F A Q E T

Sonntag, 21. Juli 2013

Koçi Petriti

Koçi Petriti lindi më 1941 në Sovjan të Korçës. Shkollën fillore e të mesme i kreu në Korçë. Pas një periudhe të shkurtër pune si arsimtar, fitoi të drejtën e studimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua (1967) për gjuhë dhe letërsi. Me mbarimin e fakultetit, pasi kreu sherbimin ushtarak 2-vjecar, u emërua arsimtar në Librazhd. Më 1990 emërohet në departamentin e talenteve të reja pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (Tiranë), ndërsa më 1992 Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Lidhjeje. Më 1993 emërohet Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Ndërroi jetë më 20 Prill 2014.

Tituj të veprave

  • Lirikat e majit (Tiranë, 1962)
  • Përsëri në udhë (Tiranë, 1867)
  • Firma e popullit tim (Tiranë, 1974)
  • Prush nëpër shekuj (Tiranë, 1979, çmimi: libri më i mirë i vitit)
  • Lulekuqet (Prishtinë, 1981)
  • Të dashurova ty (Tiranë, 1988)
  • Poezia shqipe (kolana e poezisë shqipe, Tiranë, 1989)
  • Në poetikën e Martin Camajt (Tiranë, 1997)
  • Lirikat e majit (Tiranë, 2002, ribotim i ndryshuar)
  • Albumi i lirikave (Tiranë, 2004)
  • Poezi të zgjedhura (Tiranë, 2005)


  • Poezi nga Koçi Petriti

    TI DO TË VISH...
     
    Ti do të vish, prapë do të vish
    Nga udha ku je nisur
    Po flokët më s'do të t'i shprish
    Ashtu si t'i kam shprishur
     
    Në gjoksin tim që digjet zjarr
    Do rrish pa bërë zë
    Po unë prapë si fillestar
    S'di do të të puth më
     
    Do desha të isha prapë me ty
    Si viteve që s'kthehen
    Që kur të shihemi sy ne sy
    Të skuqem e të dehem
     
    Pra, bëmë në ëndërr të të shoh
    Dhe hidhmë në mendim
    Që kurrë fundin mos e njoh
    Siç njoh fillimin tim...
     
     
    PËR TY QË TË DUA
     
    Unë emrin tënd e zë rrallë në gojë
    kjo do të thotë që në zemër e ruaj thellë
    veç në ndodhtë të kthehem në rrënojë
    do të dalësh si legjenda mbi një kështjellë
     
    Unë emrin tënd s'e kam vënë në asnjë vjershë
    E s'do ta shkruaj as në vargun më me bujë
    Kjo do të thotë që gjërat me peshë
    rrinë në thellësi dhe është zor t'i ngresh mbi ujë.
     
    ***
     
    S'rri dot me ty,
    s'bëj dot pa ty,
    nata ka vesh,
    dita ka sy.
     
    Fshehur po dal'
    vjedhur po hyj,
    nata ka vesh,
    dita ka sy.
     
    Nën qiell veç,
    nën dhe të dy,
    s'rri dot me ty,
    s'bëj dot pa ty.
     
     
    PËR TY QË TË DUA
     
    Unë emrin tënd e zë rrallë në gojë
    kjo do të thotë që në zemër e ruaj thellë
    veç në ndodhtë të kthehem në rrënojë
    do të dalësh si legjenda mbi një kështjellë
     
    Unë emrin tënd s'e kam vënë në asnjë vjershë
    E s'do ta shkruaj as në vargun më me bujë
    Kjo do të thotë që gjërat me peshë
    rrinë në thellësi dhe është zor t'i ngresh mbi ujë
     
     
    NË PUTHJE ISHE KREJT DËBORË
     
    Në puthje ishe krejt dëborë,
    sikur më puthte vdekja,
    e unë
    të shtira kot në dorë,
    mos shkonte kot pikpjekja.
     
    Po dhe në ish dorështënia e kotë,
    a thjesht pa epsh, pa ëndje,
    përse më kap rrënqethja e ftohtë
    kur ty të sjell ndërmëndje?
     
    M’u dhe ti mes dëbore e zjarri,
    pa ditur ç’ndeze e ç’fike
    e mua shpesh kjo puthje varri
    më shpon si majë thike.
     
     
    TËMTHAT MË RRAHIN
     
    Tëmthat më rrahin
    zemra më digjet
    dua një shekull të rroj
    e larg n'u largofsh si ujrat nga brigjet
    prapë më dhimbsesh njësoj
     
    Ç'rëntë mbi mua
    ç'rrjedhtë nën mua
    rrjedhtë e më ktheftë tek ti
    unë ç'njeri duhet dashur e dua
    ty sa njëqind dashuri
     
    Ç'flasim kështu
    ç'heshtim kështu
    vallë në ç'ujra po zhytem
    ulur në çipin e syve të tu
    lermë të pi e të mbytem!
     
    Lermë të pi
    lermë të hesht
    zemra për zemër të digjet
    shekullin tim le ta ngrysja kaq thjesht
    n'ujrat ku lozin gjith' brigjet...
     
    Tëmthat më rrahin, zemra më digjet.
     
     
    LETËR 2
     
    Kam ndënjur vonë për ty, po rri dhe sonte.
    Me ç’brejtës t’eshtrën zemër të ta brej?
    S’kam dashur që keqardhje të të zgjonte
    Një dobësi që tjetrit ia urrej
     
    Ç’të derdh në varg dënesje shpirtsëmuri
    kur ty zjarrminë e mallit s’ta ndez dot
    Me ç’zog vajtues qan një dhimbje burri
    Të ndjellë midis lotit, pika lot?
     
    Po flas dhe hesht, po hesht dhe flas kaq mbytur
    Por kot. Ti s’ndien as mall, as ngashërim,
    E nuk e di me ç’xhinde jam përfytur
    Të fsheh ç’më bren përbrënda burgut tim
     
    12 shtator 1962
     
    ***
     
    Unë mund të them një të vërtetë
    Të tjerat mund t’i fsheh
    Ne shumë mburremi ndaj botës
    Por bota për asgjë s’na njeh
     
    Prandaj në këtë natë t’errët çmoj
    Nga gjithçka më tepër të vetmuarit
    Që pyesin shpesh vetveten : “Përse rroj
    kur flenë budallenjtë dhe të zgjuarit?”
     
     
    JU KUJTOVA TË GJITHAVE
     
    Ju kujtova të gjithave juve që them se ju desha
    që nga m'e hershmja
    gjer tek e vona,
    atë që ish e paputhura,
    atë që ish virgjëresha,
    atë që ish moll' e sherrit e pelë e harbimeve tona.
     
    Atë që flijoi për tre grosh dashurizen e parë
    atë që briroi fill pas muajit të mjaltit nën mua
    atë që nguroi n'udhëkryq djall a ëngjëll të marrë
    atë që kuptoi që s'e desha, që sapo i thashë "Të dua"
     
    Ja, po më ngjan sikur ngriheni nga heshtja e honeve
    të ndryshme, të shumta si ngjyrat, si zogjtë
    ju fluturuat mbi prushin epshor të pasioneve
    donit të ngroheshit, pendët e bukura dogjët
     
    Vjen perëndish edhe ti që të desha së pari
    pikëz e artë, flurorja, si rreze e përthyer mbi lot
    të shtrij e të shkoj përmbi buzë serish si dikur një fill bari
    ti nis këndon edhe qan: Dashuria bën xhiro në botë!
     
    Prap unë u desha pa ty
    ti prapë u puthe pa mua
    erdhën pas teje të tjera, shuan ç'rindizet e digjet
    erdhën, po s'hyri askush gjer në pronat e tua
    mes njëri tjetrit shkon lumi që ndan e bashkon të dy brigjet
     
    Zbriti dhe suta e Veriut
    mbërriti edhe krrilla prej Jugut
    unë i pranova të gjitha, të gjitha, të gjitha
    toka, grua beronjë, palluar prej plugut
    qan kur s'ngarkohet me peme
    qesh kur mbulohet me drithra
     
    Ja, ku po vjen dhe m'e vona, mjellma e fundit
    mjellma e fundit brymuar nga vjeshta
    hirin hënor të flijimit kalimthi ma shkundi
    brymen e ikjes pa kthim më brymoi përmbi vjersha
     
    Unë kështu dimëroj gjer në flirtet e vona
    herë i rishuar, herë i rindezur, sa mund
    jam gati çdonjë ta ridua sikur t'ish vërtet Dezdemona
    pastaj ta harroj si një libër që s'mund ta lexosh gjer në fund
     
     
    ***
    As mundem të të mbaj
    as bindem t
    ë të
    ndaj
    ndonëse guxim i krisur m
    ë
    jep shtytje
    e toka q
    ë
    i zbon avujt e saj
    shpesh kërkon shi
    e shpesh pëson përmbytje
     
     
    ÇAST
     
    Dallgë dhe dremitje e mërmërimë
    Ç'madhështi pa shpirt, pa dashuri!
    Ne të dy buze-ujrave po rrimë
    Guaska jonë deti.
    ...........Ne - perlat e tij.
     
    Dhe kështu i thamë gjithë fjalët
    Heshtim me një heshtje që s'na shkon
    Po dhe deti i madh, që varros valët
    Nganjëherë u bëka monoton
     
     
    HËNA
     
    Sa here atë e morën nëper gojë
    e kush s'u tall me shkak apo pa shkak?
    Ajo s'e bëri veten të përçmojë
    vetmia e tret, thashethemnaja e mplak
     
    Vejushe, që përcjell e pret të birë
    i vjen përjetësisht rreth e qark botës
    që udhët të mos mbeten n'errësirë
    kandilin që i jep dielli ia fal tokës...
     
     
    SHKËNDIJA
     
    Shumë ëndërrova të doja një njeri
    Kështu më mbeti koka kthyer nga dashuria
    Ëndërr pas ëndrre blova dhimbje e vetmi
    Në zemër mblodha gjithë muzgjet me shkëndija
    Duhet të prisja që veç ty të të desha
    I rrethuar kështu përjetësisht me xixëllonja
    Jam unë që të dua vërtet gjer në eshtra,
    Apo ti të më bësh të të harroj je e pazonja?
     
    16 mars 1972
    _____________________________________
    Biografia e autorit është marrë nga Wikipedia, kurse poezite nga Revista ADMET

    Keine Kommentare:

    Kommentar veröffentlichen