F A Q E T

Sonntag, 21. Juli 2013

Granit Zela

Granit Zela është një ndër krijuesit më të rinj të fundviteve nëntëdhjetë dhe që në fillim të viteve 2000 shfaqet aktivisht në të gjithë periodikët letrarë. Ka lindur në Bushat,  Kukës në 10.2.1979. Shkollën e mesme e ka kryer në Shkodër dhe Tiranë për gjuhë angleze. Është diplomuar për “Anglistikë-Amerikanistikë” si dhe për “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” në Tiranë. Në vitin 2001,  ka botuar librin me poezi “Apokalips” i cili mori çmimin “Kënga e Parë” nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si libri më i mirë me poezi ndër autorët e rinj për atë vit.  Në poezitë e këtij libri shfaqet një individ i shqetësuar, me gjendje emocionale torzo, tejet i trishtuar dhe i traumatizuar që kërkon të gjejë shpëtim dhe rrugëdalje tek vlerat më të mira duke reflektuar një mendim të trazuar.
Në prozë Zela boton më 2002 vëllimin me tregime “Vdekje me dëshirë” –një narracion gjysmëfantazmagorik dhe baladesk i realeve nga Verilindja, temat intime dhe, përgjithësisht përjetime metafizike. Vëllimi i dytë me poezi “Në studion time hermetike” (Aleph 2003), dallohet për bashkëkohësinë e përjetimit dhe nivelin e pjekur artistik në të gjitha nivelet e saj.
Romani “Dodona” (2006), fragmente të të cilit janë botuar më parë në “Mehr Licht” dhe revistën letrare elektronike “Eurozine” është  prozë që ka tekst letrar të skalitur ku mbizotërojnë rravgimet idealizmat, zhgënjimet e personazheve dhe një simbolikë e pakufishme.  
“Shkronjat e errësirës” (FjalA 2008) është fryt i angazhimit në periodikët kulutorë, kryesisht në “FjalA”, me ese kulturologjike, studime dhe artikuj, shkrime me problematikë kulturore.  Në fushën e përkthimit ka përkthyer ese të kritikës së letërsisë të mbi tridhjetë autorëve britanikë dhe amerikanë, botuar në revista dhe periodikë letrarë. 
Granit Zela është kryeredaktor i gazetës letraro-kulturore “Drita”, organ i Shoqërisë së Artistëve të Rinj Modernë (SHARM) dhe bashkëpunëtor i të gjithë periodikëve kulturorë në vend. Që prej vitit 2003 është pedagog i gjuhës angleze në Universitetin Ushtarak “Skënderbej” në Tiranë. Ndjek studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
 
 
NATA PARA NJERIUT
 
Zot ç’po ndodh me njeriun e argjiltë?
kur bien shirat lutet të përmbytet shtëpia e fqinjit
në thatësirë trualli t’i shkretohet
hiqen zvarrë nëpër zgrip të humnerës nxirane
diktoju urdhërat e tua popujve të paskrupujt
rrënqethshëm kërcasin dhëmbët
shtrëngojnë grushtet e përgjakta
 
ku do t’i çosh këso shpirtrash hidhërakë
të ndarë e përçarë janë bërë për t’u qarë
kam për të vajtur e vajtuar në kthinat ankthmbytëse
jam si zogth që kërkon krahë
për të ardhur te ti Zot i madh e i vjetër
larg batakut të njerëzve të vegjël
 
më merret frymë e ngjethet mishtë
të ndryrë e të ndyrë  ende nuk  e dinë
që këto fjalë të pambrojtura janë të mbrujtura me gjak
unë jam shërbyes o shëlbyes murg i mërguar në mal
ata ikin e ikin prej teje e vrasin kujtesën
 
kthehu o imzot në natën para njeriut
çliroji popujt nga padrejtësitë dhuna dhe mizoritë
(dikush mohon një muhamet tjetri plagos një krisht)
të eturve për gjak si do t’u shuash etjen
përthellë kaosit të kohërave të ribësh gjithçka
me pak më shumë dashuri e mirësi Nënë Tereze
 
 
EDHE TI BRUT?
 
edhe ti Brut?
ti i mallkuar brez pas brezi sa gjallë të jesh
qeshë bamirësi yt gjithmonë o tradhëtar  që kurrë s’më desh
atë pak dije që e pate  të ndiha më shumë ta zhvillosh
kupën ku pimë krejt e përmbyse nise mes t’mirave të harbosh
të dhashë shpatë veten të mbroje
në shpatën time  tash do më shkosh?
 
edhe ti Brut?
edhe ti Brut?
edhe ti Brut?
njeri i prujtë mbetur  pa nder rrjedhur nga trutë
zhytur në llom  llum e  bërrnut
hut i hutuar  bashkë me të tutë
turmën me tmerr  merr me të butë
gjaku gjer në gju  tutje tëhu
në humbëtirë ik e humb
O bukëshkelës mendjeharbut!
 
ishin gjithsej njëzetë e tre
plagët e mia por ndër to..
kama e  Brutit thellë më their horr i pabesë që më ngjall ndot 
i  përlyeri e krye-të-ndyri  i një taborri plot neveri
bukën që kishim bashkë e ndamë
por paska qenë gjarpër në gji…
 
mishin të ma rripnin armiqët e mi
        pa  peng aspak
fitore të tyre do kremtoja me helm të zi vdekës  farmak
 edhe ti Brut?  kurrën e kurrës 
s’ kam për të gjetur prehje
do të endem si lugat
ikur prej botës së të vdekurve…
 
 
PA LEJEN E SYVE
 
atëbotë ishte mbrëmje, qiellit mijëra shkëndija
po ndërroheshin vitet dhe unë isha pranë teje
i mbrami vit që më gjeti ashtu e s’ e dija
se mbramja e pikëllimit do m’mbulonte kryekrejet
 
atëbotë ishim bashkë në një qytet të huaj
ti më ishe mâ i afërti njeri për mbi dhé
mbasi ai vit i bekuem u ndërrua
ndërroi dhe fati im atij çasti krejt…
 
ka tash sa kohë që nuk të kam parë me sy
sytë e mi flutrojnë natën ndër qiej
e shndërrohen ata më së mbrami në yj
dritë e tyre mbi ty ngrohtësisht bie
 
n’se nji rreze kësaj nate do të prek mbi qerpikë
teksa ti do  kotesh mbase në krahët e tij
unë zemërplagosur do vdes mu aty
ku lot malli të kenë rrqitë pa lejen e syve…
 
 
GJENIU DHE TURMA
 
sa më shumë të ngjitesh malit tënd përpjetë
mbi ty pajadâ shkrepëtijnë rrufetë
malin ku flijon djerr kanë me e djegë
toka ku ti shkel kthyer në tokë të shkretë
të të zhbëjnë duan e të çojnë në zgrip
turmë e mediokërve mësyn në Olimp 
 
trutredhur gojëmarrun rrokatet është turmë!
krra krrra veç krrokasin pa ndalur është turmë!
shpifin e përbaltin me zemërim e zhurmë
është turmë! është turmë! është turmë!
 
sheh me hidhërim si bëhen të marrë
mandej njëfarësoj gazi të kap një çast
turmë e mediokërve me turr të paparë
rreth Olimpit sillet mbushur me maraz
ata janë të egër me helm buzë për buzë
psall përçart sytë zgllap prijësi i tribusë
 
sikur ka dashni për jetë e për mot
është njëri ndër ta që të urren më fort
ai do që sytë të ti nxjerrë me dorë
prijësi i tribusë është kryemizor
mezi pret një rast i panginjur kurrë
mu përpara turmës zemrën të ta shkul
 
gjeniu në Olimp prijësi në tribunë
ai ngriti faltore ata zjarrin i vunë
u mblodhën mediokrit formuan një turmë
pafund kundër tij vrer vollën ditë e natë
pas njërës fushatë një tjetër fushatë
sikur kundër Tebës u hodhën të shtatë
 
vërsulen të shqyejnë të të zhbëjnë gjeni
shkelmojnë e shkretojnë derdhin helm të zi
ajo është turmë që zhduket me turp
mes vesën e një agu një dhimbje në trup
një plagë që zgjerohet e shpirtin e vret
gjeni i mallkuar me plagën e vet
 
 
PLOJA E KUKËSIT TË VJETËR
 
medet ç’kob i madh qytetin e gjeti
i bënë dhunë atij qytet hyjnori
përtokë flakë skeptrat bijë e hënës, bir i diellit
plot dhimba e fjalë u delnin për zori
lindi binjaku, Qyteti i  Ri, tjetri
që s’është veç hije e të parit
u mbulua ai prej harrimit e territ
u ngrit mbi dhunën, gjakun e zjarrin!
u vërsul me rropamë ujanë e rrëmbyer
e egër, e pashpirt si kafshë e ndërkryer
bujshëm rrahën krahët shpesët e tmerrruar
gjeth e lule llumi  thellë i rroposi
foletë ua prishi turrri i ujit të tërbuar
një gjarpër i zi prej Drinit të Zi doli
iu ngjit rretherrotull ditën për diell
kahmos tejembanë helmin e volli
hije u panë në shpinën e malit të lartë
harrim i tyre i kobshëm ishte shkruar
veç kujtimet do mbesin për Qytetin e Artë
 
*  *  *
 
përpos  teje askush
pikëllimi le të vij të bujt tash
pa kuptim është perëndimi
pa kuptim është lindja
mirëfilli i vetmuem
murg më mirë të isha
ka mbetur manastiri
pa një ikonë me fytyrën tënde
përpos teje askush
nuk mundet t’i jap jetë jetës time
harrimtare është koha
mos i zë besë
obelisk i vetmuem në viset e mia
t’kujtesës
 ma prangose ëndrrën time
afresk i flakur në funde liqenesh
 
 
LULET E VERDHA TË PIKËLLIMIT
 
zhytur n’përfytyrime ta ndërmend fytyrën
prapsur vetmie dikur ndjeja gëzim
çelje si lule shpërthyeshëm n’shpengim
drithëruese fërgëlluese sa mezi mbaj frymën
 
m’sillje paqë përndezur pasionesh përvlim
koha pandalas rrëfeu fate mizore
ti ndërrove mendje tash kallur n’harrim prore
nuk mundem me këmbye s’paku nji vështrim
 
kur qan a qesh shkakun pa e ditur
kush t’i fshin sytë o peng i kësaj jete
shpëtoma shpirtin tashembrapa mbete
trazuese nji dëshir gjithheri i grishur
 
tash për dikë tjetër kam dashuri
sa mundem me e pushtue botën tejendanë
s’i gëzohem gëzimit tand se dhimbjet na ndanë
s’më lënë që për ty të ndjej dëshirim
 
thuaji kujtimit tënd të më lërë të qetë
a ndoshta kjo ndodhi prej luleve t’verdha
qi pashë sot ndaj me gëzim  erdha
te ti që u këndoje përplot me adhurim
ta dish si gjermëtash s’do mundesh me qenë
burim i pashterrshëm i pikëllimit tim. 
 
 
Rrethinave të Antlantidëspër Petrit Nikën

m’u fanite mbrëmane tek ngjiteshe Parnasit
rrugëtimi yt nuk po dilte huq
turma profanësh shqyheshin zilie gazit
kapërdinin përshtymën binin pellgjeve palmuç
galdueshëm, kqyrja tek grahje për atje
nuk ke tjetër fat pos mbërritjes në majë
mandej diku gjoksit të ra një gurë dhe re
u ngjite sërish tek më erdhi të qajë

s’po të binin gurë vetëm kraharorit
por edhe në krye, në gjunjë edhe shpinës
sa bije ngriheshe sërish prej zorit
tek helm i tyre i zi të helmonte tinëz

rrallëherë për të prajtur një grimë në fund të ditës
uleshe pa bza rrethinave të Antlantidës

rrethinave të rrish më mirë, sa më larg
kryeqendrave të mbushura me zagarë pa zot
që zhgërryhem në plehra lëpijnë lëshojnë jargë
gjithë po duke pritur të kafshojnë më fort
e di, ke për të mbërritur atje n’atë parriz
ku drita hyjnore botën mbush me lavd
ke për të kujtuar atë mall të madh miqsh
at Ag që sot përndriti vetë Zoti ynë i madh.

____________________
Burimi: Revista ADMET 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen