F A Q E T

Samstag, 13. Juli 2013

Poezi kushtuar Idriz Seferit

Fran Ukcama
IDRIZ SEFERIN E KEMI SHQIPONJË


Me shallin përflakun mbi krye,
Flamur i lindun, atdhetar,
Idriz Seferi, më ka kthye,
T`i thrras Kombit, sot, me zjarr!

Kush dorën vuri mbi shtatore,
Mallkimi motit do ta ndëshkojë,
Se të lirisë At` kemi roje,
Dhe të lavdisë, si një shqiponjë !

Ngrihuni o burra, pleq e të rinjë,
Ju gra e motra çika kah jena,
Se duan të na lanë pa histori,
Duan të na lanë pa Idriz Sefera !

Lavdia rritet dhe shumohet,
Si rrezet po i lëshon nji diell,
Idriz Seferi në shkamb naltohet,
Parajses rron, atje, mbi qiell !

 

GRYKËS KAÇANIKUT KENDOVA LIRINË

Kur u drodha lugut tand,
Me blerim e ujna të kaltra,
në shqiponjë u ktheva, tham,
kisha krah, por mora flatra.

Unë mesuesi i historisë,
Endur Kombit, ngjarje e data,
Bredh në shtigje të lirisë,
S`më kap dita, s`më kap nata.

Ndjej vikama , takoj, trima,
Tej atje ku dilte dielli,
Te një mal ngrihej vetima,
Ishte vetë Idriz Seferi.

Dhe e nisa kangën varg,
Djal i rritun në Mertur,
“Kaçanik ,o shkamb e gur,
Vritesh , pritesh për flamur” !

Për flamurin e Skenderit,
Luftojnë trimat e Idriz Seferit,
Dehur prej afshit të Lirisë,
Kapa me dorë yjet e qiellit.

Ata nuk pas kanë kanë yje,
Por qebesa, tan heronj,
Po ndrijnë lugje, fusha pyje,
I prijnë Kombit, nalt, gjithëmonë!

E jam ndal në Kaçanik,
Bash te sofra e barotit,
Gjeta shokë e gjeta miq,
Gjeta amë nga ama e Kombit!

Nehas Sopaj

E PO Ç'TË BËSH IDRIZ SEFERI

Para se të nisem kah vetja dhe njerëzit,
do të bie, të fle sonte, pa sytë e mi.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Më thuaj si t'ia nxjerr një fjalë Karadakut, më thuaj
si të filloj të flas me gjakun tim. Më thuaj.
Ky pyll i blertë sonte po niset
deri te zemra ime. Unë të njoh, Idriz Seferi
Të njoh. Ty dhe gjithë zemrat e skifterëve, ju njoh.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Kështu e ka ky vend me lule. Kështu e ka
kjo erë plot shi. Disa vdesin për liri, Idriz Seferi,
e disa shtrijnë duart e tyre zaptuese në botë.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Para gjashtëdhjetë vjetësh ti puthe
çdo pëllëmbë të Karadakut dhe Kosovës, Idriz Seferi.
Ti kishe vetëm një trup dhe një ëndërr
ç'të bësh, në ëndrrën tënde farkohej liria,
dhe rritej Karadaku i kuq me një diell të lulëzuar.
Dhe, një hënë prej purpuri. Ç'të bësh.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Më trego si të flas me gjakun tim të bleruar,
dhe gurin. Më trego, Idriz Seferi, më trego.
Si të flas me heshtjen tënde të bekuar.
Në gur dhe në ujë, çelin jorgovanet,
kurse në botë lindin shumë flaka të kuqe
dhe lule të flakave. Do të këndoj sonte, Idriz Seferi,
para se të nisem kah vetja dhe njerëzit.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
 


Musa Jupolli

Jam nxënës i Idriz Seferit

 Çou Idriz Seferi
Shqypnia po t’ thrret !
*
Sot e vura n’ Apostrof
popullin tim ,
n’Apostrof studimi ,
kronologji e kombit !
Kthehu n’ Apolloni
aty ku lindi filozofia
folmë gur’ m’ gur’
n’gurgullimën e lumit tënd ,
n’madhërinë e shqiponjave
vetë shenjë e Hyu-t !
Çou Idriz Seferi !
Për atë penë
që ma le n’ amanet
sot Apostrofi m’ është lënduar !
Ç’fare prisni ?
M’erdhë një zë ,
Zëri i Idriz Seferit:
S’kem nevojë për ottoman
as për ferrtarizëm !
Asht është folje e jetës shqipe
Histori e pa përkthyer ,
Vepër e pa shterrshme !
Me vargun tim
Jam nxënës Idriz Seferit ,
Nga zemra ngjyrë pikon ,
Pena ime pushkën e Idris Seferit mbron !

 Korriku i 2013- tës !



 Mentor Thaqi

JE KOLOS O IDRIZ SEFERI

(Ata që prekin shtatoren tënde,
i prektë mordja e turpshme!)

"Shtatë sahat tuj u pre me thika, ...",
Idriz Sefer,
as edhe një copë
e as edhe një kime floku
s´të hoqen,
stë morën,
çallmashë as harambashë!

E sot,
s´duan t´lënë shëndosh,
ca kodoshë,
ca kokëbosh!

Paj,
të jeshë Kolos
është sakrifikim
o Heroi im!

Ka korba të zi,
ka edhe lakuriqë
me kokë e bisht, armiq.

Ti,
Ai i Madhi
n´trimni,
n´urti,
n´largëpamësi.

I paprekshëm,
i pavdekshëm.

Jo, jo,
s´të preket identiteti
o Idriz seferi
e as të preket dinjiteti,
je Simbolikë Nderi!
12.07.2013



Hasan Qyqalla

Indinjatë motesh:
DY DITË PARA S’DJESHMES
(kurrë s’e kuptova si vritet Dielli)

dy ditë para s’djeshmes…
nuk dij si më çoi puhiza në Has
në Kullën e Shtjefnit shfletoj Kanunin
qirinjë ndeza për Mesh(ë)arin e lashtë
mos qoftë shqiptar ai që shkel brumin.

pardje...
nuk dij pse më mori frymën pishina
e valët e liqenit përpihen në vete
për dreq ç’mu kujtua Hasan Prishtina
mos qpoftë siç thonë, e marrtë ora e keqe.

dje...
nuk dij pse dje më vrau dhe Dielli
apo më vranë Diellin korba e djajë
për dreq ç’mu Fjalë e Jusuf Gërvallës
“mos u zbuloftë kurrë nëse është shqiptarë...”!

sot...
nuk dij pse s’qetohem sot nga e djeshmja
kush ngreh dorë mbi atë Plis shqiptari
kush gjymton Idriz Seferin yll në kreshta
soji i të tillëve prototip barbari...


Fehmi Korça
Skulptori

Skulptor, gdhende hijen time.
Çdo kush le ta shohin
në mënyren e vetë.
Disa le ta shohin me plis,
E të tjerët le ta mbulojnë
me pelerin të zezë .

Aty afër meje
të lutem ma gdhend
dhe gurin e dhimbjes.
Gdhende ta shohë bota
bukë përmbysesin
që nuk e njehë vehtën .
Se hija ime po i zë diellin
E kur u dashtë,
Unë i fala dritën.

Skulptor, më gdhend
ashtu si isha...
Hija ime të jetë e dyfisht.
Në njërën anë
dua ta shohë bajlozin,
me grykhollen time.
E në anën tjetër
Historin e popullit tim
të zhveshur lakuriq.

Kur dalti ytë skulptor ,
ta gdhend hijen time
Mos harro të shkruash
Epitafin tim.
Se unë kam vdekur
vetëm për një Atdhe.

Andaj Ti skulptor gdhend
se hija ime lind pas
çdo rreze të diellit.


13.07.2013


Lumturi Plaku


NUK ULEN VLERAT E IDRIZ SEFERIT.

Dhe në ndryshofshin regjime e pushtues
edhe se vitet rrëshqasin bashkë me kohën
e as përmbytjet e tërmetet shkatërrues
s’i shuajn emrat e Burrave patriotë.

Thonë që bustin e Idriz Seferit, prishën
por dhe më lartë ja kanë ngritur vlerën
ferra e driza kacavjerren plotë rreth lisit,
por lartësinë më shumë në pah ja nxjerrin.

Mundohen mizat të pështynë e të ndyn
por s’e arrin se është lartë vëndi i nderit
dhe horrat dritë shkurtër dot s’arrin
të ulin vlerat e Idriz Seferit.

Ata janë zvaranik, janë minj, që natën dalin
s’kanë burrëri, merren me një copë beton
se lartësia e emrit, që mban lapidari
është legjendar, i pa vdekshëm përgjithëmonë.

O gjak i pastër i Arbërit fisnik
pastro helmet, që shekujtve të ka trubulluar
bashkohu, bëhu grusht e me force godit
ata, që prekin BIJT e tu të nderuar.




Fehmi Qerimi

SA KEQ…

Para syve tanë,
e të botës.
Perdja hiçet

Moti prishet.
Edhe sivjet,-
Blasfemia !

Në pikë t`verës,
Kokrra e Grurit,
përtokë hidhet !

Breshër bie…
Në pikë dite
Mbi Përmendore.

Kjo poezi per rrenimin e bustit te Idriz Seferit....ju pershendes dhe ju uroj nje dite te mbare...Miqesisht Fehmiu...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen