F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Bilall Maliqi

Bilall Maliqi

Bilall Maliqi, shkrimtar, poet e publicist, u lind më 08.04.1969 në fshatin ElezBali, komuna e Preshevës. Shkollën filloredhe të mesmen Grafike në Preshevë. Ka ndjekur kursin e gazetarisë dhe të fushës së trajnimeve gazetareske. Shkruan poezi dhe prozë për fëmijë e të rritur, merret edhe me kritikë letrare. Është themelues dhe kryeredaktor i revistës letrare "Qëndresa" që del në Luginë të Preshevës. Është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve "Feniks" në Preshevë; Është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; Anëtar i Ars Club "Beqir Musliu" Gjilan; Anëtar i bordit drejtues "Atunis”  Kryetar i “Atunis Lugina” me seli në Preshevë. Jeton dhe vepron në Preshevë.

Veprat letrare:

  1. Rrugëtimi- poezi për të rritur;
  2. Rrugëtim përjetësie-poezi për të rritur;
  3. Gëzim dhe drojë- tregime;
  4. I lutemi Zotit- poezi fetare;
  5. Perëndim i varur- poezi për të rritur;
  6. Kodra e luleve-poezi për fëmijë;
  7. Vula e kohëzezës- poezi për të rritur;
  8. Shtëpia afër pyllit-tregime për fëmijë;
  9. Gërfyejt e shpresës-poezi për të rritur;
  10. Ide të trazuara-intervista me shkrimtarë;
  11. Lutje të lagura –poezi për të rritur;
  12. Mbresa vrojtuese- vështrime letrare;
  13. Hëna flet me lule –poezi për fëmijë;
  14. Hullive artistike-vështrime kritike;
  15. Nën strehën e kujtimeve (Sotto la gronda dei ricordi) - poezi për të rritur (shqip –italisht). 
  16. Në thellësi të ëndrrës poezi për të rritur;
  17. Aforizma;
  18. Semantika e shtrirjes krijuese (Vështrime kritike );
  19. I kthehem ëndrrës (poemë);
  20. Sheshi i fjalëve (poema);
  21. Rrugët e shikimit (Paths of vision), poezi shqip-anglisht;
  22. Drithërimë (Tremuratura). poemë shqip- rumanisht;
  23. Këngë zogu, (poezi për fëmijë);
  24. Vlerësime (vështrime letrare);
  25. Pikojnë fjalët (aforizma);
  26. Shtigjeve të shpresës (poezi për të rritur);
  27. Vetmi e mërdhirë  (proza poetike);
  28. Rrëmbimi Euridikës (poezi për të rritur);
  29. Ëndrra që më dha gëzim (poezi për fëmijë)
  30. Në prehrin e ëndrrës (poezi për të rritur)


Antologjitë ku është prezantuar:
Panoramën e krijuesve të Kosovës Juglindore "Psherëtimë për tokën" të shkrimtarit Hysen Këqiku (2004); 
Në leksikonin "Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj 1886-2009” të prof. as. dr. Astrit Bishqemit;
Në Antologjinë poetike shqip-suedisht "Baladë e përflakur" (Fllammande ballad) të Sokol Demakut, (2009);
Në Antologjinë poetike "Jehona e shekujve" të Sokol Demakut, (2010);
Në Antologjinë poetike Ndërkombëtare “Korsi e hapur” (Open lane) e Kristaq Shabanit, (2012);
Në Antologjinë poetike të Dr. Fatmir Terziut “Lotët e virgjër” (Virgin Tears), (2012);
Në Antologjinë poetike belge frëngisht-shqip “Anthologie de poètes albanophones”, (2012).



Poezi nga Bilall Maliqi


FIKSOJ HIJEN TËNDE

Saherë që kthej kokën prapa
Fiksoj hijen tënde

Është hije kujtimi
Që përthekon timen kujtesë

Me gishtin tregues
Preki pikën ku (s’)lë gjurmë

Sa për të të gjetur
Në kthimin tim të ëndërruar...


ËNDËRR E (PA)PRITUR

Vdekja (po) e gëlltitë natën
Si në përrallën e përgjakur
Ëndrrën e bartin në supe
Engjëjt e natës së premte
Për ta shpier drejt parajsës së nëntë
Muzat ngelën t'i shkruajnë vetmisë
faqeve të hapura
Si një testament i kohës së re...


KALAJA E PRESHEVËS

Ç'vjetërsi ruan në gji
(Kjo) ngrehinë atje në tumë
E ngelur (është) në vetmi
Shënjuar me të moçmet gjurmë
Brenda saj ishte fisi e plisi
Porsi n'istikam trimërie
Nga lart u mbrojt etnia
Si nëpër logje burrërie...


TË NDJEJË

Të ndjejë afër
T’i dëgjoj dihatjet
Ofshamat e avullta
Psherëtimat 
E shndërruara në gjëma

Me sytë e mi të lagur
Ta shoh hijen tënde
Tek lëvizë e nuk zë vend
Si një kërkimtare e lumturisë

Unë vetmitar i thinjur
Ti vetmitare e përlotur
Si ti bëjmë një shikimet
Në pikën zero të takimit

Durimi erdhi në cak të trazimit
E s’ka kush t’ia ndalë hovin
Veç thirrja (jote) 
Matanë murit të copëtimit
Ulë britmat e harlisura

Prita e prita
Siç presin sytë e mi 
Të zgjerohen fytyrës tënde
Copat e shikimit të mblidhen
E të mbyten n’pellgun e lotëve

Afër të ndjejë
Tek damari lidhës i zemrës
Që pulson sall për Ty
Në çdo çast
Udhës së pambarimtë të dashurisë


SHTRIVA DORËN...

Andej e shtriva dorën 
Me gishtin tregues shënjova atë pikë

Imagjinoja trupin tënd vertikal
Tek qëndron si një pemë e luluar
Me bardhësi pranvere

Ishe ti apo më tradhtoi kujtesa
Që ngulmon në kokën time të lodhur

Ktheva kokën djathtas-majtas
Për të veneruar hapësirën e gjerë
Prapë sytë i ngulita tek pika e orientit tim

Ti humbe si t’mos kishe qenë fare
Për t’mu dëftuar në aktin e ëndrrës së parë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen