F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Sokrat Habilaj

Sokrat Habilaj, lindur ne Vlorë dhe banues ne Tiranë. Ka botuar poezi dhe prozë dhe publicistikë, mes të cilëve vëllimin poetik, të kisha thënë për lotin”, romanin, “Shpirti trazuar gruaje”, etj.
Është aktiv në shtypin e përditshëm. 



1-TRILL' I SYVE
 
Me ty jam lidhur me fije, si zinxhirë,
Dhe nuk di në do ta braktis këtë burgim.
E ngre dorën shpesh, të të them lamtumirë,
Por krahu merë formën për përqafim.
 
Kur dua nga inati të shfaqem nevrik,
A kur nga malli për ty, më qesh zemra,
Sytë e mi, vesuar mbi qerpikë,
Dikush u jep tjetër komandë nga brenda.
 
Ky trill sysh më ndjek mua përherë, nga pas,
Edhe kur nga urrejtja dhimbjen se mbaj dot,
Edhe kur nga lumturia mbytem në gaz,
Të vetmen gjë që bëj, është të derdh lot.
 
Nuk e di, a të urrej deri në dhimbje,
Nuk e di, a ndjej mall deri në marrëzi.
Por vetëm një gjë unë e them me bindje,
Kur të kujtoj, më mund trill' i syve të mi.
 
 
2-ZHGËNJIM
 
I lodhur eci, si kjo hënë e vjetër,
Shpirt ngrënë si ajo, flas nëpër shtigje:
“Atdheu është Atdhe, e asgjë tjetër”,
Të tjerët thonë: “Jo, është ofiq e karrige”.
 
Prapë them: “Atdheu është vetëm Atdhe,
Që s’mund të futet në asnjë xhep, a sirtar”.
Ju qeshni, duke rrëmbyer gjithçka atje,
Qeshni me mallin tim si puthje e tharë.
 
Por s'dua, askush të më kërkojë ndjesë!
Se vet, s'u afrova në tregun me shamatë,
Kur ju e ndanit Atdheun pjesë-pjesë,
Unë kafshoja buzën, si hëna e ngratë.
 
3-NËSE TË MËRZITA
 
Të mërzita? Ik nga unë për pak kohë.
Mbase diku tjetër do të gjesh qetësi.
Po unë, s'mund të isha ndryshe, apo jo,
Në këtë botë të mbushur gjithë mërzi.
 
Megjithatë, ik, madje më merr inat.
Dhe në ndjehesh mirë, këtu më mos  u kthe.
Harromë fytyrën si një degë të thatë,
Në pllajën e vetmisë të mbështjell me re.
 
Larg meje, ti kryeneçe le të më rrish,
pa më shtrirë dorën nëse gjendesh ngushtë.
Po unë, që vij nga bota e mërzisë,
Do ta kuptoj në çast kur ke rënë në kurth.
 
Dhe do të vij pranë, me pamje krejt ndryshe,
Të mos më njohësh që jam ai i pari.
E dashur, kjo botë, është e mërzitshme,
Nëse të thash ik, s’ta prisha thjesht nga malli.
 
Kur të ndjesh të  ftohtë, të dridhesh në acar,
Do të vij ngrohtësi në vatër të të ndez.
Dhe ti, duke afruar duart në zjarr,
Do të shohësh pranë teje një eskimez.
 
Kur nga  zhegu, të përvëlohet kurmi yt,
Një grusht uji burimi, do të sjell s'largu.
E ti do të qeshësh, duke larë sytë,
Se do të shfaqet një fytyrë zezaku.
 
Unë nuk e di, kur të më shohësh ndryshe,
Nëse do ta  shtysh tutje, ujin a zjarrin.
Kjo botë që gjithçka bëri të mërzitshme,
Nuk di a mundi ta mërzis edhe mallin?
 
...Po kur buzët të të tundohen për  puthje,
Kë do të kërkosh ti në dallgë dashurish?
Buzët e mia, do t’i gjakos me ndukje,
Veç me fytyrë tjetër, s'të shfaqem ta dish!
 
 
4-MALLI I ASAJ QË IKU
 
Nuk di si ndihesh pranë syve të tjerë,
Unë kam mall e inat, lodhur nga pritja.
Do të doja të shihja vetëm njëherë,
Thjesht të puthja, a të shaja e të ikja
 
Ke rënë pre e të mirës, a të keqes!?
Por  ty as të puth dot, e jo më të të shaj.
Se ty, të kam përtej syve, brenda vetes.
Si mund të të shoh atje, e të flas pastaj...!?
 
 
5-HAKMARRJE TË BUKURA
 
Nuk mendoja se do gjendesha ngushtë,
Kur ti s'kishe trokitur tek unë.
Thosha se do të pushtoja pa luftë,
Dhe kaq. Më prisnin të tjera punë.
 
Do të mbaja brenda, mos ikje më,
(Si të tjerët kam në shpirt një qeli).
Thash, më mirë, ki sundues dikë,
Është më keq kur s’të përfill njeri.
 
Ti sa u shfaqe, luajte si djall,
Me burgun që ngrita pak nga pak.
Dhe çuçuritë hareshëm. Më tall?!
Gurët rrokullisë. Ti po merë hak!
 
Qeshë me lot, qeshë mbi gurët hedhur,
Dhe më thua: "Këtu s'ka zot tjetër!"
Por ta dish se me ty jam i nxehur,
Dhe kur nxehem, kam inat të egër.
 
Me këtë inat do vij një mbrëmje,
Të të kap krejt papritur ty kur fle.
Të vështroj ashtu fytyrën tënde.
S'më lë inati pa ardhur atje.
 
Pak çaste do rri aty si hajdut,
(Vetëm për një njeri, i madh shtrati!)
Do të përkulem buzën të ta puth.
S'dihet ç'të bëjë tjetër... ... Nga inati...!
 
 
6-KUR TË IKËSH NGA UNË
 
Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që unë të mësohem me ikjen tënde.
A thjesht të mendoj se do kthehesh prapë,
Muzgjeve të vjeshtës si vegim hëne.
 
Ti do të ikësh, por mos ikë e gjitha,
Që unë mos ta ndjej se të kam humbur.
A thjesht të më lesh pas ikjes si grimca,
Çdo pore të lëkurës që të kam puthur.
 
Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që të besoj se pendohet dhe vdekja.
A thjesht të gjej shpesh vetëm një shkak,
Për të të thënë sa shumë të desha...!
 
 
7-TRADHTITË E MIA KANË EMRIN TËND
 
 
Të dua, më shumë se dje të dua sot,
Më shumë se sot, do të dua nesër.
Bëj të iki nga ty e nuk iki dot,
Fle me ty e zgjohem me një tjetër.
 
Betohem për ty dhe e dredh në çast,
Sepse ti në sy, shpik një tjetër grua.
Kërkoj ca yje, gjej dy sy të zjarrtë,
Që përgjërohen dhe qeshin me mua.
 
Përqafoj dikë, ti më mbyt në puthje,
Dehem me ty, e tjetër kam në mend.
Nisem të humbas, vij tek ti me ngutje,
Tradhtitë e mia kanë emrin tënd.
 
 
8-PËR ATË QË SE MERR GJUMI
 
 
Kur thash lamtumirë, se dija natyrisht,
Se unë do të rrija larg jush kaq pak.
Njeriu ka arsye, botës t’i bëjë bisht,
Por për t’u kthyer, nuk gjen asnjë shkak.
 
Nuk gënjeva kur ju fola fare hapur,
As u tremba të ndjek ata që s’kthehen më.
Ai që kthehet, është vërtet i çartur,
Kush ikën tek të shumtët, nuk bënë asgjë.
 
Si të tjerët, lash pas dashuri e lutje,
Lash lot që më përgjëroheshin, ktheu!
Po si të kthehesha, qoftë për një puthje,
Kur buzët e mia kishin grimca dheu!?
 
S’vija, as për ty që lexon këto rreshta,
Ndërsa belbëzon, shihni, erdhi për mua!
Mos m’u mërzitë se nuk të pyet vdekja,
Dhe kur i lutesh se të pretë një grua.
 
Nga kjo udhë nuk më kthente as plumbi,
Dhe asnjë dashuri, s’më tundonte në faj.
Erdha se thjesht dikë, netëve se merr gjumi,  
Pa ndjerë frymën time në flokët e saj.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen