjerrësh me thikë!
Nuk pyet se vitet e mia po shkojnë, 
Ani, flokët le të thinjen, të bien,

Ti mbrohesh me qerpikë!




VAJZA E ËNDRRAVE

Kurrë mos ardhtë,
Kurrë ma e pafsha,
Vajzën qe më vjen në ëndërr!
Ka vite qe e rris
Për nuse e stolis
Dhe veten zgjedh dhëndër!

Ndjej fort ta dua,
Krejt i përhumbur,
Syve plot dritë...
Në ardhtë - medet,
Një shuk errësirë

Do m’i mbyllë sytë!




JANE TRI VAJZA

Janë tre vajza, që s’i quan të vogla,
Por edhe të rritura nuk janë ende.
Të zbresë natën e vonojnë
Te hyrja e pallatit çdo mbrëmje.

Janë tre vajza që sapo kanë filluar
Vetullat t’i heqin nga një çikë
Edhe thonjtë ti ylberojnë,
Edhe tonet t’i derdhin tek sytë.

Zëulët bisedojnë tek bëjnë deshifrimin
E fjalëkroseve të vështrimit të djemve
Pastaj shpërthejnë në qeshje të bujshme
Duke veshur pemët me gjethe.

Ashtu përskuqur nga përvlimi i moshës,
Për “atë” të ndjejnë kanë zënë.
Gishtat i kanë mbushur me unaza,
Çudi që në bel nuk kanë vënë

Paçka se xhinset shkurtohen çdo ditë
Ankohen bluzat nga i gjoksit brufullim…
Vajzat këdo ngacmojnë me vështrime
Çdo mbrëmje, në hyrje të pallatit tim.

Përkitazi i shoh, veç lehtë i përshendes,
Tek sa para tyre shkoj nxituar.
Se jam kaq i ri tu jap këshilla,
Jam kaq i vjetër për t'i dashuruar


New York, 2007




I DROGUAR

Sapo të prek më merret goja
Si të kem pirë një kupe hashashi. 
Se prapthi lajmet transmetoj,
Zhurmues antenash që ka Dajti!

Të ngjis tek vetja të puth fort
Në gushë, në buzë, në sy e faqe
Krejt ç'akorduar - ah, ç'superdozë
Patjetër prej marihuane!

Ti fergellon, s'të mbajnë këmbët, 
Si bisk i njomë rrëqethet shtati...
Mua më vjen si drogë e fortë
Kolumbiane, jo ... Lazarati.

Lekurës të bulëzon vesa,
Shegët e gjoksit shpërthejnë kokrriza.
Marramendja vjen tunduese,
Efekt i plotë nga kokaina!

Gremisem te vdes në humnerë-
Se s'ka më bukur tjetër vend!
Se ç'hungëroj, rënkoj e flas
E di qe kurrë s'do t'i mbaj mend.

...çudi, më pas hap sytë ngadalë,
Fillon del droga, vjen frymarrja.
Si filozof e them me bindje
Drogë merr vertete kush s'ka të dashura!


2017

                                                  _  _  _  _  _  _  _  _  _  _


Tregim nga Vaid Hyzoti


Tavolina e ushtarit

 Kamarierja na drejtoi për tek tavolina e fundit.
 - Vetëm tavolina e ushtarit është e lirë,-tha ajo si e zënë më faj.
 Nuk doja të rrija atje, madje kërkoja një tavolinë në hyrje, jo më të isha afer asaj "të ushtarit". Kisha  pirë kafe dje në këtë bar me emrin "Shqiponjat". Në fillim pata një si ndjenjë ngazëllimi,kur dallova që larg flamurin shqiptarë dhe atë amerikan në farfuritje.Lokali ishte në krye të një sërë godinash njëkatëshe, që ishin zyra apo dyqane të vogla, minimarkete.Sa hyje brenda të dukej se kaloje si në revistë tërë Shqipërinë.  Madje edhe emrat e tavolinave u përgjigjeshin pamjeve, fotografive në sfond. Ja,tavolina e Rozafatit, e Krujes, e Saradës, Tiranës...Vetëm një tavolinë e madhe në fund të lokalit nuk kishte emrin, madje as kishte ndonjë pikturë, apo fotografi. Dy rekuizita te vogla prej xhami kishin nga një bluzë marinsi; njëra e shpuar nga plumbi në mëngën e majtë, tjetra-akoma e përgjakur.
  - Mos u habisni që kam shpëtuar. Nuk ka plumb që ta vrasë shqiptaro-amerikanin që lufton terrorizmin Jo vetëm në Falluxhah të Irakut, por dhe në Polin e Veriut, në xhunglat e Afrikës,kudo që ka terroristë jam gati të shkoj...-nisi fjalimin e përditshëm djaloshi i veshur me uniformë marinsi.
   Askujt nuk po i  bënte përshtypje fjalimi i tij patetik. Ndoshta ishin mësuar ta dëgjonin çdo ditë, ndoshta edhe vidiot në televizorët e sallës kushedi sa herë e kishin transmetuar atë. Vetëm ca syresh  e shihnin me keqardhje dhe pëshpëritnin: "Sa djalë i mirë ka qenë. U bë gjytrym për tekat e të atit".
    Kamarierja,si duket e kuptoi hezitimin tim:
- Mos u shqetesoni, Besmiri, ushtari, nuk vjen sot, është shtruar prapë në spital, i shkreti. Rrini të qetë dhe mirë se erdhët 
    Zumë vend. Xha Mustafa, që sapo kishte ardhur nga Shqipëria, u bë me krahë që po gjente një  kafe kaq pranë shtëpisë së të birit dhe ku shërbehej dhe flitej në shqip.
  - A ka fernet këtu?
  - E do "Branca", apo të Tiranës, si të duash...
 - Më sill një dopio të vendit dhe nje ekspres streto, - i tha kamerieres dhe na u drejtua ne: - Tani këtu më keni çdo ditë.Të vonohet djaliu sa të dojë... Do të gjej ndonjë shok të tjerr kohën. Po këto televizorët a e dijnë shqipen?
- Kemi edhe video, edhe program direkt...
- Po çfarë kanë vidiot? Humor me Koço Devolen?
  Kamarierja mori një kasetë që i zuri dora dhe telekomandën...
 - Shihe, more, po sikur e njoh këtë... A mos është ky Brahim Brahushi, berberi i Selvisë? Po ç'e paska këtë kollare të madhe si ministër. Mos e kanë bërë ministër këtu në Amerikë?
  Kamarierja duket shumë e muhabetit dhe nuk besdisej nga pyetjet e shumta të xhaxha Mustafës:
  - E ç'është ministri para Brahushit?Asgjë.  Brahushi është pronari i këtij lokali dhe i tre dyqanëve  të tjerë në këtë zonë. Në një shtet tjeter ka blerë një pikë karburanti...Brahushi është dhe babai i ushtarit, - nxitoi së fundi të sqaronte kamarierja,sepse po i bënin shenjë nga një tavolinë tjetër për pagesën.
 - Allah Brahush berberi qenka bërë pasanik i madh në Amerikë,-foli nëpër dhëmbë xha Mustafa me  sytë tek televizori - Pa prit, prit, çfarë thotë? Brahushi qenka dhe kryetar i shoqatës së intelektualëve shqiptaro-amerikanë Zot, na ruaj kaplloqen, se po na bie ta shkelim me këmbë. Mirë për tregëti, po paska patur edhe shkollë?
  Në vidio një gazetar i televizionit lokal,po intervistonte Brahushin,pas zgjedhjes si drejtues i intelektualëve: "Tërë jetën time ia kam kushtuar drejtësisë dhe ekonomisë së tregut. Amerika shpalosi para meje horizonte të ndritura Amerika-vendi kampion i demokracisë...".

  Xha Mustafa kroi kokën me shejtani; e njihte mirë Brahushin...

                                                    *   *   *
           Brahushi kishte një jetë të tërë që punonte berber tek Selvia. E njihnin të gjithë dhe për gërshërën dhe për muhabetin e embël që të bënte kur të shërbente. Kur dilje nga berberhania e tij e kuptoje se nuk kishe bërë një qethje të thjeshtë anash, apo kare, por dhe ishe rruar nga xhepi. Jo se Brahushi ta merrte lekun me hile, por se si qe aq i ëmbël dhe i përshtatshëm në muhabet. Ta shihje  në rrugë Brahushin, nuk e ndërroje me ndonjë drejtor apo ministër i rruar taze, i kollarisur, syzet me  skelet të verdhe, si të ishin larë me flori. Edhe kur gratë nuk gjenin bojë për flokët dhe i lanin me lëng gështenjash,Brahushi kishte; kurrë nuk e kam parë të thinjur. Sa për zanatçi-jepi hakun-qe mjeshtër. Për njëzet a tridhjetë vjet ai më ka qethur. Zyrtarët e ministrive, drejtorët, shefat-kë nuk ka  patur klientë Brahushi. Të gjithë e donin për zanatin dhe muhabetin. Kur një ditë i mori Palokë Plakut vetëm 5 lekë për një rruarje, e morën vesh të gjithë. Tjetri zgjaste t'i jepte edhe pesë lekë të tjera, po mezallah që pranonte Brahushi. "Ik dhe mirëardhsh, prapë Unë e mora hakun tim, - i tha me  zë të lartë që ta dëgjonin të tjerët, -se kaq do të marr përherë...".Paloka kishte dalë dhe Brahushi po  u shpjegonte klientëve të tjerë:"I bëra 50% zbritje se ai njërën faqe e ka të djegur...".Gazin s'e kish mbajtur asnjeri dhe për dy-tre ditë tregohej si barsaleta më e suksesshme në baret e Tiranës. Paloka s'u duk më tek Brahushi... 
           Xha Mustafa tregonte rrjedhshëm dhe me humor. Kishte shumë për të thënë. Teksa fliste sytë  i mbante në vidiot e tre televizorëve të sallës. E pyeta në e kish takuar këto vitet e fundit në Tiranë, se dija që Brahushi kishte shkuar shpesh.
          -Vetëm një herë e takova. U poqëm si miq të vjetër. Më tha se s'po ia kalonte keq në Amerikë, "Por ke par ti, Mustafë se mua më djeg malli për Selvinë, për vendin tim? Sa kthehem në Amerikë, më vjen  të kthehem prapë. Po të mos lëvizja,me siguri do të hidhja rrënjë këtu dhe ju s'do të thonit më "tek selvia",por "te Brahushi"... Nuk e kuptoi njeri pse lokalit që e kish privatizuar ia ndërroi emrin.Madje kur e pamë u habitëm. Në ballë të tij shkroi "BERBER  ME POROSI". Jemi mësuar për këpucë me porosi, fustane dasmash me porosi, por jo berber, dreqi e mori...
    - Po me porosi ka punuar gjithnjë Brahim Brahushi, o xha Mustafë, - desha të sqaroj unë. Dhe i tregova se, pasi pa që   nuk e hante punën,vrau mendjen si të nxirrte lekun. Se edhe kur punonte berber i thjeshte, gjithjë plot e pati kuletë ai. Merrej me shoferat e "Albanieve", me kontrabandë floriri. Nuk është se ngelesh pa bukë në Amerikë. Madje,që kur erdhën edhe e shoqja, edhe të dy djemtë punonin. Më beso, të gjithë thonin"s'ka çuna si të Brahushit". Në punë përditë, në shkollë të parët. Por ç'e do, i mori vetë në qafë. Ta dëgjosh djalin, të këputet shpirti. Nejse, tjetri shpëtoi dhe po ndjek kolegjin. Por Besmiri, e bëri budalla të birin me pangopësinë e tij. Dhe i shiko këto njerës në kafe? Shumica thonë se Brahushi u tregua i zgjuar...
  Xha Mustafa po më shikonte i habitur. Ai s'dinte gjë ç'i kishte ngjarë Brahushit. Madje ishte i ngazëllyer nga kasetat,për prakticitetin e tij.
  -Pa më fol më shkoqur,se më hutove krejt, - më tha.
 -Po, Brahushin e kapën në Kanada tek shoqëronte për në Amerikë 23 refugjatë nga Shqipëria... E arrestuan. Zuri një avokat të mirë.E liruan pas tre muajsh dhe e urdhëruan që për të gjithë jetën të mos  shkelë në Kanada... Edhe atë "Berber me porosi" Brahushi e përdorte për të zbukuruar njerëzit, për t'i  përngjasuar personave që i kishin dhënë green cartën për të sjellë njerëz të tjerë. Dhe mua ma ka kërkuar,se gjoja donte të sillte një kushëri të vetin që s'paska ç'të hajë në Shqipëri...
  Xha Mustafa kishte ngelur i shtangur:
-Po çfarë ngjau më pas?
  -Erdhi në Amerikë, por ia mori emigracioni dokumentat. Ishte djegur kot, se për tre muaj duhet të merrte pasaportën amerikane. Dhe e gjeti zgjidhjen: nisi lufta në Irak dhe hoqi djemtë nga puna dhe shkolla, i çoi ushtarë. Pa krijoi gjoja shoqatën e intelektualëve dhe ku shkel dhe për çfarë bën pas e ndjek kanali televiziv shqiptar. Me siguri i ka paguar mirë. Të gjithë këto kaseta përdori avokati i tij si dhe një tjetër nga darka që shtroi kur u kthyen djemtë nga Iraku. Sot Brahim Brahushi është qytetar amerikan...
   -Sa të rrosh do të dëgjosh. Po a vjen këtu, se paskam qejf ta takoj e t'i them nja dy fjalë, - xha Mustafa më kishte ndjekur me vëmendje.
  -Aaa... s'e sheh lehtë këtu Tani është në Shqipëri. Përsëri me refugjatët që duan të shkojnë në Evropë. Megjithese dikush më ka thënë se e kanë parë në Kinë. S'e di në merret me tregtinë e kukullave "Barbie"që dolen me kimikate, s'e di a po viziton vendet e tjera aziatike. Por mbase interesohet për lojërat olimpike "Kinë 2008. Mund të zgjidhet shef i organizimit...
  Qeshëm të dy për një çast. Po pinim kafe tek "Tavolina e ushtarit" në klubin e Brahim Brahushit në Amerikë.

 Nju Jork, 2007

Ferdinand Laholli

Ferdinand Laholli

Ferdinand Laholli u lind në Gradishtë të Lushnjës më 16.06.1960, pak javë pasi që i ati, për t'i shpëtuar riburgosjes, u detyrua të arratisej për në Greqi, prej nga kalon në SHBA, ku edhe vdes pas 11 vjetësh. Menjëherë pas lindjes së Ferdinandit, familjen e tij e transferojnë në një tjetër kamp internimi, Savër, ku autori jeton një kohë të gjatë.
Laholli një kohë të gjatë u muar me përkthime nga shqipja në gjermanisht. Në vitin 2003 botoi librin "Antologji e poezisë moderne shqipe" ku përfshihen poezitë e më se 95  krijuesve shqiptar me përkthim në gjuhën gjermane. Ferdinandin në këtë antologji e ndihmuan edhe Mag.Dr. Carla Kraus autore dhe përkthyese vieneze si dhe Dr. Thomas Krause prozator, lirik, kritik letrar, profesor letërsie në Universitetin Teknik në Chemnitz.
Poezitë që po publikojmë, janë marrë nga libri i Ferdinandit "NË ISHULLIN E VETMISË", botuar më 1993 në Tiranë. Ky libër është botuar në dy gjuhë shqip - gjermanisht. Përkthimin në gjermanisht e ka bërë Robert Schwartz.
Ferdinand Laholli jeton dhe punon një kohë të gjatë në Gjermani.

Veprat:
  • Mjaft ky paradoks i hidhur, Tirane 1992.
  • Në ishullin e vetmisë, shqip - gjermanisht, Tiranë 1993. Përkthimi në gjermanisht nga Robert Schwarz
  • Libri i dëshirave. Tiranë 1994.
  • Kjo vajzë e përgjakur / Në këtë vajzë të plagosur me gjak. Dygjuhësh, Tiranë 1994. Përkthimi në gjermanisht nga Robert Schwarz
  • Vetëvrasje e gjetheve, shqip - italisht, Frosinone 1995. Përkthimi në italisht nga Noé
  • Shtrigani i ëndrrës (Një magjistar në gjumin tim). Tiranë 1996
  • Urrejtja nuk është dashuria ime, Prishtinë 1997
  • Bie shi në Bückeburg, Tiranë 2000
  • Antologji e poezisë moderne shqipe / antologjia e lirisë moderne shqiptare, shqip dhe gjerman, Holzminden 2003
  • Linda. Prishtinë / Holzminden, 2005
  • Kur ikën ti (sa herë që shkoni). Prishtina / Hannover, 2006.



Poezi nga Ferdinand Laholli


MBIJETESË

Ka ardhur 
koha 
të bëj
sikur fle
e në fakt të përgjoj
veten
e t' ia vras
nëse thotë
ndonjë fjalë
të mençur.




TRE VETA NË DHOMË

Mbi minderët
ulur vëllezërit.

Sonte na mungoi buka
Përtypëm mungesën e saj.

Sonte na mungon uji
etjen e njëri- tjetrit pimë.

Sonte po na mungon dhe guximi
të flasim për ç' na mungoi.

Rrotull nesh janë muret
tej mureve nata.

Tre veta në dhomë
e kemi ftohtë nga vetmia.




DERI KUR KËSHTU

Nofullat e heshtjes
bluajnë
mendimet e palindura

Në muzeun e ditëve
shikoj veten
me kafkën time
për dore




MATANË GARDHIT

Matanë gardhit
me sytë e tij
të helmët.

Le ta mbyllim derën, nënë!
Paçavurja e shikimit të tij
të mos mundet të na ndyjë
me të zezën
e shpifjes

Le ta mbyllim derën
edhepse jashtë mbetet hardhia e pranvertë
dielli që shikon t' i ndrijë perëndimit,
dallëndyshet që kthehen nga rruga e gjatë.

Le t' i gëzohemi edhe sonte burgut të vetmisë,
nëse duam gjallimin dhe këtë natë




SHQIPËRIA

Nga ferri i vetmisë
ëndrrova derën ku trokitet për njeriun

Ma keqtrajtuan ëndrrën:
përpara më vunë derën e harrimit

Hyra në të
e dola tek malli për ty.

______
Përgatiti për "Ora shqiptare", Seveme Fetiqi

Donnerstag, 14. Februar 2019

Latif Berisha

Latif Berisha

Latif Berisha lindi më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Vushtrri e Prishtinë. Fillimisht më 1949, punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë. Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t'i botojë në revistën letrare "Jeta e Re". Më 1951 punoi inspektor në Sekretariatin për Arsim Kulturë dhe Shëndetësi. Në ato vite qe edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.
Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve, më 1957 boti përmbledhjen e poezive"TUFA". Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare "Përpjekja" të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit. Në qershor të vitit 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës.
Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare, Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës "Skëndërbeu në letërsinë e shkruar shqipe".
Më 1965 u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa më 1968 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi).
Që nga viti 1984, punoi në projektin "Skëndërbeu në letërsinë shqipe" të cilin nuk e mbaroi.
Në vitin 1991, si dhe shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Latif Berishën, regjimi serb e largoi nga puna.
Gjatë viteve '90, Latif Berisha u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare. 
Kontributi i Latif Berishës në fushën e arsimit, shkencës, kulturës etj., qe shumë i madh. Vepra e tij poetike e shkencore zë vend të rëndësishëm në letërsinë dhe shkencën shqiptare të filologjisë.

Latif Berisha ka botuar vëllimin me poezi "Tufa"(1957), studimet e vështrimet: Ali Asllani dhe krijimtaria e tij poetike"(1963), Skëndërbeu në poemën "Kënga e sprasme e Balës" (1968), Skëndërbeu në disa krijime të letërsisë shqipe në Jugosllavi (1968), Vepra "Lulet e Verës" dhe disa nga dimensionet e saj kuptimore (1972), Poema "Bagëti e Bujqësi" (vlera ideoartistike) (1972), Hil Mosi dhe krijimtaria e tij poetike (1972), Andria Kaçiq Mioshiq dhe shqiptarët (1974), Një tufëz vjershash autografe të Zef Serembes (1974), Mistifikimi letrar dhe letërsia shqiptare e Rilindjes (1976), Jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në katër poezitë e atyre viteve (1978), Zef de Rada,poet pak i njohur arbëresh (1978),Pikëpamjet e Luigj Gurakuqit mbi poezinë (1978), Në gjurmë krijuese të Jeronim de Radës (1978), Pikëpjekje të Letërsisë së Rilindjes me jetën dhe letërsinë e sllavëve të jugut (1982), Poezia e De Radës në suaza botërore (1984), Gjendje aktuale e kulturës shqiptare në Kosovë dhe kahet e zhvillimit të saj (1995), Vepra letrare "Dora d'Istrias, Shqiptarët (1995) etj.
Për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në vitin 2004, është dekoruar me Medaljen e Artë të Pavarësisë.
Ishte antarë i Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës. 
Pas luftës, Biblioteka e qytetit në Mitrovicë e mori emrin emrin e tij.
Profesor Latif Berisha, është vrarë më 24 mars 1999 nga forcat kriminale serbe.


Një poezi nga Latif Berisha

Tri gota

N’livadh të jetës tri gota i gjeta
Dy janë të mbushura, asht bosh e treta…

Të parën e mora, në buzë e afrova,
Ish’ idhtë si pelimi mejherë e largova…

Të dytën e mora, me gjuhë pak e preka,
Prej s’ambli më dogj, mejherë e hjeka…

I zbraza të dyjat në të tretën gotë,
U ba idhtë e ambël, si asht vet’ kjo botë…

Sotir Andoni

Sotir Andoni
Sotir Andoni ka lindur në vitin 1925 në Ziçisht të Devollit, në familjen e një tregtari të mesëm dhe patriot. Mësimet e para i mori në vendlindje nga një mësues me origjinë nga Kosova . Më pas vazhdoi shkollën qytetse dhe teknike në Korcë. Në vitin 1943, si shumë studentë, ndërpreu studimet sepse u bashkua me rezistencën antifashiste.Në fillim me cetën e Moraves dhe më pas në batalionin “Fuat Babani" dhe Brigadën e IX. 
Ai ka filluar të shkruajë qysh në radhët e partizanëve, kur bashkë me traktet dhe komunikatat komuniste, shkruante dhe skica te vogla artistike.
Pas lufte punoi si Drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Korçë dhe kryeredaktor i gazetës lokale "Përpara".Por ai do të zhgënjehej  keq në idealet e tij liberale dhe demokratike pas clirimit dhe menjëherë u vu në pozita opozitare me pushtetin komunist: Në verë të vitit 1948,u arrestua për “agjitacion -propagandë  dhe tentativë arratisje” dhe dënohet me 5 vjet burg.
Pas lirimit nga burgu, ai u dënua gjithë jetën me punë të rëndomta. Tani, jeta e tij shkon si një kalvar i vërtetë midis harresës dhe ngritjes së përkohshme, përndjekjes dhe luftes me të pamundurën për t’u afirmuar si shkrimtar. I hoqën të drejtën e krijimtarisë, e lanë pa punë, “e dëbuan” nga antologjitë, gjithfarësoj. Por ai megjithatë shkëlqeu me tregimet dhe novelat e rralla, plot jetë e të vërteta. Si vitet e tij. 
Periudhën  pas viteve 90, Sotiri e jetoi aktivisht, duke u zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Korcës, ku dha  ndihmesë si demokrat i formuar e me kulturë.
Për disa vjet kryesoi Degën e Korcës të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Pas emigrimit ne SHBA me 1997, apartamenti i tij ne “Illyrian Gardens”, u bë studioja ku vazhdoi krijimtarinë letrare dhe publicistike.
Në  krijimtarinë e tij letrare vlerësohet si një vazhdues i denjë i shkollës Kuteliane.
Shumë prej botimeve të tij janë vlerësuar me cmime letrare Kombëtare.
Në vitin 2004 është shpallur “Qytetar nderi” i qytetit të Korcës.
Ndërroj jetë më 19 korrik 2003 në Worcester - SHBA.

Veprat:
  • Maleve ne Shenendre, tregime   
  • Lufta partizane, tregime
  • Tregime nga Morava, tregime
  • Dasme e çuditeshme, tregime
  • Kur merrnim fluturim, tregime
  • Shenime te shkruara naten, roman
  • Gugucja, tregime
  • I vogli e mund te madhin, tregime
  • Tregime nga Voskopoja, tregime
  • Trokthet e kuajve neper nate, tregime
  • Flete te kuqe qershije, tregime
  • I fundmi i kavalioteve, tregime
  • Tregime te zgjedhura, tregime
  • Hena kishte marre tatepjeten, tregime
  • Hije, flake dhe drite, tregime
  • Pranvera e madhe, tregime
  • Milingonat e verdha, tregime
  • Tri novela, novela
  • Kandili i shuar, roman
  • Kohe e larget, skenar filmi


Sotir Andoni: DAVID SELENICASI

Karroca e madhe e patrikut të Ohrit ishte duke ardhur nëpër udhën plot me kthesa këtej liqenit të Prespës. Ishte një llandon i zi, me dyer e dritare të veshura me parvaze tunxhi të verdhë. Anash dhe sipër kishte disa kryqe të mëdha e të bardha, ishte me dy çifte rrotash dhe tërhiqej nga katër kuaj arabë të shkathët e lavrakë, me ca zverqe të ngjeshura e jele të kreshpëruara, që ngjanin si kuaj lufte, nga ata që fushave të betejave tërhiqnin topat e vjetër që mbusheshin nga gryka. 
Ishte vitit 172. Brenda në llandon ishte kapardisur peshkopi Emanuel, një durrsak mjekërgjatë, i kënduar aq sa për të qenë i tillë, burrë nja dyzet vjeç, kokoroç e tërë shëndet. Nga oborri i patrikanës së Ohrit drejtonte ndërtimin e kishave dhe pajimin e tyre. Emanueli ishte një vandak njeri, koperdak dhe ezmer, me një të ndarë në dhëmbët e parë. Ecte gjithnjë me ca çape të shkurtra, sikur bariste mbi akull. Në kokën e tij, përmbi kamillafin e zi ndehej cipa e zezë peshkopale që e dallonte nga klerikët më të ulët. 
Peshkopi Emanuel po vinte në Voskopojë me dy synime: I pari ishte që t'ia mblidhte rripat piktorit David Selenicasi, të merrte masat e duhura kundër tij dhe punës së tij heretike dhe e dyta... ajo që e kishte më fort për zemër, ishte njëfarë tregimi i çuditshëm, por që kishte shumë leverdi. 
Ai e dinte se diku, afër Voskopojës, tashti kishte dalë dhe po e priste agjenti i tij, epitropi i bazilikës së Shënkollit, Bane Lica. 
Karroca shkiste e vërvitej tatëpjetë, gushat e rrotave ishin lyer e ngjyer me katran, kuajt ishin hazdisur nga elbi që kishin ngrënë te hani i Selasforit e... të bekuar nga dora topolake e hirësisë së tij... iknin e iknin duke turfulluar me tërsëllëm nëpër xhadenë që të çon nga Manastiri në Voskopojë. Pluhur e duman ngrihej në xhade, kurse kockat e hekurta të karocës, duke u përplasur nëpër gropa e gurë e duke u ngrënë me dërrasat e teneqetë e llandonit, kërcitnine kuitnin. 
Në xhep, mbi kraharor të rasos episkopale, Emanueli kishte dy letra me një shkrim prej bakalli: Ishin raporte të Bane Licës me shokë. Sa herë i lexonte dhe i rilexonte ato letra, peshkopit i dridhej një dell i faqes, kurse tek i mbante në duar, i dukej se i digjnin gishtat. Për këtë raport, Kolin Stringari, shkollari i dëgjuar i Voskopojës, në pleqëri, në kujtimet e veta shkruante: "Pati qenë një letër e gjatë e larushane me bishtra të zeza, shkruar me bojë katrani e me penë bufi, spiunllëk prej spiuni me surrat prej fundtigani, me nuhatje prej dhelpre e me mend prej gomari..." 
Në të parën shkruhej: 
"Hirësisë së tij, peshkopit të Ohrit, Emanuel, nga Bane Lica, i përvuajturi shërbëtor i kishës dhe juaji... 
Vë në dijeni të shenjtërisë suaj, se i quajturi David Selenicasi, zograf me rrënjë prej Selenicës së Kolonjës, ka ardhur ndë Voskopojë nga shkolla e eVropës, pasi është bërë atje farmason dhe katholik. Në punën e tij përdor bojën e kuqe të fortë, rreptësisht e ndaluar. Dendur shkon te Çezma e Pashutës dhe bën sehir çupat kur mbushin ujë. E para mbi të parat, hirësi: Kur ju dërguat pesëdhjetë ikona për bazilikën tonë të re... megjithëse këto ikona ishin punë e ndritur e xhaxhait tuaj Efthim, që është kryezograf i Agjionoros, David Selenicasi nuk i pranoi fare, lëshoi tallje e sharje e tha se nuk vlejnë asnjë grosh e fare pa turp, për gjynah e mëkat, i la ikonat të flejnë përjashta në hajat. 
Duke zografisur fytyrën e shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, ka teshtitur mbi të tri herë. 
Kur po zografiste verzevulin në skëterrë, ka përdorur fytyrën time, sepse unë s'e kisha mendjen; kur po rregulloja hesapet e bazilikës, ai më përgjonte e më kopjonte surratin... O hirësi, si s'më ka dalë shpirti nga sëkëlldia... Sa herë zografis, David Selenicasi mbledh këtu çupat dhe djemtë më të bukur dhe mua më nxjerr jashtë. Ka zografisur mu në ballë të altarit gjashtë vajza shumë të bukura e për turp, leshprera, siç, është modha ndë Evropë. Çupën e gjashtë e ka zografisur duke qeshur dhe këto çupa të nisura e të stolisura!! Në tre mijë e ca djem zgjodhi ata më të pashmit e më sqimatarët, ua krehu leshrat e ua preu si të Apollonit, u vuri edhe nga një feste të bardhë në duar dhe i zografisi si barinj të verbër që shërohen. Njëri prej tyre është çirak nallbani. Krishti është një djelurçinë qiraxhi, çobani i tretë është mademxhi e kështu me radhë. 
Është dembel i dorës së parë, bëj hesap, para se të nisë nga puna mbi një afreskë, rri e mendohet tre sahat. Kur i erdhi me shkrim urdhri i lartë peshkopa për t'u veshur murg, u xhindos nga inati dhe t'i shkreptinë sytë nga një urrejtje e tërbuar, pështyu mu në mes të bazilikës sonë, në të cilën është duke zografisur dhe thirri me inat: "Qefinin e pranoj, rason kurrë!" 
Fytyrën e shën Marisë e zografisi sipas fytyrës së një çupe prej qytetit tonë, pas së cilës është agapisur. Por... kur e teproi me penelata mbi kraharorin e Shën Marisë, sa s'më hipën në kurriz malet e Bodesë! S'u përmbajta dot dhe i thashë: "Shën Maria nuk ka qenë mendeshë". Por ai m'u përgjigj me cinizëm dhe me inat e më tha: "Shën Maria nuk e ka ushqyer Krishtin me memelige, por me sisë". Dhe... turp e batërdi... asaj vajzës voskopojare i kërkoi këtu, në sytë e mi dhe të nxënësve të tij, i kërkoi që të zbulonte kofshën e saj të djathtë. 
)Kur e lexoi peshkopi Emanuel këtë frazë, i mbeti merak vetë, vallë ajo vajza e pati zbuluar kofshën apo jo?) 
Kur zografisi afreskën "Farëmbjellësi", s'u mblodh tri ditë në punë, por rendte arave pas bujqve. Ditën e katërt nisi punën dhe përsëri mendonej i shastisur. Dhe "Farëmbjellësi" nuk ka asnjë kryq mbi trup bile surrati është i një bujku nga Gjonomadhi, që Davis Selenicasi na e stisi si shenjt, vetëm e vetëm sepse ky fshataraku na doli i shenjtëruar se ka mbytur me duar një ujk të tërbuar! Një ditë dëgjova që u thoshte nxënësve të tij që po punojnë edhe ata në bazilikë: 
"E drejta e arsyes është mbi të gjitha, edhe përmbi ungjillin vetë. Ne edhe fenë, edhe të dy patrikët do t'i nxjerrim përpara gjyqit të arsyes." 
Është anëtar i shoqërisë "Vëllezërit e Ndriturisë", por prapa kësaj shoqërie fshihet edhe një e dytë, që e mbajnë të fshehtë. Ka lidhje të ngushta me të gjithë ata dhaskalë heretikë që janë të përzënë nga skolitë e Janinës. 
Një ditë u pi me raki që ia sollën priftërit e Dardhës dhe të Ziçishtit. Dhe puna e këtyre priftërve duhet shikuar, se si shumë kanë muhabet me David Selenicasin. Dhe atë ditë (ç'ka barku e nxjerr bardhaku) më tregoi për një zograf katholik me emrin Orkanja, i cili tërë armiqtë e tij na i paska zografisur me fytyrë të saktë, të vendosur në skëterë, kurse veten me miqtë e vet i ka zografisur në parajsë. Kur m'i tregoi këto, shtoi e tha: "Do bëj edhe unë këtu një afresk skëterrë dhe do vë atje surratin tënd dhe të shokëve të tu rezilë e pijanecë". 
Shenjtëri! Ky bojaxhi nga Kolonja po na hap shumë avaze këtu ndë Voskopojë. Në vend që të shohë punën e tij, shkon nëpër dasmat, hedh valle pa pikë turpi, pastaj patakset e çapëlon sytë pas çupave dhe zë e këndon: 
Sapo shkrepi dielli, malet vetëtinë, 
Gjynah perëndie, kush ta çkopsit gjinë... 
Unë kërkoj të merren masa shkishërimi e, po qe se e shihni të arsyeshme edhe ju, e farmakos unë vetë me lëng pelini që kam bërë hesap t'ia hedh në çobë, ose me një lugë vaj të nxehtë në vesh, natën, në gjumë, kur fle këtu në hajat të bazilikës sonë të shenjtë. Po kështu mund të bëhet edhe për atë kuçkën, endëse shajaku, që nuk shikon të mbajë veten me bukë, por...shenjtëri! Sytë e mi s'mund t'i fut në mëkat, se ishte errësirë dhe natë, por... me këta veshë që kam, dëgjova David Selenicasin, një natë të zezë sterrë, në qimitir të shën Kostandinit... Ky njeri i paturp po zhyhej e zhgërryhej e atë gjynataren e tij përmbi varre, duke ua prishur paqen dhe qetësinë gjithë të vdekurve që po shijojnë atje gjumin e përjetshëm. 
Hirësi e shenjtëri! M'u thaftë gjuha, u preftë fryma e shenjtë për mua e më rëntë dhambllaja në dorën me të cilën po shkruaj këto fjalë këtu më poshtë... Flaka e zotit do të derdhet nga karroca qiellore e Shëndelliut dhe do ta djegë Voskopojën, ashtu si dogji Sodhomen dhe Gomoren ndë Palestinë mbi Det të Vdekur por... unë e pashë me këta sy, që më plaçin, e pashë David Selenicasin që mbante ndër duar një kadhro me bojëra, që ai vetë e kish zografisur dhe që e quante "ergos tehnis"1 (1 Ergs tehnis - vepër arti (gr.). Në këto kadhro dukej një femër e zhveshur, fare pa turp e për kuje, e pështetur pas njërës kolonë të bazilikës sonë; e kjo femër lakuriqe të shihte jo drejt në sy, por ndënë prag të syve, me djallëzi e ngasje, tamam ashtu si shihte Eva Adamin e gjorë, kur e gënjeu e i dha të shijonte mollën e ndaluar, që e katandisi në skëterrë! Dhe fytyra ish e asaj voskopojares endëse që ky ia ka vënë surrat shën Marisë, që i marrtë të keqen! 
Marr përsipër para shenjtërisë suaj, se do nuhas si zagar, do përgjoj si dhelpër e do të shtrihem si gjarpër, por do ta gjej atë kadhro e do ta djeg në zjarr, për ta shpëtuar Voskopojën nga flakët e zemërimit qiellor. 
Më duhet t'i dal borxhit hirësisë suaj e t'i them se për këtë bojaxhi nga Kolonja duhen marrë masa. Ky është lindur për kapistall prej zinxhiri e për hosten prej hekuri. Është shumë kokërisur dhe i trimëruar. Një ditë, kur ishim në mbledhjen e këshillave kishtare, këtu ndë Voskopojë, na ra tërmet. Dhe domosdo të gjithë pitropët e priftërit, sa edhe unë vetë, u përplasën rrafsh me tokën e u bënë dyllë të verdhë, kurse bojaxhiu i Kolonjës, bëj hesap, le që s'bëri kryq, por pa pikë turpi zuri na zografiste ne që ishim shtrirë përdhe e këndonim aleluia! 
Ky heretik i xhindosur ka bërë kërkesa të martohet e të hapë shtëpi këtu ndë Voskopojë, se nuk i pëlqen të banojë në hajat të bazilikës, ku i ka sot leckat e furçat e tij dhe ku mund të shënjtërohet shumë e më shumë. Faj për këtë kanë edhe shkollarët më të kënduar të qytetit tonë, që ia kanë hapur syrin e pa pikë turpi e nderojnë dhe i përkëdhelin supet. 
Ky palo zograf, o hirësi, s'është i zoti të zografisë asgjë pa shikuar më parë disa qindra vajza e djem nga qyteti ynë. Janë çmendur rinia pas këtij bojaxhiu dhe ky, tamam si ndonjë xhambaz njerëzish, zë e u shikon fytyrat, sytë, faqet, gushat, flokët, sa edhe duart e këmbët. Me qindra vajza lertisen pas tij dhe zënë be për kokë të David Selenicasit. Kjo më e më nuk durohet..." 
Në kartën e dytë spiunore, pasi përsëriteshin të thënat e Bane Lices, ish psallti Kostë Eshi shkruante:

"Asnjë njeri i gjallë gjer më sot nuk është vënë me portret të plotë e madhësi natyrale në ndonjë kishë në vendet tona. Këtë turp e ka bërë David Selenicasi, duke zografisur të gjallë, brenda në bazilikë, një pasanik që i ka lirat me shinikë... Dhe këtë e bën jo për sytë e bukur të Haxhi Jorgjit po për ta zhvatur, sepse duan që seminarin e Voskopojës ta varrosin dhe në vend të tij të ngrenë një akademi laike. Unë jua them troç hirësi, bazilika e Shënkollit nuk është kishë, por një mëjhane çifutësh!" 
Edhe pazvani voskopojar Zatran Lugati (këtë mbiemër ia kishte ngjitur populli) kishte nisur një letër për në Portën e Lartë në Stamboll. Letra qe plot sharje e shpifje por... këtë letër pazvani e nisi me një qiraxhi voskopojar, i cili kishte nja dy të meta: Së pari, ishte shumë kureshtar, së dyti, dinte të lexonte dhe së treti... vuante nga majaselli. 
Arsyeja e dytë që po e sillte peshkopin Emanuel në Voskopojë, ishte krejt tregtare... 
Si dihet, Voskopoja ka qenë e famshme për argjendarët e saj të mrekullueshëm. 
Kapakë ungjilljsh, vëthë ari me pika diamanti, kryqe argjendi dhe ari, unaza e byzylykë dilnin nga ky qytet me sasira të mëdha e shpërndaheshin nëpër Evropë. 
Por kryqet e Voskopojës ishin me vidë e kapak dhe që të ishin të ngjyer me shenjtërim, duhej që brenda tyre të kishte disa kokrra temjani mbështjellë me një thelmë1 (1 Thelmë = Leckë) pëlhure, të nxjerrë domosdo nga një këmishë dhespoti. Ja, prandaj peshkopi Emanuel mbante nga dy këmishë të gjata njëherësh dhe në fund të çdo gjashtëmujori ia niste mikut të tij, Bane Lices, në Voskopojë. 
Artizanët voskopojarë i paguanin këto këmishë si frëngu pulën, por krahas rritjes së kërkesave, shtohej edhe prodhimi. Bane Lica nganjëherë ndodhej ngushtë por... peshkopi Emanuel, që kishte vendosur monopol mbi këtë mall të rrallë tregëtar, ishte njeri praktik. Filloi të dërgonte në Voskopojë jo vetëm këmishët...
Në këtë udhëtim me llandon, përveç karrocierit, Emanueli kishte marrë edhe sekretarin e patrikanës, një djalosh 25 vjeçar nga Voskopoja, që po vinte me shumë qejf në vendlindje për të kaluar disa ditë me njerëzit e vet. 
Sapo kaluan Urën me hark të Kovaçit e dolën në majë kundrejt qytetit, llandoni u lëshua me vrull tatëpjetë. Por... këtu diçka kërciti në bark të karrocës dhe ajo në çast u vais nga e djathta. Karrocieri i tërhoqi i lemerisur frerët e kuajve dhe... peshkopi Emanuel nxori një grahmë me sharje, bërtiti i trembur nga frika se mos i zinte koka në hendek. Një bosht i llandonit, nga përplasjet nëpër gropa, ishte shtrembëruar. Të dy udhëtarët e lanë karrocën e bënë disa çape më tej. Bane Lica ende nuk po dukej, kurse cipa e zezë mbi kamillafin peshkopal dalgëzonte e fërfërinte nga era e mbrëmjes. Peshkopi ktheu edhe një herë sytë nga llandoni, që tashti ishte vajisur edhe më keq, kurse nga gusha e njerës rrotë po derdhej katrani i djegur. Djaloshi nga Voskopoja, duke ditur se peshkopi nuk e kishte njohur kurrë qytetin, po i jepte shpjegime: 
"Ja, ky është qyteti ynë, hirësi! E gjithë perandoria otomane nuk e ka një tipografi, Voskopoja e ka. Ja tek zbardhon ajo ndërtesa matanë Përroit të Strungut. Ja biblioteka e madhe. Më këtej duket tregu me ato rrugët e gjëra. Sipër janë lagjet e punëtorisë, kurse më këtej, këto htëpitë e mëdha janë të parisë. Ja ku duket seminari, spitali, azili. Ja, afër bazilikës së Shën Marisë, ja, tek ata vidhat e mëdhenj, pikërisht atje ngrihet bazilika e re e Shënkollit, për të cilën ju keni derdhur aq djersë e mundime... Ja Luadhi i Skolive, afër kishës së Shën Janit, ja atje më sipër lagjja "Sarza". Dhe vër re, hirësi... Mu në mes të kësaj lagjeje, ajo ndërtesa madhështore... Ajo është shtëpia ku bujtin dhe kalojnë ditët e çlodhjes të gjithë bajlozët dhe ambasadorët e Evropës, që shkojnë ose kthehen nga Stambolli. 
Voskopojën, hirësi, e kanë quajtur ehde Moskopolis, që, sikurse e kuptoni edhe vetë, do të thotë qytet i aromave. Ma merr mendja se këtë emër do ta ketë marrë ngaqë këtu, dimër e verë, nuk pushojnë erërat e merme që sjellin kundërmimin e pyjeve me pisha e bredha që ka anembanë qyteti ynë. Ju e vini re që qyteti është tepër i dendur dhe, sikurse dihet, këtu jetojnë sot afro pesëdhjetë mijë banorë... qytet jo i vogël, hirësi..." 
Por hirësia as e kishte mendjen fare tek ato që dëgjonte. E brente përbrenda shqetësimi i të dyja çështjeve për të cilat kishte ardhur. 
Papritur u dëgjuan zëra që pas. Kur peshkopi ktheu kryet andej, u duk një çift të rinjsh. Dhe Emanueli, si njeri i stërvitur në këso punësh (ai dendur u vinte kurorë) e kuptoi se ata nuk ishin vëlla e motër. Vajza ishte një bardhoshe me flokë gati të verdhë, me sy tepër të mëdhenj e gati blu. Kishte veshur një fustan të gjatë të gjelbër dhe me kraharor të hapur. Mbi kraharor i varej një kryq. "Të tilla veshje e të tilla zakone nuk ka as në Ohër", mendoi peshkopi. 
Vajza u afrua e para, u ul gati më gjunjë dhe, duke i marrë dorën Emanuelit, ia puthi. Peshkopit i shkuan drithma në trup... Duke i puthur dorën vajza, kryqi i artë, që mbante ajo në kraharorin e çelur, u derdh pas zinxhirit të vet dhe ra mbi atë dorën topolake të peshkopit. Ai u kujtua: "Vallë ky kryq ari, a ka brenda thelme nga këmisha ime?!" 
Po binte nata dhe karroca nuk kishte ndër mend të vihej në rrugë. Çifti i të rinjve kaloi shpejt e shpejt dhe errësira pushtoi qytetin. Peshkopi Emanuel nuk po u besonte syve... 
Qyteti tashti po dukej si një copë qiell fantastik! Me miliona xixëllonja e përmbytën Voskopojën, ato vërtiteshin në një marramenth të paparë, rrotulloheshin që nga qyteti e gjer sipër drejt qiellit dhe atëherë dalloheshin edhe trajektoret e holla e fosforike si një qëndismë e artë e madhështore mbi një cohë kadife blu.
Peshkopi u mrekullua. Pastaj uli kryet, bëri një gjysmë kthese, pastaj një të tërë, u kthye nga lindja duke vështruar drejt qiellit dhe u fal: Ati ynë që je në qiell..." 
Vendosi të mos hynte në Voskopojë asaj nate. Mendoi: "Çfarë besimtarësh e besnikësh na qenkan këta voskopojarët?! Prisnin që unë të hyja brenda në qytet e të dilnin për pritje..." Dhe duke shfryrë i tha sekretarit: 
- Udhëhiqmë për në manastirin e Shënprodhomit. Atje do ta kalojmë natën, nesër do të hyjmë në qytet. 
                                                              *** 
Ishte muaji maj i vitit 172. Bazilika e re e Shënkollit në Voskopojë ishte ende e mbushur plot skela të ngritura me trarë e traversa. Aroma e pishës kundërmonte nëpër kishë e bashkë me të edhe aromat e bojërave, të cilat ishin nxjerrë prej florës aq të pasur e të dendur të pyjeve anembanë qytetit. 
Mu në majë të një skele, ngjitur me tavanin-kupolë, në njëfarë saje, i shtrirë në shpinë, ndodhej piktori David Selenicasi duke punuar. Ai kurrë nuk mundi të gjente dot një pozicion të përshtatshëm që e kërkonte puna e tij në ato kupola. 
Davidi ishte një kolonjar shtathedhur, nja tridhjetë vjeç, me ballë të lartë e me fron, flokzi, sygështenjë e njeri fjalëpak; sytë e tij zhbirues lëshonin gjithnjë shumë dritë. 
Nëpër bazilikë po punonin dhe dy nxënës të piktorit, kurse një shok i tij vente e vinte para afreskeve e ikonave, i këqyrte ato me kujdes dhe interesohej sidomos për ngjyrat. Ky quhej Kolin Stringari, një shkollar tepër i hollë, që kishte mbaruar studimet për kimi në Laipcig me bursën e paguar nga esnafi i lëkurëpunuesve. Ai pati qenë pedagog në Kolegjin Marusian të Janinës, që nga e kishin përzënë për shkak të ideve të tij "të ndriturisë", si quheshin atëherë në Voskopojë idetë e iluminizmit. Kolini kishte një shtat të hedhur prej atleti. Ishte dyzet vjeç, po s'i jepje as tridhjetë, kishte një fytyrë të pashme e të këndshme dhe ishte ballëdash1 (1 Ballëdash-i - që i ka flokët si të lëpirë në ballë) 
- Si kimist, - i thoshte Davidit, i kam provuar në shije të gjitha elementet e natyrës, por... me të hidhur e me të helmët si robëria e turkut nuk ka! 
- Ashtu vërtet, - ia kthente Davidi, - por shtoji robërisë së osmanllinjve edhe robërinë me të cilën më mbërthejnë mua dinjitarët e kishës e pastaj bëji llogaritë. 
Kolin Stringarin i gjithë qyteti e quante "Enciklopedia vetëtimë". Atë e nderonin të gjithë në Voskopojë. Ishte mësues i përkryer e kurrë nuk përdorte pendë pate, por shkruante me pendë pelikani, që ishin një nuancë ngjyre pak si të kuqe. Këto pendë ja sillnin nxënësit e tij nga Prespa dhe nga Sovojani. Kolini ishte një e një si kimist e fizikant; ai fliste me dijeni të plotë si për mjeksinë dhe shkencat matematike, ashtu edhe për gjuhësinë e astronominë. Kur erdhi në Voskopojë shtypshkronja, më 1720, ishte Kolin Stringari ai që hapi arkat dhe montoi makinerinë. Dhe kur një ditë punët ngelën dhe inxhinieri gjerman që shoqëronte tipografinë mbeti me gisht në gojë, Kolin Stringari ra në shtrat përmbys për njëzet e katër orë. Kur u ngrit, rendi në farkëtoren e qytetit dhe ia rrëmbeu varenë kovaçit Artam Faberi. 
Të nesërmen shtypshkronja filloi nga puna. 
Por me gjithë cilësitë e tij të rralla, përsëri Stringari ankohej: 
- Të më kishte dhëën zoti edhe një fije delli poetik, do të isha bërë shkrimtar! 
Në bazilikë kishte aq shumë qetësi, sa dëgjoheshin zhurmat e holla të penelave përmbi afresket. Pastaj papritur një psherëtimë. Ajo vinte lart nga kupola ku punonte mjeshtri, ai punonte dhe mendohej. Mendohej dhe përfytyrimi i tij ikte larg nëpër trevat e mëmëdheut, ku kishte shëtitur më parë. Ai kishte qenë në Valsh, në Shelcan dhe në Berat. Atje kishte ndenjur me ditë të tëra, i mahnitur përpara punës së mjeshtrit të madh Onufrit. 
Dhe Davidit nuk i del nga mendja vështrimi zhbirues, balli thellësisht i menduar, muskulatura e ngjeshur dhe aq e gjallë e afreskut "Profeti David" në Shënkoll të Shelcanit. 
"Davidi" i Onufrit është më shumë një kaçak, një komit kryengritës. Ai është vetë Onufri, që na sheh ne sot pas dyqind vjetësh. E, megjithëse ai jetoi dyqind vjet më parë, megjithse e patën veshur murg dhe e thërritnin asket oshënar, përsëri ai ua pati hedhur... Ai e kishte një djalë, të cilit i la penelin, kurse mua... më ndjekin këmba-këmbës dhe nuk më lënë të marr frymë... 
Nga bazilika doli Kolin Stringari. Atij iu afrua ora për të dhëën mësim në seminar dhe iku pa lënë shëndet, si njeri që hynte e dilte atje orë e çast. Por disa minuta më vonë Davidi ndjeu muzikë përjashta. Që nga dritarja e vogël, nën tavan, ai hodhi sytë përjashta... Kishte ardhur pasditja. Që nga udha e tejme e remtarëve vinin gjer këtu zhurmat e qindra goditjeve të bakërxhinjve. Drejtuesi i korit të Voskopojës, muzikanti Pavllo Llosha, kishte ardhur aty tej oborrit me violinën e vet. Pas tij ishte mbledhur një turmë e tërë djemsh e vajzash, dhe Davidi e kuptoi menjëherë: "Pavllo Llosha e ngre këtë festë për mua, më jep mundësi kështu të shoh fytyrat në lëvizje; të vërej ngjyrat dhe sytë, të frymëzohem nga këto valle të rinjsh. Ai e bën këtë sa për mua, sa edhe për veten. Sepse edhe Llosha, si ai pijaniku që nuk rri dot pa pirë, edhe ky vetë nuk zë karar pa këngë e valle, pa e ngjyer harkun me nishadër dhe pa i ngatërruar telat e violinës me telat e zemrës..." 
Poshtë nëpër bazilikë nxënësit nisën të mërmëritnin dhe Davidi e kuptoi. Ai u foli:
- Dilni, djema, shkoni në valle! 
Por Pavllo Llosha njihej që nuk ishte violinist. Ai dallohej në të parë që ishte një drejtues me pathos i korit, sepse, ndërsa luante veglën, lëkundej sa andej-këtej, brofte hidhej e kërcente, sikur edhe vetë të dridhte valle. Ai luante dhe sytë nuk i ndante nga dritarja e vogël se e dinte që atje ishte Davidi, që e ndiqte nga larg. 
Tashti Davidi e la penelin dhe u shtri mbi krahun e tij të djathtë... Në me stë valles kishte ardhur ajo! 
ishte vajza endëse, punëtorja Ana, ajo që i pati dhënë fjalën piktorit dhe tashti, kur Davidin e ngucnin, e ndiqnin dhe e kanosnin të vishej murg, ajo nuk dinte ç'të bënte e nga t'ia mbante. E me gjithë këto, ajo erdhi në valle, sepse e dinte që Davidi kishte nevojë ta shihte duke lozur, duke qeshur, duke vallëzuar dhe duke bërë që të xixëllonin sytë e saj të grizhtë. Tashti ai shihte vallen dhe mendja po i kthehej prapa, nëpër vjetet e shkuar... 
                                                                    ***
Ai mbaroi shkëlqyeshëm Akademinë e Artit në Venedik me bursën që e paguante esnafi i argjendarëve të Voskopojës. Dhe atje në Venedik këngëtarja Afërdita Pamperi i kishte thënë: "Nëse do mbarosh shkëlqyeshëm... për nderin tënd do jap një pritje të madhe...!" 
Por edhe shkëlqyeshëm të mos mbaronte, pritjen do ta jepte Afërdita Pamperi. Ajo ia kishte thënë këtë vetëm për ta nxitur. Por pastaj punët morën një rrugë tjetër krejt të papritur... 
Këngëtarja e dëgjuar Afërdita Pamperi, e lindur në Voskopojë, ishte me emër në Venedik. Davidi hynte e dilte tek ajosi në shtëpi të vet. Kur erdhi fundi i vitit akademik, Davidit nuk ia dhanë "Penelin e artë" që i takonte. Dikush kishte thënë: "Është i huaj". 
Atëherë Davidi mori inat. Dhjetë ditë me radhë askush nuk e dinte ku ndodhej. Afërdita Pamperi dërgoi njerëz ta kërkonin në Lido, në lagunën e Rialtos, në Kanalin e Madh, në sheshin e San Markos, dërgoi njerëz edhe në Mestre e deri në Trevizo... Shenjë e Davidit nuk dukej. Por më në fund ai u duk. Ishte i vrerët dhe ballin e kishte të zbehtë. Gjatë gjithë ditëve të mungesës kishte punuar tri vepra. Ishin si ishin, ai i çoi ato të mbështjella në pallatin e Pampereve dhe i fshehu atje. Pastaj u dha pritja e dëshiruar. 
Salloni tepër i madh i Afërditës ndriste si në një ditë martese. Pasqyrat e rënda, polielat ca më të rënda shandanë argjendi në format më tekanjoze, tapete leshi të butë e plot me lule, punuar në Voskopojë, e me ngjyra që nuk ngopeshe dot së vështruari... Një det i tërë me njerëz. Kavalierë dhe studentë, gjahtarë vajzash dhe gjahtarë arti, poetë që shkonin gjurmëve të Pjetër Aretinit, politikanë dhe ithtarë të iluminizmit, pastaj muzikantë e piktorë e ndër të githa grupet, një bisedë e ditës: do të largohet apo jo piktori i talentuar, për të cilin po jepet pritja! 
Atje kishte shumë dama të aristokracisë anë fustane të bardha, mbi supe ca me të bardha, fustane mëndafshi që përkëdhelnin shtrojen me qilimat e bukur të Voskopojës, forma flokësh nga më të ndyshmet dhe mu në krye të sallonit Afërdita Pamperi, mbi një kolltuk venecian me përkresë ari. Afër saj ishte Davidi dhe ajo diç i pëshpëriste. Por ai e kishte syrin gjak dhe ballin të rrudhur. 
Te Davidi afroheshin gjithë ato dama kur violinat luanin minuetet e kohës. Dhe të gjitha ato e mbushnin me fjalë piktorin. Afërdita Pamperi i vështronte dhe shqetësohej. Davidin e tërhiqnin qosheve e skutave, pas perdeve e kolonave. Këngëtarja dërgoi disa herë ta thërritnin, por ai nuk kthehej, nuk e linin. E tërhiqnin për mënge, e sulmonin me pyetje, me kërkesa. I thoshin se, me t'u kthyer në mëmëdhe, sipas rregullave bizantine, do ta vishnin murg. Ai do të humbiste nëpër trevat ca më të humbura të Perandorisë Osmane, gjithnjë nën urdhrat e dhespotëve xhahilë të Fanarit. 
Më në fund, zonja e shtëpisë, duke përmbajtur me duar fustanin e saj tepër të gjatë, u ngrit dhe shkoi ta merrte vetë. Ajo i foli shqip: 
- David! E kupton?! Këto joshje nuk bëhen për sytë e tu të bukur, po për penelin! 
- Po, Afërditë, e kuptoj. 
Ajo iu afrua dhe pranë kraharorit i ngriti dorën e saj të bardhë të rënduar nga dantellat. Davidi u bind, i shkoi krahun dhe eci pas saj. 
Afërdita e tërhoqi piktorin në buduarin e vet. Atje ishte gjysmëerrësirë. Ajo u ul në kolltuk dhe fustani i saj i trandafili i arrinte gjer te gishtat e këmbëve. 
Tashti, te ai shiriti me dritë nën derë, lëviznin shumë hije dhe gumëzhinin gjithë ata zëra. Ajo e vështroi Davidin nga koka te këmbët. 
"Ky djalë i mrekullueshëm, ky sqimatar i egër! Vallë si do të jetë jeta e këtij djali?" 
- David! 
- Ju dëgjoj... 
- Kam frikë për ju! 
- Nga banditët?
- Nga vajzat e bukura, David, ti je tepër i përmbajtur! 
- Kurse mua më pëlqen më shumë të vendos një gur në vendlindje, sesa njëqind trarë në San Marko të Venedikut!
- Kështu më pëlqen, David! 
Ajo zgjati duart, ia mori atij kryet në pëllëmbë dhe e shtrëngoi pas vetes. 
Djaloshi nga Kolonja ndjeu afshin e ngrohtë të kraharorit të saj. Dhe balli iu përskuq. 
- David, kam këtu një letër nga Voskopoja... 
- Nga Voskopoja!? 
- Është nga ai balledashi, mësuesi dhe shoku yt, Kolin Stringari, merre dhe lexoje! 
Si përherë letrat e Stringarit ishin zjarr e flakë. 
"Enciklopedia vetëtimë", si e thërritnin voskopojarët e Voskopojës dhe ata të mërgimit, ishte mjeshtri që mbante letërkëmbim me të gjitha kolonitë e Evropës. Letrat e tij ishin plot me thirrje patetike në emër të Voskopojës. Këto letra ishin herë me stil të ashpër, kanosës, nxitës, herë me stil të prerë, ngacmues e ironik, por gjithnjë në emër të nënës e "të dheut ku ju ka rënë koka, në emër të gurëve ku keni çarë ballin, të pyjeve ku keni mbledhur luleshtrydhe, në emër të arrave të lashta ku keni hedhur kolovajzat dhe ku keni dashuruar për herë të parë... dërgoni libra sa të mundni, se ju mori dreqi, ju mori! Ata të Laipcigut e bënë for a, ata të Budapestit akoma po hanë bukëvalen e mëngjesit. Tunduni, ore, ju të Gjenovës!..." 
"Ti, Afërdita Pamperi, atje në Venedik, ç'po bën? Duam të hapim akademinë, vetë shkova me kalë deri në Janinë dhe e sigurova dhaskal në akademinë tonë Eugjen Vulgarin, që është nga arbëreshët e Greqisë; është mendimtar i madh, kurse ata të kolegjit të Janinës e ndjekin se është njeri i ndriturisë. Sa të çmendur që janë! Kështu pra, duhen para, libra, profesorë. Ç'pandehni ju!? Nga do t'i gjej unë të gjitha?!" 
Stringari u drejtohej atyre të Gjenovës se ua kaluan ata të Vjenës, atyre të Vjenës se ua kaluan ata të Gjenovës, por edhe se kjo kuptohej, nuk zemëronte njeri. Kolini thërriste në emër të nënës, nuk ishte mëkat. Letrat e tij Stringari i përfundonte kështu: "Kush nuk përpiqet për nënën, është turk, u shërben turqve e pastë vdekjen". 
Por në rastine fundit ai i drejtohej Afërdita Pamperit dhe letra e tij ishte therëse, e fortë dhe po të mos e njihje Kolinin, mund t'i zemëroheshe fare lehtë. Ai shkruante: 
"E dashur Afërditë! Ti po shkëlqen gjithnjë e më shumë me zërin tënd atje në Republikën e San Markos. Po neve, ç'na hyn në qese kjo? Dëgjo këtu, dëgjo se ku i dhemb mëmëdheut: Në qoftë se David Selenicasi nuk kthehet në Voskopojë, fajin e ke ti. Dhe mallkimin e nënës e paç ti. Se si do bësh, punë për ty. Unë të urojs hëndet dhe... sa për Davidin nga ana ime... asnjë fjalë." 
- Sikur të isha vajzë e re, David, do vija me ty në Voskopojë, - i tha ajo piktorit. Pastaj ajo uli vështrimin mbi qilimin e madh dhe dukej sikur vërente me ngulm një lule të tij. 
- Çfarë po mendon, Afërditë? 
Ajo ngriti kryet me rrëmbim, sikur iu shkëput me dhunë një mendim i dashur: 
- M'u kujtuan arrat e mëdha të Voskopojës David. Në degët e tyre, kur isha e vogël, hidhja litarin e kolovitesha! 
- T'u kujtuan kështu kot?... 
- Jo kot, David, por sepse të shoh ty. 
- Mua!? 
- Pikërisht. Sepse ti do të bëhesh i madh, David. Ti më je si një pemë e madhe arre. Dhe arra nuk do as krasitje, as ujitje, as spërkatje. Asnjë shpend nuk bën fole tek arra, asnjë kandër nuk mërzen tek ajo. Dhe arra e ka aromën të mrekullueshme dhe asnjë arrë e vogël nuk mbin nën arrën e madhe. Kur arra kërkon të shtohet, e dërgon farën e saj larg, me anën e shpendëve... 
- Afërditë, çfarë po thua kështu? E nise me litarin që koloviteshe dhe... - Jo, e kam fjalën tek arra... 
Mos vallë sërish ke mall të hedhësh litarin mbi arrë dhe të kolovitesh?! 
Ajo brofi më këmbë dhe, duke nënqeshur, i përkëdheli kryet. Pastaj dolën sërish në sallon dhe këngëtarja vinte re tashti se si e ndiqnin Davidin çap pas çapi. Kur e panë që vajzat nuk bënë dot gjë, atij iu qep pas Luçio Tomasini, regjisori i atij lloj gjahu që zhvillohej atje. Ky ishte bir doxhi dhe iluminist i njohur. Sapo shkëmbyen dy-tri fjalë, Davidi ia ktheu: 
- Ç'kërkoni nga unë? Unë jam "një i huaj"! 
- Dëgjo, David, - enguci tomasini, - ti këtu në Venedik mund të kërkosh dorën e cilës vajzë të të pëlqejë... 
- Jo, i dashur, - ia preu shkurt Davidi. 
Pastaj nëpër sallon u pëshpërit se erdhi çasti kur piktori i ri do t'i jepte dhuratat e fundit Afërdita Pamperit. I gjithë salloni qe ngritur më këmbë. Piktura e parë që nxori Davidi qe një kuadër i madh. Atje, në madhësi natyrale, dukej këngëtarja e dëgjuar, me një fustan mëndafshi bojë trëndafili gati të tejdukshëm, një dekolte tepër e çelur, një qiell blu e plot dritë, një palë buzë me tul, si duke kënduar; dora e djathtë qe shtrirë poshtë e gishtat e saj në lëvizje dukej sikur mbanin ritmin e një kënge... Dallohej qartë se këtu Afërdita ishte duke kënduar... Ajo ecte mbi barin e një livadhi, me kryet varur pak mënjanë, duke shikuar dikë me një vështrim pak çapkën (tepër çapkën për të tridhjetë e gjashtë vjetët e saj). Në sfond, nën disa kodrina, një qytet me shtatë lagje, me njëzet e katër bazilika e katedrale. Dalloheshin qartë kupolat e kishave dhe drurët e mëdhenj të arrave. 
Por askush nga të huajt nuk kuptoi përse këngëtarja, me të vështruar pikturën, mbylli sytë dhe prej atyre syve të mëdhenj e të bukur dolën lot... 
Në sfond ajo kishte njohur Voskopojën. 
- Asnjë vërejtje për dorën time, sinjora? Afërdita ngriti kryet dhe fshiu lotët me shami. Sytë e saj të mëdhenj iu mbushën me fijëza gjaku. Ajo po qante. Buzët i dridheshin. Pastaj e vështroi edhe një herë pikturën. Ditët e para të ardhjes në Voskopojë, Davidi shëtiste rrugëve të qytetit; kërkonte të shihte fytyra e të zgjidhte tipa.
Qyteti ishte mbretëri e grit. Shtëpitë ngritur prej guri, rrugët shtruar me gurë, çatitë e shtëpive përsëri me rrasa të trasha guri. Edhe qemerët formë gjysmërrethi të dritareve të vogla me hekura të kryqëzuar ishin sajuar edhe ato me gurë smërshi plot me brima. Nëpër dritaret e vogla, në katet e treta dhe të katërta, pranë saksive me lule borziloku e shëngjini dukeshin plaka veshur me të zeza, që zhdridhnin e mblidhnin turra me fije leshi. Ato tregonin ëndrrat e natës e të rejat e ditës, pinin kafe dhe shihnin filxhanet. Hatujt përmbi rrugë gati çiknin njëri-tjetrin. Thuhej se njëherë një dhi kish ndenjur tri javë pa u gjendur, sepse kalonte nga njëra çati të tjetra. Nëpër atë të çarën e ngushtë përmbi rrugë, mezi dukej pak hapësirë. Gratë i huanin njëra-tjetrës që nga ballkonet e dritaret. 
Davidit i kishin thënë se Stringari qe i sëmurë në shtëpi dhe po i shkonte ta shihte. Qe hera e parë që do t'i hynte në banesë mikut dhe ish-mësuesit të tij. 
Kur u gjend në tremën e shtëpisë së Kolinit, ngeci. Nga brenda vinte zëri i thekshëm i nuses së Stringarit. Po grindeshin: 
- Ti, more burrë, nuk mblidhesh as ditë, as natë. Më mirë shko dhe martohu në daç me shtypshkronjën, në daç me bibliotekën e në daç me akademinë, dhe unë të shoh punën... 
Davidi ngeci. Nuk dinte si të bënte. Të ikte apo të hynte. Kur papritur Kolini çeli derën dhe, duke hapur krahët e duke brohoritur tha: 
- Ooo, kush paska ardhur! Eja, mjeshtri ynë! Davidi hyri me një barrë druajtje dhe syri i kapi fare pak e shkarazi, vetëm supin e nuses së Kolinit, që iku me vrap që nga dera e pasme e odës. 
- Të më ndjeni, Kolin, më thanë se jeni i sëmurë! 
- Jooo... nuk është gjë... një grip i lehtë, po... ku kam unë kokë për shami! Ata të Kluzhit do të ma hanë kokën, s'marrin vesh e shkoi e vate. Eee, të kisha edhe nja dy shokë si ata të Vjenës! Është atje në Vjenë një Dhimitër Sina që ma kalon. Ma kalon shejtani, ma kalon. Ky tashti po u shkruan letra e thirrje edhe kolonive të tjera, ma rrëmbeu monopolin. Më i lumtë! Falë këtij Dhimitër Sinës, natën, atje në bibliotekën e Voskopojës, po përfyten mendimtarët më në zë të Evropës. Një palë flasin latinisht, David, Davidi im, gjith ky vërshim librash dhe diturie po na çon drejt e te akademia. 
Kolinit as që i kishte lënë ndonjë vragë grindja me të shoqen dhe vijonte të fliste për koloninë e Voskopojës dhe për shkollën e mesme që duhej çelur, kur nusja e tij hyri për mirëseardhje. Pas e ndiqnin tre çuna të vegjël. Ishte një nusëzë e bukur, me shumë flokë dhe me një kryq të vogël tuazhi në ballë. Ajo e mirëseardhi Davidin, bëri çmos që të mos binte në sy se ishte gjakprishur. Nuk dukej aspak se kishte lindur tre fëmijë. Kur ajo doli të sillte kafet, Kolini tha: 
- Tashti po grindeshim, me siguri diçka dëgjove... ajo ka të drejtë, po... e kam të mirë, është nga fisi i Cikulit. 
Hyri nusja me kafet që i kishte hedhur në disa filxhanë të verdhë porcelani holandez, pa vegël. Ajo, edhe se mundohej përsëri, dallohej që ishte gjakprishur. Dhe, sa të merrte veten, aty për aty e gjeti një rrugë. Rrëmbeu tiganin, i hodhi vaj dhe e vuri në zjarr. Pastaj mori një masë miell, e hodhi në një poçe balte dhe po e gatuante duke mbajtur fytyrën nga zjarri. Dhe ashtu foli: 
- Për nderin tuaj, mjeshtër David, sot do të shikojmë bashkë petullat e Arushës, se ja, po vjen pranvera. 
"Enciklopedia vetëtimë", ishte njeri shpërthyes. Ai kërceu përpjetë dhe, duke ngritur gishtin tregues nga tavani, gazmor dhe i papërmbajtur, bërtiti: 
- Nuse, meqenëse po vjen pranvera e ëmbël dhe plot me lule... ti ngriji vetullat! 
Ajo brofi më këmbë e befasuar dhe, duke mos ditur ç'të bënte e ç'të thoshte, pa Davidin në sy dhe ia dha të qeshurit. 
- E kujt t'i, zemërohesh David?!
                                                         ***
Davidi asaj dite, së bashku me Kolin Stringarin, shëtiti nëpër lagjet e Zhombrit, të Meçovës e Xegës, zbriti në lagjen e "Pasanikëve". Ata u ranë mes për mes lagjeve të Grabovarëve e Oparakëve dhe mbërritën më në fund në lagjen "Sarza". Këtu pronari Miltiadh Gopa kishte hapur të parën punishte për endje, dhe Davidi kishte shpresë që në këtë grumbull femrash të gjente tipin që i nevojitej. Deri një vit më parë gratë dhe vajzat e qytetit punonin nëpër shtëpitë e veta dhe endnin shajak për pronarin, por tashmë Miltiadh Gopa kishte hapur punishten e vet, duke marrë shembull nga Evropa, ku kishte qenë për shitjen e qilimave të Voskopojës. 
Sapo hynë në oborrin e madh të punishtes, ata dalluan një ndërtesë tepër të ulët e tepër të gjatë. Nëpër oborr dukeshin kazanë të mëdhenj me lëng të ngjyruar, pastaj avlemendës të thyera, sovajka të hedhura, krehra dhe qerthuj prej druri. Prapa punishtes sapo mbërriti një karvan kuajsh të ngarkuar rëndë. Qiraxhinjtë ishin të pluhurosur dhe dukeshin të lodhur. 
Mbi avllitë ishin ndehur turra me fije leshi, tapete e qilima. Davidit i ngelën sytë pikërisht te këta. Ai u përhumb pas ngjyrave, kapi buzën e poshtme me dorë, uli pak kryet dhe mendohej duke picërruar sytë. Pas tij Kolin Stringari vente e vinte nëpër oborr. 
Miltiadh Gopa i priti si jo më mirë. Ai ishte një beqar nja pesëdhjetë vjeç, burrë shumë i pashëm, me ca faqe të mbushura, me flokë tepër kaçurrelë dhe me sy të mëdhenj e gazmorë. 
- Urdhëroni, zoti zograf, - i tha ai Davidit, - urdhëroni, si në shtëpinë tuaj... - dhe, duke dëgjuar zërin e një burri që bërtiti diku thellë nga depot ai kërkoi leje: - Të më falni, ju hyni në punishte zoti zograf, unë po vij pak më vonë... 
Hynë në sallën e gjatë dhe të ulët. Atje kishte shumë pluhur dhe vinte era lagështirë e myk. Gratë dhe vajzat punonin me një shpejtësi të habitshme. Kërcitnin sovajkat dhe motovilat. Askush nuk ngrinte kryet. Pasi i përshëndeti një për një, Davidit iu mbush mendja se në ato fyytra prehej tashmë hija e ndonjë bukurie të venitur e të largët. Dukej sikur nurin e tyre ato vajza e gra ua kishin kaluar qilimave që endnin. Fjala shkoi gojë më gojë e gratë dhe vajzat nisën të shihnin të posaardhurin. Kishin dëgjuar për të, qyteti i tërë e mbante në gojë. Davidi i pyeti për pagën që merrnin dhe, kur ato i treguan, ai mblodhi buzët. Hyri Miltiadh Gopa, përsëri nxituar: 
- Edhe pak më pritni, zoti zograf! 
Davidi po prekte me dorë indin e një qilimi dhe i tha: 
- Zoti Gopa, mos e keni përzier leshin me pambuk? 
Pronari u sendis: 
- Aaa! Ç'është ajo fjalë, zoti zograf? Miltiadhi ngeli si i habitur, po në çast e mblodhi veten dhe iu vërsul me një breshëri fjalësh: 
- E ku gjendet këtu fije pambuku, zoti zograf! Duke vështruar këta qilima, a nuk dëgjoni vetiu se si vijnë gjer këtu, blegërimat e deleve dhe këmborët e deshve?! 
Duke shkarë me ngut gjatë murit, përsëri kërkoi ndjesë të largohej. Ai vente e vinte nëpër punishte si ndonjë sovajkë e stërmadhe që s'gjente prehje e qetësi asnjë çast. 
- Do të kthehem shpejt, zoti zograf, ja, erdha! 
Pas shpinës, Davidi ndjeu zëra, por nuk e ktheu kokën. Nga fjalët që dëgjonte, mësoi se pas tij kishin ardhur pesë a gjashtë vajza që do të hynin atje në punë për herë të parë. Davidi u kthye pas dhe midis tyre i zunë sytë një grua punëtore rreth pesëdhjetë vjeçe, e fortë, por e verdhë në fytyrë, që, duke folur vllahisht e duke vështruar në sy herë Davidin e herë dikë prapa tij, zuri në gojë edhe emrin e piktorit. Kolini qeshi. Po ashtu edhe Davidi, kurse vajzat ia dhanë gazit me drojtje. Kolini deshi t'ia, përkthente fjalët e gruas, por Davidi i kishte kuptuar. Gruaja kishte thënë: "Moj bukuroshja e nënës, moj t'u bëftë nënëza për këta sy plot lëng që më paske, para se të hysh në punë këtu, moj shpirti i nënës, ja ku e ke Davidin, ky të të bëjë në kartë kaq të gjallë e të bukur, që nesër pasnesër ta kesh për kujtim bukurinë tënde". 
Ndërkaq Davidi, midis qilimave të shpalosur anekënd, pa një palë sy... E vështroi vajzën nga koka te këmbët: e gjatë, një trup i derdhur... 
Vajza e përballoi mu në ninëzat e syve, pastaj një i kuq i lehtë iu ndeh në fytyrë dhe i uli qerpikët e gjatë, që Davidit iu duk se arritën gjer në mes të faqeve. 
Një shoqe e saj i përkëdheli supin dhe diçka i mërmëriti. Davidi e dëgjoi që vajzën e quanin Ana... 
- Ikim, - i tha i turbulluar Kolinit, - dalim... 
- Fytyra e kësaj vajze mund të vlejë, tha Kolini - mbaje shënim... 
- I tepërt shënimi, Kolin, dalim. 
Dolën te një farë treme ku nuk kishte dritare; atje u duk shtëpia e Miltiadh Gopës, ndërsa një punëtore e tij, nuse e re, po i lutej: 
- Zoti Miltiadh, kërkoj leje të dal, duhet t'i jap sisë foshnjës, e kam vetëm dy javësh. 
- S'është han këtu, - ia ktheu ashpër pronari, - e ta kam thënë, ja në shtëpi, ja në punë! 
- Por, zoti Miltiadh, s'mundem të qëndroj... më shtrëngojnë gjinjtë... 
- Atëherë kthehu aty pas murit e shtrydhi, - tha Miltiadh Gopa. 
Davidit iu drodh trupi dhe ngriti zërin:
- Zoti Gopa! - zëri i tij gjëmoi ashpër. Pronari u kthye me rrëmbim dhe në surratin e tij të egërsuar erdhi e u shkri një buzëqeshje e shtirur. 
- Urdhëroni e hidhni një sy në këto ngjyrat e mia të hatashme... 
- I pashë ngjyrat e tua të hatashme, zoti Gopa, në fjalët që i the kësaj gruaje. 
Miltiadh Gopa në çast e humbi përzemërsinë. Iu drodh nofulla e poshtme, u egërsua dhe vetullat e tij të trasha gati ia zunë sytë. 
                                                              ***
Davidit i kujtohej gjithnjë fillimi i punës në bazilikë. Atë ditë iu desh të merrte në provë tre zografë që pitropi Bane Lica, bashkë me veten e tij, i paraqiti si mjeshtër. Deshi s'deshi, Davidi i vuri në provë. 
Ata nxorën që poshtë xhaketës nga një ikonë të Agjionoros dhe nisën ta kopjonin. 
- Jo, - u tha Davidi, - këtu nuk duam apografe (1*) të Agjionoros, na bëni diçka nga koka juaj, ose, më mirë, ja ku është kjo macja këtu në stol 
I pari që nisi të vizatonte macen ishte Kostë Eshi. Ky ishte një shok i Bane Licës, hundëkërrut, kokëmadh e kryeneç. Kur ecte rrugës, shihte vetëm përpjetë. Për gjysmë fjale kurdoherë ishte gati të përfytej me këdo. Edhe këtë, si Bane Licën, gjithë qyteti e urrente. Nuk kishte mirëmëngjes as me veten, ishte sherrxhi dhe mbiemrin ia kishin ngjitur qytetarët. Hiqej si mendimtar i mbaruar, por e kishin përzënë nga shoqëria e as "Vëllezërve të Ndriturisë", sepse ishte shumë mendjemadh. 
"Mjeshtri" i dytë na ishte Zatran Lugati, pazvan në tregun e qytetit, spiun i njohur i derebejve dhe i hyqymetit turk. Ky ishte një gjato si stengëz, me dy nofulla të shëmtuara, ecte gjysmë i kërrusur, sikur diç, e ngacmonte në të pasmet. Ngaqë e dinte veten si burrin më të mënçur, i bëhej se vetë ishte boshti rreth të cilit vërtitej në mos bota, Boskopoja domosdo. 
Kur mbaruan provimin, Davidi pa punët e tyre. 
- Ju nuk jeni për këtë punë! - u tha. 
Një ditë, ndërsa ishte nga mesi i punimeve, Davidi doli arave me grurë. Kallëzit gjelbëroshë fërkonin njëri-tjetrin. Davidi kishte marrë me vete edhe nxënësin e tij, Thanasin, i cili mbante poçin e madh të bojës. Ai vetë mbante në duar një dërrasë borige për të punuar. Pas tyre qe nisur këmbë pas këmbe edhe Bane Lica. Kur po ktheheshin, fare papritur, në mezhdën e një are me grurë, ai dalloi Anën. Bane Licës kurrë nuk iu mbush mendja se kjo ishte vetëm një rastësi. Por Davidi nuk e kaloi rastin kot. Ai i kërkoi vajzës që t'i pozonte atje mes të arës me grurë e pastaj, duke punuar, i dha asaj të mbante në dorë një lulekuqe. 
- Kështu edhe shën Maria, mbante një lule në dorë dhe mbeti me barrë, - tha gjithë vrer Bane Lica. 
Vajzës i shpëtoi lulja nga dora dhe u bë më e kuqe se ajo. Davidit iu ndez gjaku dhe nuk u përmbajt dot. I rrëmbeu nxënësit poçin e madh të bojës dhe ia ngjeshi Bane Licës me tërë forcën mu në kokë. 
Piktori vijoi të punonte aty në arë me Anën përballë e, kur në një çast ngelën vetëm, ai i tha: 
- Sidoqoftë, ti sot nuk ike nga unë... 
- Unë nuk iki, David, por që asaj dite, në punishten e qilimave, sa fjalë kam dëgjuar... 
- Vetëm kaq? 
Ajo uli sytë. 
- Nuk e di ç'po më ndodh, David, më duket sikur vetiu kërkoj mbrojtjen tënde, rri e përgjoj me orë të tëra në dritare, kur kalon ti për në bazilikë dhe kur kthehesh, i hëngra gurët e rrugës së Shënkollit. Sikur të ikësh ti nga Boskopoja, unë do marr malet e do çmendem. 
- E do ta mbash fjalën që më ke dhënë? 
- Çfarë thua ashtu. David! Unë një vajzë fukara, ti një zograf i dëgjuar... Po dëgjoj 
fjalë që më dëshpërojnë. Thonë se pasanikët më të dëgjuar të qytetit janë gati të 
të bëjnë dhëndër me prikë të madhe, por nuk guxojnë se për ty ka ardhur urdhër të vishesh murg. 
- Dëgjo, Ana, kjo është histori e vjetër. Lëkurën time e rrjep dhe rason e murgut s'e vesh e sa për prikat e mëdha, ta them hapur, prikën që kanë sytë dhe vështrimi yt, nuk e ka as Ylli i Afërditës! 
Ana uli sytë.
                                                      ***
Ktitori i Shënkollit, pasunari Haxhi Jorgji, pasi u përkrye portreti i tij në bazilikë, i ftoi një ditë për drekë Davidin dhe Kolin Stringarin. Shtëpia e tij ndodhej mu në mes të Lagjes së Pasanikëve; ishte tepër e madhe dhe muret e saj të trasha, si të ndonjë kështjelle, ishin veshur me mermer Polene. Oda e madhe ku i priti, ishte shtruar me qilima të trashë me push. Ndërsa kaloi mbi shtrojen, Davidit sikur i humbën kundrat në pushin e trashë. Këndet e odës ishin shtruar me velenxa shumëngjyrëshe, me thekë të gjata. Tavani ishte prej pishe dhe i punuar hollë si me filigram. Në mes ishte një oxhak i lartë prej mermeri të kuq. 
Plaku i priti me përzemërsi, i përqafoi e u lëshoi këndin. Gjithnjë mbante me duar kërcinjtë që i dhimbnin nga përdhesi. 
- Eh, djema, djema, ju jeni të fortë si lisa, unë po iki, më hëngrën të gjallë spicat e përdhesit, do ma marrin shpirtin... 
Dy vajza shtronin tryezën. 
Gjithë shtëpia ziente e gjëmonte nga fëmijët, nga djepet që lëkundeshin, nga zhurmat e kuzhinës dhe nga zërat e grave dhe të vajzave. 
Foli Jorgji: 
- U thashë djemve të vinin për drekë për nderin tuaj, por ata s'më erdhën, kanë punë dyqaneve; grinden e hahen për një grosh me myshterinjtë, me qiraxhinjtë, me pazvanët e me derebejtë; kështu e ka tregtia! 
Sofra qe mbushur plot e përplot. Sa ndenjën pak, miqtë e kuptuan shpejt se ku e kishte hallin plaku. Ndërsa Jorgji fliste për të këqijat e turkut, Kolini ia ktheu se, për të shpëtuar prej tij, duheshin hapur sa më shumë shkolla, duhej hapur domosdo akademia e Voskopojës, duheshin ndriçuar mendjet e njerëzve që t'i shpëtonin robërisë së turkut... 
Haxhi Jorxhi i dha të drejtë, por pastaj e ktheu bisedën në çast atje ku i dhimbte... I dha Davidit: 
- Kam dëgjuar, zoti David, kam dëgjuar se zotërinë tuaj duan ta veshin murg... Këto janë budallallëqe të patrikut të madh, se ky i Ohrit nuk është burrë i keq, dëgjomëni mua, se unë e njoh... Por ti, zoti David, mund të shpëtosh fare lehtë... (Dhe duke hapur krahët e duke qeshur, u përkul drejt tij dhe uli zërin). Tetëmbëdhjetë mbesa për në kalë kam, o David, zgjidh njërën dhe gapisu pas saj, dhe ata që duan të të veshin murg, le të vijnë të merren vesh me mua... 
Për t'i vënë kapak fjalës, Haxhi Jorgji qeshi me të madhe. 
Por Davidi, i pamësuar me këto biseda, ia ktheu: 
- Mirë, zoti Jorgji, por... e di, ajo sevdaja, që thoni ju, është si mbirja e salepit... salepi mbin vetëm atje ku do ai e jo ku duam ta mbjellim ne! Me të thënë këto fjalë, Davidi ndjeu në gjunjë, poshtë tryezës, një goditje. Kolin Stringari ndërhyri në bisedë: 
- Zoti Jorgji, fjala juaj është shumë e drejtë. Mblesëria juaj është kaq e shumtë dhe kaq e bukur, sa edhe fara e salepit tonë diku do të mbijë! Haxhi Jorgji përplasi duart i kënaqur dhe në çast kërceu përpjetë, duke harruar dhimbjen e kërcinjve. 
- Do shkoj të hap me duart e mia butin me verën më të vjetër. 
Sapo doli plaku, Kolini vërejti dy-tri vajza që vinin rrotull nëpër odën e madhe me sytë përdhe e duke përgjuar çdo të thuhej. Ai i foli Davidit: 
- Ti po na prish punë, mos ia pre ashtu me sëpatë plakut. Se mos do rrojë sa të martohesh ti e sa të martohen të mbesat. Mos ia prish fjalën, se na duhen para e ky ka premtuar të japë. Do hapim akademinë... E me se do ta hapim? Me morra?! 
- Po dale, se kështu nuk bën. 
- Aaa, se mos ne do t'i shesim basmë Jorgjit! Se mos ky ka lindur me këmishë të artë. Paret e tij nga ky truall kanë dalë. A s'e kupton? 
                                                            ***
Punëtorja endëse Ana kishte shkuar kaq herë në bazilikën e Shënkollit dhe i pozonte Davidit. Një ditë ajo i vajti para kohe e duke u dridhur. Davidi lëshoi penelin në poç dhe rendi drejt saj. Ajo rrinte kryeulur, kurse Kolini sapo u dha në bazilikë. 
- Ç'ke kështu, Ana? 
Ajo dridhej dhe sytë i mbante përdhe. 
- Fol shpejt, ç'të ka ndodhur? 
Ajo u përgjigj pa ngritur kryet: 
- Ai nuk e ka hapur punishten për të endur qilima... 
- Ashtu? E pastaj? 
- I bërtita një herë "mos më prek", por nuk më dëgjoi. E pështyva në fytyrë dhe i këputa një shuplakë... 
- Pastaj? 
- Pastaj erdha drejt e këtu. 
Ai i vuri dorën mbi sup. Ishte fare afër me të dhe kaq afër nuk e kishte parë kurrë. 
- Ana, mirë bëre që erdhe drejt e këtu, po qëndro... atje, - e ai rrëmbeu një grafit, - qëndro atje, Ana, ngrije kokën, mendo se ke përpara atë djallin dhe thuaji edhe një herë: "Mos më prek", thuaj... 
Vajza u bind. 
Kështu, David Selenicasi pikturoi skenën "Mos më prek", që ndodhet sot e kësaj dite në bazilikë. Fytyra e Anës këtu është plot jetë, pafajësi. Ajo është njëherësh e bukur, e dëlirë dhe e rreptë, mbi fytyrën e saj lexohet si mbi një libër të çelur. Flokët e Anës, të gjatë e të derdhur përpara, i rreh flladi i Voskopojës. 
Kur mbaroi skicën e parë, Davidi i tha: 
- Nuk do shkosh më në punishte. Ti, Kolin, të lutem, rregulloje këtë punë, le të punojë vajza në bibliotekë... 
- Në bibliotekë? Po si t'ia bëjmë, atje kemi nevojë, por duhet të dijë pak latinisht, pak... 
- Patjetër, vajza ka për të mësuar. Ik, Ana!
                                                            ***
Davidi u ngjit shpejt në kupolën e mesit, u shtri mbi skelë dhe ia nisi punës.
Te kroi i madh me tre sulinare, para bazilikës së Shënkollit, ishin mbledhur gjithë ato vajza e mbushnin ujë. Stomnat e reja prej argjili të kuq e të hollë e thithnin ujin dhe gumëzhinin si mushti në varele. Vajzat shamatonin e qeshnin, dhe Davidit i dukej se qeshjet e gazet e tyre hynin në stomnat bashkë me gurgullimën e ujit. Ai nuk e kuptoi, i pihej ujë apo kishte dëshirë të vështronte vajzat nga afër. Zbriti nga skela dhe doli te kangjellat e hekurta të oborrit. Gjithë ata sy vajzash u kthyen andej. Ai ngriti duart dhe nënqeshi: 
- Vajza, kush do të më japë ujë? 
Zhurma dhe gazi te kroi u përzien me gumëzhimën e sulinareve. Pështjellim dhe nxitim. Drejt tij u ngritën gjithë ato stomna. 
- Merre stomnën time. 
- Këtë timen... 
- Këtë që të jap unë... 
Tridhjetë e ca vajza, tridhjetë e ca stomna të kuqe, gjithë ato duar të bardha. 
Nga tërë ato stomna ai do të merrte atë që e kishte më afër, atë që gati iu ngjesh pas kraharorit, sepse atë stomnë po e ngrinte drejt tij ajo vajza gjatoshe, koka e së cilës dilte një pëllëmbë mbi të tjerat. Dhe ata sy të grizhtë ishin të Anës. 
Ai e ngriti stomnën aq vrullshëm, sa uji iu derdh nëpër gushë dhe mori tatëpjetë. E iu duk se bashkë me ujin e kroit të madh, ai po merrte brenda vetes edhe këngët, edhe zërat e gëzuar të vajzave. 
                                                              ***
Rrezet e diellit të pasdites binin pjerrtazi nëpër degët e vidhave shekullorë dhe luanin mbi fytyrat e të rinjve që hidhnin valle. Dhe Davidi shihte se si shpalosej ai vargan vajzash e djemsh, shihte fytyrat e tyre një për një, sytë e zinj, flokët kaçurrelë, tek rrihnin faqe e gusha, tek fashiteshin tufa flokësh mbi vetulla, mbi sy e mbi ato gusha farfuri. 
"Ja tek është ajo, ajo, ajo..." 
Dhe Ana, duke qeshur me të madhe për t'i bërë qejfin atij, dendur e më dendur shkëput duart nga vallja dhe bën sikur ndreq flokët... Kjo ishte shenja e tyre e fshehtë. Dhe ajo kujtonte gjithnjë se ai i thoshte: "Kur të shoh ty të gëzuar, kur ndjej se edhe zemra jote rreh për mua, kur mendoj se ti je imja dhe do të jesh përgjithnjë... më shket peneli e më vjen frymëzimi..." 
Davidi, i shtrirë atje lart, nën kupolë, për një çast mbylli sytë e përkuli kokën; mjekra i goditi në kraharor e si prej vetiu vuri dorën në zemër. Atëherë i shkoi nëpër mendje të gjitha punimet e tij; menjëherë ndjeu një ngushëllim e gëzim të pakufi. 
Papritur në sytë e Davidit u shfaq vështrimi i pakapshëm i "Profetit të Panjohur" në Valsh, vepër e Onufrit. "Ata sy aq të butë e aq të thellë, ata flokë rebele që i rreh shqota... Me siguri, Onufri fytyrat i ka marrë nëpër vallet, nëpër dasmat dhe nëpër shtrungat e blegtorëve të mëmëdheut. Kështu do të bëj edhe unë gjithnjë..." 
Por nuk mundi ta çonte gjer në fund mendimin, sepse fare papritur dëgjoi një zë aq të ëmbël e aq të ngrohtë, aq të përgjëruar... 
- David! Ja ku erdha, David! 
Zëri i saj i shkrifur e bëri të dridhej atje lart, e shkundi të tërin, dhe pa e kuptuar as vetë, bëri një lëvizje të beftë e të pamenduar. 
Dhe nga ajo lëvizje, që ishte më shumë një si kërcim e si hedhje, u dëgjua gërvima e një druri që u thye e pastaj ai ndjeu që po binte... 
Ishte thyer copëza e kunjit që mbante litarin e sajës... Papritur supi i xhaketës së tij ishte kapur te koka e një gozhde dhe ai mbeti i varur pezull. Poshtë Ana, e tmerruar, kapi flokët, por ndërkaq Davidi u kap pas një direku. Pastaj u kap edhe me dorën tjetër, e mollëzën e dorës së majtë diku e çori... 
Dhe sa zbriti Davidi poshtë, ende i përfshirë nga frika e vdekjes që gati e rrëmbeu, ajo... me lot në sy, iu derdh në krahë, vari kryet mbi supin e tij dhe i pëshpëriti: 
- David... unë e kam fajin, David! 
Davidi bëri t'i shihte sytë, por ata ishin pulitur e nuk dukeshin më. E lëshoi për një çast atë, rendi nga hyrja e bazilikës, shtyu kanatin e rëndë, shkuli nga muri shulin lavrak dhe ia vuri derës nga mbrapa. U kthye turavrap te ajo. Tashti ishin mu në mes të kishës. "Këtu ku u vihet kurorë çifteve, këtu ku pagëzohen fëmijët, këtu ku vendosin arkivolet, këtu ku nis e mbaron jeta e besnikëve... dhe këtu, për inat të atyre që më ndjekin e më skërmitin dhëmbët, për inat të atyre që duan të më veshin murg, për inat të Bane Licave, këtu...", mendoi ai dhe i pëshpëriti Anës. 
- Mos ki droje, Ana, shpejt e shpejt... Rrëmbeu grafitin. Vetëm atë, sepse për ngjyrat nuk ishte koha e as vendi. Në çast iu kujtua një venedikas që kishte kaluar ca kohë më parë në Voskopojë. Ai e kishte quajtur nxënës të Ticianos dhe Davidi uroi tashti që të ishte vërtet i tillë... 
Sa herë i ishte lutur asaj që t'i pozonte për një sa her ëi pati rënë më gjunjë! 
- Bane Lica ka thyer qafën në Ohër, ti rri e qetë! Ana, qëndro kështu, Ana, - iu lut ai. 
Kurrë në jetën e tij ai s'do të kishte një përsëdytje të tillë. 
Perabi ta ishin të pesë polieiat e rënda plot me llambadha të mëdha prej dylli blete, që lëshonin aromën nëpër bazilikë; nën polielat vareshin pesë globe gjigande prej kristali të çmuar. Kristalet ishin të kuq, blu, të gjelbra, portokalli, kristale të ndritshme si pasqyra. Në cipat llamburitëse të globeve dukej profili i trupit të asaj, gjysmë e shtrirë, e një bardhësi e njomë.
... Dhe ishin atje nën sytë e shenjtorëve, sytë e të cilëve sikur i shihnin ata me egërsi, kurse vetëm "Farëmbjellësi", me pamjen e tij prej rrebeli e me vështrimin që i kishte dhënë Davidi, dukej sikur u bënte roje. 
Kur ajo po vishej, ai lëshoi një pasthirmë habie!
- Ana, ç'na paska ndodhur kështu? 
Nga mollëza e dorës, nga ajo plagë e vogël që iu bë kur u rrëzua nga skela e lartë, kishte rrjedhur gjak dhe ata vunë re se nëpër gushën e saj kishte njolla gjaku. 
Ajo u vesh me krye të ulur, kapi me të dy duart fustanin e gjatë diku mbi gjunjë, e ngriti paksa për të mos u penguar dhe bëri të ikte. 
Por ai nuk e la. 
- Dale, Ana, qëndro... e di, tashmë ti je gruaja ime. 
Ajo uli kryet edhe më. Ishte shenjë se ajo e pranonte këtë, por befas u drodh e, pa e vështruar në sy, ia vuri duart grusht në kraharor, sikur deshi ta qëllonte: 
- David... David... ata janë të pabesë, ata ngulin këmbë që të vishesh murg, ata flasin nëpër qytet se ti je një eremit e të ngucin të banosh këtu në hajat të kishës... David, betohu se ti... 
- Të betohem, Ana! 
- Betohu edhe se do ta ruash të fshehtën tonë, përndryshe mua do të më lëshohen me gurë. Ai e dinte këtë rrezik. Dhe ndjeu një vërshim brenda vetes. Dhe u mbush me frymë aq fort, sa i buçitën veshët. I erdhi një dëshirë e brendshme, e fortë, këmbëngulëse. Donte të ishte tani i fuqishëm, të kishte forca mbinjerëzore dhe të vërsulej me grushte kundër... 
Ai e dinte kundër kujt, por një zë i brendshëm e qetësoi. Çfarë mund të bënte? Të ikte maleve me kaçakët kryengritës? Bukuri. Një çetë do të kishte një martinë më shumë... 
"Kurse armët e mia janë peneli, ngjyrat, frymëzimi". 
                                                            *** 
Në hyrje të Voskopojës, herët në mëngjes, gjatë udhëve të tregut u dëgjuan zhurmat e rënda të një arabaje. Fishkëlloi një kamzhik, u përplasën disa dyer, pastaj britma dhe një tellall që rrihte shkopin mbi lëkurën e daulles dhe njoftonte ardhjen në Voskopojë të peshkopit të Ohrit, Emanuelit. 
Me ta dëgjuar këtë lajm, Davidi mblodhi buzët, atje në majë të skelës, e mendoi për ngatërresat më të reja që i sillte kjo ardhje. Zbriti ngadalë dhe këmbët i qëndruan para afreskut "Farëmbjellësi". Por... sapo nisi ta përkëdhelte atë me sy... porta e bazilikës u përplas dhe Bane Lica zbriti shkallinat e mermerta të hyrjes duke ftuar hirësinë e tij, peshkopin Emanuel, që të kishte nderin të hynte në tempullin më të ri të Voskopojës... 
Emanueli çau përpara si një dem dhe Davidi dalloi cipën e zezë të peshkopit, që preu rrezet e dritës. Ardhja e tij drejt e këtu nuk i pëlqeu as pak Davidit. Emanueli dukej me fytyrë të ngrysur, delli i ballit i kishte kërcyer dhe vështronte anembanë me mëri. Megjithëse ngriti dorën lart dhe e bekoi kishën e re, u shti sikur Davidin nuk e dalloi fare. Çapet e tij të shkurtra qëndruan pikërisht përpara "Farëmbjellësit". Ai i hodhi afreskut një vështrim të egër dhe kafshoi buzën e poshtme: "Ky na qenka ai këlyshi zograf!" Fytyra e Emanuelit u kaltërye, të bardhat e syve iu mbushën me fijza gjaku, kokën e skeptrit desh e shtrydhi me pëllëmbën, kurse fundi i tij gërvishte me zemërim shtrojen e mermertë të bazilikës. 
"Kushedi ç'letra e ç'hafije kanë shkuar në Ohër", mendoi Davidi. 
Një raport i gjatë kishte shkuar, këtë ai e dinte, por atë që ende nuk e kishte marrë vesh ishte mbledhja një muaj më parë midis peshkopëve të Ohrit dhe të Kostandinopolit. Këta qenë mbledhur në një përpjekje për të sheshtuar sherret midis tyre. Sheshimi kishte përfunduar në një përfytje dhe një nga mollët e sherrit na kishte qenë vetë piktori David. Kryedelegati i Fanarit kishte britur: 
- Përkëdheleni dhe mbajeni në Voskopojë heretikun David Selenicasi, krihjani bishtin, po ai ka për t'ju ngrënë kokën, ai po sfidon haptazi fenë dhe shenjtorët tanë. Ambasadori venedikas në Stamboll ka lëshuar hafijet dhe po përdor të gjitha mënyrat për të rrëmbyer Selenicasin dhe pastaj të na përqeshë ne edhe ju për ujin që na e ka shkuar nënë rogoz... 
Peshkop Emanueli po grindej me veten: 
"Ky zograf qenka vërtet një heretik. Ky "Farëmbjellës" me opinga lope e rroba shajaku, njëfarë bujku nga Gjonomadhi, me dy sy prej vrasësi, ky çdo gjë mund të mbjellë, po kurrë farën e fesë sonë të krishtere... Të drejtë paskan pasur ata të Kostandinopolit, të drejtë ka edhe Bane Lica". 
Dhe Bane Lica, që të binte më mirë në sy, hipi në një shkallare dhe përgjonte herë peshkopin e herë Davidin. Turiri iu zgjat dhe i mori një profil dhelpre dhe lëkura e faqeve iu përskuq më fort, sa iu mbush me kukunjëza. Davidi e pa ashtu dhe ajo fytyrë e shëmtuar prej pianeci, ato mollëza mavi iu ngulën në kokë: model më i përsosur për një Judë...
Epitropi Bane Lica, ishte nja dyzet vjeç. Megjithse gdhihej mejhaneve të qytetit, falë dallavereve të tij, kishte shtënë në dorë këtë vend epitropi dhe mundohej domosdo ta mbante si qeni kockën, duke qenë një spiun i përkryer. Në këto çaste ai riste shpërthimin e peshkopit kundër Davidit, prandaj njëherë i bëri shenjë me dorë peshkopit duke i treguar afreskun e diakon Stefanit. Emanueli dukej që u mbush me vrer dhe vijonte të kafshonte buzën e poshtme: 
"Këtij palaço bojaxhiu i duket vetja kushedi kush është! Ky është ai që nuk do të vishet murg, ky është ai heretik që ka shkelur me të dyja këmbët kanunet e kishës, ai bandilli që i ka shkrepur të martohet. Do mbledh parinë sa për sy e faqe dhe po nuk e degdisa syrgjyn në ndonjë qoshe, Emanuel mos më thënçin... 
Në këto çaste, gati pa u ndeir, në bazilië hyri edhe Kolin Stringari. U vështrua sy më sy me Davidin dhe i bëri atij shenjë të mos ndihej. 
Pa u kthyer nga të tre priftërinjtë që e shoqëronin, peshkopi tha: 
- Njoftoni ku duhet... nesër mbrëma të mblidhet paria e qytetit, kemi për të biseduar për këtë bazilikë... 
Kolin Stringari; me të dëgjuar, mendoi se duhej të shkonte e të takonte shokët e vet, duhej të fliste me Haxhi Jorgjin e me ndonjë tjetër. 
Kur peshkopi, pa i folur fare Davidit, ngjiti të pesë shkallaret dhe bëri të dilte përjashta, e ndoqën këmba-këmbës të tre priftërinjtë, pastaj edhe vetë Bane Lica. Davidi me Stringarin hipën në dy skelëza dhe vështronin atë peshkop të ndërkryer, që i dridheshin bulçitë nga inati. 
                                                               *** 
Bane Lica e parandjeu mbledhjen e fshehtë të Kolin Stringarit me shokë. Ajo do të bëhej asaj nate në sallën e madhe prapa depos së shtypshkronjës. Salla përdorej si depo letre, që asaj kohe sillej me karvane nga Vjena. 
Spiuni zelltar e nuhati që mbledhja do të bëhej për të shpëtuar Davidin nga "zemërimi" i etërve të kishës, kështu që qysh në mbrëmje hyri vjedhurazi në depo, u kacavjerr pas shkallës dhe meqenëse atje nuk kishte fare tavan, u shtri mbi tri copë dërrasa që ishin hedhur mbi trarë. Atje u nxi dhe u bë blozë i tëri nga retë e tymit të pishtarëve e që kishin ngritur jatak një gisht të trashë. Fytyra iu mbush me zhul e me pëlhura merimange, por atë e mbante në qejf çasti kur, pas mbledhjes do të rendte e do të shtrohej të shkruante raportin për ato që do të shihte e do të dëgjonte. Por, ur salla dalngadalë u mbush me shkollarë të shoqërisë "Vëllezërit e Ndriturisë", kur i pa e i njohu një për një gjithë ata burra që i nderonte qyteti i tërë, kur vërejti se në mbledhje ishin edhe tre punëtorë, djem të shtypshkronjës, kur dëgjoi edhe zërin e Kolin Stringarit që hapi mbledhjen, Bane Licën e zunë së pari disa të therura e ca dridhma të çuditshme. Diku nga e djathta e tij iu bë se dëgjoi ca zhurma të frikshme. Më pas i dha zemër vetes sepse dëgjoi një krakavitje të mbytur. Ishin kukuvajkat që ishin strukur në hatulla. megjithatë ai nuk përqndrohej e të dëgjonte kurgjë nga ato që fliteshin poshtë. Po sikur ta zbulonin që përgjonte, i ziu ai, ata tre djemtë viganë të tipografisë do ta shqepnin në dru. 
Por... sidoqoftë ai diçka dëgjoi dhe, nga ana tjetër, do të arsyetohej para peshkopit, se në mbledhje folësit, përveç arbërishtes dhe aromunishtes përdornin edhe ca fjalë latine e ca "arqea elenika", nga të cilat ai s'merrte vesh fare. Por fjalët e David Selenicasit, kur tha: "Idheologjia jonë kërkon që t'i nxjerrim në gjyqin e arsys patrikët e të dy patrikanave dhe Bane Licat me shokë", i nguli fort në mendje. 
Pas tri orësh aty mbi trarët e depos së madhe Bania doli me vrap nga hajati i Shënkollit dhe u nis për nga shtëpia e Mitrove, ku kishte bujtur peshkopi. Kishte kaluar mesnata. Nëpër kryet e udhëve, poçat prej mermeri të kuq, ku për ndriçim digjej rrëshirë e dyllë blete, ishin gati në të shuar. Qyteti flinte dhe vetëm pazvanet kërcitnin raketraket e tyre, duke u vërtitur pas qosheve të tregut. Kapërceu urën e madhe, hyri në një zig zage të monopateve dhe trokiti në portën e Mitrove. Asnjë përgjigje. Errësira ishte e plotë. Papritur diku nga shtëpia e madhe erdhën gjer jashtë zhurmat e maceve që ziheshin e grindeshin për kockat e darkës dhe një erë e fortë vere, prerë me sinap. 
Më në fund portën e çeli përgjysmë një dhjak që pyeti: 
- Kush troket në këtë orë? 
- Jam unë, Bane Lica, pret hirësia e tij një fjalë nga unë... 
- Po ai po bën gjumin e parë! 
- Le të bëjë edhe të dytin... mua kështu më ka porositur, ti thuaji, se e di vetë ai. 
Më në fund, në një korridor të ngushtë, ku ndezën një pishtar, doli peshkopi me benevrekë të gjata të bardha. Me dorën e djathtë mbante të çarën e këmishës në gjoks, kurse me dorën e majtë shtrëngonte mjekrën. Me të parë Banën ai i foli: - Hë, si dole? 
- Po... ja, ashtu. 
- Ç'është kjo ashtu. 
- Po ja, ashtu, hirësi... rrumbullak e plot me qoshe... ja ku, të kam sjellë raportin me shkrim... Unë e di sa kam hequr sonte...
                                                                 ***
Në mbrëmjen e tretë pas ardhjes së peshkopit në Voskopojë, në sallën e madhe anash katedrales së Shën Marisë u bë mbledhja e parisë së qytetit. 
Salla ishte fare e re dhe mbante erë gëlqere. Edhe nuk kishte hyrë era e temjanit dhe e qirinjve të djegur. Mbi tryezën e madhe para peshkopit kishin vendosur një saksi me lule shëngjini. 
Kur zunë vend në fronat burrat, kur edhe Kolin Stringari i pashëm e sqimatar i ra mes për mes sallës dhe u ul në vendin e vet, mbledhjen e hapi një sekretar i pleqësisë, i cili shpejt e shpejt hyri në temë dhe nisi të lexonte përmbledhtas akuzat kundër David Selenicasit. 
Peshkopi Emanuel shtihej si i qetë e hodhi një sy rreth e qark. Në sytë dhe fytyrat e shumë shkollarëve të qytetit ai lexonte urrejtje dhe mëri kundër tij. Këtë e kuptonte. Dhe kishte menduar se nuk do të linte të çanin shumë dërrasa. Në fund të fundit, David Selenicasi ishte zograf, ai i takonte pushtetit kishtar, buka dhe ngjyrat për të paguheshin nga arkat kishtare. Dhe, nëse ndonjëri e ngrinte zërin si shumë... peshkopi mendonte se kishte fjalën e fundit. Ai ishte i vendosur që ta dënonte dhe ta dërgonte syrgjyn Davidin. 
Peshkopi priste që fjalën ta merrte i pari Kolin Stringari. Por u gabua. Së pari u çua ktitori i bazilikës së Shënkollit Haxhi Jorgji, të cilit Davidi i kishte bërë portretin mu në hyrje të kishës, nga ana e majtë. Një portret me madhësi natyrale që e kishte zili gjithë qyteti. Haxhi Jorgji fërkoi lehtë mjekrën dhe foli: 
"Ata që kanë dërguar kartëra me kallëzime kundër zografit tonë, zotit David, kuptohet se kush janë. I pari është një faqezi, që nuk i takon e mbahet as si besnik kishe e jo më pastaj si epotrop, ai është një pijanec e kurvar e shpifës. Kaq për këtë turp të qytetit tonë, se nuk ia vlen të merremi me të. Sa u takon vlerave të surrateve të tjerë... cilin të zëmë në gojë!? Psalltin e dështuar, këtë faqezi e të pazot? Apo pazvanin e zvetënuar që na ngatërron qytetin e tërë? Apo të përmendim Miltiadh Gopën maskara? Në çdo gjyq duhet të kemi parasysh sa u vlen lëkura shahitëve e... këta nuk janë shahitë, por jallan shahitë! Por sa i takon zografit, unë kam të them shumë. Së pari dua ta zë në gojë se këtu unë flas në emër edhe të shokëve edhe të miqve të mi. Dhe të gjithë ne, hirësi epishkop, jemi të mendimit se zografi e ka zbukuruar shumë qytetin tonë, ai u ka dhënë dhe po u jep "gërshërë" edhe djemve të rinj që të shkojnë pas gjurmëve të tij. Po përse ta fshehim!? Të gjithë e dimë se republika e Venetikut derdhi shuma të majme që Davidi të shkonte në Itali, por ai ua hodhi turinjve. Se Davidi është patriot dhe mëmëdhetar, ai nuk bën kabull ta marrë nën kundrat e veta baltën e Voskopojës dhe të shkojë t'u shërbejë të huajve. Unë nuk marr vesh shumë nga hollësirat e punës së tij, por edhe fare i leshtë nuk jam... Kur pashë punët e zotit David në bazilikën tonë e pastaj i përqasa me ato që na erdhën nga Agjianorosi... si dita me natën. Paraja kallp është para kallp, njihet që atje tutje..." 
Peshkopi Emanuel i përvëloi përbrenda. Haxhi Jorgji po krahasonte punën e Davidit me ikonat që dërgoi ai vetë. 
Nuk pati kohë të mendohej më tutje se u ngrit Kolin Stringari. Ai u çua me një kërcim djaloshar. Fytyrëmprehtë, flokëzi dhe i pashëm. 
- Zotërinj të nderuar! Hirësi! Me ndihmën e punëtorisë së qytetit tonë, shkova dhe mësova nëpër shkollat e Evropës e pastaj shëtita gjithandej; pashë kisha e monumente në Lindje por në të gjitha kishat që kalova, një bazilikie të tillë me një zbukurim kaq të përsosur, me një art kaq të hollë nuk e pashë asgjëkundi. Unë po flas ne emër të gjithë shkollarëve të qytetit tonë... Ne së shpejti këtu do të ngremë akademinë e re dhe Davidi këtu do të japë mësime... Ky do të jetë një nder shumë i madh për Voskopojën... 
Deri këtu dhe peshkopi nuk duroi dot. Ai tashmë kishte një urrejtje të tërbuar për Davidin. Urdhrin që ai të vishej murg e kishte firmosur vetë, por piktori e kishte pështyrë. U ngrit rëndë-rëndë dhe foli: 
- Ne e kemi përkrahur lulëzimin e Voskopojës por nuk duam kursesi që në emër të kësaj përkrahjeje t'i vëmë kazmën ikonografisë sonë. Ju pyes ju, zoti Stringari... Në emër të kujt e hedh farën ai "Farëmbjellësi" i bazilikës së Shënkollit? Stringari kërceu: 
- Në emër të dashurisë për jetën, hirësi, për ata që jetojnë dhe për ata që do të vijnë... 
Emanuelin sikur e kafshoi grerëza. U ngrit dhe përplasi grushtin mbi tryezë. 
- Jo. Jo. Përgjigjen do të ta jap unë vetë, vetë. Ai farëmbjellës është një ateos sa kohë që s'ka asnjë shenjë kryqi as në roba, as në ballë e askurrkund. Ai është një heretik kokë e këmbë. Me ata sy prej pirati ai nuk sheh nga qielli, por sheh nga malet, andej nga mërzejnë kaçakët dhe hajdutët, sytë i ka prej rebeli, vështrimin prej vrasësi, këmbët prej maloku ngjeshur në baltë dhe Davidi juaj e ka vendosur me shpinën kthyer Ohrit... 
- Kostandinopolit, hirësi, - ndërhyri Stringari.
- Re vetë brenda, Stringar. Domethënë vendosja është bërë me qëllim. Kujt kërkon t'ja shkojë Davidi ujin nën rrogoz? Mua? Me farëmbjellës pirat që edhe mjekrën e ka si drizë ka përveshur mëngët e këmishës si ndonjë kasap ka lidhur belin me litar si hajdut kuajsh! Pyes zoti Stringari, ç'është ky "Farëmbjellës"? Ta them unë vetë: ky është një gjakësor që na paska mbytur një ujk... ua... çudi e madhe! 
- Hirësi! - foli sërish Stringari, i vendosur të mos e lëshonte fjalën, - ju i keni marrë së prapi gjërat, ju kanë yshtur njerëz të pazotë e të papërgjegjshëm. Kur flasim për art nuk kemi parasysh njollat me bojë. Le ta shtrojmë çështjen me arsye: 
- "E drejta e arsyes, e drejta e arsyes", përqeshi peshkopi. Mos vallë kjo e drejta e arsyes për të cilën ju vunë drunë nga Janina, kërkon që David Selenicasi të mbetet zograf këtu, apo edhe të martohet këtu? Ai është zograf, janë derdhur flori për ta mësuar dhe ai është shërbëtor i kishës... Unë, bir i parësisë së Durrësit, e kam veshur rason e zezë për t'i shërbyer zotit, një kolonjar kokëmushkë s'e pranon, e ku është parë kjo? 
Kolin Stringari u skuq gjer në rrënjë të flokëve. 
- Hirësi, nuk duhet të humbasim, të mundojmë e të marrim nëpër këmbë një njeri të tillë. Voskopoja ka nevojë për të... 
- Më mirë djepi bosh, sesa djalli në të, - ulëriu peshkopi. Kolin Stringari u ngrit vrik e më këmbë. Kaçurrelat e hijshme i nxinin mbi ballin e bukur e të ngritur lart. 
- Së pari, t'i kemi llogaritë në vend. Paret që janë derdhur për Davidin, nuk i ka derdhur askush, përveçse ata që i kanë derdhur edhe për mua. Përsa i përket përzënies sime nga Janina, jua them troç: e kam për nder, ika nga temjani i mykur i kokëboshëve dhe erdha në Voskopojë, këtu ku shkëlqen drituria. Sa i takon David Selenicasit, ai ka vendin e vet të nderit në këtë qytet dhe brezat që vijnë kanë për të ngrohur shpirtin me veprën e tij. Çfarë keni ndër mend të bëni, bëjeni, edhe ne duarkryq nuk do qëndrojmë... 
Peshkopi përsëri kërceu përpjetë. 
- Mos harroni ju, Stringar, se Davidi është djalli vetë... 
Kolin Stringari u tërbua më keq. Duke i mëshuar gjer në fund zërit, bërtiti: 
- Davidi nuk është djall, zotëri. Ai është një yll në qiellin e ndritur të Voskopojës, dhe këtë qiell një re e zezë kërkon ta errësojë... 
- Si guxon?! - bërtiti Emanueli - ti je një njeri i padenjë dhe për këto që nxore nga goja, në qoftë se unë nuk do të të shkishëroj ty, kam për ta shkulur vetë mjekrën time... 
- Ti mund të shkulësh çfarë të të dojë qejfi. 
Sytë e peshkopit u çakarritën, u vëngëruan; të dyja nofullat ia kapën dridhma ethesh dhe desh iu shkopsitën. 
- Je i mallkuar, je i shkishëruar, ti je një i paturp, je një pinjoll i padenjë. Edhe ti e nxit Davidin në rrugën e djallit, me ato shoqërira, me ato etërira, me ato fitet e gjyqet e ndriturisë nën rrogoz, ju i jepni kishës munxat dhe e zvetëtoni, po i jepni Voskopojës helmin e katolikëve... 
Kur e pa Emanuelin të tërbuar nga inati, Kolin Stringari nënqeshi dhe ngriti lart të dyja duart. 
E ndiente veten fitimtar. Të gjithë kishin mbetur si të ngrirë. 
Ti nuk di ç'flet, o peshkop, e humbe fare... 
- Helmin dhe shafranin po i jepni Voskopojës! 
- Jo. Një mijë herë jo. Davidi i jep Voskopojës gjeninë dhe frymëzimin e tij, Davidi i futi në art karaktirat e llauzit dhe fytyrat e tij. Davidi jep Voskopojës art, kurse ti, si një matrapaz, i jep këmishët e tua të palara që Bane Lica i lan faqe qytetit në përruan e Strungut! Britmat e peshkopit u kthyen në ulërima: 
- Ti po leh si një qen i keq, ti... 
- Unë s'jam as qen e as i keq, por ti bën mirë të marrësh bishtin ndër shalë e t'ia mbathësh për në derstilat e Strugës, afër Ohrit, atje te Kolë Arbanashi. Nuk të ka dërguar njeri të hedhësh jargët e tua në Voskopojë. Në Ohër ka njerëz me mend dhe unë kam shumë nderim për ta... 
Gjer këtu dhe mbledhja u prish. Peshkopit i dridhej mjekra. Dalngadalë salla nisi të boshatisej. 
Që asaj nate Voskopoja e tërë e mësoi atë që kishte ndodhur. Që herët në mëngjes grupet e njerëzve, duke shkuar në punë, jepnin e merrnin mbi këtë ngjarje. Gjithë qyteti kishte pritur me padurim hapjen e bazilikës së re për të parë veprat e piktorit David, kurse, si po tregonin bathët, peshkop Emanueli nuk do të lejonte. 
Filloi dita e punës. Nëpër punishtet e argjendarëve (të cilët kishin një urrejtje të tërbuar për Emanuelin për shkaqet që dihen), mjeshtrit nuk ishin në gjendje të punonin me filigranë. Argjendarëve, që edhe ata kishin dhënë punime për bazilikën e re, u dridheshin duart nga shqetësimi dhe përplasnin grushtet. Nëpër punishtet e lëkurëve puntorët ishin tërë mllef e inat, ta zvarritnin lëkurët për regjje dhe shanin me të madhe. Në rrugën e rremtarëve të gjitha kudhrat e bakërxhinjve nuk ndiheshin fare. E njëjta pamje ishte edhe në tezgjahet e endësve, edhe në punishtet e sapunit e të katranit, kurse në shtypshkronjë, ku kishte shkuar Kolin Stringari për të shikuar bocat e një teksti të kimisë, punëtorët e kishin lënë krejt radhitjen e shkronjave, kishin kryqëzuar duart mbi kraharor dhe dëgjonin "Enciklopedinë vetëtimë" që komentonte ngjarjet e natës së mëparshme.
Jo më pak i shqetësuar ishte edhe vetë peshkopi. Ai s'vuri gjumë në sy gjithë natën, por i shtrirë sa gjatë gjërë mbi shtrat shfrynte si i tërbuar. Kur u dëgjuan zhurmat e nja dy llandonëve që morën rrugën për në Manastir, peshkopit i dogji dhe menjëherë i shkoi mendja për keq: iu bë sikur Kolin Stringari me shokët e tij ishin nisur për në Ohër, te patriku, xhaxhai i tij dhe... Emanuelin nuk e mbante vendi. U ngrit dhe vente e vinte nëpër dhomë si i xhindosur. Nja dy dhjakë që mërzenin në korridor kërcyen përpjetë kur ai hapi derën. 
- Urdhër, hirësi! - Merrni vesh kush është nisur me ata llandonë dhe për ku... 
Vetëm kur u sigurua se Kolin Stringari ishte në shtypshkronjë, peshkopi u vesh shpejt e shpejt dhe doli jashtë. Të gjithë ata priftërinj e dhjaki që e ndoqën pas, i ktheu mbrapsht. Ishte i vendosru që të shihte edhe një herë bazilikën e Shënkollit dhe të merrte një vendim: ose të bënte një farë tërheqjeje, ose t'i hiqte diçka e të shtonte gjë tjetër. Ai deshi medoemos një rrugëzgjidhje, pa rënduar krenarinë dhe postin e vet. Vetëm një gjë ishte i bindur gjer në fund: që Davis Selenicasi ishte një heretik dhe nuk duhej falur në asnjë mënyrë. 
Qytetarët nuk po u besonin syve kur panë peshkopin me gjithë atë mjekër, me gjithë atë rasë e mitër, me atë skeptër në dorë tek ikte si shkalluar nëpër rrugën e gjërë të tregut. Ikte vetëm, ashtu si nuk i kishte hije një peshkopi, duke përplasur skeptrin në kalldrëm, pa vështruar anash, po vetëm duke dihatur e shfryrë. Shkoi drejt e në Shënkoll. 
Kur hyri në oborrin e bazilikës, Emanuelit i doli përpara një pamje e pabesueshme... Mu te hyrja e kishës ai pa një hoxhë me sarek të bardhë në kokë. "A jam në Voskopojë, apo në Gallata të Kostandinopolit, ku hoxhët zbresin tatëpjetë për nga sarajet e padishahut. 
Kur u afrua edhe më, i përhumbur pas asaj pamjeje, u pengua në rrasat e rënda të dala përpjetë të oborrit dhe u përplas përtokë... Shau me inat. Ai e dinte se nuk ishin të paktë të gjithë ata që e shihnin tek ikte ashtu turravrap, i egërsuar si ujku në shkurt. 
Sakaq, dy duar i dhanë ndihmë të ngrihej. Kur e vështroi njeriun që e ndihu... ishte hoxha dora vetë. Koka e mbështjellë ishte vërtet e hoxhës, po fytyra ishte e Bane Licës! 
Epitropi, duke rënkuar, sa për hesap të vet, sa edhe për hesap të peshkopit, i vuri në duar skeptrin, i tha fjalë ngushëllimi e, gjithnjë duke u ankuar, shtoi: 
- Hirësi, mbrëmë disa të panjohur më rrahën. 
Trupin dhe kokën i kam të pllakosur me qepë e kripë. Nuk i njoha dot, hirësi... por që i ka shtyrë, është... 
- Kush është? - pyeti tërë inat peshkopi. 
- Më duket se është vetë Haxhi Jorgji, sepse ky më doli përpara dhe, në vend që të më ndihte, më kapi për fyti e më kërcënoi se do të më tridhte. 
- Mirë, mirë, por edhe ti je kokëbosh. Por pse, or, nuk e ndreqe oborrin si të thashë, sapo erdha këtu? Hë, më thuaj, pse? M'u dërrmuan gjunjët dhe, po të mos e kisha barkun të ngjallmë, do kisha përsheshur edhe hundët. 
- Si urdhëron, hirësia juaj, por... fajin e kanë ata vidhat, jemi në maj dhe u janë harbuar rrënjët nga lëngu i tepërt. 
- Brenda është zografi? - pyeti peshkopi.
- Si urdhëron, hirësi. 
Kur Emanueli hyri në bazilikë, pasi Bane Lica kishte shtyrë me gisht kllapën e drunjtë të derës, Davidi ishte përsëri lart në skela. 
Peshkopi urdhëroi: 
- Vëri llozin portës! 
Më në fund peshkopi u ul rëndë-rëndë në fronin e dhespotit dhe kapi me duar të dy kolonëzat e holla prej dru qershie që ishin punuar me aq shije e aq hollë prej gdhendësve vendas. U koll fort, si për t'i dhënë shenjë Davidit të afrohej. Piktori u çapit qetë-qetë, duke pasur në dorën e djathtë një penel. Emanueli foli: 
- Ti e tregon vetë urrejtjen ndaj etërve të kishës, nuk ke as nderimin më të vogël... 
Pas gjithë atyre britmave tuaja në mbledhje... 
Peshkopi i vari edhe më poshtë vetullat dhe e kuptoi se nuk do të merrej dot vesh me këtë njeri. KY s'kishte për t'u përkulur. Me gjithë këtë filloi: 
- Dëgjo këtu, "Farëmbjellësin" do ta heqësh fare, do ta prishësh; Kostandinin e Madh do ta vendosësh më të djathtë, ashtu si i ka hije Kostandinit të Madh. "Kush s'ka mëkatuar ndonjëherë..." do ta prishësh gjithashtu. Edhe "Vajtimin". Kurse atë "kryediakon Stefanin" shkule dhe shitja atij kosovarit që e ka marrë për sqedhjo dhe mos bëj pehlivanllëqe. Atë fytyrën e djallit me brirë atje hiqe... 
Davidi e dëgjoi qetë dhe vuri duart kryq mbi kraharor, si shenjë se s'kishte për të bërë asgjë nga ato që i kërkoheshin. 
- Hirësi! Le ta nisim nga fundi. Nës e eheq fytyrën që mban sot djalli, më duhet që mbi supet e tij të bëj fytyrën e një djalli tjetër. 
Emanuelit iu drodhën bullcitë. 
- E ç'këkron të thuash me këtë? 
- Vetëm atë që thashë. Por ju mos u nxitoni më dëgjoni edhe mua. 
Kam tre vjet e ca që punoj në këtë bazilikë, kam derdhur këtu djersën dhe punën time, "Farëmbjellësit" unë nuk i heq asnjë qime. 
- Sa guxon e flet kështu? 
- Se jam në qytetin tim, hirësi, nuk jam në Ohër. 
- Kurse këto që thua tregojnë rebelim. 
- Unë kam vetëm një penel në dorë, hirësi, s'kam as shpatë, as pushtet, as para e as hafije... 
- Epitropi Bane kërceu e hyri në bisedë: 
- Me lejen tuaj, hirësi, dua t'ju kujtoj se ai "kryediakon Stefani" është një njeri i një fejej tjetër... 
- Dhe nuk ngjan aspak si shenjtor, por si një dhëndër, - plotësoi peshkopi. 
- Shpif, o Bane Lica, - ia ktheu Davidi. - Në këtë punë më ka ndihmuar ai djaloshi kosovar, që është një vllastar i mrekullueshëm i racës sonë. Një ditë, kur ky epitropi ma solli shpirtin në majë të hundës dhe isha tepër i mërzitur, ai djaloshi gjeti kohë dhe më tha: "Mos u ligshto, hej burrë, ne jena të fortë, ne jena nga ai farë guri që thyejmë edhe çekanin". Jua them këto, hirësi, që të merrni një masë për mendimet dhe bindjet e mia. Sa i takon mospranimit të punës sime nga ana juaj, kjo vjen sepse ju jeni mësuar me punë të trasha. Unë kam dashur që me punën time t'u lëmë trashëgim diçka të bukur brezave që vijnë, mos ndihen të varfër përpara Evropës dhe kam merak se vallë kam bërë sa duhet dhe si duhet? Ja, prandaj më dërguan në shkollë punëtorët dhe esnafët e këtij qyteti... Po ti nuk kupton, hirësi. Ajo është puna ime më e mirë! 
- Ashtu... ashtu... se Kolini yt e quajti kryevepër, por ç'më duhen mua kryeveprat me një fytyrë prej pagani! Dhe ta dish, ti je tinzar... përse atë "Farëmbjellës" nuk e ke vendosur në mes të bazilikës, por e ke zografisur fshehur në një qosh të altarit? 
- Dëgjo, hirësi... 
- Nuk kam dëshirë të dëgjoj llogot e tua, unë do të të flas qartë dhe shkurt: Së pari, nis dhe hiqe atë djallin atje... 
- Nëse unë e heq atë djall, në këto çaste kur ju po më mbushni me inat, duhet ta zëvendësoj me një kryedjall. 
Peshkopi Emanuel e kuptoi se ishte e kotë të merrej me Davidin. "Ky njeri i krisur ta bën të keqen. Në mos këtu, në një kishë tjetër, merr fytyrën time dhe ia ngjit një lugati... hej ç'gjeta belanë." 
- Kam sjellë në këtë bazilikë fytyrat e njerëzve tanë ashtu si janë e ashtu si dua unë të jenë. S'kam këtu meshkuj si të tredhur apo të mallëngjyer e të përdëllyer, që qajnë dhe i kanë në prag të syve mpshikëzat mbushur me lot. Do t'u lë stërnipërve që vijnë fytyra të kthjellëta, vajza faqekuqe e djem sqimatarë. Kjo është raca jonë dhe arti ynë. Dhe unë kam brengën se vallë kam bërë sa duhet... 
Peshkopit iu mbush koka plot: 
"Me këtë njeri nuk merrem dot vesh. Ky me shkollarët e Voskopojës qënkan bërë një e një. Patriku le të vendosë si të dojë. "Qëroi gurmazin e dhjamur e tha: 
Kisha të mos hapet! 
- Po ju pardje e bekuat! 
- Bekova kishën e jo shkarravinat e tua. Kisha të mos hapet!
                                                           ***
Vetëm një javë më vonë Kolin Stringari e bëri qytetin të habitej. 
- Vëllezër, - kishte thënë, - bazilika e Shënkollit do të hapet të dielën e ardhshme. Shoqëria jonë "Vëllezërit e Ndriturisë", ka marrë vendim për këtë. Në qoftë se prifti i lagjes "Sarza" ose ai i Lagjes së Shën Janit nuk do të vijnë të meshojnë, do të vishem prift vetë dhe do të meshoj. 
Të gjithë vështruan njëri-tjetrin, pastaj Stringarin, se mos asaj dite e kishte përzier ujin me gjësend tjetër. Por Kolini nuk bënte shaka. Bazilika e Shënkollit do të hapet ditën e diel". 
Dhe bazilika u hap. Hajati i bukur i bazilikës, mbushur plot me qytetarë, me ato kolonat e qemerët elegantë prej mermeri ndriste e shkëlqente. Populli ngazëllehej tek shihte veten në fytyrat e vizatuara, e gëzohej tinëzisht që Miltiadh Gopa, Bane Lica e nja dy të tjerë ishin bërë si shejtanë, si dhelpra e si lugetër. Prifti i lagjes "Sarza", që ishte edhe anëtar i shoqërisë "Vëllezërit e Ndriturisë", drejtoi meshën. Pastaj bazilika mbeti hapur ditë e natë, sepse nuk mbeti njeri i gjallë në qytet pa hyrë dhe pa vështruar me nge punën e piktorit David. Lajmi u përhap shpejt e shpejt dhe qyteti priste me ankth se çdo të bënte patrikana buzë liqenit sa edhe patrikana buzë detit për këtë guxim të papritur. Bane Lica i hodhi kyçet e bazilikës dhe ia mbathi vrapit për në Ohër. 
Ishte muaji tetor i vitit 1726. Kishin filluar shirat e mëdha dhe ishin nisur karvanet e fundit që çonin rrëshirë në Trieste. Një llandon i zi hyri një natë në Voskopojë dhe qëndroi te banesa e kryearhondit. Njeriu që doli nga llandoni, nuk ishte veshur me petk fetar, por atë e kishin veshur me disa fuqi dhe me disa urdhra të prera e të rrepta. Patrikana e Ohrit deshi t'i hidhte gunën çështjes së bazilikës së Shënkollit. Jerarkët e Ohrit ishin trembur nga kërcënimet e Fanarit. Urdhri ishte i prerë: "Me hir ose me pahir, David Selenicasi duhet të largohet nga Voskopoja dhe të shkojë për të meremetuar afresket e kishës së Maligradit në ishullin e liqenit të Prespës. Nëse kundërshton, të përdoret dhuna... Kemi dërguar edhe njerëz të tjerë për këtë punë... Këto ditë vjen në Voskopojë edhe peshkop Nikolla, shok shkolle i Davidit... 
Dhe vërtet, të nesërmen erdhi peshkop Nikolla në Voskopojë. 
Kolin Stringari shkoi te Davidi dhe biseduan gjatë. Kur nuk gjetën ndonjë rrugë tjetër, Davidi tha: 
- Të pata thënë, Kolin, jetojmë nën shpatën e Demokleut. Mirë e parashikova... Helmin e ka në bisht... 
- Unë mendoj - tha Stringari, - me këtë gjendje që u krijua, të tregohemi të matur. Në përmbytje ose në tërmet duhet t'i ruhesh valës së parë, pastaj ... ose pastaj... 
- Pastaj? - pyeti ethshëm Davidi. 
- Pastaj shohim e bëjmë. Ki besim tek unë. Ti do të japësh mësim në Akademinë tonë, kjo është punë e vendosur. 
                                                                *** 
Davidi e priti Nikollën në kohën që ishte duke pastruar penelat. 
Ishin moshatarë dhe Nikolla ishte peshkopi më i ri në oborrin e Ohrit. Me ta përqafuar Davidin si shok, ai hoqi nga qafa kryqin dhe nuk e la të mendohej: 
- Shoku dhe mjeshtri im David! Ne jemi vëllezër që në vogëli. Bashkë kemi kullotur delet në Vallamare të Gramozit. Puna jote këtu është e shkëlqyer, e tundëm edhe ne kolonjarët njëherë! Dale të të puth... Ama ia kishe thyer hundët atij Emanuelit... tri ditë e tri net s'doli nga qelia. U pi e u bë tapë, thërriste si i çmendur: "Të digjet Voskopoja, të vritet David Selenicasi dhe Kolin Stringari!" Por ti, David, mos ki frikë nga kërcënimet e një kokëviçi. Dhe që t'i lëmë shakatë: Të dy patrikëve, sa dhe sulltanit vetë, u kanë futur fite dhe, pse ta fsheh... na erdhi valiu i Manastirit në Ohër dhe iu kërcënua sy për sy patrikut. Gjithë këto ngjarje, kjo hapje kishe pa leje, ky Stringar, nip patriku, që deshi të vishej prift për ty... e... ç'të të them, zien dynjaja me emrin tënd në gojë. Prandaj, për të mir e për shëndet, ti do të më dëgjosh mua, që të kam vëlla edhe shok zemre. Një vajtje e shkurtër në Maligrad e në Glloboko të Bezmishtit nuk është ndonjë punë e madhe... Dhe këtë kërkesë ta bëj që të më shpëtosh edhe mua nga hataja, edhe kishën nga djalli. Patriku desh ma qethi mjekrën me thikë. Dhe përse pa! David, o vëlla... Në Prespë, në kishën e Maligradit, atje ku asketon cipëplasuri Lithan, ka hyrë dhe banon djalli!
Sytë e Davidit xixëlluan, nënqeshi, po Nikolla nuk pushonte: 
- David, o mëkatar! Mos qesh, se, që kur u ktheve nga Evropa, e humbe shoqërinë e vjetër që kemi pasur. Ej, David, e si të mos bënte vend djalli në Maligrad? Ikonat janë nxirosur, afresket janë prishur dhe, çështë më keq... O mëkat i tmerruar, e kapa Lithanin me presh në duar. Kishim njoftim të saktë: "Asketi ndez zjarr e ha mish brenda në kishën e nëndheshme". Kështu që i shkova vetë një mesnatë, me varkë. Ishte një natë e zezë sterrë, sa rasoja ime dukej ngjyrë hiri, kurse mjekra e zezë më zbardhëllente si shkumë. Një të zënë varka breg, kërceva fluturimthi dhe u vërsula brenda në guvën e nëndheshme të kishës. E ç'të shoh?! Dritë zjarri dhe nën hundë më vjen era e mishit të pjekur. Bastardi Lithan, ky asket kokëviç, që ma ka mjekrën sa një lopatë, përplasi kurrizin pas murit dhe hapi gojën sa një kamare. Ai mund të besonte që maçoku të binte në shpinë, por kurrë që unë i vete për kolendritje në mesnatë. Iu vërvita ta kapja për mjekre, por u kruspullos... Ashtu e kapa për zverku e në dritën e zjarrit e vërtita nëpër të gjithë katakombën. E zvarrita gjer te zjarri. Mbi thëngjijtë s'kishte asgjë, por era e mishit të pjekur munxoste ikonat e sakatuara. Mbi gur të vatrës nuk kishte mish, as në kllanik. Te hiri mbi shpuzë ishte masha e hekurt dhe përmbi të ngrohej një copë presh. E rrëmbej preshin e desh m'u përvëlua dora. Brenda në fletën e rrumbullakosur të preshit fshihej një copë mish derri. Atëherë më e më s'u përmbajta dot, ia përshesha hundët me grusht dhe i bërtita si në ditën e gjyqit të madh: O shkelës i fesë, o biri i satanajt, kush të ka mësuar të fshehësh mishin në fletë të preshit? Lithani ma ktheu: 
- Hirësi, më fal, ashtu më mësoi qoftëlargu, ashtu më mësoi... 
Peshkop Nikolla u lodh nga shpërthimi prej përralltari që e kreu me një frymë dhe u mbështet pas një kolone të bazilikës. Davidi nënqeshi hidhur, mblodhi buzët, tundi kryet dhe mendoi: Kjo është parathënia e nisjes sime të detyruar..." 
Davidi e njihte Nikollën me dhëmbë e dhëmballë. E dinte se disa herë ky kishte ndonjë shpërthim zemre prej njeriu të vërtetë, por më shpesh, ishte mësallë me dy faqe, dinte gjithashtu që Nikolla e urrente për vdekje Emanuelin, por që tashti e kishin urdhëruar të vepronte me Davidin pikërisht kështu. 
- Si i ke marrëdhëniet me Emanuelin? - e pyeti Davidi Nikollën, enkas për të shfrytëzuar urrejtjen e tij për peshkopin.
- Pëllëmbë e tym, o David. Ai është tepër i trashë, ta bën gjëmën për një qime mjekre dhe veç ta shohësh se sa fodull mbahet. Dhe përse pa... Po nejse, ti lemë këto, ti, David, mund të vonohesh edhe dy-tri ditë këtu, mund të kesh ndonjë punë, - dhe i shkau një nënqeshje e lehtë. - David, dëgjomë mua, s'ke ç'i bën, kështu janë kanunet e kishës. Pa mendo njëherë se ka edhe më keq! Ne në Agjionoros kemi një ushtri të tërë me zografë e jo vetëm që janë murgj, por ti e di se ku janë e si jetojnë... Të ishte në dorën time, unë do të të lejoja të ngrije shtëpi e të krijoje familje, por nuk të ndihmoj dot. Me kë të bisedosh? Me kë të merresh vesh? Me peshkop Emanuelin? Ai është një gomar! 
- Po atëherë përse mbahet në një shkallë hierarkike të tillë një gomar?! 
Nikolla vështroi me druajtje anembanë, ktheu shpinën nga altari i bazilikës e, duke ulur zërin, ia ktheu:
- Mos harro, David, mos harro se gomari është nip i kalit! Emanueli e ka xhaxha kryezografin e Agjionoros. Dhe ky kryezograf është një kokë shkëmb! Na ka në dorë. Se ne mund të ngremë kisha sa të duam, por ai, po t'i shkrepet, të la pa ikona e pa pajime. Por kuptomë, David, ti mos më fut mua në një kallëp me Emanuelin. 
- Jo, - tha Davidi. 
- Ta di për nder. Sepse unë të çmoj dhe e di fare mirë kush je, sa vlen e sa rëndon dhe... dashtë zoti, të vijë dita që t'i ndjesh shërbimet e mia. Tashti të hyjmë në thelbin e një pune tjetër... Më kanë urdhëruar që të heq disa ikona dhe afreske nga bazilika, po dale, dale, mos u nxeh... për nderin tënd dhe për inat të Emanuelit ne ta gjejmë bashkë.
- Nuk tërhiqem këtu, ju e keni dorën të gjatë, bëni ç'të doni, kurse unë nuk heq as të zezën e një thoi! - Mirë, David, po dëgjomë edhe mua, sepse edhe unë duhet të vete në Ohër dhe diçka të them. 
- Jo, - tha Davidi, - asgjë nuk heq. 
- Por duhet, David, duhet. Unë do të shkoj në Ohër, pa do flas me të tjerë, do t'u flas për zemërimin e qytetarëve të Voskopojës që kanë të drejtë, sepse Emanueli i ka fyer, se ai ka një krakter të rrëmbyer... do t'ia bëj surratin blozë Emanuelit, ta dish. Se ç'ndodhi këtu, unë e di për fije e për pe. Kam edhe unë miqtë e mi në Voskopojë. Po nuk më thua, të shoh se s'e ke mendjen këtu, çfarë po mendon? 
Davidi ngriti kryet. Balli i ishte zverdhur dhe me ata sytë e zinj e zhbirues desh e përpiu Nikollën. 
Pasi psherëtiu thellë, i tha: 
- Si shpatë e Demokleut na rri mbi kokë osmanlliu. Ariut të Bosforit sot s'kam ç't'i bëj, po sa për bajgat e ariut, as bëhem merak fare. 
Jashtë shiu binte me të madhe. Që nga majat e maleve po zbritnin drejt qytetit re të zeza plot me shtrëngata. Davidi vuri re se kishte njerëz në oborr të kishës dhe herë pas here ndonjë palë sy vështronin nga dritaret. Nikolla nisi të shëtiste duke vërejtur afresket, kurse Davidi hodhi sytë anembanë. Do të ndahej kaq shpejt nga krijimet e tij më të dashura. Këtu kishte punuar plot tre vjet e njëzet e një ditë edhe tashti do të ikte për të mos u kthyer kurrë më. Davidi mendonte se askush nuk do t'ia dinte më as emrin e as fytyrën.
                                                          *** 
Erdhi dita e nisjes së Davidit me përdhunë. Ai hyri edhe një herë në bazilikë dhe vuri re se disa ikona i kishin hequr. Dy nxënësit e tij flitnin ngadalë, duke pëshpëritur. 
Hyri edhe Kolin Stringari me të shoqen. Ajo nusja aq e hijshme e aq krenare me të tre çunat pas. Këta, si të ishin të rritur, bënë toka me Davidin. Piktorit iu kujtua ajo ditë kur u bë dëshmitar i shpirtit të dëlirë e të qashtër të Kolinit. Ai çast kur Kolini i tha gruas: "Leri petullat e ngreji vetullat". 
Jashtë në oborr kishte ardhur llandoni. Dera u hap dhe nëpër të pesë shkallinat e mermerta zbriti Haxhi Jorgji. Ktitorit të bazilikës i dalloheshin më fort të tetë rrudhat e thella të ballit. 
Nëpër qytet po ndiheshin zhurma e thirrje. Rreth kishës po grumbulloheshin njerëz. Po vinin atje qytetarë nga të gjitha moshat. Më tej, nën strehët e azilit të pleqve, tre njerëz, krejt të panjohur në Voskopojë, me duart në xhepa, me jakat e tallaganeve të ngritura, jepnin e merrnin midis tyre. Pastaj në shoqëri të tyre hynë edhe Bane Lica, Kostë Eshi e Zatran Lugati. 
Papritur njëra nga kambanat e bazilikës tingëlloi ngadalë, si në zi, ashtu si i binin kur varrosej njeri. Davidi u zverdh në fytyrë, por, kur ia nisën gjëmimit edhe të dyzet e tetë kambanat e njëzet e katër kishave të qytetit, ai u zbeh edhe më. 
- Kolin, po më varrosni? 
Kolini u lëshua turravrap përjashta dhe bërtiti: 
- Jo ashtu, more... bjeruni kambanave për festë, për fitore, për gëzim! 
Dhe me t'ja nisur gjëmimit të nxituar kambanat e bazilikës së Shënkollit, edhe të gjitha të tjerat ia kthyen ashtu menjëherë. 
Tashti Voskopoja e tërë ishte ngritur më këmbë. Qyteti u derdh rrugëve për të përcjellë Davidin. Haxhi Jorgji fshinte sytë e përlotur, kurse Kolin Strin ari hipi mbi shkallën e pestë të kambanores dhe priti sa të vendosej qetësia. Ashtu hodhi sytë përmbi turmën që dukej e egërsuar. Turma lëvizte sa andej-këtej, si dallgë. 
- Vëllezër dhe motra! Përcjellim David Selenicasin, piktorin e ndritur të Voskopojës. Po e përcjellim, sepse po na e gjurmojnë, po na e ndjekin, po na e syrgjynosin! Qytetarë! Kjo ndarje na djeg në shpirt dhe na përvëlon në zemër dhe unë mund t'ju flas këtu gjatë e më gjatë por... kam shpërthime e të papërmbajtura përbrenda ashtu si keni edhe ju. Ne po e përcjellim Davidin tonë të madh ashtu si i ka hije atij dhe i lutemi që ai të kthehet shpejt e shëndoshë e mirë këtu, në Akademinë e Voskopojës, që ne do ta çelim së shpejti. 
Turma brohoriti me të madhe: "Do ta çelim" dhe atëherë Kolini shtoi: 
- Akademinë do ta ngremë ne që jemi këtu dhe vëllezërit e motrat tona të mërgimit, që na ndihin dhe që janë shpërndarë nëpër gjithë Evropën. Ata të tjerët që rrahin gjokset se gjoja na ndihin, ata gënjejnë edhe na bëjnë prapësira si kjo që po bëjnë sot! 
Një punëtor rendi në hajat të bazilikës, atje mblodhi e rrotulloi si lidhurak atë jatakun e varfër me rrogoz të Davidit, e shtrëngoi me një kulpër, e hodhi në krah dhe pastaj vajti dhe e ngarkoi në anën e pasme të llandonit. 
Davidi u nis. Në krah kishte Stringarin dhe Haxhi Jorgjin. Pas tyre vinin tërë ata njerëz. Në qiellin që vesonte ngadalë, dëgjoheshin si me tërbim të dyzet e tetë kambanat e kishave.
Në xhepin e vogël të xhaketës prej shajaku Davidi kishte futur një letër, një degëz borziloku dhe një penel të hollë që ishte pasuria e vetme e tij. Në atë letër Ana, për t'i treguar se kishte shkuar përpara në gjuhët e huaja që mësonte në bibliotekë, i shkruante ca fraza të përziera e jo fort të sakta në gramatikë, herë latinisht, herë gjermanisht e herë greqisht: Carisimus meus David...1 ja tin agapi pu ehome i mis i dhio qe...?2) (1 lat. Shumë i dashur Davidi im. 2. greq. Për dashurinë që kemi ne të dy dhe... Kolin Stringari iu afrua dhe i pëshpëriti në vesh: 
- Si të porosita, vëlla! Mos ki asnjë dyshim. Botën të tërë kam për të tundur, Akademinë do ta hapim dhe ti ke për të ardhur këtu, veçse, atje ku po shkon, ler gjurmët e tua me punë. 
Davidi u përqafua së pari me Stringarin. Pastaj edhe me të tjerët. Diku nga e majta e turmës i zunë sytë Anën. Ajo u drodh dhe filloi të përkëdhelte flokët e vet me dorë. Ishte shenja e tyre e fshehtë e përshëndetjes. Fytyra e saj kishte marrë një pamje të tillë që ai nuk e kishte parë kurrë ndonjëherë. Ishte fytyra e "Mos më prek". 
Ana nuk e përballoi dot vështrimin e tij dhe uli sytë. 
Pastaj Davidi hipi në llandon. Kamxhiku fishkëlloi ashpër, kuajt hingëllinë e kërcyen kas përpjetë, rrotat u sollën me vërtik nëpër xhade. Ai vështroi edhe një herë nga majat e Shënprodhomit dhe ashtu Voskopoja iu zhduk nga sytë. 
                                                                *** 
Llandoni me katër kuaj zbriste tatëpjetë rrugës që të çon për në Manastir. Davidi ishte kredhur në një qoshe dhe dëgjonte llokoçitjet e bojërave të lëngëta. Penelat, në një kuti tjetër, fërkonin kryet me njëra-tjetrën, sikur bisedonin e sikur ziheshin. Jashtë nëpër ara bujqit mblidhnin kërpin, të tjerë prisnin misërishte me drapër, ca fëmijë kullotnin bagëtinë nëpër stërnishtat e miellit. 
Davidi mendohej. Nëpër mend i kalonin gjithë krijimet e veta. 
Llandoni gjithnjë zhurmonte fort e rëndë, kamxhikët fishkëllenin në erë, të katër kuajt dihatnin ashpër, kurse mendja e piktorit harbonte poshtë e përpjetë: "Vallë si do të vejë filli i jetës sime? Si do bëjë Ana?" Orët kalonin. Me këto mendime në kokë, nëpër xhamin e llandonit, ai vështroi lart nga qielli. Hapësira ishte pus e errët dhe e lagësht. Nëpër thelëlsitë e saj ulërinte furtuna dhe gunëzat, këta zogj të mjerë të liqenit të Prespës, dukej sikur kishin dalë të prisnin mikun e tyre më të ri. Tufat e gunëzave krakavitnin e prireshin diku pas maleve shkëmbore. 
Në të përpjetën e Selasforit papritur karrocieri tërhoqi frerët dhe u thirri kuajve të qëndronin. Para tyre ishte një rresht i gjatë me talike e araba. Një koshadhe turke po kontrollonte udhëtarët dhe teshat e tyre. Xhandarët turq venin e vinin sa andej-këtej, dukeshin me inat, të mërzitur, gojëprishur dhe bërtitnin. Dera e llandonit u hap. Një bashçaush kërkoi dokumentet. Davidi, pa i ngritur sytë, i zgjati të huajit ç'kërkonte. Ky e mori në duar, futi hundët në letër, siç duket do të ishte dritëshkurtër (cepat e mustaqeve të tij ciknin letrën dhe fërfërinin mërzitshëm në të), dhe papritur ngriti kokën, çapëloi sytë e u tërhoq dy çape prapa. Iku më tej dhe, duke treguar me dorë nga llandoni, nisi të fliste me të vetët. 
Davidi e kuptoi fijen e padukshme midis atyre që e kishin dëbuar dhe atyre që e prisnin. Bashçaushi e urdhëroi Davidin të zbriste nga llandoni. Ai doli përjashta dhe vuri duart kryq mbi kraharor. Penelin e kishte gjithnjë në xhepin e vogël të xhaketës, bashkë me degëzën e borzilokut që lëshonte aromë. 
Ndërkaq nisi të vështronte poshtë, atje tek shtrihej qyteti i Selasforit, ku dukeshin shumë gërmadha e shenja të tjera zjarresh. Më lart ngrihej i ashpër dhe krenar Shkëmbi i Madh i Selasforit. 
Bashçaushi, pa asnjë shkak, e mbajti Davidin mbërthyer atje gjer natën vonë. Ai shtihej si i shkujdesur, vërente majën e malit Ivan, ngrinte kryet nga qielli dhe nëpër gjiret e reve të zeza, herë pas here shihte yjet që xixëllonin ftohtë larg, shumë larg. Dikur e lejuan të nisej. Pas e ndoqën ca fjalë turqisht, gjaur, pis arnaut, domus. 
Kur u ngjitën në majën e Bigllës, shiu pushoi dhe retë nisën të përhapeshin. Këtej vinte erë dëllinjë dhe shavar. Ngriti kryet nga qielli; prapë dukej i trazuar e me pak re. Ai përqëndroi vështrimin më mirë. Ishin dhe s'ishin re. Këtej një qiell krejt ndryshe, sikur merrte pasqyrimet e liqenit. Ato re i ngjanin si ca pezaule peshkatarësh të Prespës, që ishin ndehur lart në qiell për t'u terur dhe që, kur i kishin ngritur, kishin marrë me vete edhe rërë nga bregu. Tashti hëna trazonte me rreze kokrrizat e argjendta të rërës.
Llandoni mbërriti në një fshat të Prespës aty në të aguar. Ishte një fshat i varfër, me shtëpi të ulëta, ndërtuar me mure të thata. Një varg fshatarësh me një xhandar në krye po shkonin në punë angari nga maja e Bigllës. Brenda në fshat ndiheshin blegërimat e deleve. Dëgjohej qartë llokoçitja e disa lopatave që rëmonin poshtë në ujërat e liqenit. Peshkatarët dukeshin vetëm si silueta nëpër ca sandalle të vogla tek hidhnin rrjetat. 
Pastaj filloi një kor i tërë... Gratë po tundnin bulmetin në meti. Në çdo oborr e në çdo shtëpi plot zhurma të tilla. Në krye të një shkalle të gurtë, Davidi dalloi qartë një femër me meti në duar. Nga lëvizjet e befta e të zhdërvjellëta të saj, e kuptoi që ishte një vajzë e re. Ajo kishte një trup të derdhur e lëvizje të hijshme. Ktheu kryet dhe vështroi nga Davidi. Hapi sytë fort kur dalloi një njeri të huaj e, me një lëvizje të papritur, ngriti dorën dhe e mbështeti në një direk. Davidit i mbeti në mendje drita e syve të saj të mëdhenj. Ndërkaq, dikush e thirri vajzën që brenda shtëpisë: 
- Oni!
                                                          *** 
Më në fund mbërriti në Maligrad, në atë ishull të vogël, krejt shkëmbor, nja dyqind e ca çape larg nga bregu. Ishulli dukej si një samar mushke mbi Prespë. Në njëfarë vendi ishte zgërbonja e një kumbulle të egër që e kishte çarë rrufeja. Anembanë ujë, pëllumba të egër, lakuriqë nate, kërmij dhe gjarpërinj që vareshin nëpër honet e spilesë, shkitnin nga hyrja, vërviteshin në liqen e përsëri ktheheshin. 
Me ta përballuar; asketi Lithan u përkul duke rrahur me duar gjunjët e vet. Kur Davidi e pyeti përse asketonte këtu, ai hungëroi si qen e iku thellë zgavrave, duke kafshuar gishtat edhe mollëzat e duarve. 
"Në mos është fare i çmendur, me siguri që një dërrasë të krisur e ka". 
Davidi kontrolloi shpellën e nëndheshme. Poshtë e lart kishte ca guna të vjetra, copra litarësh kërpi, disa kazma e pastaj njëfarë shtrati prej druri, që e kishin ngritur për të. Ai ndjeu përbrenda një hon dhe psherëtiu. 
Ky ishte shpërblimi për punën e tij! Të shijonte bukën e thatë nëpër hajatet e kishave, nëpër zgavrat e asketëve, të thithte ditë e natë erën e tharme të temjanit dhe të qirinjve të djegur, të kishte të bënte me hierarkë xhahilë, të rronte si asket në këtë guvë të Maligradit, në mes të gjarpërinjve, nëpër klithmat e bufeve, nën përpëlitjet e lakuriqëve të natës dhe t'ia dërrmonin shpirtin vetmia e mendimet. Pa një shok pranë, pa një mik, pa një libër, me një të çmendur te koka. 
Në ditën e parë të punës ishte mot i mirë. Nja katër orë ndenji duke punuar e meremetuar mbi afreskat e ca piktorëve të shekullit të katërmbëdhjetë. Ishte një punë që nuk e kënaqte por ai ndiente ngushëllim, sepse kishte mundur të merrte me vete edhe disa copa dërrasa rrobulli për punët e veta. 
Në një çast gati iu zu fryma dhe doli përjashta. Në malet shkëmborë mbi Zaroshkë zverdhonin korijet me lajthia. Atij i qante zemra për atë natyrë të artë. Piktori ishte piktor dhe atje në Maligrad askush s'mund ta kuptonte atë brengën e tmerrshme. Ishte mëkat, krim, ishte më shumë se vrasje që piktori të merrej me natyrën, me njerëzit, me jetën. Por, edhe sikur të pikturonte diçka që i pëlqente, kush do t'ia shihte? Ku do ta mbante këtu? Kujt mund t'ia besonte? 
Hodhi sytë pas. Kishte edhe nja dy orë ditë. Nga malet po vareshin poshtë kopetë e deleve. Vështroi në breg edhe u vrenjt. Nja dhjetë xhandarë turq me ca kapele të rënda kapur nën mjekër, kishin ndezur zjarr e po piqnin mbi prush peshq të gjallë që sapo i nxirrnin nga pezauli. 
Mendoi se atë pamje dhe ata njerëz kishte për t'i parë çdo ditë. 
Pastaj mori një copë letër dhe i shkroi Kolin Stringarit për të gjitha, një për një, për asketin Lithan, për kumbullën e goditur nga rrufeja, për pëllumbat e egër dhe për gjarpërinjtë e shumtë. 
Po binte mbrëmja dhe që nga shkrepat e malit nga ana e veriperëndimit po zbritnin një tufë grash, vajza e nuse të reja, me linja të bardha në kokë dhe me bulira në krah. E gjithë ajo trevë ishte krejt e thatë dhe banorët mbushnin ujë vetëm në liqen. 
Nuset dhe vajzat zhurmuan dhe u lanë në breg me duar e këmbë e fytyrë, pastaj dikush nga ato tregoi me dorë nga Maligradi, në bregun ku rrinte Davidi. Ai e kuptoi që ato flitnin për të. Pastaj ato mbushën bulirat, i hodhën supeve dhe bënë përpjetë. Te një vend përsëri qëndruan dhe përsëri shihnin nga Maligradi, pastaj morën shpatin përpjetë dhe u zhdukën. Davidi hyri në spile dhe ndezi zjarr. Lithani i tha: 
- Peshkopi më urdhëroi të mos ndez... 
- Do ndezim dy zjarr, edhe tri po të më duhen. 
Lithani u kënaq dhe fytyra e tij e zverdhur qeshi nën ato leshra të gjata që i mbulonin krejt pamjen. 
Dhe u bë zakon. Përditë, kur vajzat e nuset zbritnin në liqen, ai ulej buzë ishullit, dhe vërente se si ato qeshnin, nganjëherë edhe këndonin, mbushnin ujë e bënin përpjetë.
Një ditë, ndërsa gjithë gratë kishin ikur, nga ana e jugut, duke zgjedhur rrugën nëpër shkëmbinj, zbriti një vajzë. Ajo qëndroi ballë për ballë tij, drejt më këmbë. Dy bulirat i lëshoi përtokë, hoqi nga koka linjën e bardhë dhe e tundi në erë... 
Davidi ishte gati të betohej se ajo ishte vajza me emrin Oni, ajo që kishte parë në fshat, që ditën e parë të ardhjes së tij. 
Edhe Davidi ngriti dorën dhe e përshëndeti. Por vajza u përkul, mbushi dorën me ujë dhe bëri ta hidhte drejt tij. Davidi vështroi anembanë. Asketi nuk dukej gjëkund. Shtrëngoi njëherë fort nofullat dhe ia bëri asaj me shenjë. 
- Ti je ajo vajza që tundje në mëti?! 
Vajza pohoi me kokë. Ai atëherë u çua në majë të gishtave dhe me pëllëmbët rreth gojës i thirri: 
- Emrin, si e ke emrin? 
Zëri nuk i ngjau si i tij. Siç duket, vajza nuk dëgjoi, se nuk i ktheu përgjigje aty për aty. Bregu ishte larg e valët zhurmonin. 
Pas pak edhe vajza vuri duart rreth gojës dhe u çua edhe ajo në majë të gishtave dhe thirri: 
- Oni më quajnë...! 
Më në fund po njihte një njeri. U gëlltit i mallëngjyer dhe i shkuan lot. Ishte larg dhe fytyrën nuk ia dallonte dot mirë. 
Fryu era e mbrëmjes dhe u rritën valët. Kreshtat e tyre u shkumbëzuan. Dielli u prir, lëshoi pasqyrimet e veta dhe vala ia kaloi valës, kreshta kreshtës, shkuma shkumës, dhe gjer te këmbët e tij erdhi një valzë kaltëroshe plot ylbere e pasqyrëza... Dhe piktori pa atje fytyrën e saj të gjallë! 
- Oni, Oni më quajnë. 
Befas iu ngjall një dëshirë e marrë. Donte ta takonte atë, si të vetmin njeri të gjallë që iu afrua, t'i fliste diçka, t'i tregonte brengën e tij, t'i thoshte se edhe ai kishte një vashëz të mirë si ajo, se edhe ajo vashëza endëse kishte një emër të bukur... Por vajza e përshëndeti edhe një herë, mbushi bulirat me ujë dhe u nis pas shtegut me shkëmbinj. 
Edhe dita që pasoi i ngjau së parës. Në mbrëmje Oni doli përsëri në breg. Por këtë herë ajo u përkul mbi liqen aq shumë, sa gërsheti i vetëm i ra nën ujë. Atje ajo lëshoi dy ftonj të verdhë. 
"Ah, të kisha mundësinë ta hidhja në dërrasë borige këtë vegim të jetës." 
Valët u nanurisën e u lëkundën, i rrëmbyen të dy ftonjtë dhe po i sillnin këtej. Davidi nuk dinte ç'të bënte. Hoqi xhaketën, flaku tej kundrat dhe çorapet, flakëriu kapelen dhe u zhyt në ujë. Kur notoi një copë herë, në kreshtën e një valëze i kapi të dy ftonjtë. Ai vuri re se ata ishin në një degë të vetme. Dhe me atë degë në dorë deshi të notonte edhe më tej, të dilte në breg, tek ajo, por nga bregu i tij po hungronte asketi, ndërsa matanë xhandarët e turkut e përgjonin. Zemërvrarë, i ngriti lart të dy ftonjtë ia bëri asaj me dorë e u kthye mbrapa. 
Vetëm tashti e ndjeu se uji kishte qenë shumë i ftohtë. I shkuan të ngjethura gjer në fund të këmbëve dhe nisi të fërkonte krahët e shpatullat me mëngët e gunës së dhirtë. Pastaj u vesh dhe hodhi një sy nga buza e liqenit. Mbi valëzat e tij pa ca boca, bredhi që nanuriseshin. E nguli vështrimin mbi ato dhe përfytyrimi i tij iku larg...
"Sa kohë që është pranverë, bocat e bredhit janë të njoma e të freskëta atje në majë të drurit. Fryn flladi, i përkëdhel e ato lëshojnë fije të holla rrëshire. Por, duke u lëkundur përmbi majat e pyjeve, bocat kur e kur lektisen me njëra-tjetrën, afrohen, sikur pëshpërijnë... Por koha kalon. Vjeshta vjen bocat rrëzohen. Njëra këputet e rrokulliset në një përrua, tjetra ikën në fund të një lëndine. Ndahen. Dhe ndarja është e keqe. Pastaj nis e fryn era. Dhe era kalon edhe nëpër trup të tyre, përkëdhel dhëmbëzat e thata e ato fishkëllejnë lehtë e ngadalë. Lëshojnë ca tinguj që ngjajnë si jehona të largëta kujtimesh.
                                                               ***
Kur u kthye përsëri atje në guvë, e ndjeu veten tamam skllav. Lëshoi kryet mbi pëllëmbë dhe e kuptoi se do ta përfshinte dëshpërimi e lodhja. U mbush me frymë dhe, kur nisi ta zbrazte kraharorin, psherëtima iu kthye në një rënkim. Iu kujtua ai gurgdhëndësi kosovar, që i kishte thënë: "Ne jemi nga ai gur që thyen çekanin". 
Hyri thellë në spile duke pasur një bosh të madh në zemër. Po jetonte si qen, në atë vend të shkretë, pinte ujë liqeni që mbante një erë të rëndë rrogozi të kalbur". Voskopoja është larg, atje janë miqtë e shokët e mi, atje është Ana... Ç'po bën ajo? Por unë nuk do t'u përkulem as Emanuelëve e as Banë Licave, rrugën e nisur do ta çoj gjer në fund, gjer ku të dalë. 
Zuri të vërtitej nëpër guvë gjithë inat e maraz, pastaj qëndroi te blloku shkëmbor nga ana e perëndimit. Masivi ishte i zi, plot me rripa e gunga. Davidi vuri llërën mbi shkëmb dhe e mbështeti ballin në të. 
Liqeni rënkonte. Davidi dëgjoi që nga gryka e Ivanit po frynte stuhia. Ajo sa vinte afrohej. 
Atë natë ishte shumë ftohtë. Ai nuk ndihej mirë. U mbështoll fort me gunat e dhirta. Gjumi ekapi menjëherë... 
Në ëndërr iu bë sikur shkoi sërish në Voskopojë. Ja, qyteti i madh ku kreu mësimet. Oborri i madh, muret e avllitë, shatërvanët, pyjet me pisha dhe kullat e larta të dritave. Ai ngriti kryet të shihte tabelën e madhe të Akademisë dhe... u shtang. Atje ishte një tabelë tjetër, shkruar ndryshe, me shkronja krejt të kuqe dhe mbi çdo shkronjë nga një pelikan dhe mbi çdo pelikan qe ulur një më i vogël me ato puplat bardhërozë. 
"Pa dale... këta janë shpeshët e Prespës!" 
Në tabelën e madhe shkruhej: "Akademia e Arteve të Bukura David Selenicasi", Voskopojë, Arbëri. Davidit i erdhi si turp dhe mbuloi sytë me duar. Pastaj vështroi anembanë e, kur ngriti kryet, pas tij po i buzëqeshte një vajzë bardhoshe, mollëzat e faqeve të së cilës kishin marrë ngjyrën e puplave të pelikanëve të vegjël. Dhe mbante dy vedra në duar... Davidi sikur kërceu përpjetë... 
- Oj, dale, vajzë, kush je ti? 
- Jam Oni, mjeshtër, a nuk më njeh?! Unë që të hodha ftonjtë e verdhë te liqeni i kaltër i Prespës! 
- Aaa!... ti je, Oni? E ku shkon kështu? 
- Vij të mësoj artet e bukura, mjeshtër David! 
- Po përse qan, Oni?! 
- Jo, nuk qaj, mjeshtër, lotët i kam nga gëzimi. 
- Ashtu?! Mirë... po këto vedra? Përsëri nuk keni ujë dhe vini e merrni nga Voskopoja? 
- Jo, mjeshtri ynë David, tashti marrim nga ai shatërvani shkëmbor i Zaroshkës. 
- E këto që ke në duar?... 
- A nuk i njeh? Këto nuk janë vedra. Janë zgjoje bletësh, mjeshtri David. 
Piktori ndiente një si tingull të mallëngjyer në zërin e Onit. një tingull si të njomë, si të lëngët, sikur kishte marrë diçka nga valët e liqenit të Prespës. 
Fryu një fllad e solli një pështjellim ngjyrash ashtu si e donte vetë Davidi. Dhe në atë vërshim të flladit anembanë u derdhën petale bajamesh; petalet ranë edhe përmbi qerpikët e gjatë të Onit, por ajo nuk i rrëzonte me dorë. Ajo përpëliste qerpikët dhe, në vend që t'i binin petalet, i shtoheshin lotët... 
- ... dale, po ti pse qan, Oni? 
- Nuk qaj, veç kam droje se mos nuk më roitin bletët... 
- Ato roitin në pranverë, Oni. 
- Pranvera erdhi, David, pa shih anembanë, gjithë këto petale... 
- Po këto janë lule bajamesh, Oni, çelin në prag të pranverës, se bajamja gënjehet lehtë, Oni... 
- E atëherë? 
- Edhe pak, Oni, sa të lulëzojnë qershitë... Por që nga vedrat e Onit zukatën bletët dhe kopshti me bajame u mbush me zëra të bukur. Ishte një melodi e ëmbël, që vinte fshehurazi. 
Kur u përmend, kokën e ndjeu shumë të rëndë. Mbi krye i rrinte asketi. Davidit iu bë se ishte ende në ëndërr... Lithani ia kishte marrë kokën në prehrin që mbante erë temjan, dhe flokët e tij i vareshin gjer në ballë. Lithani me të dy duart hante bukë si i babëzitur, ndërsa shihte piktorin me frikë... 
- Ç'ke kështu? - e pyeti Davidi. Koka i ziente dhe balli i digjte fort. 
- Ti ke shumë ethe, flitje përçart dhe qeshje si budalla... Erdhën prifti i fshatit dhe psallti dy herë radhazi. 
- Dy herë!... E përse? 
- Sollën pesë bukë thekre... e tregoi njërën që hante. 
- Po ne kemi bukë. 
- Sollën... pastaj për herë të dytë sollën edhe një poç me uthull e një vandak me driza për zjarr. Të shkundën për supesh, të kënduan edhe aleluia, po ti nuk zgjoheshe. Na... ha bukë, kemi edhe cironka të kripura... 
Davidi ndjeu se asketi i kishte vënë mbi ballë një leckë me uthull. Trupin e kishte të lodhur dhe zemra i rrihte fort. Gojën e kishte të hidhur farmak, i pihej ujë, kurse për bukë as i shkonte ndër mend. Jashtë binte shi me rrëshekë. Ndiheshin gjer brenda piklat e mëdha që përplaseshin mbi liqen. Duke mos gjetur kohë të fliste, sepse bukën e hante nxituar e me shije, asketi përsëri i foli: 
- Me varkë erdhi edhe një tjetër... 
- Kush ishte ai? 
- Një udhëtar, shkonte për në Manastir. Më tha se, kur të kthehet, kërkon përgjigje... 
- E çfarë solli ai?
Asketi hungëroi e vështroi anembanë. Kapi diçka në errësirën e spilesë dhe ia zgjati Davidit. 
- Na... solli një kartë dhe një bisk... 
Piktori kërceu përpjetë, rrëmbeu letrën dhe e lexoi. I shkruante Kolin Stringari. Ai e përpiu letrën me një sy. 
Kolini, midis të tjerash, i shkruante se po i dërgonte një bisk mani që ta mbillte në vend të kumbullës së çarë nga rrufeja e të tjera e të tjera... 
Piktori brofi më këmbë dhe, duke e kapur me inat leckën me uthull që kishte në ballë, e përplasi pas shkëmbit. Pastaj futi kokën në mes të dy duarve dhe,d uke shtrënguar ballin, shtrëngoi edhe dhëmbët dhe përplasi këmbët pas shtrojes së gurtë të spilesë. Nuk dinte ç'të bënte e nga t'ia mbante. Rrëmbeu biskun e manit e një copë kazmë dhe u vërsul përjashta. 
- Ku shkon kështu? - i foli Lithani. - Po bëhet kataklizmoja përjashta. 
Jashtë shiu binte me stomna dhe nisën të dëgjoheshin bubullima. 
- Po lere manin në këtë batërdi, - tha sërish asketi. 
- Në stuhi mbillet më mirë, - tha dhe u zhduk nëpër natë. 
Ai nisi të qëllonte tokën e gurtë me majën e kazmës e, megjithëse shiu binte i dednur, kërcenin xixa kur hekuri hahej me gurët. Vazhdoi kështu për një kohë e as e kishte mendjen fare se u lag e u qull i tëri. Kur ende s'i kishte mbuluar rrënjët e biskut me dhe, veshi i kapi ca thirrje të largëta. Përgjoi. Vetëtimat nisën të grisnin qiellin me gërsheta zjarri dhe ai mundi të dallonte qartë, thellë nga ana e lindjes, njëfarë nuance që lëkundej nëpër dallgë e ishte në rrezik të mbytej. Pastaj, kur shkrepi përsëri, ai dalloi qartë se si njerëzit në mauna nxitonin, kërruseshin, ngriheshin, diçka drejtonin e diçka zvarritnin dhe lopatat herë rrihnin ujin e herë erën. Një zë burri, i plotë dhe i fuqishëm jepte urdhra: 
- Majtas, djathtas! Rëndoni këtej, rëndoni andej! 
Dhe përsëri e përsëri nëpër gërshetat e vetëtimave Davidi vështronte se si një grusht njerëzish luftonin me valët për jetë a për vdekje. 
Më në fund mauna u afrua dhe Davidi dalloi dhjetë burra që zbritën prej saj. U doli përpara. 
- Ejani në guvë, vëllezër, kam zjarr! 
I udhëhoqi brenda. 
- Çudi, në gjithë këtë batërdi nuk ju dëgjova të thërritnit për ndihmë. Ju desh u mbytët! 
Kapedani nënqeshi. 
- E kush të jep ndihmë në mes të tallazeve! Kur të përfshin rreziku, dili zot vetes, përndryshe e ke davanë të humbur. Po ti çfarë bën këtu? 
- Jam zograf. 
- Dhe zografis kishën? 
- Më mirë duhet thënë: shkruaj jetën time. Kapedani vështroi anembanë nëpër guvë dhe sytë i qëndruan në qoshja e Lithanit. 
- Po atje kush është shtrirë? 
- Është një fatkeq, njëfarë asketi... 
- Foli të ngrihet edhe ai. 
- Lëre, kapedan, nga të zezat e jetës nuk është në rregull nga, mendtë... lere! 
Ndërsa burrat e maunës po ngroheshin rreth zjarrit, atij iu duk se Lithani nuk ishte mbuluar si duhej me gunë dhe iu afrua të kujdesej. Por... sa iu avit, shtangu. Trupi iu ngjeth, nuk donte t'u besonte syve... 
Asketi fatzi, që sapo kishte ngrënë pa të keq bukën e thekrit, kishte vdekur me atë çapë krodhe në duar. Nëpërmjet dhëmbëve të shtrënguar fort, nga cepi i buzës i varej një lëng i gjelbër. 
"Qenka helmuar me bukën që kishin nisur për mua. Këto janë punë të Emanuelit. Dërgoi helm në Voskopojë, na dhe tani në Maligrad. Mirë e tha Kolini: "E ka helmin në bisht"...
Fare papritur diçka i lëvriu në tru: 
"Do iki me këtë maunë! E përse të qëndroj këtu? Të pres ndonjë thikë pas helmit që më dërguan? Nisem me këtë maunë dhe ku të dalë... Pas ca ditësh mal më mal dhe dal në Voskopojë..." 
Atij iu kujtua bujku nga Gjonomadhi që i kishte pozuar për "Farëmbjellësin". Ai burrë vigan e shalëgjatë, me atë shtatin e hedhur, me atë zemrën e madhe, kishte fjetur afër tij në hajatin e bazilikës kaq net me radhë. Dhe i kishte treguar gjithë ato ngjarje luftërash e përpjekjesh. Dhe, kur kishte ardhur fjala për të treguar se si e pati mbytur ujkun, ai i kishte rënë shkurt: ia shkula nga thonjtë dashin që më rrëmbeu dhe... dy duar për një kokë... tek të më çapëlonte, iu vërsula dhe e mbyta. 
Dhe, kur Davidi mbaroi "Farëmbjellësin", bujku nga Gjonomadhi nuk dinte ç't'i thoshte. Nxori nga brezi një masat e një gur stralli e ia dhuroi. Piktori u habit e i tha: 
- Po pse ma jep, ty të duhet, kurse mua... 
- Jo, jo. Merre. Ku i dihet jetës. Mbaje ta kesh kujtim nga unë. Dhe ta dish, gjithnjë shtëpia ime është jotja, se shumë më nderove, mjeshtër David! 
"Dhe vërtet, nuk iu ditka jetës... Dashur padashur jam për të bërë jetë kaçaku dhe ndonjë natë edhe në Gjonomadh mund të kaloj..." U foli miqve: 
- Nga vozitni ju? 
- Nëpër brigjet e Prespës sonë. Mbartim rrush e mollë. 
- A të vij edhe unë me ju? 
- Ne shokë duam! 
- Dhe trima i duam, - u hodh e tha kapedani. 
Ky hapi krahun e tij të gjatë dhe i rrahu supin Davidit. 
Mauna e stisur me trungje lisi çau përsëri nëpër ujërat e liqenit... 
Ishte tetor i vitit 1726.

Vëllimi "Tregima nga Voskopoja" Tiranë 1980