F A Q E T

Samstag, 13. Juli 2013

Bedri Dedja

Bedri Dedja lindi në vitin 1930 në Korçë, studioi në Moskë psikologjinë dhe pedagogjinë e letërsisë për fëmijë, është shkrimtar shqiptar. U nda nga jeta në 13 prill të vitit 2004. Ishte Akademik dhe profesor në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë,ka qenë një personalitet shumëplanësh në krijimtarinë letrare shqiptare për të vegjëlit dhe atë shkencore për të rriturit: poet e prozator, përrallëtar e dramaturg, tregimtar e publicist, novelist e romancier, përkthyes, gazetar e kritik, studiues i psikologjisë, pedagogjisë e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, studiues e teoricien i historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë. Fitues i shumë çmimeve letrare, "Qytetar Nderi" i Beratit, mbajtës i "Çmimit të Republikës", "Urdhërit Naim Frashëri" dhe titullit "Mjeshtër i Madh", Bedri Deja është vlerësuar gjithashtu nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë vend në Vëllimin e XVI të biografive si autor i shquar i shekullit XX. Bedri Dedja ka lindur në Korçë më 20.11.1930. Shkollën fillore e kreu në Shkodër ndërsa gjimnazin e përfundoi në qytetin e Durrësit. Më pas studioi në Universitetin e Moskës dhe u diplomua shkelqyeshëm në vitin 1953 në disiplinat e pedagogjisë, psikologjisë dhe njëkohësisht të letërsisë për fëmijë. Pas përfundimit të studimeve universitare, për 40 vjet ka qenë lektor dhe Profesor titullar i lendeve të psikologjise dhe pedagogjisë në Universitetin e Tiranës dhe për një periudhë 5 vjeçare (1975-1980) edhe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit. Nga viti 1972 e deri sa u nda nga jeta më 13 prill 2004, ka qenë Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Paralelisht me veprimtarinë pedagogjike, deri në vitin 1975 ai ka ushtruar edhe funksione drejtuese publike si Drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik Tiranë, Kryeredaktor i Revistës "Fatosi" dhe Gazetës "Mësuesi", Drejtor i Drejtorisë së Botimeve Shkollore e Drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike në Ministrinë e Arsimit, Zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës si dhe Sekretar i Përgjithshëm Shkencor i Akademisë së Shkencave. Bedri Dedja ka qenë për shumë vjet anëtar i Shoqatës Botërore të Psikologëve, Kryetar i Shoqatë Kombëtare të Psikologëve si dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë. Bedri Dedja gjithashtu ka qenë anëtar i Redaksisë së përgjithshme për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) si dhe bashkëautor dhe redaktor përgjegjës i botimit të Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit, Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar Vol. I (2003). Shume vepra të tij janë përkthyer e botuar jashtë Shqipërisë si në Maqedoni, Kosovë, Greqi, Rumani, Kinë e Zvicër.
Burimet : Kjo biografi dhe të dhënat janë bazuar në Tekstin Historia e Letërsisë Shqiptare për Fëmijë të Dr. Astrit Bishqemi, Universiteti "A.Xhuvani" Elbasan, Botimet Sejko - 2001, fq. 287-289 duke u plotësuar vetëm me të dhënat e reja dhe botimet pas vitit 2001.

Tituj të veprave

Novela:

  • Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit (1954)
  • Një udhëtim i rrezikshëm (1961)
  • Kercënimi i thonjve kozmikë(1976)
  • Përrallëmadhja (1998)
Vëllime me tregime e përralla :
  • Përralla popullore mbi kafshët (1957)
  • Përralla e tre vëllezërve (1958)
  • Kallëzimet e gjyshe pastërtores (1960)
  • Kapiteni i shtërngatës (1970)
  • Përralla e shpatave të arta (1976)
  • Përralla e lepurit dhe e breshkës (1976)
  • Bariu i vogël në mal të thatë (1979)
  • Përralla njëmbëdhjetëkatëshe (1996)
  • Përralla të zgjedhura (1997)
  • Përrallat e Zvicrës (2002)
Vjersha dhe poema:
  • Numrat (1959)
  • Shkolla e pyllit (1967)
  • Artan Borizani dhe çeta e tij (1970)
  • Garda partizane (1972)
  • Patoku në plazh (1975)
  • Poezi të zgjedhura për fëmijë (1975)
  • Beni shkon në malësi me familje dhe shtëpi (1976)
  • Gjashtë poema për kalamaj (1976)
  • Vera, Genti e Driloni (1985)
Romane:
  • Shoku i braktisur (1957)
  • Kalamajtë e pallatit tim Vol.I (1972), Vol.II (1979)
  • Republika e 1100 çudirave (1975)
  • Nëpër korridoret e thella të Jonit (1976)
  • Met partizani (1981)
  • Si u rrit një komisar (1986)
  • Alarmet e qytetit Sdikuisht (1989)
  • Kacamicri rreth globit (1993)
  • Si katër fëmijë u bënë biznesmenë (1996)
  • Qyteti me tri kështjella (1998)
  • Sikuriada (2002)
  • Presidenti i Planetit të Kuq (2006, botuar post mortum)
Pjesë teatrale :
  • Gjyqi i Maçokut (1962)
  • Kryengritje në pallat (1972)
Publicistikë :
  • Biseda me pionierët (1986)
  • Nëpër ravat e jetës - Kujtime (2001)
  • Duke ecur kontinenteve - Përshtypje udhëtimesh (2004) ;
Përkthime nga gjuha ruse :
  • L. Tolstoi - Tregime dhe përralla për fëmijë (1954) ; Robi i Kaukazit (1959)
  • V.Majakovski - Për fëmijët (1954) ; Lexo, shëtit e fluturo (1958) ; Ç'është mirë e ç'është keq (1966)
  • N.Nosov - Tregime (1954) ; Aventurat e Dinpakut dhe shokëve të tij (1957) ;
  • M.Tuein - Aventurat e Tom Sojerit (1955)
  • A.S.Pushkin - Përralla e peshkatarit dhe e peshkut (1956) ;
  • H.K.Andersen - Përralla (1956) ;
  • M.Gorki - Jashka,Samovari (1957) ;
  • Sh.Péro - Maçoku me çizme (1958) ; Përralla ruse (1998, përshtatje e shqipërime nga 18 autorë) ;
Studime dhe vepra shkencore :
  • Edukimi i marrdhënieve të drejta midis djemve dhe vajzave në familje (1956) ;
  • Psikologjia për shkollat e mesme (1959) ;
  • Letërsia për fëmijë (1961, 1964, 1966, 1975, 1983) ;
  • Psikologjia për shkollat e larta (bashkëautor 1965, 1985, 1987) ;
  • Mbi rrugët e perfeksionimit të sistemit të sotëm të edukatës familjare (1966) ;
  • Politika dhe Pedagogjia (1967) ;
  • Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë (1971) ;
  • Shënime mbi historinë e mendimit pedagogjik shqiptar (1972) ;
  • Burimet e letërsisë shqipe për fëmijë (1978) ;
  • Shkrime mbi letërsinë për fëmijë (1978) ;
  • Studime mbi problemin e metodave të të mësuarit në shkollë (1978) ;
  • Didaktika (bashkëautor 1986) ;
  • Drejt enigmave të psikikës së njeriut (1989) ;
  • Psikologjia Sociale (1990) ;
  • Sekreti i talentit (1998).
 
Mirënjohje

  • Profesor
  • Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë
  • Laureat i Çmimit të Republikës
  • Laureat i Urdhërit "Naim Frashëri"
  • "Qytetar Nderi" i Qarkut te Beratit
  • Laureat i Titullit "Mjeshter i Madh"

  • Burimi: Wikipedia

    Keine Kommentare:

    Kommentar veröffentlichen