F A Q E T

Donnerstag, 30. Mai 2013

Vasil Tabaku

Vasil TABAKU (10.9.1953). Lindi në Lushnje, në një familje me origjinë nga Gramshi. Pas disa muajsh familja e tij do të transferohet në zonën e Mallakastrës në qytetin e Ballshit, ku e kaloi fëmijërinë dhe rininë. Arsimin tetëvjeçar e kreu në Ballsh, sikurse edhe atë të mesëm në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Derivsh Hekali”.
Poeti, shkrimtari dhe publicisti Vasil Tabaku, krijimtarinë letrare–artistike e ka filluar që në bankat e shkollës tetëvjeçare, kurse botimet e para poetike i ka publikuar në vitet e shkollës së mesme, në organet e shtypit letrar të kohës.
Në vitin 1977 ka përfunduar Studimet e Larta, Fakulteti Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera, një vit më vonë ka dhënë provimet plotësuese dhe ka kryer edhe Fakultetin e Gazetarisë. Në vitin 1987 ka ndjekur për dy vjet Studimet e Larta pas Universitare në specializimin për skenarist i filmit artistik dhe ekranit televiziv, ku është diplomuar po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin 1995 ka kryer trajnim dymujor për gazetari televizive pranë TRT - Ankara, Turqi.
Edhe pse që student botoi librin e parë dhe dhjetëra cikle poetike në gazetat letrare të kohës si dhe shumë artikuj studimor dhe publicistikë, pushtetarët komunist të asaj kohe, nuk i dhanë mundësinë të punonte në ndonjë qendër të zhvilluar apo shkollë qyteti, por “e detyruan?!”në shtator të vitit 1977 të filloj punën si mësues në fshatin Ninësh të Mallakastrës gjer në qershor të vitit 1978.
Më pas Vasil Tabakun do ta gjejmë në këto detyra dhe funksione profesionale:
  • - l978 – 1986, drejtues në Pallatin e Kulturës Ballsh.
  • - 1986 – 1987, gazetar në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
  • - 1987 – 1993, skenarist i filmit artistik në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Tiranë.
  • -1992 – 1993, kryeredaktor i Revistës “Film” organ i Kinostudios dhe Film – Distribucion.
  • - 1993 – 1998, gazetar në Radio Televizionin Shtetëror (RTSH), Tiranë.
  • - 1998, hiqet nga TVSH për shkak të bindjeve të tija politike të djathta, mishëruar edhe në emisionet e tij televizive si dhe në shumë shkrime dhe analiza të botuara në shtypin e ditës si ”RD“, ”Tribuna Demokratike“, “Republika“, ”Drita“, “Albania“ etj.
  • - 1998 – 1999, gazetar në gazetën “Liria“, organ i shoqatës së ish të dënuarve politikë të Shqipërisë.
  • - 1999 - 2000, gazetar në Radio Kontakt, Tiranë.
  • - 2000 – 2001, gazetar në TV- ATN – 1, Tiranë.
  • - 2001 – 2002, kryeredaktor i gazetës „Tirana demokratike“ organ i PD Tiranë.
  • - 2002 – 2003, kryeredaktor i gazetës “Lajmëtari i Lirisë“ organ i shoqatës për integrim të ish të përndjekurve politikë.
  • - 2003 – 2004, kryeredaktor i TV – ATN - 1 dhe Reporter i Radios Ndërkombëtare „IRIB“, komentator politikë në “Radio Nacional”, bashkëpunëtor i gazetës “Bota Sot”në Zvicër etj.
  • - 2004 –2005, Vasil Tabaku mbetet i papunë.
  • - Që nga viti 2007, Vasil Tabaku punon gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH.

Vasil Tabaku, ka botuar rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime te veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare, në këto organe: “Drita”, “Zëri i Rinisë”, në revistat: “Nëntori” e “Ylli”. Pas vitit 1991 ka botuar kryesisht në: “Rilindja Demokratike (RD)”, “Tribuna Demokratike”, ”Republika”, ”55”, ”Koha Jonë”, ”Liria”, “Ballkan”, “Sot”, ”Tema”, ”Metropol”, ”Lajmëtari i Lirisë”, ”Drita”, ”Shkodra”, ”Bota Sot” në Zvicër etj. Po ashtu Vasil Tabakun e gjemë me poezi e tregime nëpër gazeta e revista si: “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Ylli”, “Nëntori” dhe më pas edhe në: “RD”, “Republika”, “Drita”, “Tema“ etj.
- Vasil Tabaku është autor i rreth dyzet e pesë dokumentarëve artistik televiziv në TVSH dhe ATN – 1. Ka realizuar me qindra emisione televizive dhe radiofonike në “TVSH”, “ATN – 1”, në “Radio Kontakt”, “Radio Nacional” dhe së fundi edhe në Radion Ndërkombëtare “IRIB”.



Veprat:


  • 1. “Hyrja e Pranverës“, poezi, 1976.

    • 2. “Në të gjitha ditët“, poezi, 1981.
    • 3. “Me këngën time dhe jetën“, poezi, 1987.
    • 4. “Ndërrimi i epokave“, studime, 1988.
    • 5. “Bota në sytë e mi”, ese, 1990.
    • 6. „Klithmë drite“, poezi, 1998.
    • 7. “Vit i mbrapsht“, ese politike, l998.
    • 8. “Zgjim i dhimbjes“, ese dhe studime social – shoqërore, 1999.
    • 9. “Vështrim i ngrirë”, poezi dhe ese, 2000.
    • 10. “Shqipëria në udhëkryq, apo politika e kryqëzuar?”, studime dhe artikuj politikë, 2001.
    • 11. “Shkolla Iraniane dhe Shqipëria”, studime dhe intervista me akademikë dhe personalitete të shquara, 2005.
    • 12. “Monumentet e munguara të Demokracisë”, libër eseistiko – publicistikë, 2006.
    • 13. ”Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007.
    • 14. “SHKOLLA IRANIANE DHE SHQIPËRIA”, është përkthyer në gjuhën persishte, Teheran, 2004.


    ËSHTË PREZANTUAR:

    15. Hasan Hasani: “LEKSIKONI I SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501 – 2001”, Prishtinë 2003.
    16. Ferdinan Laholli: “ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE – ANTHELOGIE DER MODERNEN ALBANISCHEN LYRIK”, Holzminde/Germany, 2003.



    TË  PUTH KOSOVA IME
     
    E dua Kosovën
    E dua
    dhimbjen e sajë prej guri
    E dua
    driten  prej ënderrash
    Ndërsa buron
    mbi shpresën tonë të përgjakur...
    Kosovë,
    ti dashuria dhe dhimbja ime
    praj ajri, drite dhe qiejesh,
    hedhur mbi supet e mi
    si balada zjarri .
    Kosovë
    ti dashuria
    dhimbja ime prej shiu
    dhe rrufeshë përveluese.
    Mbi malet e bardhë
    si aedë popullor.
     ku këga mbetet lart
    si një aureolë dielli
    Të puth Kosova ime
    Ti zemra ime.
    Dashuria ime.
    Dhimbja ime
    Malli im,
    Mëngjesi,
    mesdita
    dhe mbrëmja ime e fundit....
     
    Tirane   mars 2008
     

     

    Përtej vdekjes

     
    Kosova ime
    Unë pash 
    Si digjej fjala
    Zjarret të ngrinin në horizont
    Si diej  të ftohtë akulli
    Zërat e akullt ecin në rrugë
    Statujat e munguara
    midis njerëzve statuja.
    Bota
    Lexonte heshtjen
    Me zë të lart…
    Me buzëqeshjen ndër duar
    Kosova
    Me varret më të bukur se shtëpitë,
    Mermerit ngadale..
    Ju të vdekur të gjallë
    Për ku nxitoni?
    Përtej vdekjes
    Matan jetës
    Kush mund t!ju presë…?
    Nga vini ju të gjallëvdekur
    Me ecjen
     e thyer, me fjalën e vrarë
    Ju të vdekur të gjallë
    Mbështjellë me qefinin e heshtjes sonë?
     
    Prishtine  korrik, 2008
     
     
     

    Bashkëkohore

     
    Vështroj zogun
    si digjet i dehur
    në këngën e vet
    Ndër duar
    mbaj rruzujt përvëlues të lotëve…
    Kam fjetur
    në shtratin e dhimbjes
    mbi xhamat e thyer të heshtjes…
    KOSOVA për mua
    ende mbetet një fjalë e palexuar…
    Eshte ende e palexuar dhimbja fisnike
    Dhe  emrat e martireve te KOSOVËS
    Të palexuar janë
    Zërat e fëmijëve në  agun I lirisë
    Është ende i palexuar
    Zjarri i shpirtit te KOSOVËS…
       
    Janar  2009
     
     
     
     
    Baladë Kosovare
     
    Shpirti im
    n jë tufë zjarresh
    nëpër muzgun e trishtuar.
    Zog i vrarë
    regëtinë
    zemra e kafshuar…
    KOSOVË
    Kaprollja e bukur e BALLKANIT,
    për ty
    dhe tërë errësirsn tënde
    Kam në dorë
    një qiri të ndezur.
    Digjen gishtat e mi
    ndizen shpresat…
    Mbase ndrijnë ca çaste…
     
     
     
    Ajkuna vajton Omerin
       
    Shtator heshtjeje
    Kam ndalur
    Mbi bjehsket e KOSOVES …
    Mbi qerpikët  e gjatë
    Hëna
    Ka mbetur si krah pëllumbi  
    Ngatërruar nëpër degë…
     
    Poshtë degëve lëvizëse
    Bie shi…
    Me retë e zeza 
    Ka mbështjellë flokët e bukura,
    me një copë qiell
    Ajkuna  
    Fshin lotët  e derdhur për Omerin
     
    Vetëtimat
    Ka varur në qafë
    Me yjet si gurë të çmuar.
     
    Dhimbja
    Malet ka mbuluar tej e ndanë
    E sinqertë si dëbora
    E ftohtë si bryma…
       
    Gjakove , shtator 2009




    EPOSI SHQIPTAR

    Një Yllësi
    Në formim e sipër.
    Nebuloza e fjalëve
    Vërtitet midis telave te lahutës
    Në goditje madhështore
    Me emrat e Mujit e Halilit,
    Me vajin madhështor të Ajkunës
    Një qarje
    që rrëqeth planetët dhe njerëzit
    Me qumështin mitik të Zanave
    Dhe pluhurin qiellor
    Të kuajve të kreshnikëve...
    Bota
    ka shtangur
    Dëgjon këngët hyjnore
    Nga gurrat e zërave të aedëve popullor.
    Gjithçka
    është në vazhdim e sipër.
    Turravrapi i Kreshnikëve të Jutbinës
    Shkund Tokën.
    Krijimi i Botës
    nuk ka mbaruar ende,
    Ashtu dhe Eposi
    Punëtorët e këngës
    E latojnë,
    e gdhendin,
    e përsosin çdo ditë...

    Nga sqetullat e Bjeshkëve
    Si prej Brinjës së Adamit
    Dalin Kreshnikët e fundit...
    A mund të jenë të fundit?
    Trualli i Eposit
    Çdo shekull,
    lind Kreshnikët e vet.
    Një truall zjarresh
    dhe pasionesh të mëdha
    Me shpërthime ndërplanetare
    Në Yllsinë tonë
    Mbi krahët e zogjve
    Shtegtojnë drejt legjendave
    Emrat e djemve shqiptarë
    që mbajnë mbi supe
    Historinë dhe të vërtetat e mëdha...

    Tokë e Dardanisë
    Stuhitë
    të puthin fytyrën prej drite dhe bore
    Re të mëdha
    Shpalosin
    ëndrra si flamuj këngësh
    Mbi blunë drithëruese të qiellit...
    Kori i Zanave
    Pagëzon përjetësinë e djemve
    Ata
    janë bërthama e Kreshnikëve
    Agime polare të dashurive të pashpallura
    Energji kozmike
    Të ndrydhura
    Brenda hapit elegant te vajzave si trille bukurie
    Fytyrat e tyre
    Janë zemra e yjeve
    Me regëtima provokuese
    në largësi shekullore
    Vetëm në Epos,
    brenda Eposit
    Dhe njerëzit e trojeve epike të Shqipërisë
    Mund ti prekin
    Ti puthin
    Ti marrin ndër duar
    fytyrat e yjeve
    Kujdes
    Zjarri i tyre
    është ende në veprim të plotë

    Bota
    Vazhdon krijimin e mrekullive
    Gjithçka
    Është ende në fillimet e veta,
    edhe eposet...

    Keine Kommentare:

    Kommentar veröffentlichen